` . Çfarë janë kufijtë e Evropës? – TV-SHENJA

Çfarë janë kufijtë e Evropës?

Ja që gjërat ndryshuan: ndodhi kriza globale ekonomike e vitit 2008, që tronditi shtete me demokraci liberale, bile më shumë se shtetet që promovuan demokraci iliberale, si Rusia, Turqi, por edhe Kina, që është ende shtet njëpartiak. Demokracisë liberale fillon t’i konkurrojë seriozisht demokracia iliberale, së paku në stabilitet politik, pse jo edhe të sigurisë e në ngritje ekonomike.

Shkruan: Rizvan SULEJMANI, Shkup

PO-ja e madhe e Komisionit Evropian ndodhi. Ata e ofruan dokumentin e shumëpritur për një perspektivë evropiane të Ballkanit. Por, çka ofron ai dokument? Një perspektivë evropiane, por jo datë fikse, deri në vitin 2025 për Malin e Zi dhe Serbinë, ndërsa të tjerët kanë vetëm perspektivë: kur, si dhe sa është e largët ajo perspektivë, askush nuk ka përgjigje. Të supozojmë se mund të jetë viti 2030. Mua personalisht nuk më paraqet kurrfarë satisfaksioni. Atëherë, nëse më shërben shëndeti, do të shkelë mirë në të tetëdhjetat. Ajo nënkupton dyzet vjet pritje kot, iluzion të rremë, po aq sa babai im, që e priti demokracinë dhe nuk arriti ta përjetojë. Historia përsëritet.

Po i njëjti rrëfim, po i njëjti iluzion dhe prapë një shpresë që nuk u bë realitet. Shumë ngjashmëri për një mashtrim të radhës. Atëherë, pas Luftë së Dytë Botërore, prindi më tregonte se ashtu si ata që nuk e kishin besuar se komunizmi do të zgjaste 45 vjet, po aq duket se do të zgjasë “periudha e tranzicionit”, rrugëtimi deri te demokracia liberale, deri tek “Evropa”. Në pyetjen time se si ndodhi që aq gjatë të jetoni me këtë mashtrim, në komunizëm, ai më thoshte se komunisti e kishte mashtruar dreqin, e le më një njeri të rëndomtë. Këtë ma ilustronte me një tregim si në vijim: Ishin nisur rrugës komunisti dhe dreqi, por e kishin pas vetëm një kalë. Andaj ishte dashur të merren vesh se si do ta shalojnë. Dreqi, që njihet si dredhak, i propozoi që rruga e gjatë të jetë më e këndshme do të duhej ta kalojnë duke kënduar e shaluar. Rregulla e parë ishte që çdo njeri do të qëndrojë mbi kalë për aq sa do zgjaste kënga që do ta zgjidhin ta këndonin. U morën vesh, ndërsa komunisti – si njeri që proklamohej se është i drejtë – i dha përparësi dreqit. Ndërkaq ky, me pretendimin se do ta mashtronte, ia dha këngës më të gjatë që e dinte, siç ishte ajo e Dem Ahmetit. Ia filloi me historikun e konfliktit shqiptaro-serb, burrërinë e shqiptarit, e këndoi pushkën e martinën, ju desh gjatë ta përshkruajë se si e mori nishanin, e qau dhe vajtoi, siç e kanë zanat këngët kreshnike, saqë mezi i erdhi fundi. Pastaj i erdhi radha komunistit që ta shalojë kalin. Sipas marrëveshjes që kishin, ai ia nisi këngës. Trala-la, … trala-la,….. Por, Trala-laja nuk kishte fund. Komunisti e shaloj kalin derri në pafundësi. Kjo ma përkujton dreqësinë e elitave tona politike, që për të na shaluar, nuk ndalin së kënduar këngën EU, NATO, … EU, NATO…. Ne qëndro e ata shalo. Kësaj kënge të tyre nga Brukseli i përgjigjen me një këngë po aq pa fund, Reforma, Reforma,…. Duket se populli i thjeshtë shalohen e sundohen me këto dy këngë.

