` . Ciniku - TV-SHENJA

Ciniku

Sigurisht që sot, në përdorimin e përditshëm gjuhësor, nocioni cinik ose cinizmi si fenomen ka tjetër kuptim dhe, me kalimin e kohës, ka pësuar transformime rrënjësore, qoftë si shënjim, qoftë si fenomen.

Shkruan: Latif MUSTAFA

Cinizmi është pikëpamje etike e cila pretendon se lumturia është e arritshme veç nëse i shmangin dhe i reduktojmë kënaqësitë ndijore. Rrënja e fjalës cinizëm buron nga greqishtja kyon – qen. Themeluesi i kësaj lëvizje është Antisteni, ndërsa ithtari dhe personifikimi më i plotë i saj ishte Diogjeni. E quanin “Diogjen ciniku”, ngaqë bënte “jetë qeni”, larg lukseve dhe nevojave konvencionale shoqërore. Jo-konformist, refuzues dhe përçmues i gjithë asaj çka opinioni publik në përgjithësi e konsideron si të mirë dhe të virtytshme. Kjo pikëpamje do të ketë ndikim tek filozofët stoik, si Zenoni, tek Niçe dhe, më vonë, në shek XIX do të jetë e ngjashme me lëvizjen artistike të bohemizmit dhe, më vonë, atë të hipizmit.

Sigurisht që sot, në përdorimin e përditshëm gjuhësor, nocioni cinik ose cinizmi si fenomen ka tjetër kuptim dhe, me kalimin e kohës, ka pësuar transformime rrënjësore, qoftë si shënjim, qoftë si fenomen. Ciniku sot është personi ekzemplar i grumbullit të të gjitha ofiqeve dhe cilësimeve negative si: mashtrues, fjalëthumbues, egoist dhe refuzues i çfarëdo vlere njerëzore. Personifikimet e cinikut janë nga më të ndryshmet, por më poshtë do të përpiqemi t’i paraqesim në tri grupime të formave përkatëse të manifestimit.

Në grupin e parë radhiten psiko-cinikët. Te këta njerëz cinizmi përtej pikëpamjes morale, është një gjendje e vazhdueshme ose mekanizëm mbrojtës psikik. Cinizmi është shpërfaqur në rrethana historike dhe është shtresëzuar si mekanizëm për shmangie dhe harresë të ndonjë dëshpërimi, psikoze ose skizofrenie. Në rrethin social persona të tillë shpërndajnë trishtim dhe pesimizëm. Ata paraqiten si të pashpresë që duan të vihen në harresë. Ata i japin të drejtë të fortit dhe e përçmojnë të dobëtin. Janë persona tragjikë, madje edhe histerikë. Përqeshesh dhe nënçmohesh po tentove suksesin. E mbajnë veten të zhgënjyer nga frika se do i zhgënjejë bota. Të flasin për egoizmin dhe dobësitë e të tjerëve dhe aftësinë për t’i parë ëndrrat e të tjerëve. Realisht, brenda këtyre njerëzve qëndron një fëmijë i trishtuar i mbyllur brenda një flluske gjigante cinike sapuni.

Në grupin e dytë, të ngjashëm me të parin, bëjnë pjesë cinikët modernë, të cilët ndërtojnë qëndrime intelektuale për pavlefshmërinë e përpjekjes dhe nevojën e oportunizmit. Dallimi është se të parët nuk mendojnë, por bindjet e tyre i kanë të përkthyera në sjellje të automatizuara dhe reflekse konstante, kurse tek të dytët ka potencial të reflektimit intelektual. Pikëpamja e tyre për realitetin është në formë zgripi, që shkapërderdhet akoma pa rrëshqitur këmba në cepin e tij. Ciniku modern, në përgjithësi, është pesimist për jetën dhe ekzistencën në përgjithësi. Gjendje paniku, brenge dhe dëshpërimi mbretëron po bëre përpjekjen më të beftë të optimistit dhe argumentimit për virtytin. Një qasje e tillë shpesh konvergjohet me pikëpamjen pesimiste dhe nihiliste. Me pikëpamjen pesimiste në kuptimin që ne jetojmë në botën më të keqe të mundshme dhe sikur të ishte një fije më e keqe nuk do të ekzistonte, kurse nihiliste në mohimin e çdo lloj moraliteti dhe ligjshmërie deri në mohim të vullnetit si fuqi lëvizëse. Rrjedhimisht, zhytje në kërkim të kënaqësisë dhe vetëkënaqësisë ndijore.

Në grupin e tretë është ciniku a(ute)ntik. Ngjashmëria e vetme e tyre është bindja se masa ose opinioni i gjerë publik është diçka e ulët. Ciniku i vërtetë beson se shumica e njerëzve janë në humbje, dogmatikë dhe injorantë. Por, megjithatë janë optimistë dhe mendojnë se çdo individ e ka fuqinë ta ndryshojë jetën në aspirim të lirisë, vetërealizimit dhe lumturisë. Për të qenë i lumtur mjafton të jesh i virtytshëm. Virtyti nënkupton refuzimin normave, kuptimeve dhe vlerave konvencionale që i ka imponuar. Virtyti për cinikun është abstenim i plotë nga kënaqësia ndijore. “Më mirë është të çmendesh, sesa të kënaqesh” – thoshte Antisteni.

Siç u përmend më lart, Diogjeni është mishërimi më i plotë i frymës së cinikut. Ai ishte lypsar dhe jetonte në fuçi. Shpesh u kërkonte lëmoshë dhe çirrej para statujave, gjunjëzohej, me qëllim që të mësojë se çdo të thotë të refuzohesh. Ai besonte se njeriu është qenie e dhimbshme, por në thelb e çiltër dhe i pastër, por lehtësisht i korruptuar nga normat, vlerat dhe traditat shoqërore. Lumturia, për të, ishte në skamje. Sa më larg kënaqësisë, aq më afër virtytit dhe lumturisë. Ai nuk besonte në kolektiven. Rëndësi për të kishte veç individi në vete. Diogjeni ishte kozmopolit, fryma e tij ishte universi, kurse bota ishte atdheu i tij. Në shenjë proteste urinonte publikisht para të pasurve, i fyente e tallej me ta. Njëherë i thanë se ishte i çmendur. Ai mohoi, duke u përgjigjur se veç pikëpamjet për jetën i kishin të ndryshme. Pas dialogut epik, që kishte pasur me Aleksandrin e madh, e kishte këshilluar që të mos fluturojë dhe andralloset në qëllime “të mëdha”, sepse pasi t’i kesh “realizuar” ato, do të shndërrohesh në hiç; do të vdesësh. Aleksandri, pasi e pushtoi Indinë, dhe e realizoi qëllimin e tij jetësor, vërtetë vdiq! Në po të njëjtën kohë vdiq edhe Diogjeni!

Shoqëria jonë gëlon nga cinikët. Ata janë të kudogjendshëm dhe me bollëk. Cinikët autentikë janë në zhdukje dhe të papërfaqshëm. Ata janë individë të cilët kurrë nuk e kanë pasur leverdinë e zhvatjes së pushtetit, fondeve të huaja dhe të ngjashme. Jo se nuk kanë mundur, por besojnë se qetësia shpirtërore – ataraxia siç e quanin antikët – nuk ka çmim. Identiteti i vetëm i tyre është krenaria, kurse atdheu i tyre është bota. Ata jetojnë të varfër, por të qetë dhe krenarë në përpjekjen e tyre sizifiane dhe me bindjen se një ditë të gjithë do të vdesim ngjashëm siç vdiqën Aleksandri dhe Diogjeni.