` . Çoroditë dhe tollovitë e fillim-vitit - TV-SHENJA
Çoroditë dhe tollovitë e fillim-vitit

Çoroditë dhe tollovitë e fillim-vitit

Në vitin 1991 Partinë Demokratike të Shqipërisë e përthithën në një koalicion absurd me Partinë e Punës vetëm sa për të implikuar demokratët në bashkëfajësi me komunistët për fajet e të kaluarës diktatoriale e rrënuese për Shqipërinë dhe për aq kohë sa i duhej Partisë së Punës, të diskredituar, të merrte veten dhe të përgatiste revanshin pushtetor më 1997.

Shkruan: Abdi BALETA, Tiranë

Kështu ka nisur edhe ky vit i ri në Shqipëri, madje dhe në botë. Shkrimin e fundit për vitin 2019 e pata titulluar me pesimizëm “Për shqiptarët gjithnjë kohë tërmetesh dhe rrëmetesh”, sepse përjetonim njëherësh në Tiranë çoroditjen e shkaktuar nga tërmeti i fuqishëm i 26 nëntorit 2019 dhe zhvillimet e bezdisshme rreth çështjes shqiptare. Urimet e zakonshme me rastin e festave të fund-vitit, ashtu siç pritej, nuk sollën ndonjë ndryshim shpirtëror tek njerëzit. Tani duket se lëkundjet e tokës po qetësohen, por tronditja shpirtërore e psikologjike e njerëzve ende nuk ka kaluar. Madje, shqetësimet nga pasojat e tërmetit po bëhen më të ndjeshme, jo vetëm për ata që u goditën më shumë e drejtpërsëdrejti, por dhe për ekonominë e jetën e përditshme të të gjithëve. Specialistët e ekonomisë paralajmërojnë shqiptarët se përpara kanë kohë të vështira. Janë vënë re përkeqësime në zgjidhjen e shumë problemeve sociale, në funksionimin e administratës shtetërore. Janë bërë më të dukshme çoroditjet në sjelljet e njerëzve, acarime në propagandë dhe, sidomos, shpërthimet e reja të kriminalitetit. Rrëmetet po shtohen e acarohen. Edhe rrëmetet ndërkombëtare ua ndërlikojnë e vështirësojnë shqiptarëve përballjen me problemet e tyre specifike.

Më 21 janar 2020 në Shqipëri u përkujtua, në një atmosferë aspak solemne e frymëzuese, jubileu i 100-vjetorit të fillimit të parlamentarizmit shqiptar, në Kongresin e Lushnjës, që në fakt shënon ngjarjen më madhore në historinë e shtetndërtimit shqiptar modern. Politikanët e pushtetarët me bezdi i kryen disa veprimtari ceremoniale të rastit. Opionioni publik nuk kishte dijeni për rëndësinë e ngjarjes, e as nuk tregoi interes për përkujtimin e saj. Analistët e humoristët bënë punë më “të fisme”, sepse u kujdesën të pasqyronin mjerimin ku është katandisur parlamentarizmi shqiptar sot, në një forum ligjvënës të gjymtuar, me një pluralizëm qesharak, që përbëhet nga disa “deputetë opozitarë bedelë” në vendin e “deputetëve opozitarë rebelë”, që dogjën mandatet dhe nisën veprimtaritë revolucionare në rrugë me shpresën se do të shtinin më shpejt në dorë levat e qeverisjen. Deri tani as në literaturë nuk kemi ndeshur ndonjë model të tillë parlamentarizmi si ky yrnek me dy opozitarizma nga të njëjtat parti. Ky është parlamentarizmi karagjoz shqiptar i vitit 2020, një shekull pas atij mjaft dinjitoz e serioz të Kongresit të Lushnjës.

