` . Covid – 19, virusi që po ndryshon botën - TV-SHENJA

Covid – 19, virusi që po ndryshon botën

“Viti 2017 ka qenë një vit i zi për Italinë. Në tre muajt e parë të vitit 2017 në Itali kanë vdekur 192 mijë persona dhe kur i shohim vitet e mëpasme, kur filluan të jepeshin vaksinat, në 2018 kemi 187 mijë të vdekur për tre muajt e parë, në vitin 2019 kemi 185 mijë dhe sot u përditësova nga Instituti me të dhënat e fundit për vdekjet e vitit 2020, për 3 muajt e parë, ku kemi 172 mijë persona të vdekur. Me gjithë korona-virusin ne jemi 20 mijë persona më pak krahasuar me vitin 2017”, thotë Gerta Zaimi.

Intervistoi: Latif MUSTAFA

Përhapja e virusit Korona, i njohur në terminologjinë
mjekësore si Covid-19, po bëhet ditë e më tepër më depërtuese. Tashmë jemi
futur në muajin e dytë që nga dita kur autoritetet në vend morën hapat e parë
të kundërvënies. Virusi, përpos në nivel lokal, ai ka filluar të bëhet elementi
më shpërbërës në nivel global. Përhapja e virusit në sfond në formë të velit
transparent mbanë konstante pyetjet për qenien njerëzore dhe mundësinë për një
rikonceptim të jetës dhe natyrës. Por, ama, në nivel të politikës pragmatiste,
ai tanimë ka filluar të bëhet edhe një “armë” potenciale për zhvendosjen e
ekuilibrave globalë me potencën e krijimit të një rendi të ri botëror. Në
kuadër të emision “n’pikë” të Televizionit Shenja ne kemi zhvilluar në
intervistë me studiuesen shqiptare, Gerta Zaimi, e cila jeton në Itali. Ajo
punon në Qendrën për Studime Ndërkombëtare dhe të Biznesit pranë Universitetit
të Firences. Gjatë emisionit me Gerta Zaimin u diskutua për gjeopolitikën e
pandemisë, implikimin e saj në rrjedhat globale dhe mundësinë e ndryshimit të
kursit historik botëror në saje të këtij virusi. Gerta Zaimi është studiuese e
njohur për çështjet politike të Lindjes së Mesme, andaj biseduam edhe për interpretimet
e saj në lidhje me riformësimin e politikave botërore në Europë, Ballkan dhe
Lindje të Mesme.

SHENJA: Ju jetoni në kohë të gjatë në Itali. Me syrin e një
vëzhguesi të brendshëm, sipas jush, pse Italia u shndërrua në vatër të krizës?
A ka plan Italia se si të dalë nga kjo gjendje?

