` . Ç’Evropë ia vlen të mbetet gjallë? - TV SHENJA

Ç’Evropë ia vlen të mbetet gjallë?

Për të qëndruar brenda BE-së në sferën politike u bënë bashkë konservatorë, laburistë radikalë dhe bleristë, nacionalistë skocezë etj. Për të dalë nga BE-ja u rreshtuan konservatorë, të djathtë populistë, racistë, copëza të së majtës radikale e kështu me radhë. Nga pikëpamja moshore të rinjtë ishin më pro qëndrimit, ndërsa të vjetrit për daljen.

Shkruan: Arlind QORI, Tiranë

Nëse pyetja përpara popullit të Britanisë së Madhe do të ishte “Ç’qëndrim keni ndaj Bashkimit Evropian?”, përgjigjet kritike do të ishin mjaft më të shumta se 52% që votoi për daljen nga BE-ja. Rreth tre të katërtat e votuesve laburistë, të cilët votuan kundër daljes, ka gjasë ta ndanin qëndrimin e kryetarit të tyre se në BE duhet qëndruar jo për hir të burokracisë së Brukselit, por se kjo e fundit mund të thyhet duke e reformuar seriozisht qeverisjen antidemokratike dhe antishoqërore të deritanishme të BE-së.

Ndryshe nga qasjet e zakonshme që betejën për hegjemoni e shohin midis dy kampeve – pro dhe kundër qëndrimit në BE – beteja e vërtetë zhvillohet brenda secilit kamp. Ajo është përpjekja për të vendosur dominimin e arsyeve dhe forcave shoqërore brenda secilit kamp. Meqenëse ato depërtojnë edhe midis kampeve, është interesant potenciali i krijimit të një blloku historik transversal që paskëtaj do ta shohë si dytësore çështjen e të qëndruarit në BE.

Më thjesht, për të qëndruar brenda BE-së, në sferën politike u bënë bashkë konservatorë, laburistë radikalë dhe bleristë, nacionalistë skocezë etj. Për të dalë nga BE-ja u rreshtuan konservatorë, të djathtë populistë, racistë, copëza të së majtës radikale e kështu me radhë. Nga pikëpamja moshore të rinjtë ishin më pro qëndrimit, ndërsa të vjetrit për daljen. Në prerjen klasore, mikroborgjezia e re (rrogëtariati ose konjitariati) ishte masivisht pro qëndrimit, mikroborgjezia tradicionale kundër, punëtoria e ndarë, por gjithsesi që anonte nga dalja, kapitali i madh pro etj. Arsyet e këtyre të fundit lidhen me domosdoshmërinë e lëvizjes së lirë të kapitalit dhe fuqisë punëtore brenda BE-së, e punëtorisë me frikën nga papunësia, e mikroborgjezisë tradicionale me frikën prej të huajit që cenon mënyrën tradicionale të jetesës së një komuniteti të vetëpërfytyruar si homogjen, kurse e mikroborgjezisë së re me mundësitë e mobilitetit për sipër në tregun e gjerë të punës së BE-së. Rrjedhimisht, brenda secilit kamp zhvillohet beteja për të vendosur hegjemoninë e arsyeve për të ndenjur ose për të dalë nga BE-ja.

Si mund të prodhohet një interpretim hegjemonik majtas i situatës nga të dyja krahët? Arsyet janë aty, hegjemonia e tyre është potenciale, mirëpo mungon aktualizimi. Pikësëpari, ka shumë vend që vota britanike të lexohet si shprehje e një parehatie të skajshme ndaj situatës politiko-shoqërore. Pavarësisht domethënies së traktateve kushtetimore të saj, BE-ja u pa si simbol i një përbindëshi burokratik. Sigurisht që kjo parehati gjen shprehje edhe në refuzimin e të huajit deri në racizëm e linçim të tij, në krenarinë perandorake të rënë vaktit ose në pretendimet e tjetërbotshme nacionaliste të “ditës së pavarësisë”. Mirëpo, shkaqet më të thella të parehatisë radikale, që prekin klasa më të gjera të shoqërisë, kanë të bëjnë me efektet disadekadëshe të kapitalizmit neoliberal. Vërtet që për një pjesë të mirë të mikroborgjezisë së re mobiliteti i tregut të punës dhe konkurrueshmëria e pacak ka shërbyer si katapultë sociale, ama në anën tjetër për punëtorinë dhe të margjinalizuarit e tjerë ajo ka nënkuptuar shpunësim, shkatërrim të formave të organizimit në vendin e punës, zbythje të të drejtave sociale si strehimi, arsimimi ose kujdesi shëndetësor. Ngulmimi në këto probleme dhe krijimi i një fronti shoqëror ku punëtori i huaj është i bashkëshfrytëzuari, me të cilin mund të përpiqesh për ta transformuar shoqërinë, dhe jo marrësi i bukës kombëtare, është e vetmja mënyrë e kundërpeshimit të hegjemonisë raciste deri më tash mjaft depërtuese në disa sektorë të punëtorisë britanike. Kthimi i fortë majtas i laburistëve me zgjedhjen e Jeremy Corbin-it çel rrugën të një populizmi të majtë, që i galvanizon masat me ide radikale social-ekonomike dhe jo me frikën nga përbindshmëria e të huajit që është më i varfër se ti.