Ky parlamentarizëm sharlatan lëshon këtë vit hije të keqe edhe mbi Europën, meqenëse Shqipëria mori kryesinë e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës për Sigurinë e Bashkëpunimin Europian. Kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edi Rama, e ka marrë me qejf e vrull të madh punën e kryetarit të OSBE-së, sepse i është hapur një pistë e re për variacion politik e diplomatik. Dhe, e nisi misionin tij nga pika më e nxehtë, nga Ukraina e rrëmujshme dhe marrëdhëniet e acaruara midis saj e Rusisë. Normalisht, shqiptarët duhej të ndjeheshin tejet të nderuar e krenarë që u erdhi dita të jenë kryesues të një mekanizmi evropian, por kjo e mirë u ka mbetur në derë në “ditën e tyre më të keqe”, kur brenda Shqipërisë rrëmetet ndjekin njëri-tjetrin; ku vet kryesuesi e vendi prijatar i OSBE-së është i përfshirë në një betejë të madhe për shkarkimin e kryetarit të shtetit dhe vetë kryesuesi i OSBE-së, Kryeministri i Shqipërisë, Rama, ka ngritur në gjykatë një padi për shpifje kundër një homologu të tij vëllazëror, Kryeministrit të Kosovës, Haradinaj. A mund të ketë forcë morale, qartësi politike e seriozitet diplomatik europian kryeministri i Shqipërisë ta kryejë misionin që bie mbi shpatullat e tij për të rregulluar punët e Europës, kur ai nuk rregullon dot punët që janë bërë lëmsh në trojet shqiptare?! Edhe Europa e ka humbur orientimin përderisa nuk ka menduar t’i dilte para krijimit të një paradoksi shqiptar, kur i mbyturi niset me mision ta shpëtojë të varurin! Si nuk janë kujtuar europianët e OSBE-së për atë precedentin shqiptar të vitit 2012, kur Shqipëria e kishte radhën e kryesimit të OSBE-së, por për “diplomaci të hollë” hoqi dorë nga kjo dhe ia la radhën Serbisë! Edhe diplomacia e Ramës si nuk u kujtua ta përdorte edhe një herë këtë “teknikë diplomatike“ e t’ia lëshonte radhën dikujt tjetër (jo më Serbisë) sa të vinte pak rregull në shtëpinë e saj, që të mos e turpëronte Europën?!.

Një rrëmujë e madhe po krijohet në Shqipëri lidhur me një reformë fiktive, gjoja për të shpëtuar demokracinë zgjedhore që përdhoset gjatë tri dekadave. Shqiptarët kanë mbërritur në një pikë të tillë zhgënjimi sa as marrin vesh, as duan të dinë se çfarë janë ato përgatitje të tanishme që thonë partitë se po bëjnë për votimet e ardhshme, në afatin e rregullt (në qershor të vitit 2021, siç ngul këmbë qeveria e Edi Ramës) ose më herët (siç i lyp opozita jashtëparlamentare Meta-Berisha-Basha-Kryemadhi). Kryesimin e OSBE-së Rama sigurisht do ta përdorë si varkë shpëtimi, sepse nuk ka lezet që vendi i kryetarit të OSBE-së të shkojë në zgjedhje të parakohshme, të imponuara nga opozita jashtëparlamentare. Pjesa burokratike e OSBE-së do ta ketë edhe më të vështirë se deri tani të japë një ndihmesë më serioze se në të shkuarën. Gjasat janë që burokracitë europiane, që e mbikëqyrin zbatimin e demokracisë zgjedhore, të mbështesin më shumë sistemin zgjedhor ekzistues në Shqipëri, siç dëshiron Rama dhe opozita jashtëparlamentare. Kështu, zgjedhësit shqiptarë do të kthehen përsëri në hedhës të shpërfillur e të thjeshtë fletësh pa vlerë në kutitë e votimit.

Çuditë dhe yrnekët e këtij fillim-viti po shtohen nëpërmjet ringjalljes së frymës së shkuar komuniste, që mendohej tashmë e kapërcyer ose e tkurrur deri në ato nivele, sa të mos shërbente më si frymëzuese përpjekjesh sfiduese për ringjalljen e komunizmit enverist dhe të frymës së luftës civile në ato forma e përmasa, siç ka qenë e rrënjosur në vitet e Luftës së Dytë Botërore dhe gjatë luftës së klasave nën regjimin diktatorial komunist, që mori njëfarë revanshi politik e pushtetor pas rebelimit komunist të vitit 1997. Por, gjatë vitit 2019 atmosfera e luftës civile u rëndua si papritmas, veçanërisht në përballjen midis deputetit socialist me indoktrinim të theksuar komunist, Spartak Braho, me ish-drejtorin ekzekutiv të Institutit të Studimit të Krimeve të Komunizmit (një institucion zyrtar i ngritur nga parlamenti dhe i varur prej tij), Agron Tufa. Beteja Braho-Tufa rezulton se paska qenë pjesë e një programi politik të forcave të revanshizmit komunist për të zhbërë sa më shumë nga arritjet e periudhës së shkurtër të tranzicionit demokratik gjatë viteve 1991-1997, paska qenë “një parapërgatitje zjarri” për një mësymje më të fortë komuniste ekstremiste, si botimi e librit të Nexhmije Hoxhës nën titullin “Përjetime dhe meditime në jetën time politike”. Hedhja në qarkullim e këtij libri në autorësinë e së vesë, tashmë 99-vjeçare, të diktatorit e mësuam nga njoftimet me shumë bujë gazetareske nga gazetat “Dita” e “Panorama“ qysh në ditët e para të janarit 2002 dhe që vazhdojnë ta ofrojnë në faqet e tyre përditë si ushqim propagandistik për rehabilitimin e kohës së diktaturës, që u përmbys bashkë me shtatoren e Enverit më 20 shkurt 1991.