G. ZAIMI: Italia është vendi i parë që u prek nga korona-virusi.
Çdo gjë flitet rreth asaj se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Siç e dini, korona-virusi
ishte dhe është i panjohur aktualisht. Janë në studime e sipër me gnomën e
virusit, me kapacitetin e tij të infektimit me shpërndarjen, me atë se sa mund
të fitojë trupi imunitet dhe, nga ajo që ndjekim dhe ajo që thonë burimet
zyrtare, sepse në këto momente ka burime jo të besueshme dhe teori
konspiracioni që gjirojnë bile edhe nga vetë BE-ja janë shpërndarë informacione
për të pasur kujdes burimin e lajmeve jo të besueshme, Italia është vendi i
parë që është prekur në Europë e që do të duhej të ishte shembull për leksionin
e dhënë. Në fillim pati njëfarë neglizhence me idenë që shtetet e tjera nuk do
i prekte, por edhe ne në Itali në fillim fare e morëm me nënvleftësim. Në bazë
të Institutit të Statistikave Italiane, situata është emergjente dhe duhet të
jemi të kujdesshëm, është një fazë pandemie, por ama duhet parë edhe numrat e
viteve të kaluara. Ky lloj virusi është më i fortë se sa ishin kripërat, prek
me një shpejtësi shumë më të madhe dhe ai prek rrugët e frymëmarrjes. Krijon
një situatë emergjente dhe mbyt aftësinë e spitaleve për t’iu përgjigjur
kërkesave të shtetasve. Bazuar në të dhënat e Institutit të Statistikave dhe nëse
e analizojmë shkallën vdekjeve të muajve të parë në disa vite, shohim se në
vitin 2017 pati një fushatë shumë të madhe kundër vaksinës që jepet për gripin.
Viti 2017 ka qenë një vit i zi për Italinë. Në tre muajt e parë të vitit 2017
në Itali kanë vdekur 192 mijë persona dhe kur i shohim vitet e mëpasme, kur
filluan të jepeshin vaksinat, në 2018 kemi 187 mijë të vdekur për tre muajt e
parë, në vitin 2019 kemi 185 mijë dhe sot u përditësova nga Instituti me të
dhënat e fundit për vdekjet e vitit 2020, për 3 muajt e parë, ku kemi 172 mijë
persona të vdekur. Me gjithë korona-virusin ne jemi 20 mijë persona më pak
krahasuar me vitin 2017. Shifrat, sa unë arrij të lexoj, duhet të jenë të
kufizuara. Të jemi të kujdesshëm. Izolimi shërben për të mos mbytur spitalet.
Italia është e ndarë në zona. Rajonet më të prekura janë ato të veriut.
Lombardia, Veneto dhe Emilia Romagna. Është shumë interesante përgjigja rreth
përhapjes që merret nga Lombardia dhe Veneto. Lombardia ka një frymëmarrje
shumë të vogël, është e mbytur nga korona-virusi, kurse Veneto e pati një hov
të ngjashëm me Lombardinë, por reagimi ka qenë më i ngjeshur dhe më i shpejtë.
Shkencëtarët thonë se, bazuar në mënyrën e shtrimit dhe të pranimit të
pacientëve në spitale në Lombardi, pra duke u shëtitur pacientët nga spitali në
spital, bënë përhapjen e virusit. Kurse Veneto ka një sistem shëndetësor bazuar
në shtrirjen e mirë të mjekësisë familjare dhe arriti ta parandalojë në mënyrë
efikase shpërndarjen e virusit. Duke parë shifrat e vdekjes së viteve të kaluar
dhe mënyrën e përgjigjes nga spitalet në Lombardi dhe Veneto, të prekura
pothuajse njësoj në fillim, izolimi na shërben për përmirësimin e ndihmës dhe
shërbimit të spitaleve për të ruajtur shëndetin e njeriut.  

SHENJA: Ka një qarkullim të madh të informacioneve nga media mainstream
dhe korona vetiu është bërë një mainstram dhe determinon agjendën ditore
mediatike sikurse ka një kritikë për neglizhencën e BE-së kundrejt Italisë në
kontekst të solidarizimit. Çfarë mendoni ju, a tregua BE-ja neglizhente ndaj Italisë?

