` . Çfarë do të thotë: “Të bësh jetë qeni”? - TV-SHENJA

Çfarë do të thotë: “Të bësh jetë qeni”?

Për ne çdo gjë është bërë dhe na duket normale, por për njerëzit që kanë jetuar para nesh ishte ndryshe. Ta marrim si shembull Faik Konicën, i cili në faqet e revistës “Albania” kishte botuar një shkrim të titulluar “Drekë qenash”. Me të i tregonte lexuesit çudinë se si në Angli, zonja e një qeni, që ja kishte vënë emrin “John”, në emrin e qenit u dërgonte ftesa qenve të tjerë të venin për darkë: “Z. Xhon do të ketë gëzimin të presë për darkë të shtundën në pesë pas dreke, z. (emrin e qenit), mish, kocka dhe sheqere”. E zonja e qenit të ftuar e çonte në orë të caktuar dhe ashtu mblidheshin një grumbull qensh, hanin e pinin së bashku. Dashuria për qentë në ketë vend i afrohet marëzisë – shkruante Konica

Shkruan: Hajrudin S. Muja, Nju-Jork

Si në shaka, shpesh dëgjojmë njerëz tek thonë: “Ah sikur të isha qen”! Ndoshta nuk e kanë qëllimin për vetë kafshën, sa për mënyrën e jetës që ata bëjnë nga metropolet e mëdha botërore deri tek qytetet e vogla shqiptare! Vështroj hapësirat publike: qen me qime të krehura e të pastruara me shampon, nganjëherë të veshura me pantallona e triko, në karroca fëmijësh, me kremtime ditëlindjesh, që hanë ushqim supermarketi e rrinë në krye të vendit, themi se në këtë kohë krize, është bërë e admirueshme t’i thuash tjetrit se “po bën jetë qeni”!

Qeni është qenie besnike e njeriut” thonë ata që i duan, por “nuk është pjesë e familjes time”, thonë ata që nuk pranojnë të jetojnë me to! Unë nuk ua vura veshin këtyre gjërave deri një ditë, kur një grua shëtiste qenin e saj, që më shumë i ngjante një ujku! Tek m’u afrua: “S’ka problem, nuk të bën gjë” – sikur u ndie zëri i saj i pasigurt! Por, mua nuk ma lehtësoj frikën, prandaj e pyeta: “Përse atëherë e mbani të lidhur për qafe”?! Ajo qeshi dhe iku! Mendoj nganjëherë se… ndoshta njeriu e ka humbur besimin në njeriun dhe tani “kafshët” i duken si zgjidhje më paqësore dhe për këtë e konsiderojnë veten më të qytetëruar! Por, nuk e kuptoj si mund të futet në jetën e qetë familjare një egërsirë, e cila dukshëm s’ka aspak të bëjë me besnikërinë e llojit të qenve!?

Për ne çdo gjë është bërë dhe na duket normale, por për njerëzit që kanë jetuar para nesh ishte ndryshe. Ta marrim si shembull Faik Konicën, i cili në faqet e revistës “Albania” kishte botuar një shkrim të titulluar “Drekë qenash”. Me të i tregonte lexuesit çudinë se si në Angli, zonja e një qeni, që ja kishte vënë emrin “John”, në emrin e qenit u dërgonte ftesa qenve të tjerë të venin për darkë: “Z. Xhon do të ketë gëzimin të presë për darkë të shtundën në pesë pas dreke, z. (emrin e qenit), mish, kocka dhe sheqere”. E zonja e qenit të ftuar e çonte në orë të caktuar dhe ashtu mblidheshin një grumbull qensh, hanin e pinin së bashku. Dashuria për qentë në ketë vend i afrohet marëzisë – shkruante Konica. Në një panair qensh, që u bë në Londër, në një pallat të qelqtë që quhej “Crystal Palace”, secili që kishte qen të bukur i kishin çuar për t’i rrëfyer e për të parë kush do të merrte çmime. Disa qenë kishin në qafë a në këmbë qafore e doreza të arta e të ngarkuara me gurë shumë të çmueshëm, disa ishin të ndenjur në jastëkë të mëndafshtë, mbi të cilët ishin qëndisur emrat e tyre, ndërsa afër u kishin vënë togje lulesh të rralla.