Libri i botuar në autorësinë e Nexhmije Hoxhës, në fakt, nuk përmban zbulime e përjetime të bujshme të saj nga koha e komunizmit ose edhe zhvillime gjatë 30 vjetëve pas komunizmit. Ky libër është apologjia më e re bajate e krimeve dhe dështimeve të komunizmit dhe shpërthim i mllefeve të ithtarëve nostalgjikë të diktaturës së rrëzuar. Botimi i tij është si të hedhësh një krah shkarpash të thata në zjarrin komunist në shuarje, që të dalë dhe një herë pak flakë e mjaft tym. Pavarësisht nga rrëfimet e autores së shpallur, duket që libri ka kaluar dhe një proces përpunimi ngatë tjerë. Për ndihmesë të tillë i pari ka aluduar një komunist i Enverit, i njohur si ish-punonjës në KQ të Partisë së Punës për disa dekada, kur ka shkruar: “Nexhmije Hoxha u përket atyre personaliteteve të shkuara e të gjallë që nuk përdorin të tjerët për të shkruar libra e materiale të ndryshme. Ky proces nuk duhet ngatërruar me ndihmën e sinqertë që mund t’i japin njerëzit e vet ose dashamirës të tjerë në përgatitjen e botimin e një libri” (M. Xhafa, gazeta “Dita”, 16 janar 2020). Fjalia e dytë e këtij citati është një përgënjeshtrim disi ironik i së parës, sidomos në sytë e njerëzve që dinë se si kanë qenë përgatitur dhe veprat e Enver Hoxhës. Por, ka arsyet e veta të forta që ka marrë përsipër autorësinë, sepse synon të japë versionin më autoritar se si duhet vlerësuar pozitivisht Enveri e enverizmi 30 vite pas ndryshimeve në Shqipëri. Libri synon të mbyllë shtigje debatesh të vjetra e të hapë shtigje diskutimesh të reja për enverizmin.

Në këtë kontekst, e quaj me dobi shoqërore t’u bëj të njohur lexuesve mendimin tim për dy raste, ku Nexhmije Hoxha i është referuar emrit tim dhe familjes sime. Në kapitullin “Kur rrëzuan monumentin e Enverit” ajo rrëfen bisedën e bërë më 20 shkurt 1991: “Isha thirrur në sallën ku pinin kafe anëtarët e Byrosë Politike. U duk se isha thirrur vetëm për të asistuar dhe për t’u njohur me çfarë po ngjiste. Aty ishin: Adil Çarçani, Hekuran Isai, Kiço Mustaqi, Xhelil Gjoni, Sofo Lazri dhe dikush tjetër. Të gjithë ishin në dijeni të të ashtuquajturës grevë urie të studentëve, në Qytetin Studenti për t’i hequr Universitetit emrin e Enverit. Hekurani rrinte me një talki-valki në dorë e në vesh dhe vinte njoftonte se ç’po ngjet jashtë. Erdhën e njoftuan se një grup grash, me në krye të shoqen e Abdi Baletës, ishin ngulur para Presidencës dhe kërkonin takim me Ramiz Alinë. Ky dha porosi t’i presë Eleni Selenica si anëtare e Presidiumit të Kuvendit Popullor. Kjo ishte dhe nënpresidente e Bashkimit të Grave të Shqipërisë dhe zëvendës-kryetare e Gjykatës së Lartë. Gratë nuk pranuan të takoheshin me të dhe insistuan të kërkonin takim me Ramiz Alinë. Xhelil Gjoni tha ‘Po sikur tëshkonit ju shoku Ramiz.’ Ky nuk iu përgjigj. Kishte të tjera preokupacione në kokë” (f. 323-324).