G. ZAIMI: Ajo çfarë unë mund të them është një histori e çuditshme
e asaj që ndodhi. Janë dy gjëra me rëndësi në të gjitha politikat që janë bërë
në këto vite: e para, shpërndarja e informacionit dhe, e dyta, gatishmëria për
përgjigje ndaj fenomeneve si pandemia dhe po ashtu perceptimi i fenomeneve në
përgjithësi. Në fillim, jo vetëm shtetet e Europës, por e nënvleftësuam edhe
ne. Madje, në Francë pati një gazetë që bëri një reklamë me picën me korona-virusin
sipër. Në fillim fare, Gjermania dhe Franca ndaluan e transportimin e maskave
drejtë Italisë ndoshta edhe sepse nuk e kuptuan se sa e rëndë ishte situata. Në
momentin e dytë filluan menjëherë të mobilizohen. Patë ndihma nga Gjermani,
Franca dhe të gjithë. Të gjithë që e akuzuan Italinë për vetizolim, që të gjithë
e aplikuan masën e njëjtë të vetizolimit. Europa ishte e papërgatitur. Me një
fjalë, edhe në qoftë se faza e parë është egoiste, kalimi në fazën e dytë është
diçka më ndryshe. Pati menjëherë solidarizim nga ana e BE-së dhe u filluan
diskutimet për vendosjen e fondeve nga buxheti i BE-së. Nga ky buxhet do të
merren 100 miliardë euro dhe nga veprimtaria e instituteve të shteteve të tjera
edhe 2700 miliardë të tjera. Nuk mund të themi se nuk ka pasur solidarizim, por
ishte i mangët, i heshtur, por mekanizmi i solidarizimit filloi menjëherë. Por,
në gjithë këtë ka një problem tjetër – BE-ja funksionon, por nuk funksionon
Europa. Pse e them këtë? Të gjitha mekanizmat e BE-së, të cilët nuk janë të
lidhura me unanimitetin e vendimmarrjes, po funksionojnë shumë mirë dhe janë
solidarë. Ajo që nuk po funksionon është që kur ti të shkosh, të marrësh
vendime në bazë të unanimitetit. Bëri një shtet të thotë që nuk jam dakord,
atëherë ajo nuk kalon. Kjo po ndodh në diskutimin me atë që quhet eurobondet ose
koronabonde. Në kohën që një shtet, shembull Gjermania, Hungaria etj., thotë se
nuk jemi dakord, atëherë edhe kjo bie. Pra, funksionon partneriteti europian ku
nuk kërkohet unanimiteti dhe dështon aty kur kërkohet ai. Një gjë tjetër me
rëndësi është perceptimi. Është shumë me rëndësi se si do të veprojë Europa në
këtë situatë. Duhet më tepër komunitet i BE-së dhe më pak Europë. Europa nuk ka
një politikë fiskale të përbashkët dhe ky është një hendikep shumë i madh. Ne
nuk jemi Shtetet e Bashkuara të Europës. Po sa i përket perceptimit, në Itali
mbizotëron perceptimi se Europa nuk po ndihmon, gjë që nuk përputhet me faktet.
Faktet janë të ndryshme dhe perceptimi është ndryshe. Nga sondazhet e bëra,
populli italian ndjehet i braktisur nga komuniteti europian. Në këtë hallkë
pastaj futen shtete, siç janë Rusia. Në bazë të studimeve ajo është duke bërë
një fushatë të egër në raport me perceptimin se shtetet janë braktisur nga
BE-ja. Është po ashtu propaganda që po bën Kina në lidhje me këtë punë jo vetëm
për të prishur hallkën e BE-së, por më tepër për të për të përmirësuar atë që
bëri në lidhje me virusin, duke e fshehur situatën reale.

SHENJA: Ka kritika në lidhje me transparencën e Kinës në lidhje
me publikimin e numrit të infektuarve dhe të vdekurve dhe keqpërdorimin e
situatës për çështje gjeopolitike. Por, a ka mundësi që ky mos unanimiteti të
përshkallëzohet dhe perceptimi i italian i braktisjes të shtrihet edhe në vende
të tjera. A mund të parashohim skenarë të post-situatës?