Në shoqëritë mitologjike dhe kulturat e vjetra pagane qenin e gjejmë shpesh si të shenjtë. Në mitologjinë greke, për shembull, “Cerberus” ishte qeni mbrojtës me tri fytyra të nëntokës, ndërsa “qeni i artë” u akuzua për mbrojtjen e mbretit të ardhshëm të zotave. Në Isin të Mesopotamisë ishte një tempull që në përkthim mund të emërtohej si “Shtëpi e Qenve” [Journal of Cuneiform Studies, #40/1988/54], mjaftueshëm për të na dhënë të kuptojmë se i ishte kushtuar një kult. Kur u gërmua kjo zonë, u gjetën më shumë se 30 varre dhe skulptura qensh.

Në mitologjinë kineze qeni është i njëmbëdhjeti nga dymbëdhjetë krijesat Totem, sipas të cilit janë emërtuar ciklet e viteve [Zodiac]. Dita e dytë e Vitit të Ri kinez konsiderohet të jetë ditëlindja e të gjithë qenve dhe e popullit kinez [Somerville: 2005]. Mitologjia thotë se sovrani legjendar kinez Di Ku pati qenin Panhu, i cili e ndihmoj të fitonte një luftë, duke vrarë gjeneralin e armikut. Kështu u shndërrua në njeri dhe u martua me vajzën e perandorit [Christie: 1968; Eberhard: 2003; Yang: 2005]. Në ritualin hindus qentë adhurohen në festivalin pesëditor Tihar, që bie në nëntor. Sipas tyre, kujdesi ose adoptimi i qenve “mund ta hapë rrugën për në qiell” [Gerrard: 2007]. Në zoroastrianizëm qeni konsiderohej një krijesë e veçantë, e pastër dhe e drejtë, për të cilin duhej treguar kujdes të veçantë, pasi: “posedonte virtyte të veçanta shpirtërore” dhe “largonte demonët” [Boyce: 1989/303]. Në praktikat tradicionale qenve u jepeshin disa ceremoni funerale, analoge me ato të njerëzve.

Fetë monoteiste mbajnë qëndrime të ndryshme, por në të gjitha traditat semite qeni është konsideruar si kafshë e papastër [Jezernik: 2017/86]. Në Librin e Tobit, për shembull, përmenden “plagët e qenve” si një situatë e mjerueshme e Lazarit! Kisha e Katolike e ka shenjtëruar Shën Roçin [Saint Roch (shek.XIV)] për shkak të mbrojtjes së qenve. Në Bolivi festohet Dita e Shën Roçit, më 16 gusht, si “ditëlindja e të gjithë qenve” [webmaster@culturalcatholic.com]. Pastori baptist John Piper, në një intervistë, pretendonte se nga perspektiva e krishterë, mbajtja e një qeni në shtëpi është e ndaluar: “ato marrin shumë nga koha dhe pasuria e juaj për kujdesin në ushqim e shëndet” [DesiringGod.org]. Koha dhe pasuria e juaj mund të shpenzohen në gjëra më të vlefshme. Duke bërë një llogari të nevojshme, ai pohon se në Amerikë shpenzohen 60 miliardë dollarë në vit në ushqime dhe kujdesin shëndetësor të kafshëve, 2.8 miliardë për “Halloween” dhe “Candy” dhe 48 miliardë për kafe, ndërkohë që njerëzit vuajnë nga mungesa e ushqimit dhe sigurimeve shëndetësore.

Ngjashëm, një studim i vitit 2015 ka nxjerrë se në qytetet metropolitane të Amerikës, shpenzimet mesatare vjetore për mbajtjen e një qeni, përfshirë edhe kujdesin shëndetësor për të, kushton deri në 18.200 dollarë. Ky studim ua tërheq vërejtjen njerëzve që gjejnë nga një orë kohë të dalin çdo ditë me qen dhe nuk e gjejnë aq kohë në vit për ta vizituar nënën dhe babanë! A ka më të shenjtë se kohën? Kush meriton respektin më të madh se prindërit? Zoti vërtetë i ka krijuar gjithçka, por secilës ia ka dhënë rolin dhe vendin e vet.

