` . Çfarë thonë protestuesit për të vrarët në Liqenin e Smillkovës, ja deklaratat (VIDEO) – TV-SHENJA

Çfarë thonë protestuesit për të vrarët në Liqenin e Smillkovës, ja deklaratat (VIDEO)

Kryeministri Zoran Zaev u tha deputetëve të VMRO DPMNE-së se ai nuk posedon prova konkrete lidhur me rastin “Monstra”, por se ato materiale të cilat ia ka dorëzuar tashmë Prokurorisë Speciale, përmbajnë indikacione serioze që mund të hedhin dritë mbi rastin. Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve të opozitës, Zaev tha se ai nuk ka fshehur asgjë nga opinioni, dhe nuk ka thënë asnjëherë asnjë gënjeshtër për këtë rast, dhe gjithçka do të qartësohet gjatë procesit gjyqësor.

ZORAN ZAEV, KRYEMINISTËR

“Po të kishte Zoran Zaevi dëshmi konkrete, besomëni, si çdo bombë ashtu edhe atë bombë do ta publikoja deri në fund. Por, atje ka indikacione serioze që janë para së gjithash obligimi im si qytetar, edhe si shef i atëhershëm i opozitës që t’i dorëzoj në institucionet e sistemit, në Prokurorinë Speciale. Edhe njëri prind kishte mundësi që të shohë bisedë mes Fejzi Azirit dhe Nevzat Bejtës të cilin e luste për tia paguar subvencionet”

Por, partia opozitare VMRO DPMNE i tha Zaevit se po gënjen dhe manipulon me ndjenjat e prindërve të djemve të vrarë duke dhënë shpresa të kota për gjoja prova.

ZORAN ILIOSKI, VMRO DPMNE

“Atëherë i manipulonit prindërit se keni prova lidhur me vrasjen në Smillkovë ndërsa tani anashkaloni dhe thoni se ajo bisedë ka qenë rreth subvencioneve. Ose atëherë keni manipuluar me ndjenjat e tyre, ose tani po na gënjeni neve”

Kryeministri u tha deputëve që edhe pse është e vështirë, duhet të bëhen përpjekje të gjendjen vrasësit e vërtetë të Smillkovës, dhe të zbardhen deri në fund rastet Kumanova dhe Nikolla Mladenov për çka në opinion ka interes serioz.

Teksa po zhvillohej seanca me pyetje të deputetëve, para Gjykatës Penale zhvillohej protestë për siç thanë protestuesit, drejtësi në rastin “Monstra” dhe zbardhjen e rrethanave të vërteta që shkaktuan vdekjen e pesë të rinjve në Smillkovë. Protestuesit nuk kishin organizatorë, vetëm thonin se janë mobilizuar nga rrjetet sociale dhe kanë dashur që të shprehin mllefin e tyre ndaj pasiviteti të gjyqesorit dhe deklaratave kundërthënëse të kryeministrit Zoran Zaev. Protestuesit mbanin pankarta që kryefjalë e kishin kryeministrin.

PROTESTUES

“Ata që janë në pozicione gjyqësore të bëhen më efikas dhe ta zbardhin këtë gjë deri në fund…Gjoja se bisedat e përgjuara që janë zhvilluar kanë qenë për disa subvencione. Kjo është diçka mizore dhe komike”

PROTESTUES

“Kryeministri doli dhe tha se ka biseda të përgjuara, se di gjithçka dhe se do ta zbardhë të vërtetën e tani thotë se nuk ka asgjë, se janë biseda për subvencione. I bëj thirrje që të mos fshihet, le të tregojë të vërtetën publikisht pasi gjithë ne që jemi këtu dëshirojmë që vrasësit e djemve të dënohen maksimalisht, pasi nëse ata janë në liri kjo vepër mund të përsëritet”

PROTESTUES

“Duam të dalë e vërteta. Mjaftë më na fshehin gjëra dhe na manipulojnë. Pavarësisht a është fjala për VMRO-në, LSDM-në, ose BDI-në, le ta tregojnë të vërtetën në qoftë se janë burra dhe njerëz”

PROTESTUES

“Nuk kam dalë për motive politike. Dua të shpreh paknaqësinë për punën e gjykatave. Ka patur mundësi që edhe unë të jem njëri prej tyre djemve dhe do ishte shumë keq të ndjehet diçka e tillë në lëkurë. Me njërin prej këtyre djemve jam shoqëruar shumë”

PROTESTUES

“Jam këtu me 81 vitet e mija për të dhënë mbështetje nënave që i humbën fëmijët pasi që jam edhe nënë edhe gjyshe. Qeveria duhet të turpërohet së bashku me këta që gjoja na ruajnë neve këtu, se di prej kujt na ruajnë”

Gjatë ditës, prindërit e djemve të vrarë dolën me prononcim publik se ata nuk do të marrin pjesë në protesta dhe apeluan që vdekja e djemve të tyre të mos keqpërdoret për qëllime politike. Por, megjithat protestuesit nuk pranonin të kenë qëllime politike që duan t’i arrijnë nëpërmjet protestës. Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/