G. ZAIMI: Kina e fshehu për dy muaj a më tepër situatën se çfarë
ishte virusi dhe çka po ndodhte me virusin. Mjekët kinezë, të cilët nuk janë
për t’u dënuar, por është regjimi, janë të parët që i kanë dhënë komunitetit
shkencor të dhëna dhe informacione mbi virusin. Ata u përpoqën, dy nga ata
madje u burgosën e u heshtën. Kjo do të thotë se regjimi në Kinë funksionoi në
mënyrë absolute gjatë dy muajve të parë dhe kjo është një mungesë e
informacionit që Kina detyrimisht e ndjeu, sepse pati edhe një valë racizmi
ndaj Kinës. Mos të harrojmë se presidenti Trump e quajti “virusi kinez” dhe kjo
ka krijuar situata të tjera racizmi ndaj komunitetit kinez dhe kjo nuk është e
drejtë. Por, regjimi kinez e fshehu dy muaj me radhë situatën se çfarë ishte
virusi. Tani ata mundohen me ndihma. Realisht, me ndihma që blihen nga shtetet
në shpërndarjen e maskave dhe të ngjashme, të krijojë ndjenjën që “ne jemi ata
që po ju ndihmojmë”. Por, ama, komuniteti europian është ai që e ndihmoi në fillim
fare Kinën. Kina po i përgjigjet solidarizimit, ndërsa shet nga ana tjetër.
Shumë mjete që janë dërguar nga Kina në Holandë, Spanjë e Gjermani, kanë
rezultuar me defekte, pra është një demagogji e fortë që ata po bëjnë për të
hequr fajin nga vetja e tyre. Ajo që është interesante është se tani më kemi
një komunitet shkencor të bashkuar, është historike madje, që nga e gjithë bota
të dhënat shkëmbehen, ndahen dhe mblidhen bashkë dhe, në anën tjetër, një
komunitet politik të bashkuar, ku secili po punon për të parë hesapin e vet. Në
këtë situatë Kina po mundohet të krijojë njëfarë hegjemonie, Rusia po ashtu po
mundohet që duke dërguar ndihma, e që në vetvete është absurde, sepse ajo ka
problemet e veta. Unë nuk jam e sigurt nëse Europa do të përgjigjet me korona
bonde apo eurobondet, por BE-ja po funksionon dhe, siç thashë më parë, ata
duhet të bëjnë modifikime brenda vetes, që të mund t’u përgjigjen në formë
unikale krizave të tilla. Skenarët janë të vështirë për t’u parashikuar, por
jemi në gjendje më të rëndë se 2008-ta. Kur do të dalim nga kjo situatë,
gjendja ekonomike do të jetë edhe më e dobësuar. Amerika akoma nuk po e bën
hapin për ta marrë lidershipin në këtë situatë, kështu që është e vështirë, por
nuk mund të ketë një alternativë më të mirë se BE-ja.

SHENJA: Ju mendoni që kjo situatë “do ta shkundë” BE-në?

G. ZAIMI: Të paktën ka njerëz, intelektualë dhe zëra të cilët
reflektojnë dhe ftojnë për një ndryshim të tillë. Njerëz të cilët po bëjnë
apele që pas korona-virusit shumë gjëra duhet riparë nga ana e komunitetit
europian. Por, ama, unë jam e bindur që shtetet e BE-së janë ato që kanë politikat
nacionale shumë të fuqishme dhe shpejt do ta harrojnë atë që ndodhi.

SHENJA: Një ekip mjekësh shqiptarë zbarkoi në Itali. Si u pritën
atje?

G. ZAIMI: Nuk ka një mik që nuk më ka dërguar një mesazh:
“Gracia”. Ardhja e mjekëve shqiptarë, në këto kohëra të vështira për Italinë,
krijoi një emocion të fortë, Shumë njerëz më dërguan edhe mua falënderime. Qe
shumë emocionuese dhe u vlerësua tej mase.

SHENJA: Lindja e Mesme vazhdon të jetë një vatër e luftërave dhe
konflikteve, përfshi këtu Jemenin, Sirinë, Irakun, Izraelin, Palestinën. Po
ashtu kemi një kontest ndërmjet Turqisë dhe Rusisë në Veriun e Sirisë. Si do të
ndikojë pandemia në këto konflikte, pa harruar dyndjet e mëdha të refugjatëve?