Vota britanike po ashtu duhet parë si mllef kundër establishmentit të personifikuar nga burokracia e Brukselit dhe elita politike britanike. Antiestablishmentizmi nuk ka medoemos domethënie përparimtare, përderisa të tillë, deri në pikën ku nuk cenohet sundimi i kapitalit të madh, kanë qenë edhe fashistët. Rritja e UKIP-it ose sektorëve të tjerë të së djathtës populisto-raciste në Britani ka shkuar dorë për dore me zhvillime të ngjashme në Evropën kontinentale dhe vetëm sistemi zgjedhor mazhoritar britanik ua ka pamundësuar përfaqësimin më të fortë parlamentar.

Mirëpo kundërvënia ndaj elitave nuk prek vetëm pjesën politike dhe ekonomike të saj (politikanë, bankierë etj.), por edhe atë kulturore. Evropeizmi liberal ka prodhuar vërtet një shtresë të rëndësishme vlerash, si respektimi i të drejtave të njeriut, kozmopolitizmi, toleranca ndaj tjetrit, ekologjizmi etj., por edhe në këto raste ai është shoqëruar me përçmim ndaj masave. Mikroborgjezit të mirarsimuar i ka munguar vetëdija kritike se vlera të tilla nuk mund të universalizohen pa u ndryshuar struktura e marrëdhënieve klasore dhe se ai nuk e ka në terezi ngaqë është liberal, por është liberal ngaqë e ka në terezi. Ndaj, si iluminist i keqkuptuar, ai e ka shndërruar pamundësinë e përhapjes së ideve të tij në pagdhendje të popullit. Kësisoj, antievropianizmi i këtyre të fundit mund të shihet edhe si shprehje dufi me përçmimin, margjinalizimin dhe paternalizmin kulturor të të paktëve që, në njërën anë predikojnë, ide të mëdha, kurse në tjetrën shkatërrojnë rrjetën sociale dhe mundësitë e përparimit ekonomiko-shoqëror për gjithkënd poshtë vetes. Të harruarit e historisë zgjodhën ta harrojnë historinë dhe t’i fusin shkelmin teleologjisë politike evropeiste. Nëse e majta nuk arrin të prekë nervat e ndjenjës së poshtërimit kulturor të masave të punëtorëve dhe të papunëve, e ka humbur davanë dhe do të katandiset në krahun pak më radikal të liberalizmit mainstream.

Po ç’është BE-ja e sotme? Në njërën anë, ajo është përfaqësuesja politike e kapitalit financiar dhe industrial evropian, pavarësisht etiketimeve të herëpashershme si një lloj përbindëshi burokratik. Burokratizmi i BE-së nuk është kundërpeshë e kapitalit, por kusht i fuqizimit të tij. Sidomos për vendet anëtare të Eurozonës, politikat e buxheteve të ekuilibruara dhe eficentizimit përmes privatizimit të sektorëve publikë kanë goditur shtresat më të varfra. Goditjen më të fortë e kanë pësuar vende të gjysmëperiferisë evropiane, si Greqia, ndërsa vendet e periferisë së mirëfilltë, si ish-vendet socialiste, pavarësisht reduktimit të shërbimeve sociale, kanë përfituar nga lëvizja e lirë e fuqisë punëtore si rezultat i çmimit të ndryshëm të kësaj të fundit nga vendet e periferisë në ato të qendrës.

