` . Çfarë mund të pritet nga aktorët politik? - TV-SHENJA

Çfarë mund të pritet nga aktorët politik?

Me një fjalë, lufta do të bëhet jo aq për konceptet politike sa për vlerat njerëzore të përfaqësuesve politik. Një luftë ndërmjet “shkathtësisë” dhe “diturisë”. Apo edhe ndërmjet të “aftit, zotit” dhe të “mirit, ndershmit”. Kuptohet të shkathëtit, të aftit, të zotit, janë ata të partive në pushtet kurse të diturit, të mirit, të ndershmit janë të Lëvizjes Besa

Rizvan Sulejmani

Lufta politike tanimë ka filluar. Partitë politike nxjerrin formacionet që sipas tyre do të jenë fituese në këto zgjedhje. Ata që janë në pushtet përpiqen që punët e mbetura e që mund t’u shërbejnë për t’i promovuar si sukses bëjnë çmos që t’i mbarojnë. Një e tillë është Ligji për përdorimin e gjuhëve siç zyrtarisht e quajnë e që në esencë është përpjekje për avancimin e përdorimit të gjuhës shqipe në nivel qendror. Kryeministri i qeverisë dhe njëherë kryetar i Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë, Zoran Zaev, me rastin 100 ditëshit të parë të qeverisjes, në emër të transparencës organizoj debate me gazetarë e analist të afër me te, ku u mundua t’i promovojë rezultatet e para. Në mungesë të ndonjë rezultati të prekshëm, theksin e vendosi tek vullneti i tij i mirë për t’i mbyllur çështjet e hapura me fqinjët dhe ato që kanë karakter ndëretnike.

Fjalët që më së shumti i eksploator ishin ato që lidheshin me vullnetin e tij të mirë, sinqeritetin, gatishmërinë për bashkëpunim bile edhe me ata që i ka kundërshtarë, një përpjekje për moralizim të politikës. Në atë mënyrë e arsyeton edhe propozim ligjin për përdorimin e gjuhës, që e shiste si vullnet i mirë për të mbyllë një çështjeje të hapur. Nga ana tjetër, opozita maqedonase me disa intelektual kërkon debat më të gjerë me arsyetimin se një ligji i tillë nuk mund të ketë flamurë evropian vetëm për të shkurtuar debatin politik ngase prek marrëdhëniet ndëretnike. Në qëndrimin e saj ka një avancim. Ata tani nuk e kundërshtojnë nevojën për një ligj të tillë, por kanë vërejtje për kushtetutshmërinë dhe sferat e përdorimit, andej edhe kërkojnë debat më të gjerë. Nga VMRO-DPMNE, këtë formë të miratimit të ligjit e shohin si përpjekje jo të sinqertë të partive politike në pushtet, BDI. LSDM por edhe Aleanca për Shqiptarët dhe RDK-ja, apo si mashtrim parazgjedhorë të shqiptarëve sa për të marrë votat e tyre.

Karshi elektoratit të vetë, këtë veprim të partive në pushtet e shpjegojnë si shantazhim të partive shqiptare ndaj një partie maqedonase që nuk e ka legjitimitetin. Meqë LSDM-ja me çdo kusht donë të mbetet në pushtete, sipas tyre rezultati i zgjedhjeve lokale për këtë parti është të jesh apo të mos jesh. Analistët ndajnë mendimin se këto zgjedhje kanë rëndësi të veçantë për dy liderët, si për Zajevin ashtu edhe për Gruevskin, pse jo edhe për Ali Ahmetin. Karriera e tyre e veçanërisht pozita e liderit varet mu nga këto zgjedhje. Nikola Gruevski në paraqitjen e tij të parë në një televizion shqiptarë pas disa viteve, u tërheqë vërejtjen shqiptarëve se LSDM-ja nuk është e sinqertë dhe se ky ligj edhe mund të miratohet në këtë formë në këtë fazë por, menjëherë pas zgjedhjeve ose do të pësoj ndryshime, ose me mjeshtëri tjera si Komisioni i Vendedikut apo edhe Gjykata Kushtetuese do të pësoj ndryshime. Një përpjekje për të demaskuar qëllimet jo të sinqerta të partive në pushtet, veçanërisht LSDM-së dhe BDI-së, bëjnë edhe deputetët e saja në parlament duke shpaluar shumë afera korruptive për kandidatët e kësaj partie dhe duke e arsyetuar nevojën e ligjit me nevojën e kësaj partie për tu pastruar nga këto të palara. Ata shkojnë edhe më larg, duke e parë këtë ligj si nevojë të BDI-së për tu rikthyer në skenën politike pas humbjes së madhe që pësoj në zgjedhjet parlamentare. Për këtë përdorin si argument faktin se BDI më herët ka pasur edhe deri në njëzet deputet por nuk e ka kushtëzuar koalicionimin me partin e tyre me këtë ligj, kurse tani e kushtëzojnë, gjegjësisht e shantazhojnë Zajevin, ngase ai ka nevojë me çdo kusht të jetë në pushtet kurse numrat e BDI-së janë të domosdoshëm.