G. ZAIMI: Kjo do të ndikojë në përkeqësimin e situatës. Aty ku
problemet ekonomike janë të forta, problemet politike kthehen edhe në më të
forta. Unë po bëj disa vlerësime të shpejta në këtë drejtim, sepse kjo është një
temë e gjerë normalisht. Vendet në Lindjen e Mesme, duke mos qenë vende shumë
demokratike, kanë edhe ato një fshehje të numrave të saktë. Megjithatë, kjo na
ndihmon pak për ta kuptuar situatën. Nëse ka 10 ose njëzet të prekur, kjo është
relative. E vërteta është se të gjitha vendet janë të prekura. Irani mendohet
të jetë qendra e dytë pas Kinës, ku virusi u përhap me një shpejtësi shumë të
madhe, por informatat që i marrim nga Irani janë të pakta dhe jo të sakta.
Shpërndarja e korona-virusit në Iran, nga dëshmitë që unë kam, është shumë më e
lartë se shifrat që jepen. Po ashtu, Arabia Saudite e fshehu për një kohë të
gjatë dhe disa vende të tjera të Gjirit. Por, edhe atje virusi është shumë i
përhapur. Në Irak e kanë pezulluar edhe zyrën e Reuters-it për 3 muaj, sepse ka
deklaruar se numri i të prekurve dhe të vdekurve është shumë më i madh nga ajo
çfarë kanë deklaruar autoritetet. Duke e mbuluar dhe fshehur situatën në këto
vende, u besua se do të ruhet edhe ekonomia, por problemi ekziston. Kjo çoi në
uljen e çmimit të naftës nga ana e Arabisë Saudite dhe çoi në një konkurrencë
midis Arabisë Saudite dhe Rusisë për sa i përket uljes së çmimit të prodhimit
të naftës. Ndërkaq administrata amerikane po mundohet të bëhet njëfarë
interlokutori i tretë në lidhje me konfliktin rreth çmimit që kanë A. Saudite
dhe Rusia në lidhje me prodhimin e naftës, por është e sigurt që këto vende do të
pësojnë goditje nga ana ekonomike. Dhe, çfarë do të godasë kjo? Duke e pasur
parasysh se vendet e Gjirit megjithatë mbulonin me ndihma vendet si Sudani,
Egjipti, Jordania dhe vendet e tjera të zonës, jepeshin lekë nga ana e Arabisë
Saudite dhe vendeve të tjera për zhvillimin e ekonomisë së këtyre vendeve. Në
këto vende kemi shumë emigrantë nga vetë vendet e Gjirit, që shkojnë në
Emirate, në Katar në vende të tjera dhe të gjithë këta emigrantë në momentin që
do bjere ekonomia do të shtyhen drejt vendeve të tyre, sepse nuk do të ketë
fuqi për t’u mbajtur një numër i tillë emigrantësh. Po ashtu, do të bjerë edhe
ndihma ndaj refugjatëve. Mos të harrojmë se Arabia Saudite dhe vendet e tjera
të Gjirit kanë dhënë goxha miliona dollarë në lidhje me ndihmën e kampeve të refugjatëve
në Lindje. Amerika, për sa i përket dhurimit të ndihmave që i jepte në lidhje
me Covid-19, do të japë 274 miliardë ndihma, prej të cilave 40 miliardë do t’i
shkojnë Lindjes së Mesme. Pra, po të shohim shifrat me ato që ndodhnin përpara,
kapaciteti ekonomik do bjerë, ndërsa kjo do të krijojë konflikte politike. Këto
vende nuk janë me demokraci të zhvilluar dhe regjimet do të përpiqen ta mbajnë
veten e tyre duke i mbytur pakënaqësitë që do të lindin nga vështirësitë
ekonomike.

SHENJA: Meqë jemi tek ekonomia, dua t’ju pyes edhe këtë: keni
parë që presidenti Trump po e shtyn përpara një agjendë ku 2% e GDP-së do të
jepet si ndihmë ose masë preventive ndaj pandemisë. Kjo situatë, siç po pritet,
do na shpie drejt një “pandemie” urie. A do përkeqësohet gjendja në lidhje me
urinë në botë?