Në Islam, çështja e qenve është nga çështjet më të debatueshme, sidomos në Perëndim, ku njerëzit që hyjnë në Islam pyesin “A mund ta mbaj apo më duhet ta heq qenin që më është bërë shoku im më i ngushtë?” Burimet “pro” dhe “kundër” janë të gatshme. Nga njëra anë kemi plot të tilla që kërkojnë dashamirësi ndaj kafshëve në përgjithësi, përfshirë edhe qentë dhe mbajtjen e tyre për gjueti, roje e trajnim. Nga Profeti mësojmë se Zoti e fali një prostitutë për mëshirën që tregoi ndaj një qeni të etur ose për një grua që hyri në ferr për shkak të keqtrajtimit të një maceje. Kur’ani na flet për historinë e Shoqëruesve të Shpellës [ahl-ul-khaf], që e kishin me vete edhe qenin e tyre [Kur’an, El-Kehf: 22], që e bën një kafshë për shoqëri të mirë të besimtarit – pohon Ingrid Mattson për The Huffington Post. Kur’ani e bën të qartë se nuk ka asnjë të keqe në ngrënien e kafshëve të grabitura nga qentë e gjuetisë. Në vargun 38 të kapitullit të 6-të i përmend kafshët, përfshirë edhe qenin, të jenë një komunitet, thjeshtë një mesazh që nënkupton konceptin e mëshirës.

Derisa i kemi këto parime të shkëlqyera për të drejtat e kafshëve, shumica e juristëve i konsiderojnë të papastër [Encyclopedia of Religion and Nature] dhe prandaj nuk i pranojnë në “bashkësinë familjare” [Armstrong&Botzler: 2016/237]. Na paraqitet pastaj engjëlli Xhebrail, që refuzon të hyjë në një shtëpi ku ka qen ose një posedues të qenit (përveç tre rasteve të shënuara), të cilit për çdo ditë i digjet nga një mirësi që ka bërë; ose, një enë që e ka lëpirë qeni duhet të pastrohet shtatë herë me ujë dhe një me dhé para se ta përdorë njeriu! Në fund thuhet se muslimani e ka të ndaluar ta mbajë qenin në shtëpi!

Natyrisht, të gjitha këto duhet ta kenë shpjegimin e vet dhe duhet të dritësohen nga njerëzit kompetentë që e shpjegojnë fenë. Por, një arsye mund të jenë edhe tre faktorë të diskutueshëm: koha, shpenzimi dhe sëmundjet. Derisa jemi të detyruar ta përdorim kohën dhe pasurinë në gjëra të dobishme, shumë njerëz humbin më shumë kohë dhe para duke u kujdesur për qentë e tyre sesa për fëmijët e prindërit dhe i lënë në mëshirën e fatit të varfrit dhe nevojtarët. Një çmenduri të tillë mund ta shohim në listën e dhjetë qenve më të shtrenjtë, siç janë nga “Czechoslovakian Wolfdog”, që kushtojnë 1.500 dollarë, deri te “little lions”, që kushton 10.000 dollarë. Nuk janë të rralla rastet kur i sjellin qentë e tyre për të qëndruar në hotele luksoze, bëjnë dush me qentë dhe u lënë atyre trashëgimi shuma të mëdha parash! Sa për ilustrim le të merret shembulli i konteshës austriake Carlotta Liebenstein, e cila vdiq më 1991, ndërsa i la qenit “Gunther III” një pasuri prej 80 milion dollarësh [Latimes, 22.2.2016]. Jemi dëshmitarë të shumë rasteve vëmendjesh e trajtimesh bujare të qenve e në të njëjtën kohë të përçmimit të të afërmve dhe neglizhimit të fqinjëve dhe me këtë e kuptojmë urtësinë e qasjes së kujdesshme ndaj kësaj çështjeje.