Megjithatë çka bëhet me entuziastët si puna ime dhe shumë të tjerëve, që në pritje e sipër, nuk do ta përjetojnë integrimin? Kjo nostalgji për entuziazmin që e kisha për idenë e madhe evropian, që më bëri t’i ndërpresë studimet posdiplomike në menaxhment në mes dhe t’i regjistroj nga fillimi studimet evropiane në gjeneratën e parë që u hapën. Ishte bindja se shpejt do të bëhemi anëtarë të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, andaj edhe duhej përgatitur diplomat dhe administratorët për këto struktura në Bruksel. Për më tepër, isha një nga bashkëthemeluesit e Lëvizjes Evropiane në Maqedoni dhe Këshillit Veri-Atlantik të Maqedonisë, bile merrja pjesë edhe në Lëvizjen Pan-Evropa. Mësova për idenë 28-të shekullore evropiane, që thuajse fillon me buallin që e barti Evropën – nënën e princit të Minosit nga Kreta për Athinë nga edhe vjen emri i kontinentit tonë, e që sot është sinonim për Unionin Evropian. I lexuam e i studiuam të gjitha traktatet, që nga ai Romës e deri tek i fundit, i analizuam rrethanat historike e kontekstet gjeopolitike, si dhe zhvilluam teori mbi themelimin e saj, që nga ajo federaliste, funksionaliste e neofunksionaliste, e deri tek ato më të përbëra, si supranacionalet. Prandaj e shtruam tezën se është Bashkimi Evropian organizim politik ose ekonomik dhe cilët janë kufijtë e tij? A janë kufij ekonomikë, politikë, gjeografikë ose religjiozë, madje a është një ide e vlerave të përbashkëta, që i ndajnë popujt dhe kombet e këtij kontinenti? A bëhet fjalë për bashkim mbi vlera të përbashkëta dhe a janë këto vlera të përbashkëta kulturore apo civilizuese? Nëse janë kulturore, sa mund të jenë inkluzive karshi kulturave dhe religjioneve tjera apo a mund të mbetet Unioni Evropian vetëm një kulturë e përbashkët pa kapacitete për t’u ngritur në civilizim. Të gjitha këto teori i mësuam dhe studiuam, por rrugën për të arrit deri te kjo organizatë nuk e gjetëm. Sot e dëgjojmë këngën e pambarimtë “EU, NATO…., EU, NATO” dhe përgjigjen “Reforma, reforma” …, mu si Trala-laja e komunistit. Komunisti zbriti nga pushteti jo kur arriti në cak, por kur kali i ngordhi. Kam frikë se do ta përjetojmë të njëjtin fat, më parë do të gjunjëzohemi seç do të integrohemi.

