` . Cili është dëmi më i madh i zgjedhjeve të 11 qershorit - TV SHENJA

Cili është dëmi më i madh i zgjedhjeve të 11 qershorit

Shkruan: Milazim KRASNIQI, Prishtinë

Zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit 2017 duket se më shumë kanë qenë të panevojshme sesa të parakohshme. Ngutia me të cilën u rrëzua qeveria, në emër të vendimeve të mëdha, që duhej të merreshin nga një qeveri e re në të ardhmen, nuk u arsyetua nga rezultati paralizues që doli nga zgjedhjet. Nga sa po shihet, qeveria e ardhshme nuk do të mund të jetë qeveri e “vendimeve të mëdha”, po mund të jetë qeveri e kompromiseve të mëdha.

Si edhe shumë herë të tjera, edhe me këto zgjedhje u vërtetua se në Kosovë nuk ka analiza e hulumtime serioze të opinionit publik, nuk ka agjenda shtetërore që respektohen, nuk ka interesa të paravendosura shtetërore e nacionale, të cilat duhet të mbahen para sysh në çdo rast. Përkundrazi, edhe kësaj here u vërtetua se politika në këtë vend konceptohet e realizohet si forcë, si tentativë për disiplinimin/eliminimin e kundërshtarëve, bile edhe në dëm të vetvetes. Prandaj, mbajtja e zgjedhjeve pa e pasur një agjendë të qartë shtetërore, pa e arritur një konsensus ndërmjet partive politike, madje as të partive të koalicionit qeverisës, nuk kishte si të prodhonte më shumë qartësi. Rrjedhimisht, këto zgjedhje nuk dhanë përgjigje për një qëndrim të shqiptarëve ndaj shtetit të vet, nuk dhanë përgjigje për dilemat e partnerëve strategjikë lidhur me kapacitetet shtendërtuese të Kosovës, sikundër që nuk dhanë asnjë mesazh të qartë lidhur me frenimin e Serbisë, pasi fitorja e listës Sërpska e mban në lojë ndërhyrjen e saj edhe për qeverinë e ardhshme. Pra, zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit, me rezultatet që dhanë, tregojnë se kanë qenë të panevojshme, madje mund të thuhet se kanë qenë edhe të dëmshme për stabilitetin e vendit. Vetë fakti që partia më e madhe e ish koalicionit qeverisës, PDK-ja, u bë aleat i partive opozitare (Nismës, AAK dhe VV) për rrëzimin e qeverisë, tregon shkallën e mungesës së parimeve dhe etikës politike. Po ashtu edhe ofertat e tashme ndërmjet partive (VV ndaj LDK-së) për koalicion pas zgjedhjeve, ende pa u certifikuar rezultatet, tregon të njëjtën gjë, mungesën e parimeve dhe të etikës elementare, sepse i vardisen me servilizëm të gërditshëm partisë, të cilën gjatë tre viteve të saj në qeveri e kanë sulmuar brutalisht.

Humbësit shqiptarë dhe fituesi serb

Festimet, komentimet dhe vlerësimet pas zgjedhjeve po ashtu zbulojnë një gjendje të rënduar emocionale dhe një krizë morale të partive kryesore politike në vend. Natën e zgjedhjeve, në mesnatë, festuan koalicioni PAN, si ftues relativ i zgjedhjeve, dhe Lëviza Vetëvendosje, si partia me rritjen më të madhe të votave. Të dyja bënë gjurulldi në kryeqytet: e para me njëfarë zhgënjimi që vërehej lehtë dhe e dyta me një histerizëm mezi të kontrollueshëm. Ndërkaq, e vërteta ishte dhe është se asnjëra nuk kanë fituar mandat të qartë për të qeverisur. Të dyja kanë fituar aq sa të mund ta vazhdojnë gjurulldinë e festimeve, me gjurulldinë në medie, se kush çka do të bëjë, kush kujt do t’ia ngulë thikën në shpinë, kush kë do ta poshtërojë. Në këtë plan, Lëvizja Vetëvendosje po tregohet totalisht pa sens, amatore dhe e dhunshme.

Humbësi i tretë i zgjedhjeve, LDK-ja, pas nogdaunit të ditëve të para, tash ka filluar t’i bashkëngjitet korit të PAN-it dhe të VV-së, me kushtëzime, me kërcënime, me krekosje, kështu që tashmë të tre humbësit sërish janë të bashkuar në gjurulldinë mediale e parapolitike, e cila po e terrorizon publikun.

