` . Çmimi i çmimit - TV-SHENJA

Çmimi i çmimit

Ka një ironi fabuleske në lidhje me Nobel-in. Siç dihet, Alfred Nobel-i njihet botërisht si shpikësi i dinamitit, gjë që e bën emrin tij të lidhet pazgjidhshmërisht edhe me vdekjen; madje një gazetë franceze e kohës e pat quajtur “tregtari i vdekjes”.

Shkruan: Edison ÇERAJ, Tiranë  

Një nga cenimet më të mëdha, që i është bërë ose që synon t’i bëhet (këto janë dy gjëra të ndryshme) letërsisë, është pa dyshim Çmimi Nobel dhe të tjerë më pak zulmëmëdhenj, por gjithsesi të njëjtë në thelb në raport me artin e fjalës.

Sa për kujtesë, Alfred Nobel-i është shpikësi i dinamitit. Paradoksalisht, për shumëkënd, madje edhe për një pjesë të madhe poetësh e romancierësh, në rastin më të mirë kjo tingëllon si përrallë me mbret.

Pyetja që duhet të shtrohet është se a e ndryshon qëllimin e shkrimtarit një çmim i caktuar (aq më tepër Nobel-i) që mund t’i jepet? Domethënë, ekzistenca e Çmimit Nobel, meqë është më i njohuri dhe meqë i kanë dhënë peshën e një “treguesi” të rëndësishëm për vlerën e një vepre(!), a i bën shkrimtarët të shkruajnë për të?

Gjëja e parë që mund të themi është se ka një ndikim të madh te shumë e shumë shkrimtarë dhe për këtë besoj se nuk është e nevojshme të japim raste apo shembuj. Ndikimi arrin deri në atë pikë, saqë kemi jo pak raste kur shkrimtarë të caktuar e deklarojnë hapur, madje edhe me ngazëllim, se synojnë marrjen e Nobel-it, pasi ai na qenka një provë për cilësinë e veprës së tyre! Kur një shkrimtar e merr këtë çmim, gjithandej ku i përmendet emri, i shoqërohet nga etiketa “fitues i Çmimit Nobel”. Kjo besoj se dëshmon qartë për një lloj tëhuajësimi të shkrimtarëve dhe, për pasojë, edhe të veprës së tyre. Çfarë çmimi ka fituar Homeri? Po Rumiu? Po Shakespeare? Po Goethe? Po Gogoli…?

Ka një ironi fabuleske në lidhje me Nobel-in. Siç dihet, Alfred Nobel-i njihet botërisht si shpikësi i dinamitit, gjë që e bën emrin tij të lidhet pazgjidhshmërisht edhe me vdekjen; madje një gazetë franceze e kohës e pat quajtur “tregtari i vdekjes”. Kështu, për të lënë një kujtim më të mirë, ai hodhi idenë për krijimin e një çmimi me emrin e tij, ndaj dhe e la me testament që trashëgimia e tij e majme e fituar nga shpikja e dinamitit të përdorej për këtë qëllim. Mund të themi se Nobel-i ia doli ta ruante nderin e vet nga dinamiti pikërisht në saje të Çmimit Nobel, që ideoi më pas, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për nderin e atyre shkrimtarëve që e presin këtë çmim si të ishte një brerore nga Qielli.

Nëse një shkrimtar shkruan vetëm që të bëhet i njohur, pra, e thënë ndryshe, duke synuar shpërblime e çmime të caktuara, sigurisht që herët ose vonë do i ketë këto “favore”, por nuk do të ketë veprën, sepse vepra e tij do zgjasë sa jeta e tij. E shumta ajo do jetë një vepër që u drejtohet masave ose qytetarit të ngarkuar me konvencione dhe standarde, por jo njeriut. Do të jetë një vepër e destinuar për hic et nunc – “këtu dhe tani”.

Besoj se janë mbi njëqind autorë që e kanë marrë Çmimin Nobel në letërsi që nga viti 1901 kur është akorduar për herë të parë. Me të drejtë mund të bëjmë këtë pyetje: sa autorë të laureuar ia vlen të përmenden në gjithë këtë hark kohor? Sa syresh na kanë mbetur në kujtesë? Sa fitues të këtij çmimi kemi lexuar? Natyrisht që ka nga ata që ia vlejnë, por e vërteta është se mezi i kalojnë gishtat e njërës dorë.

Pavarësisht gjithë kësaj, pra pavarësisht Çmimit Nobel dhe pavarësisht çdo gjëje e çdokujt, ajo letërsi që i drejtohet njeriut, që në fund të leximit bëhemi më të pasur shpirtërisht dhe intelektualist, që e bën njeriun më të ndjeshëm dhe më të thelluar për qenien e tij, për hapat e tij, ajo vazhdon e pacenuar të japë kumtin e saj me po të njëjtën forcë si përherë. Edhe nëse ne nuk e gjejmë këtë kumt, me siguri që do të na gjejë ai ne.

Sa mirë që tre shkrimtarët më të mëdhenj (sipas Eco-s) të shekullit të kaluar, Kafka, Joyce dhe Borges-i nuk e kanë fituar Çmimin Nobel. Por, siç e thamë, gjithsesi, qëllon edhe ndonjë nobelist që vërtet ia vlen.

Dhe, në fund, si për “dëfrim”, ata poetë ose shkrimtarë që nuk kanë marrë asnjë çmim ose që nuk kanë marrë çmimin e parë (ah, çmimi i parë!), të mos ndihen në zor e të pikëlluar, sepse çmimi i parë i takon mbretit, i dyti një shkrimtari në oborrin e mbretit dhe i treti njërit nga ata që ka konkurruar ose që e kanë konkurruar (në nder të mbretit).

I treti është çmimi i parë.