Por, nga më të diskutueshmet është shëndeti, përkatësisht burimi i shumë sëmundjeve, me të cilën merret mjekësia. Duke jetuar në kontakt të ngushtë me njerëzit dhe duke ndarë hapësirat e tyre, kafshët shtëpiake, në veçanti qentë, mund të përfaqësojnë një faktor serioz rreziku, sidomos për fëmijët, të moshuarit dhe ato me imunitet të dobësuar. Fakti se mund të kenë kontakt me kafshët e egra, i bën ata faktorë potencialë të rrezikut për një ndotje mjedisore, që – si rrjedhojë – të sjellin kushte për një infektim ose sëmundje, nganjëherë serioze dhe fatale. Jo pa arsye thonë se qentë janë rezervuar parazitësh infektivë!

Është vlerësuar se mbi 60% e familjeve perëndimore kanë një kafshë në shtëpi, shumica e tyre një qen, një fenomen ky i njohur për më shumë se katërmbëdhjetë shekuj. Sipas një studimi të lëshuar nga CDC-ja [Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve], vetëm në Amerikë jetojnë afërsisht 78.2 milionë qenë [2016], ndërsa prej tyre janë shkaktuar 4.5 milionë kafshime, 81% pa nevojë për ndërhyrjesh mjekësore. Për vitin 2015 llojet më të rrezikshme të qenve kanë qenë “Pit Bull” (me 60 incidente), “Rottweiler” (me 29 incidente) dhe “German Shepherd” (me 19 incidente).

Studimi ka treguar se në periudhën 13 vjeçare (2005-2017) vetëm në Amerikë kanë vdekur 284 njerëz si pasojë e kafshimit të llojit “Pit Bull”, që përmban 6.5% të popullatës së qenve në Amerikë. Vetëm gjatë vitit 2017, si pasojë e kafshimit të qenve, 28.000 njerëz kanë pasur ndërhyrje kirurgjike [Forbes, 13.09.2013]. Thuhet gjithashtu se rreth 5 milionë njerëz në mbarë botën çdo vit kafshohen prej qenve [Science Journal, #11/2014]. Bazuar në raportet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në botë për çdo vit ndërmjet 30.000 dhe 70.000 vdekjesh kanë ndodhur si pasojë e infektimit të tërbimit [Journal of the American Veterinary Medical Association, #225/2004]. Është edhe një infektim që quhet Pasteurella dhe mund të transmetohet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me qentë ose gërvishtjeve që mund të shkaktojnë [The Lancet Infectious Diseases, #9/2009, f.439–447]. Rastet e këtilla kërkojnë kullim kirurgjik. Po kështu edhe Capnocytophaga canimorsus, e cila transmetohet tek njeriu nga kafshimi i qenve, veçanërisht në të moshuarit [Emerging Infectious Diseases, #12/2006, f.340] shpesh ka përfundim fatal.

CDC-ja pohon më tej se në SHBA për çdo vit ndodhin afërsisht 4.7 milionë kafshime të qenve, prej tyre 800.000 kanë nevojë trajtimi mjekësor, ndërsa 16 kanë pasoja vdekjeprurëse. Proporcionalisht i bie që afërsisht nga 325.7 milionë njerëz të jenë lënduar një i gjashtëdhjetenënti [2018]. Studimi ka veçuar njerëzit e shërbimit postar, 5.879 nga të cilët janë sulmuar më 2016, ndërkohë që një vit më pas [2017] janë regjistruar 274 më shumë [6.153]. Në vitin 2011 ka pasur 31 sulme vdekjeprurëse, 42% e tyre nën moshën 11-vjeçare, 68% prej tyre nën moshën 1 vjeçare.

Në Zvicër çdo javë regjistrohen incidente të kafshimit të fëmijëve nga qentë që i mbajnë në shtëpi, gjë që ka çuar në marrjen e masave shtrënguese dhe gjobitjen nga autoritetet shtetërore. Atje je i detyruar ta kalosh një test nëse je mbajtësi i qenit të parë (pa përvojë). Në Amerikë, nëse pronari nuk ia fshin qenit të tij jashtëqitjen që bën në rrugë, dënohet me gjobë prej 100 dollarësh. Në Arkansas qenve nuk u lejohet të lehin pas orës 18.00. Në Illinois është e ndaluar t’i japësh qenit whisky. Në Oklahoma kërkohet leje e posaçme për tubimin e më shumë se tre qenve në prona private. Në Kinë ke të drejtë të mbash vetëm një qen edhe ai të mos jetë më i gjatë se 14 inça [35.56 cm]. Në Itali je i detyruar ta qesësh qenin tre herë në ditë që të mos përballesh me ligjin. Në Angli nuk mund të marrësh një taksi nëse ke një qen me vete.