Nëse pak e braktisim simbolikën dhe bëjmë një këndellje racionale për të analizuar se si u paraqit dhe zhvillua kjo ide deri tek iniciativa më e re, mund t’i nxjerrim disa konstatime. Pas entuziazmit se demokracia liberale dhe ekonomia e tregut, e promovuar në Evropën Perëndimore, triumfoi mbi të gjitha ideologjitë dhe atë e shpallëm të fundme, njëjtë si komunistët që paraprakisht e promovuan ideologjinë e tyre si të tillë, gjërat megjithatë nuk shkuan aq lehtë. Parullën e dikurshme se “gjithë bota do të jetë komuniste” e zëvendësuam me parullën “e ardhmja e botës është në demokracinë liberale dhe ekonominë e tregut”. Por, duket se edhe fati mund të jetë i njëjtë. Duke e marrë si të mirëqenë këtë proklamatë, vlerat që ajo i promovoi i njohëm për universale me bindjen se kufijtë e Evropës do të jenë gjithandej ku do të përhapet dhe pranohen këto vlera. Por, ja që gjërat ndryshuan: ndodhi kriza globale ekonomike e vitit 2008, që tronditi shtete me demokraci liberale, bile më shumë se shtetet që promovuan demokraci iliberale, si Rusia, Turqi, por edhe Kina, që është ende shtet njëpartiak. Demokracisë liberale fillon t’i konkurrojë seriozisht demokracia iliberale, së paku në stabilitet politik, pse jo edhe të sigurisë e në ngritje ekonomike. Kjo krizë ekonomike krijoi hapësirë edhe për alternativa të tjera, si ideja e Shtetit Islamik, që u përcoll me akte terroriste dhe konflikte që shpien deri te lëvizjet e mëdha të popullatës. Migrimi u bë një fenomen, sa si rezultat i pasojave nga konfliktet, aq më tepër edhe i globalizimit. Në këtë situatë, Evropa i shpalli për “të mbyllura” dyert e saj, duke deklaruar se për një kohë nuk do të ketë zgjerim, pasi i duhet kohë për vetëkonsolidim. Por, siç mësojnë ligjet e fizikës, hapësirë të lirë nuk ka: nëse ju nuk e plotësoni, të tjerët e mbushin atë. Ashtu ndodhi edhe me regjionin. Çdo ditë e më tepër shtetet iliberale, si Rusia, Kina dhe Turqia, filluan ta plotësojnë boshllëkun, në fillim me ekonomi, e pastaj edhe me ideologji dhe, së fundi, me pretendime serioze për një qasje hegjemone ndaj këtyre shteteve. Përderisa në shtetet anëtare të Unionit Evropian rritej nacionalizmi e ksenofobia, partitë politike, që vazhduan më tepër të thirren në racionalistet se në emocion, e shtruan pyetja si më andej? Demografia ndryshonte. Edhe pse kufijtë u mbyllën për njerëzit e Ballkanit, karvane përplot me refugjatë të Azisë dhe Afrikës ia kishin mësyrë Perëndimit. Andaj Ballkani, i lënë pa perspektivë, filloi të përqafojë ideologji iliberale.

Gjermania, veçanërisht zonja Merkel, e vetëdijshëm se duke u mbrojtur nga iriqët i paraqiteshin gjarpërinjtë, duhej të ndërmerrte diçka. Prandaj iniciativa e parë erdhi mu nga ajo dhe pikërisht në kulmin e pushtetit dhe karrierës, pasi e kishte tejkaluar krizën ekonomike. Merkeli preferonte që regjioni, para se të integrohej në UE duhej të integrohet brenda vetes, duke krijuar një treg unik, pse jo edhe një lloj konfederate. Pati disa iniciativa dhe takime me liderët ballkanikë, por pa shumë efekt. Më vonë kjo iniciativë dhe ide sikur u grabit nga shtetet përreth, nga ata që kanë pasur ndonjë histori “të lavdishme” në Ballkan, si Bullgaria, Italia por edhe Austria e Hungaria. Kjo kulmoi me kryesimin e Bullgarisë, kur u promovua strategjia për perspektivën evropiane të gjashtë shteteve të regjionit. Kësaj radhe jo gjithë bashkë e përnjëherë, ngase dy u veçuan, kurse për të tjerat u promovua “meritokracia”.

Sipas kritereve, rezultoi se vetëm Serbia dhe Mali i Zi deri në vitin 2025 mund të pretendojnë për anëtarësim, ndërsa të tjerat kanë perspektivë, por vlerësimi do të bëhet sipas meritave. Kjo strategji me prioritizime, që promovohet me të madhe nga vendet anëtare të regjionit ose përreth tij, hap shumë dilema dhe pikëpyetje. Pikësëpari, çka i nxiti këto shtete që t’i vihen në ballë kësaj ideje? Sa janë të sinqerta dhe sa janë të qarta këto iniciativa? Përderisa nuk do t’i kemi përgjigjet e sakta për këto pyetje, ne do të spekulojmë. Një shpjegimi i tillë mund të jetë: Bullgaria, si kryesuese, angazhohet që Maqedonia të afrohet sa më shpejt kah Unioni Evropian, pasi ajo ia arriti qëllimit të saj: nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me Maqedoninë, ngase u pajtuan se kanë histori të përbashkët, por bile edhe “gjuhë të përbashkët”. Andaj përpjekja e Bullgarisë për ta afruar Maqedoninë me NATO-n dhe UE-në më tepër është përpjekje për ta pasur këtë vend sa më afër vetes dhe me vete, me bindjen se ndoshta një ditë populli maqedonas do ta kuptojë se ata dhe bullgarët janë një popull që jeton në dy shtete.