Është e vërtetë se 15 nëna studentësh, që ishin ngujuar në grevë urie, ku ishte edhe vajza jonë Teuta, me nismën e tyre spontane kanë shkuar të takonin Ramiz Alinë, të shqetësuara nga zërat se ndaj studentëve mund të dërgoheshin tanket dhe të përhapeshin substanca helmuese në lokalet e grevës. Ky grup grash nuk ka pasur përgjegjëse drejtuese. Grupi ka refuzuar takimin me Eleni Selenicën dhe dy të tjerë të ngarkuar nga Ramiz Alia dhe është larguar në shenjë proteste. Bashkëshortja ime, Flutura, ka thënë atje: “Ramiz Alia të mos preokupohet shumë për luftimet në Gjirin Persik, por për studentët që janë në rrezik”. Nexhmija jep një dëshmi se si është diskutuar në rrethin e ngushtë të Ramiz Alisë. Propaganda e Partisë Demokratike asnjë herë gjatë 30 viteve nuk e ka përmendur këtë episod të paradites së 20 shkurtit 1991, që ishte dita më e rrezikshme, por më e lavdishme në lëvizjen demokratike. E përmend Nexhmija nga mllefi, por që pa dashje bën një shërbim të vyer në regjistrimin e një ngjarjeje në ditën kur realisht filloi rrëzimi i komunizmit, 20 shkurt 1991.

Pas paragrafit që u citua vijon ky tjetri: “Në Kuvend deputetët ballistë, ish-të përndjekur dhe ish të burgosur po kërcënojnë të gjithë njerëzit e drejtësisë, domethënë njërën nga shtylla e shtetit juridik dhe duan të vendosin njerëzit e tyre, të përgatitur në kurse 3-6 mujore, sipas projektit të të çmendurit dhe të eturit për një post shtetëror Abdi Baleta”.

Këtu ka vetëm një të vërtetë që unë, Abdi Baleta, kam qenë autor, kam paraqitur dhe mbrojtur edhe në parlament projektin për një reformim të thellë të drejtësisë, për largimin e sa më shumë gjyqtarëve prokurorëve të sistemit të diktaturës enveriste, që të hapej rruga për një pushtet të ri gjyqësor. Kam propozuar të veprohej me ngut për përgatitjen e përshpejtuar të një kontingjenti juristësh, në një kurs 6-mujor, duke i përzgjedhur kandidatët midis njerëzve më të afirmuar për integritet njerëzore moral shoqëror, me arsim të lartë në profesione të ndryshme, me përvojë pune e jetësore të dalluar në Shqipëri. Atëherë kam mbrojtur idenë se juristët e diktaturës komuniste kanë qenë dhe zbatuesit e represionit më të egër partiak për 45 vjet në kuadër të luftës së klasave e nuk mund të përshtateshin më me drejtësinë e re. Këtë projekt e kundërshtuan ashpër deputetët socialistë dhe propaganda e majtë, pak me arsyetimin që bën tani Nexhmije Hoxha. Ngurruan për njëfarë kohe ta pranonin drejtuesit dhe shumë deputetë të Partisë Demokratike që kishte ardhur në pushtet. Më në fund udhëheqja e PD-së e mbështeti projektin, por fatkeqësisht nuk e zbatoi si duhet, sepse qysh në fillim kandidatët për kursin e juristëve të rinj u përzgjodhën me një nepotizëm vulgar, pa cilësitë që kërkoheshin. Projekti, në fakt, më shumë dështoi sesa që pati sukses. Për këtë dështim ndikoi paaftësia dhe padëshira e PD-së dhe veçanërisht e ish-Presidentit Berisha për të ndërtuar shtet demokratik, të qëndrueshëm dhe të shkëputur nga trashëgimia komuniste. Për këtë dështim ndikoi shumë edhe përmbysja e pushtetit të PD-së me dhunë të armatosur nga PS-ja në pranverën e vitit 1997 dhe në sistemin e drejtësisë kishin mbetur disa kokrra. Pushteti i revanshizmit socialist risolli në drejtësi juristët e diktaturës dhe metodat e mëparshme. E, megjithatë, ka një çerek shekulli që juristët e atij kursi përgojohen e akuzohen si shkatërruesit e drejtësisë në Shqipëri. PD-ja asnjëherë nuk i është kundërvënë si duhet kësaj propagande, që e bën tani edhe vetë Kryeministri Edi Rama. Juristët e atij kontingjenti asnjëherë nuk kanë marrë në mbrojtje eksperimentin që i bëri ata të hyjnë në pushtetin gjyqësor, madje një numër i kufizuar të bëjnë dhe karrierë.