Duke falënderuar mikun tim Dr. Harold Rubin, i cili më ka mundësuar të gjej punime të kësaj natyre nga shkenca e mjekësisë, jo aq të frekuentuara nga lexuesit e rëndomtë, unë mund t’i sjell lexuesit disa nga rreziqet e shëndetit në kontakte të afërta me qenin [Journal of The Interactions of People & Animals, #19/ 2006, f.50–64]. Një burim i vlefshëm mund të jetë libri i autorëve Jane E. Sykes dhe Craig E. Greene: “Infectious Diseases of the Dog and Cat ”, por vëmendjen na e tërheq edhe një artikull i shkencëtarit Gerard Finstimer, që synon të paraqesë disa vëzhgime shkencore, të botuara në revistën gjermane “Kosinos”. Ai ka shprehur shqetësim të theksueshëm për rreziqet që nuk duhet të injorohen dhe ia ka tërhequr vëmendjen publikut për përkëdheljen e qenve, përqafimin, puthjen, lëpirjen e duarve dhe, më të rrezikshmen, përdorimin e të njëjës enë ku ka pirë një qen. Shumë njerëz – thotë ai – e kanë paguar me çmim të lartë injorancën e tyre.

Një pohim të tillë e ka bërë edhe një studim i Universitetit të Mynihut, ku thuhet se mbajtja e qenit në familje e rrit për 80% goditjen e grave me kancerin e gjirit. Studiuesit kanë vërejtur se gratë e Lindjes janë shumë më pak të prekura me këtë sëmundje ne krahasim me gratë e Perëndimit, të cilat nuk mbajnë një qen në familje. Ata kanë konstatuar se viruset MMTV (Mouse Mammary Tumor Virus), përgjegjëse për goditjen me kancer të gjirit, mbarten tek njeriu gjatë kontaktit dhe fërkimit me qenin. Ata njëkohësisht kanë konstatuar se jarga e qenit, gjaku dhe qimet e tij, janë strehë e mikrobeve dhe viruseve, të cilat nuk i kanë macet.

Universiteti Shtetëror i Karolinës së Veriut dhe “Duke Medical Center” i këtij shteti kanë bërë më së shumti hulumtime për sëmundjet e qenve dhe mundësisë që këto sëmundje të transferohen tek njerëzit. Biologu Rob Dunn dhe kolegët e tij kanë gjetur se banesat që posedojnë qen, posedojnë shumëllojshmëri mikrobesh (më të madh se banesat pa qen), veçanërisht në ekranet televizive dhe në jastëkë. Studiuesit kanë gjetur se: “Kur sillni një qen në shtëpinë tuaj, ju nuk sillni vetëm një qen, por edhe një duzinë mikrobesh, që janë të lidhura me të, disa prej të cilave mund të kenë efekte direkte ose indirekte në shëndetin e njeriut”. Ngjashëm edhe Dr. William C. Edward ka konstatuar se sëmundjet e kafshëve, sidomos tek qentë dhe macet të cilat jetojnë në bashkësinë familjare, e rrisin mundësinë që sëmundjet e tyre të kalojnë tek njerëzit [Immunology, #144/2015]. Një studim i ngjashëm i po kësaj qendre, që ka veçuar kancerin, tregon se kanë gjetur ngjashmëri të mëdha të kancerit te qentë me atë që e kanë njerëzit.