Kjo sipas tyre nuk i shërben mirëbesimit, ngase tek maqedonasit krijohet bindja se gjithmonë kur maqedonasit vihen në qoshe qoftë me forcë, qoftë me diplomaci, por edhe si rezultat i ndasive apo edhe ndonjë “tradhtie” në mes tyre, shqiptarët i kushtëzojnë dhe shantazhojnë. Andej, shtrojnë pyetjen; cili do të ishte kushtëzimi në ndonjë rrethanë tjetër kur ata do të mund të gjendeshin në pozitë edhe më të vështirë? S´do mend se e gjitha kjo është në funksion të kampanjës parazgjedhore, sepse edhe për ata është me rëndësi të përdëftojnë se pa të drejtë janë përjashtuar nga pushtetit edhe se populli i ka votuar. Pra, në kampin politik maqedonas përskaj faktit se zgjedhjet do të jenë për pushtet lokal për të pritur është që të dominojnë tema të politikës së madhe por kësaj radhe me një dozë rezerve, veçanërisht sa i përket marrëdhënieve ndëretnike. VMRO-DPMNE-ja pranon se nuk kanë ditë të menaxhojnë mirë me opinionin publik sa i përket marrëdhënieve ndëretnike.

Kjo apati, mos të themi urrejtje e shqiptarëve ndaj liderit dhe partisë së tyre sipas të njëjtëve është rezultat i demonizimit që ua kanë bërë mediat, me ndihmën e faktorit ndërkombëtarë. Ata janë të vetëdijshëm se duhet të lënë shteg bashkëpunimi ngase elektorati i përgjysmuar në dy parti maqedonase imponon nevojën për bashkëpunim qoftë me shqiptarët si elektorat për ti josh ata të votojnë për ta, qoftë me elitat politike që të bëjnë koalicion me partinë e tyre në rast rezultati të balancuar. Andej, sikur me mjeshtri e shtynë të bëhet temë debati një çështje tjetër, që nuk i prek marrëdhëniet ndëretnike por është po aq e ndjeshme sa edhe kjo ndëretnikja. Bëhet fjalë për temën e refugjatëve. Nëpërmjet komunave ku kanë ndikim iniciojnë referendume kundër kampeve për refugjatë sa për ta aktualizuar dhe bërë çështje debati në kampanjën parazgjedhore. Nëse ata do t´ia dalin në këtë qëllim, do të jetë një spinë perfekt për të heq nga rendi i ditës korrupsionin e partisë së tyre në njëmbëdhjetë vitet e qeverisjes që përgatitet LSDM-ja ta përdorë, qoftë drejtpërsëdrejti, qoftë nëpërmjet prokurorisë speciale dhe policisë.

Në kampin politik shqiptarë përskaj faktit se pothuajse të gjithë partitë do të dalin me kandidat të vetë, lufta pritet të zhvillohet ndërmjet BDI-së si përfaqësuesja kryesore e shqiptarëve në pushtet dhe Besës partisë më të madhe opozitare shqiptare në opozitë. BDI, do të mundohet të paraqitet në rrolin e higjienës politike ngase atë e ka pastruar nga nacionalizmi maqedonas, me heqjen e VMRO-DPMNE-së, dhe sjelljen e LSDM-së në pushtet, një partie që së paku në retorikë më tolerante. Besa platformën e saj të Ridefinimit nuk arin ta plasoj sa duhet dhe ta përafroj tek masa. Prandaj, duket se shumë më tepër do të mundohet të promovojë virtytin, si vlerë të politikanit karshi egoizmit të ekonomisë së tregut që dominohet edhe nga politikanët që merren me çështje publike. Trupi i saj elektoral është më konservatorë dhe vështir i përballë ndryshimet e mëdha që ndodhin në shoqërinë shqiptare në procesin e modernizimit dhe urbanizimit, në një ambient politik ku dominon një liberalizëm i egër.