Reforma në drejtësi, për të cilën ka pesë vjet që bëhet zhurmë e madhe në Shqipëri, për të cilën janë harxhuar pa hesap dhe po i kushton së tepërmi taksapaguesve shqiptarë, si dhe zhvillohet nën kujdestarinë e SHBA e të BE-së, në themel është një ripërtëritje e asaj ideje dhe atij projekti që u propozua nga unë për të filluar në vitin 1992. Atëherë kam ngulur këmbë se me 30 gjyqtarë, 30 prokurorë dhe 100 punonjës policie, hetues e zbatues vendimesh të përkushtuar për të dhënë drejtësi, sistemi gjyqësor vihej në rrugë të mbarë. Në vitin 2020 shpallet si hap vendimtar shpëtimtar reformimi i sistemit me një prokurori speciale të plotfuqishme prej 15 anëtarësh, një gjykatë speciale prej 15 anëtarësh dhe një Byro Hetimore prej 60 anëtarësh, që po përgatiten në SHBA dhe do të funksionojë në Shqipëri sipas modelit të FBI-së dhe nën mbikëqyrjen e specialistëve amerikanë. Por, për të ardhur këtu është humbur 30 vjet kohë.

Unë uroj që kjo të bëhet pikërisht kështu dhe sa më shpejt, jo nga zemërimi se Nexhmije Hoxha më ka cilësuar “i çmendur i etur për poste shtetërore” kur paraqita atë projekt në vitin 1992. Ajo e ka ditur mirë që unë poste shtetërore kam pasur qysh në moshë të re në kohën e pushtetit të Enverit. Ajo mund të mos e dijë se në vitin 1992 unë kam pasur mundësinë e sigurt të zgjidhesha në postin shtetëror të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, që ma ofroi vetë udhëheqja e PD-së, për të më larguar nga parlamenti ose postin e Prokurorit të Përgjithshëm, siç ia imponoi grupi parlamentar i PD-së Presidentit Berisha të më propozonte. Por, i refuzova të dyja këto poste shtetërore, sepse doja të vazhdoja luftën politike në parlament dhe të merresha me trajtimin diplomatik të çështjes kombëtare, në radhë të parë të Kosovës. E pranoj se dëshira e fundit ka qenë “çmenduria ime”. Megjithatë, ironia qëndron që një akuzë e tillë “të të eturit për poste” më vjen nga një njeri që nën hijen e diktatorit ia kushtoi jetën shtypjes dhe krimeve nga më monstruozet të kryera ndaj popullit të vet në funksion të mbajtjes së pushtetit për gati gjysmë shekulli.

Përsëri, fjalët e hijes së diktatorit, Nexhmijes, kanë dhe të mira. Ato kanë vërtetuar burimin e gjithë sulmit rrugaçëror në fjalë e në shpifje të drejtuar kundër meje në këto 30 vjet tranzicion nga e majta shqiptare dhe pjesa e krimbur me të majtë e “të djathtës” shqiptare. Fjalët e Nexhmijes, në të vërtetë, janë një dekoratë antikomunizmi që më jepet mua në këtë fillim viti 2020.

Paragrafin që sapo analizova, përgatitësi në “Dita” më datën 16 janar, gazetari Xhevdet Shehu, e ka trajtuar si mendimin më me vlerë të Nexhmijes atë ditë, sepse e kapërdorur si nëntitull në krye të faqes së parë, duke e paraprirë nga një fjalë shtesë “Ekskluzive”, por duke i bërë dhe një korrigjim formulimit të autores, se e ka hequr fjalën “i çmenduri”. Një ndihmë prej “dashamiri” për Nexhmijen. Ky lloj përdorimi i këtij paragrafi më shtyn të mendoj se kundërshtarët e reformës së sotme në drejtësi po mundohen t’u thonë forcave që nga zori mbështesin edhe këtë reformë se po shkasin në pozitat e reaksionarëve amerikanë e të ballistëve shqiptarë dhe të Abdi Baletës të vitit 1992!