Një artikull i botuar me 29 nëntor 2017 i trajton rreziqet e frikshme dhe të papritura shëndetësore të sëmundjeve zoonotike, virale dhe bakteriale, të cilat përhapen nga kafshët tek njerëzit [Animal Health Research Reviews, #4/2003, f.157–168]. Me theks të veçantë diskutohen sëmundjet që mund të përhapen drejtpërdrejt nga qentë tek njerëzit, përkatësisht tek pronarët dhe familja e tij. Njëra prej tyre është Salmonella, e cila mund të vijë me ushqimin e kontaminuar të kafshëve, e cila fillimisht shkakton sëmundje në qenin tuaj, e pastaj transmetohet tek njeriu. Ashpërsia e infektimit qëndron në varësi nëse ajo mbetet e lokalizuar në zorrë ose shpërndahet në qarkullimin e gjakut. Simptomat mund të përfshijnë ethe, humbje të oreksit, dhimbje koke, dhimbje të muskujve dhe kapsllëk.

Se sëmundja e qenit mund të kalojë tek njeriu, kjo është vërtetuar tashmë nga studimi më i fundit i zyrtarëve në Marion County (Iowa), që e konfirmon veterinari Dr. Jeff Kaisand, i cili ka gjetur disa raste me “Canine Brucellosis”. Studiuesja Martha Hensel, një veterinere në Universitetin e Teksasit, në lidhje me këtë sëmundje ka dhënë alarmin mbi rrezikun e shëndetit publik [Health Day News, 11.07.1018]. Ajo ka veçuar mundësinë e infektimit përmes përkëdheljes së qenit, sidomos tek fëmijët e vegjël dhe njerëzit me sistem imun të komprometuar. Simptomat e këtyre sëmundjeve transmetuese tek njeriu janë dhembja e kokës, ethet, djersitjet e natës, dhimbja e nyjave dhe dobësia (molisja), njofton “The Iowa Department of Agriculture” [CBS, 14.5.2019]. Ato kanë specifikuar më të kërcënuar janë ata që vijnë në kontakt me gjakun, indet dhe lëngjet e kafshëve gjatë procesit të frymëmarrjes. U bë e njohur dhe e diskutueshme vdekja e një gruaje në Wisconsin më 2018 lidhur me bakteret që i “gëlltiti” përmes pështymës së qenve [UsaToday, 12.5.2019]. Dhe, po aq i diskutueshëm është  rasti i Z. Greg Manteufel, të cilit puthja e një qeni i kushtoj gjymtim, pasi u desh t’ia presin këmbët dhe duart! Edhe në këtë situatë shqetësimin më të madh e kishte për qenin sesa për veten e tij! Jo pa qëllim mjekësia vazhdimisht ka këshilluar: “ta puthësh kafshën tuaj në gojë do të thotë ta rrezikosh shëndetin tënd”.

Më 9 korrik 2018 në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare të Helsinkit për herë të parë është themeluar një institucion që merret me transmetimin e baktereve NDM midis qenve dhe njerëzve. Studimi epidemiologjik u bë në bashkëpunim me Institutit Kombëtar të Shëndetësisë, Mirëqenies dhe Autoritetit të Sigurisë Ushqimore të Finlandës dhe u mor me rastin e vitit 2015, kur në New Delhi ishte vërtetuar rasti i parë në botë për transmetimin e baktereve “Escherichia coli” (NDM) nga një qen në një njeri. Revista “Eurosurveillance” tregonte se përmes analizës së gjenomit të baktereve, u konstatua se izolatet bakteriale të qenve që u transmetuan tek njeriu ishin identike [ScienceDaily, 9.7.2018].

Serish falënderoj Dr. Rubin, i cili në bashkëpunim me stafin e tij më ofroi informacion për dhjetë sëmundjet më kërcënuese që mund të transferohen nga qeni tek “pronari i tij”. Në krye të listës gjendet Giardiasis [Giardia], një infektim i gjatë protozoal i zorrëve, i shkaktuar shpesh nga uji i pijshëm i ndotur nga qeni i infektuar. Infektimi mund të shkaktojë një sërë simptomash në zorrë, përfshirë diare, fryrje, stol yndyror, dhimbje stomaku etj.