Njerëzit që sillen rreth tyre janë një rrini inteligjente që ka shkollim cilësorë por meqë pjesa dërmuese tyre vijnë nga klasa punëtore apo fshatare, nuk kanë zhvilluar shkathtësinë e duhur për tu gjend në një ambient të tillë. Me një fjalë, lufta do të bëhet jo aq për konceptet politike sa për vlerat njerëzore të përfaqësuesve politik. Një luftë ndërmjet “shkathtësisë” dhe “diturisë”. Apo edhe ndërmjet të “aftit, zotit” dhe të “mirit, ndershmit”. Kuptohet të shkathëtit, të aftit, të zotit, janë ata të partive në pushtet kurse të diturit, të mirit, të ndershmit janë të lëvizjes Besa. Partia kryesore politike opozitare në kampin politik ka një mision shumë të rrënd. Do të mundohet që virtytet njerëzore si ndershmëria, sinqeritetit, veçanërisht besën (fjalën e nderit) si vlera tradicionale shqiptare ti fus në debat publik, ngase ata edhe deklarohen si parti konservatore popullore. Aq më tepër kur nën vrullin e ndryshimeve të mëdha për një jetë më të mirë materiale, familja patriarkale shpërbëhet, atomizohet, dhe vlerat tradicionale si nderi familjarë, pse jo edhe ai fetare janë vënë nën presion të zhbëhen. Si nus efekt i kësaj zhbërje paraqiten devijime të mëdha si prostitucioni, narkomania, krimi që rrezikon komplet ta detronizojë shoqërinë shqiptare. Në agjendën e tyre për këto zgjedhje pritet të jenë kritikat për vendbanime me substandarde në komunat shqiptare ku si rezultat i një urbanizimi dhe modernizimi të shpejtë të kësaj popullate shumë lagje janë shndërruar në geto apo rrezikojnë së shpejti të marrin aso pamje. Paritë, në pushtet këtë konservatorizëm do të mundohen ta shesin si otomanizëm, dhe anti-perëndimorë. Tanimë kanë filluar të dalin motot kryesore të luftës politike si; “a për otoman, a për dardan”, apo, “koalicioni i frikës”, “titist, enverist, sllavistë” si sinonim për komunist dhe “turkofil, otoman” si sinonim për konservatorizmin.

Partitë tjera veçanërisht Aleanca për shqiptarët, permanent bën distancim nga BDI-ja ngase ajo nuk ka marrë pjesë në pushtetin qendrorë paraprak, por nuk e promovon Strugën si modeli suksesi me të cilën ka qeverisur, ngase nuk ka shumë për të thënë. Ajo nxirret me arsyetimin se pushteti i mëparshëm nuk i ka lënë hapësirë, bile e ka penguar për të vënë në jetën projektin e tij kombëtarë. Ngjarjet që ndodhën në parlament kur lideri i tyre Sela u rrah mizorisht nga protestuesit, shfrytëzohet si argument shtesë për të treguar “qëndresën” e tyre kombëtare. Në këtë mënyrë, sikur pa vetëdije , për së pari herë partitë politike shqiptare veshën me ideologji. BDI-ja, që ka bërë koalicion apo ka kandidat të përbashkët parazgjedhorë me LSDM-në, por edhe për shkak të kaluarës së tyre do të paraqitet si parti e majtë. Aleanca për Shqiptare si derivate e PDSH-së bashkë me këtë të fundit si parti nacionaliste, kurse Besa si parti konservatore popullore.

Kjo në një mënyrë është edhe e logjikshme ngase temat e mëdha nga Marrëveshja e Ohrit, me ligjin për gjuhët u absorbuan. Me nënshkrimin e Marrëveshjes së Tiranës ata i harmonizuan qëndrimet sa i përket çështjeve kombëtare, andej në të ardhmen nuk pritet të ketë ndonjë garë serioze politike ndërmjet partive që lidhet me çështjet madhore. Në orientimet strategjike tani për tani nuk ka ndonjë dallim. Të gjithë e shohin ardhmërinë në NATO dhe UE por në të ardhmen nuk është për tu habitur nëse paraqiten edhe disonanca. Kjo do të varet nga ajo se çfarë kahe do të marrë dialogu Serbi-Kosovë. Nëse atje formati ndërron nga dialog me UE-në, Brukselin në dialog me Gjermaninë dhe Amerika vëzhguese, gjë që Serbia e kundërshton duke kërkuar në atë rrastë Rusia të jetë palë, nuk është për tu çuditur nëse paraqiten edhe ide dhe iniciativa tjera brenda kampit shqiptarë. Gjithashtu varet nëse dialogu do të jetë për zgjidhjen e problemeve historike, “shqiptaro-serbe” apo, problemeve “shqiptaro-kosovare”. Kjo e para nënkupton një kontekst më të gjerë ku duhet të përfshihen gjithë shqiptarët, andej nuk mund të përjashtohen befasitë që mund ta shkundin ambientin politik. Tani për tani mbesim në konstatimin se temat e mëdha politike tek shqiptarët e Maqedonisë sikur janë konsumuar. Befasitë janë të mundshme. Presim e shohim.

Postime të Ngjajshme