Në anën tjetër, kam përshtypje se znj. Mogerini e bën këtë më tepër si italiane sesa si Përfaqësuese e Lartë e Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë të Këshillit Evropian. Italia, pas bashkimit të Gjermanisë dhe pas zhvillimit marramendës që përjeton ky vend, ka pak shanse të gjejë hapësirë në kontinent dhe në pjesën lindore të saj. Ajo nuk ka pasur koloni në Afrikën Veriore, si Franca, që të kërkojë hapësirë zgjerimi dhe ndikimi atje, andaj nuk i mbetet tjetër, pos të kërkojë hapësirë ndikimi në këto vende të mbetura jashtë, që i ka më afër dhe është konkurruese. Austria, tutje, nuk e harron rrethimin e Vjenës në vitin 1683 nga turqit osmanë, andaj kërkon ta përforcojë vijën e parë të frontit në luginën e Vardarit, posaçërisht atë të Moravës dhe Drinës. Ajo e mbështet Maqedoninë, por bën çmos që Serbia të promovohet si “mburojë” kundër islamizmit, bile krahas saj edhe Mali i Zi. Jorastësisht e shihnim Kurcin, si ministër i Punëve të Jashtme të këtij vendi, që ta vizitojë kufirin e Maqedonisë me Greqinë, kurse tani ministrja e tij e Punëve të Jashtme të deklarojë: nëse neve nuk mbërrijmë në Beograd, Kina do ta zë atë para neve. Kryeministri i Hungarisë është edhe më i drejtpërdrejtë kur deklaron se Evropën e shpëton vetëm Krishterimi, që të konstatojë se, me politikat që i promovon Brukseli, pas të cilave qëndrojnë Franca dhe Gjermania, Europa po islamizohet.

Do t’i kishim marrë këto deklarime për jo serioze dhe për konsume të brendshme sikur përskaj këtij dokumenti të mos përfliten edhe alternativa, si ndarja e Kosovës dhe e Bosnjës. Flitet se Vuçiqi, në takime të mbyllura, u ka kërkuar liderëve politikë të Kosovës që ta pranojnë këtë ofertë dhe ta mbyllin sa më parë problemin, ngase atë e pret punë e madhe me Bosnjën. Fundja, ai vetë publikisht do të deklarojë: asgjë nuk është rasti i Kosovës krahasuar me atë të Bosnjës. Cilat janë këto vende, të cilave në të njëjtën kohë u ofrohet perspektiva, por u pëshpëritet edhe ndarja apo edhe zhbërja? Shtetet që u mbetet vetëm perspektiva, rastësisht ose për koincidencë i kanë dy elemente të përbashkëta: të gjitha kanë qenë viktima të bashkësisë së dikurshme serbo-malazeze dhe kanë një popullatë me numër të konsiderueshme myslimane. Shtetet në fjalë vërtet kanë ngecje në reforma, por nuk mbajnë mbi kurriz histori të gjenocidit, si Serbia, dhe nuk janë formuar dhe ngritur me trafikim cigaresh e investime ruse nga një bashkëpunëtor i Millosheviqit, siç ishte Gjukanoviqi. E gjithë kjo histori u harrua dhe, për qëllime strategjike ose të sigurisë, ato u bënë mike dhe atyre u ofrohet anëtarësim. Nëse është kështu, mbetet e hapur pyetja; ku mbetën parimet, sa është me rrëndësi gjeografia e historia? Çfarë janë kufijtë e Evropës? A janë gjeografikë, religjioz apo kufij të vlerave të përbashkëta? A mund të na përsëritet trala-la-ja e komunizmit në trajtën “EU, NATO…” në kohën e tranzicionit? Do të mbarojë kënga apo do të ngordhë kali?