Asnjëra nga partitë nuk ka bërë ende një analizë të mirëfilltë të procesit zgjedhor e të rezultateve, nuk ka dalë me një platformë se si e planifikon angazhimin e vet të ardhshëm në konfiguracionin e ri parlamentar. Në retorikën banale partiake ende vazhdojnë t’i quajnë “kandidatë për kryeministër” dy ish kandidatët, Kurtin e Haradinajn. Ndërkaq, e vërteta është se tash për tash nuk ka kandidatë për kryeministër, sepse ka një procedurë kushtetuese, sipas së cilës jepet mandati për formimin e qeverisë. Kjo gjë, pas certifikimit, kalon në dorën e presidentit, e jo të dëshirave të pafrenuara të ish kandidatëve. Në këtë kontekst, me dëshirë të pafrenuar dallohet veçmas Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje, që tashmë e kanë kontaminuar tërësisht ambientin politik e  medial, me qëndrimin se atyre dhe vetëm atyre u takon mandati për formimin e qeverisë. Kurti ka shkuar aq larg në këtë gjë, saqë ka filluar t’ia shkruajë LDK-së se çfarë duhet të bëjë, siç shkruan një mjek receta për pacientin. Kjo, në fakt, është papjekuri politike, por në një ambient primitiv, kjo shkakton huti, në çka llogarit Kurti dhe VV-ja. Në fakt, Kurti dhe VV-ja janë të fituarit e propagandës primitive në tre vitet e shkuara. Orkestrimi i propagandës së shfrenuar kundërqeverisëse, i shoqëruar edhe me dhunë e terror, atyre iu shpagua nga elektorati. Dyfishimi i votave të një partie që me vite e ka përdorur dhunën si mjet për arritjen e qëllimeve politike, tregon qartë se një pjesë e elektoratit e miraton dhunën, e pëlqen dhunuesin dhe e shpërblen me pushtet. Është punë e antropologëve politikë që ta deshifrojnë motivin e kësaj prirjeje të kësaj pjese të elektoratit, por mbetet fakti shqetësues se dhuna shpërblehet. Kjo mund të ketë pasoja largvajtëse për politikën dhe shoqërinë në të ardhmen.

Gjithsesi humbësit më të turpëruar të këtyre zgjedhjeve janë të ashtuquajturat “parti fetare me sfond islam.” Këto partiçka dhe manipulantë liderucë në krye të tyre u bën pikë e pesë, ia patën me hile njëri-tjetrit dhe u futën në koalicione të panatyrshme. Sjelljet e tyre ta kujtojnë thënien e famshme të nuses: “Për inat të sime vjehrre, vete fle me mullixhinë!”

Por, dështimi i turpshëm i këtyre surrogateve partiake, nuk i ka dhënë fund manipulimit me të ashtuquajturin “Islam politik.” Tashmë kontingjentet më të mëdha me këso prirjesh, pra tipa që synojnë ta manipulojnë Islamin për qëllime politike, janë grumbulluar në “Lëvizjen Vetëvendosje!” Sesi do t’i keqpërdorë ajo, mbetet të shihet, po dy janë mundësitë: e para, që t’i përdor si mish për top në opozitë për arritjen e qëllimeve politike me dhunë dhe, e dyta, t’i shkrijë në anëtarësinë e vet, duke ua konvertuar kalkulimin fetar në fanatizëm ideologjik.

Në të vërtetë, fitues në këto zgjedhje është vetëm Lista Serbe. Ajo ka fituar ashtu si e ka planifikuar Beogradi zyrtar. Lista Serbe ka kapacitete bllokuese për të mos lejuar formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës as gjatë këtij mandati qeverisës. Në këtë pikë ajo është në unison jo vetëm me Beogradin, po edhe me faktorët ndërkombëtarë. Pra, edhe me NATO-n, që duke sheshit se është kundër transformimit të FSK-së në FAK edhe për njëfarë kohe. Për këtë arsye faktorët ndërkombëtarë i mbyllën sytë para gjithë atij brutaliteti që ka zbatuar në zgjedhje Lista Serbe ndaj partive rivale serbe dhe ndaj serbëve të Kosovës në përgjithësi. Fatkeqësisht, edhe në rastin e Listës Serbe u pa se në Kosovë dhuna shpaguhet me sukses.