Viruset Zoonosis, që vijnë nga tërbimi, janë po aq të rrezikshme dhe, madje, fatale dhe ato shkaktojnë infektim akut në qendrën e sistemit nervor. Vaksinimi i qenve kundër tërbimit zakonisht kërkohet me ligj. E keqja është se kur shfaqen simptomat është tepër vonë për t’u trajtuar, ndërsa e mira është se rastet e këtilla janë të pazakonta, por të mundura. Në këtë listë është edhe “Tapeworms”, e cila i rrezikon më tepër fëmijët, sepse ata i vendosin duart në gojë pa i larë, por trajtohet lehtë përmes ilaçeve. Simptomat janë dobësia, diarea, dhimbja e barkut, humbja e oreksit, lodhja dhe humbja e peshës.

Ndonjëherë, veçanërisht në zona të pyllëzuara, qentë zënë pleshta, të cilët bartin baktere që shkaktojnë Murtajën Buboneze. CDC raporton 17 raste të tilla vjetore në SHBA. Vetë sëmundja nuk është aq e tmerrshme sa e ka emrin, pasi ka qasje në trajtimin antibiotik, por një trajtim i vonuar mund të rezultojë me një fund fatal.

Bruceloza që shkaktohet nga baktera Brucella është një sëmundje akute febrile me shumëllojshmëri simptomash. Veç tjerash, mund të shkaktojë edhe probleme për një shtatzëni, përkatësisht problemet me fetusin – thotë Dr. Amesh Adalja, një studiues i lartë në “Johns Hopkins Center for Health Security”.Është nga rastet e rralla dhe trajtimi mund të bëhet me antibiotikë, por në raste të rënda trajtimi mund të zgjasë me muaj. Temperatura e lartë, dhembjet e gjymtyrëve, djersitja dhe lodhja janë simptomat e saj të zakonshme.

Sëmundja e radhës në këtë listë është e ashtuquajtura “Rabies”, e cila transmetohet te njeriu gjatë “puthjes” ose kafshimit me një qen të tërbuar. Simptomat janë temperatura e lartë, problemet me pagjumësinë, mungesa e oreksit, dhimbja e kokës, nervozizmi, ankthi, dhimbja e fytit dhe vjellja. Thuhet se, në botë, kjo sëmundje famëkeqe zoonotike shkakton 55,000 vdekje vjetore. Po kështu edhe bakteret Capnocytophaga canimorsus, që jetojnë në gojën e një qeni, shkaktojnë infektime të rralla, por të rënda te njerëzit të cilët janë në kontakt me qen, madje me pasoja vdekjeprurëse në 50% të rasteve.

Virusi Nipah është një virus zoonotik i saponjohur, që u zbulua në vitin 1999. Ai ka shkaktuar sëmundje tek kafshët dhe tek njerëzit dhe transmetohet nëpërmjet kontaktit me kafshët infektive. Virusi është emëruar sipas vendndodhjes ku u zbulua për herë të parë në Malajzi. Fillimi i infektimit zakonisht është me simptoma të “gripit”, me ethe të larta e dhimbje të muskujve. Sëmundja mund të përcillet me përgjumje, çorientim, çrregullime dhe koma. 50% e rasteve klinikisht të dukshme vdesin.

Sëmundje të tjera janë “Lyme”, e cila vjen nga rriqrat, që mund të posedojë qeni, të cilat mund të hyjnë në sistemin e gjakut të njeriut dhe të shkaktojnë infeksion me një të kafshuar. Ringworm [Dermatophytosis] është një infektim bakterial jo aq i zakonshëm, që paraqitet në thonjtë, lëkurën dhe qimet e qenit, por që lehtë mund të transferohet tek pronarët e tyre. Cryptosporidiosis vjen nga kontakti me një qen të infektuar përmes ushqimit, pijes, prekjes ose jashtëqitjes. Leptospiroza [Leptospirosis] është një sëmundje potencialisht fatale bakteriale, që e dëmton mëlçinë dhe veshkat e qenve dhe të njerëzve. Ajo shkaktohet nga bakteret e Leptospira, të cilat përhapen përmes urinës së infektuar dhe mund të mbijetojnë në ujë e tokë deri në një muaj.

Shumica e njerëzve janë tërësisht injorantë në lidhje me këto të dhëna nga shkenca e mjekësisë, por edhe një pjesë e atyre që i dinë, kanë zgjedhur të mos i besojnë. Në Perëndim, megjithatë, ka mbetur “admirim” t’i thuash tjetrit se “po bën jetë qeni”.