G. ZAIMI: Do ketë keqësim patjetër. Nuk mund ta paramendoj efektin
e korona-virusit në Afrikë. Unë fola në shifra të përgjithshme, sepse për të
folur me detaje dhe trajektore, na duhet emision më i gjerë. Ajo që më frikëson
më tepër nuk është pandemia, por situata pas pandemisë, gjegjësisht problemet
sociale që do të lindin pas pandemisë. Është një situatë e paprecedentë dhe
është një sfidë e jashtëzakonshme. Por, ajo që shoh unë është se në këto shtete
po përfitohet nga kjo situatë, për të hequr liritë e njerëzve. Nuk dua që kjo
situatë të lind si precedencë e mbulimit të shumë situatave të tjera. Në lidhje
me Ballkanin ditëve të fundit ka pretendime dhe të thëna se Kina është ajo që
po e ndihmon Ballkanin. Unë, pasi që jetoj në një vend të Bashkimit Europian,
lirisht mund të them se ndihmat që po ia ofron BE-ja Ballkanit janë më të mëdha
se nga çdokush tjetër, pra edhe përkundër përpjekjeve investuese të Kinës në
aspektin ekonomik dhe Rusisë në aspektin politik. Në lidhje me Covid-19, BE-ja
i ka dhënë BeH-së 7 milionë ndihma imediate dhe 73.5 milionë për një mbështetje
të përgjithshme të probleme ekonomike dhe sociale që do të ndodhin më vonë.
Malit të Zi iu dhanë 3 milionë të menjëhershme dhe 50 milionë për reformat
sociale ekonomike të mëvonshme, Shqipërisë iu dhanë 4 milionë dhe 46.7 milionë
të më vonshme. Serbisë iu janë dhënë 15 milionë të menjëhershme dhe 78.4 milionë
për më vonë, Kosovës iu dhanë 5 milionë imediate dhe 63 milionë për më vonë dhe
Maqedonisë së Veriut iu dhanë 4 milionë menjëherë dhe 62 milionë për më tutje.
Pra, Europa ekziston. Nuk ekziston kur kërkohet unanimiteti, po BE-ja masat po
i merr.

SHENJA: Pati një tentativë të ndihmës nga SHBA-ja drejt Iranit,
mirëpo Irani e interpretoi atë si shtrirje të ndikimit amerikan në Iran. Si do
të ndikojë pandemia në Iran? A do mund ta pranojnë ndihmën e SHBA-së? A mund të
bëhet shkak korona për dobësimin e regjimeve në Lindjen e Mesme?

G. ZAIMI: Derisa të jetë Trumpi në fuqi, politika në Iran nuk
ndryshon. Politika është ajo e presionit maksimal, për të arritur në tavolinën
e negociatave, aty ku do të arrijë Trumpi. Amerika i ofroi ndihmë Iranit, por
Irani i tha JO. Irani ka kërkuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar 50 milionë
dollarë, sepse ka nevojë për këto lekë. Por, në këto momente nuk ka shtet që i
jep lekë kesh Iranit. Ajo që vendet e tjera i ofruan dhe jo vetëm Amerika, i
kanë dhënë ofertën për ndihma në maska, mjete teknike dhe aparate mjekësore,
pra në atë që shërben në luftimin e virusit Korona jo në kesh. Jo sepse ka
sanksione, por kështu funksionon në këto momente. Janë aleancat që funksionojnë
në këtë lloj mënyre. Amerika i ofroi ndihma në lëndë të parë dhe jo në kesh.
Irani do ketë një situatë shumë të rëndë ekonomike. Irani do vazhdojë të
investojë fortë në aparatin ushtarak, sepse aparati ushtarak i shërben për ta
mbajtur regjimin dhe për t’i shtypur revoltat. Gjithashtu, ai do të bëhet edhe
më i varur nga Rusia dhe Kina. Irani, tani e tutje, do ia shesë Kinës me çmim
edhe më të lirë kredon, lëndën e parë të naftës së parafinuar dhe Kina do të blejë
më tepër. Rusia e Kina do jenë më afër Iranit dhe do i dalin në ndihmë në OKB,
por problemet në Iran janë shumë të mëdha, qoftë ekonomike, sociale dhe
politike. Është një dëshirë për revolta, por SHBA-ja nuk i jep kesh.

