` . Chelsea e do Zidane në vend të Sarrit - TV-SHENJA

Chelsea e do Zidane në vend të Sarrit

Drejtuesit e Chelseat e kanë kthyer vëmendjen te ish-trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane, të cilin e konsiderojnë si zëvendësuesin më të mirë për Maurizio Sarrin në pozitën e trajnerit.
Trajneri aktual, Sarri, është nën presion gjithnjë e më të madh, veçanërisht pas disfatës me rezultat 6:0 ndaj Manchester Cityt. Tani, klubi londinez radhitet në pozitën e gjashtë në tabelën e Premierligës

Brenda bordit drejtues të Chelsea është formuar një grup i madh që beson se Zidane duhet të jetë trajneri i radhës i kësaj skuadre dhe e përditshmja angleze, The Sun, raporton se bisedimet mes këtyre dy palëve kanë filluar këtë javë.

Kjo mbështetje për Zidane vjen pas arritjeve të tij në Evropë, ku e ka fituar tri herë radhazi titullin e Ligës së Kampionëve dhe Chelsea dëshiron që të arrijnë në po këtë garë gjatë sezoneve të ardhshme.

46-vjeçari është tani i papunësuar pasi që në fund të sezonit të kaluar ishte larguar nga pozita e trajnerit të Real Madridit, mirëpo ai pritet të kthehet në këtë pozitë në ndonjë klub së shpejti dhe Chelsea po shpreson se Stamford Bridge do të bëhet shtëpia e re e francezit.

Superylli i Chelseat, Eden Hazard, i cili pritej të largohet në fund të këtij sezoni, për t’u transferuar në Real Madrid, është tifoz i madh i Zidane dhe emërimi i tij në pozitën e trajnerit mund ta bindë që ta rinovojë kontratën me “Blues”.