Nga përfundimi i mirë ose dështimi i reformës në drejtësi tani varet shumë e ardhmja e shoqërisë dhe qëndrueshmërisë së shtetshmërisë dhe demokracisë në Shqipëri. Përvoja dhe intuita në këso zhvillime me rëndësi më thonë që e mira nuk arrihet lehtë. Nuk çlirohem dot ende nga skepticizmi edhe në këtë rast.

Në këtë fillim viti të ri na shqetëson shumë edhe tollovia politike në Kosovë, katër muaj pas atij ngazëllimit të madh nga zgjedhjet e 6 tetorit 2019. Me pezmatim shohim se zgjedhjet e mira nuk qenkan garanci e plotë për të vendosur një qeverisje të mirëpritur gjatë. Tashmë ka dalë e qartë se eksperimenti i qeverisjes nga një koalicion partiak krejt i panatyrshëm Vetëvendosje-LDK është i dështuar, edhe sikur në minutat e fundit të afatit të krijohet një “qeveri e shpëtimit të namuzit politik” para elektoratit kosovar dhe miqve ndërkombëtarë. Kjo qeveri përsëri nuk mund të ketë jetë të gjatë. Një qeveri e tillë e “shpëtimit të namuzit” më sjell ndër mend qeveritë më dëmprurëse të koalicioneve të panatyrshme midis të majtës socialiste e “të djathtës PD-iste” në Shqipëri, të emërtuara “qeveri stabiliteti” (Bufi 1991), “qeveri e pajtimit kombëtar” (Fino 1997), “bashkëqeverisje informale (Nano-Meta-Berisha 2003), “qeveri e mesnatës” (Rama-Basha 2017) dhe ndonjë qeveri teknike.

Në vitin 1991 Partinë Demokratike të Shqipërisë e përthithën në një koalicion absurd me Partinë e Punës vetëm sa për të implikuar demokratët në bashkëfajësi me komunistët për fajet e të kaluarës diktatoriale e rrënuese për Shqipërinë dhe për aq kohë sa i duhej Partisë së Punës, të diskredituar, të merrte veten dhe të përgatiste revanshin pushtetor më 1997. Edhe në Kosovë tani forcat politike të diskredituara për qeverisjen e keqe kanë nevojë për një qeverisje afatshkurtër nga Vetëvendosja, sa për të zhvleftësuar modelin e saj dhe të përgatitur një rikthim të tyre “shpëtimtar”. Kjo u pëlqen dhe ndërkombëtarëve. Është koha t’i kushtohet më shumë vëmendje vlerësimit të bërë para 10 vitesh nga profesori amerikan Henrri Perrit Jr., se “Plani Ahtisari” e ka bërë Kosovën të paqeverisshme. Tani duhet kuptuar një gjë: në pozitën më të vështirë ndodhen Vetëvendosja dhe Albin Kurti. Vështirësinë më të madhe ua krijon LDK-ja dhe Isa Mustafa, që e kishin në dorë ta shmangnin gjendjen e krizës qeveritare që është krijuar në Kosovë, madje, pa kurrfarë dëmi politik për ta, do të bëheshin shumë të nderuar në publik sikur t’i jepnin Vetëvendosjes mbështetjen që i duhet, pa hyrë në shumë pazare, duke dëshmuar përgjegjësi e bujari politike “vetësakrifikuese”, sa t’i thoshin Kurtit: “zgjidhi vetë edhe ministrat që do të marrësh nga LDK-ja në qeverinë tënde, se për të tjerat bisedojmë më vonë!”. Sakrifica për Kosovën në kushtet e sotme vetëm kështu mund të bëhet, jo me cic-mice postesh. Të tjerat pastaj rregullohen.

E quaj të vështirë pozitën e Vetëvendosjes e të Albinit, sepse atyre u duhet të mbajnë premtimin për ta bërë Kosovën me qeverisje të modelit të ri, por njëkohësisht kanë detyrimin të mos lejojnë të përdhoset e të zhvleftësohet modeli i politikës që kanë krijuar e përfaqësojnë në Kosovë. Hyrjet e daljet në qeveri shkojnë e vijnë, kurse zhbërja e një modeli politik shprese, si ai që ka krijuar Vetëvendosja, nuk ndreqet më po u prish.

Politikisht, më e logjikshme tani më duket që fjala e fundit duhet t’i lihet për ta thënë elektoratit, në votime të reja, vërtet të bezdisshme, por që kësaj radhe kanë më shumë natyrë ndëshkimore për politikën që është bërë e po bëhet në Kosovë.