SHENJA: A do të ndikojë pandemia në epilogun e zgjedhjeve në
SHBA?

G. ZAIMI: Them që po. Mënyra sesi Trumpi po përballet me situatën,
mendoj që do ketë efekt në zgjedhjet amerikane. Pati njëfarë revolte para nja
dy dite në Amerikë, ku u potencua që këto konferencat e përditshme për shtyp
nga ana e Trumpit duhet të ndërpriten, sepse bëhet një fushatë tjetër
elektorale në këto konferenca. Ka një ndjenjë pakënaqësie të madhe në rritjen e
asaj që thonë sondazhet nga mënyra se si administrata e Trumpit po e përballon atë.
Ai e minimizoi si fillim situatën e korona-virusit, por Amerika e ka kaluar
numrin e të infektuarve. Italia është akoma në numrin më të madh të vdekjeve,
por Amerika është e para për nga numri i të infektuarve në nivel botëror. Deri
para korona-virusit isha e sigurt se Trumpi do fitojë, por tani mendoj ndryshe.
Nuk them që nuk do e fitojë, sepse vështirë se do mund të bëhet ndonjë
parashikim, por mënyra sesi po zhvillohet situata dhe sesi Trumpi po e
përballon gjendjen me virusin, kjo mund të jetë absolutisht ndikuese në lidhje
me zgjedhjet. Kjo është e gjitha për t’u parë.

SHENJA: Ne këtu në Ballkan nuk kemi metodologji tjetër, pos
izolimit, dhe kopjimit të shteteve më të fuqishme, ngaqë na mungojnë hulumtimet
dhe aksioni përkitazi me këto hulumtime. Megjithatë, çfarë mendoni, si do të
duket kontinenti ynë pas Koronës, përfshi këtu edhe politikat e zgjerimit ndaj
Ballkanit?

G. ZAIMI: Sa i përket situatës në Ballkan, me siguri se Ballkani
do të kopjonte, sepse nuk ka spitale kaq moderne dhe me kapacitete të larta që
mund të përballojnë një fluks të madh pacientësh që kanë nevojë për respiratorë
dhe terapi intensive. Andaj izolimi është i rëndësishëm. Rasti i Italisë e
tregoi se sa më pak të infektuar, aq më pak komplikime ke në spitale. Izolimi
nëpër shtëpi është masa më e mirë për ta përmbajtur fluksin. Është interesante
ajo që ndodhi në Kosovë me rastin e situatës së jashtëzakonshme, jo për
problemin që ndodhi brenda për brenda, sa për faktin që në njëfarë mënyre duhet
respektuar kushtetuta për sa i përket heqjes së të drejtave të njeriut. Pa u
futur fare në logjikën e dinamikës së politikës së Kosovës, kjo është interesante,
sepse të gjitha demokracitë e reja janë të njëjta në Ballkan, nuk janë të
konsoliduara dhe funksionale, ku po thuajse se të gjitha popullsitë janë të
pakënaqura me korrupsionin, me mënyrën se si bëhen politikat etj. Tendenca ka,
por Covid-19 nuk duhet të krijojë një precedentë sa i përket heqjes së të
drejtave dhe lirive njerëzore që janë fituar në demokraci. Uroj që kjo situatë
të marrë fund sa më shpejt. Shëndeti kolektiv është i rëndësishëm, por duhet
ruajtur edhe liritë personale.