Loja pa rregulla

Këto zgjedhje të parakohshme e kanë komplikuar skenën politike edhe më shumë seç ka qenë. Me aq sa po shihet, nuk ka shans të formohet një koalicion i madh, i cili do të merrte “vendime të mëdha.” Pra, qeveria e ardhshme nuk do të ketë fuqi për formimin e FAK-ut e as për ratifikimin e demarkacionit. Edhe pse kanë afri programore me PDK-në e AAK-në, si parti të qendrës së djathtë, LDK-ja nuk e pranon bashkëpunimin me to. Pse? Për inate personale të liderit të saj, që u ndie i fyer nga rrëzimi i qeverisë që ai e drejtonte. Pra, inati personal i Isa Mustafës në këtë rast është më i madh e më i rëndësishëm se programi i partisë që ai drejton. “Partia jam unë!” klith Isa Mustafa lebetitshëm, por mjaftueshëm fort sa të bllokojë formimin e natyrshëm të një qeverie të qendrës së djathtë. Jo vetëm LDK-ja, po as partitë e tjera nuk janë të profilizuara qartë e as nuk kanë afinitete bashkëpunimi në bazë të programeve, po vetëm  në bazë të interesave të liderëve e të tarafeve. Prandaj, formimi i qeverisë varet nga humori i liderëve dhe tarafeve të tyre, e jo nga vullneti i elektoratit. Po të shikohet me shifra vullneti i elektoratit, atëherë është e qartë se elektorati ka votuar për kontinuitetin e qeverisjes, e jo për ndryshim: PAN 34% + LDK 25% = 59%. Vota për ndryshim ka qenë 28% (VV27%, Fjala1%) Por, në një vend ku nuk ka parime e nuk ka moral, ku nuk merret parasysh interesi shtetëror e nacional, në plan të parë dalin kombinatorikat e liderëve dhe të tarafeve të tyre, tekat personale, ambiciet jonormale etj. Në këtë pikë, si në një vorbull uji marramendës, është Kosova tash. Pa përgjigje për dilemat dhe problemet e saj të shumta.

Kush e sponsorizon nervozizmin?

Karakteristika emocionale e qytetarëve në këto zgjedhje, edhe pse procesi kaloi pa probleme, është një gjendja e nervozizmit. Shumica e qytetarëve janë të nervozuar, emocionalisht labilë dhe të gatshëm të qajnë me ngashërim për një fjalë ose të të fusin thonjtë në fyt vetëm për një shikim vëngër. Kaq të rënduar gjendjen emocionale këta njerëz nuk e kanë pasur as në vitet e rënda të okupimit! Atëherë kishin një shpresë të vagullt, krahas frikës, mërzisë e dëshpërimit. Tash nuk e kanë. Pse? Kjo gjendje e rënduar emocionale nuk është pasojë e keqqeverisjeve, sikundër duan të pohojnë disa. Keqqeverisjet mund ta kenë stimuluar, por nuk e kanë prodhuar në këtë përmasë. Këtë gjendje nervozizmi e ka krijuar dështimi që Kosova të bëhet shtet me të gjitha atributet e shtetit sovran. Kosova nuk është shtet sovran, ngase nuk e njeh OKB-ja, nuk e njeh BE-ja, nuk e njeh OSBE-ja, nuk e njeh as NATO-ja, edhe pse të gjitha kanë prezencë dhe pushtet në këtë vend. Kosova realisht është koloni, bazë ushtarake.

Ndërkaq qytetarët e saj janë të poshtëruar në liri, nga partnerët e tyre strategjikë. Bllokimi i hekurt i Kosovës në izolim, ka ndikuar edhe në strukturën e elitës politike. Tashmë kjo formë e subordinimit është kompromentuar (kujto zgjedhjen e Pacollit president me sms të një ambasadori e të Jahjagës me një zarf!). Shqiptarët e Kosovës tashmë kanë filluar ta kuptojnë se nga të huajt shikohen si njerëz me “vlera më të ulëta”. Por, nuk e kanë arritur ende stadin e guximit që t’i kundërshtojnë haptazi ndërkombëtarët, andaj kanë filluar t’i ndëshkojnë haverat e tyre lokalë. Fjala vjen, ndëshkimi i PDK-së ka ndodhur edhe për shkak të arrogancës së lidershipit të saj ndaj fesë islame, me arrestimin e hoxhallarëve, me nxitjen e islamofobisë, me avancimin në politikë e në biznese të personave me kredenciale islamofobike etj. Edhe pse kjo politikë është e nxitur dhe e sponsorizuar nga të huajt, edhe si trend global, shumë votues fajtorin janë mjaftuar ta gjejnë tek lidershipi konkret lokal (PDK, AAK.) Nervozizmi në shoqërinëtonë është i programuar, i sponsorizuar. Kjo gjendje u konvenon të huajve, që të mbajnë tensione bllokuese e paralizuese në skenën politike dhe ta mbajnë pezull edhe konfliktin politik e ndëretnik. Dyfishimi i votave të VV-së në këto zgjedhje dhe fitorja e Listës Serbe janë brenda këtij skenari. Fuqizimi i VV-së mund të ketë vlerë në duart e të huajve, për menaxhimin e procesit të Gjykatës Speciale, ndërsa fuqizimi i Listës Serbe e bllokon formimin e FAK-ut. Në fund të fundit, qëllimi i prezencës së huaj, gjithmonë e gjithkund, është prodhimi i nervozizmit të popullit të sunduar dhe që andej prodhimi i paralizës së veprimit politik e nacional. Këtu jemi saktësisht. Këto zgjedhje nuk e kanë zbutur nervozizmin. Përkundrazi, e kanë shtuar edhe më shumë. Ky është dëmi më i madh i tyre, tash për tash. Ndërkaq Kosova mbetet edhe më tutje si personi që ecën ngathët e lëndueshëm me paterica.

Postime të Ngjajshme