BE-ja përbën një hapësirë gjeoekonomike dhe gjeopolitike që synon ta rrisë konkurrueshmërinë e kapitalit evropian. Bashkimi i kapitalit, përparësitë e brendshme dhe kufizimi i marrëdhënieve me hapësira të tjera gjeoekonomike dhe gjeopolitike nga SHBA-ja në Kinë, e kanë zbutur disi presionin e konkurrencës drejt standardeve më të ulëta. Pavarësisht kritikave për neoliberalizim të ekonomisë, vendet e BE-së mbeten sot kështjellat e fundit, paçka se gjysmë të rrënuara, të shtetit social në botë. Çfarë e ka bërë më jetëgjatë dhe më vështirësisht të rrëzueshëm shtetin social në Evropë? Sa historia e lëvizjeve radikale shoqërore, aq edhe mundësia e një kompromisi të tensionuar klasor që është mundësuar nga presioni konkurrues më i përballueshëm i kapitaleve lokale të ngritura në nivel evropian. Nën ombrellën e BE-së, kapitali evropian e ka pasur më të lehtë të lëshojë pe pa rrezikuar theqafjen përfundimtare ose, së paku, të tolerojë xhepa më të mëdhenj dhe të rëndësishëm të drejtash sociale, si shëndetësia, arsimi dhe kujdesi ndaj konsumatorit ose të drejtash ekologjike se gjetiu.

Ndaj kthimi pas në shtetet nacionale nuk mund të interpretohet vetëm si pavarësi nga përbindëshi burokratik, por edhe si ekspozim ndaj presionit më të fortë konkurrues të kapitalizmit global, i cili do ta ketë më të kollajtë rrafshimin e të drejtave të mësipërme. Për të mos përmendur pastaj se me rënien e gogolit të Brukselit, e djathta populiste nuk do të heqë dorë se gjeturi “koka turku” tek emigrantët ose minoritetet etnike e fetare. Çdo dështim i tyre i nesërm do të kërkojë rritjen e represionit ndaj të margjinalizuarve.

Ç’alternativë mund të ofrojë e majta ndaj një BE-je të dështuar demokratikisht dhe ekonomikisht pa u kthyer në izolacionizëm, që do t’i dorëzohej menjëherë stuhisë së kapitalit të globalizuar? Nëse Evropa si burokraci po vdes, ajo si projekt shumëpopullor dhe radikal pritet të lindë. Që kjo të ndodhë, lypet krijimi i një lëvizjeje mbarevropiane radikale, të mbështetur te punëtorët industrialë, prekariati, punonjësit konjitivë dhe inteligjencia në përgjithësi, pavarësisht përkatësive etnike dhe fetare. Më 1923 Lev Trocki bënte thirrje për krijimin e Shteteve të Bashkuara të Evropës, një bashkimi evropian të punëtorëve dhe fshatarëve, që nisej nga premisa se izolimi në shtetet kombe ishte tanimë i pamundur dhe e vetmja mënyrë për të shpëtuar prej skllavërimit të kapitalit amerikan ishte bashkimi në të. Këto ditë kjo mund të duket si ëndërr në diell, mirëpo vetëm bashkimi i popujve në një Evropë të re, radikalisht të transformuar ekonomikisht dhe politikisht, do t’i bënte ballë kapitalizmit global.

Pse në Evropë dhe jo gjetiu? Sepse ndryshe nga vende të tjera, si p.sh. Amerika Latine, ku ka lëvizje të rëndësishme radikale, në Evropë kemi përqendrim të rëndësishëm kapitali industrial dhe postindustrial. Së dyti, ndryshe nga Kina, në Evropë kemi një klasë punëtore nga më të kualifikuarat, madje një konjitariat të rëndësishëm. Së treti, ndryshe nga SHBA-ja, në Evropë ka ende një lëvizje të përfillshme punëtore, që shtratëzohet në rreth 200 vjet lëvizje dhe ideologji revolucionare.

Një Evropë e tillë – në mos socialiste, progresiste – paçka se në fillesat e veta do të kërkonte thjesht të mbijetonte, do të reshte së qeni thjesht pikëmbërritja e masave të mjeranëve anekënd botës, që kërkojnë t’u shpëtojnë luftërave dhe të hanë një çapë bukë më shumë duke zënë radhët e fundit të proletariatit. Ajo do të kishte shansin të shndërrohej në burim frymëzimi transformimesh radikale për popujt anekënd botës. Duke shpluhurosur traditën e vet më të mirë – prej Revolucionit Francez, atij të Tetorit apo lëvizjeve të ’68-tës – Evropa do të rigjente rrezatimin e saj emancipues.

Po ç’efekte ka potenciali shpërbërës i BE-së në nahijen tonë shqiptare? Nisur nga nyjëtimi i ideologjisë shqiptare në idenë e Evropës, subjektet e ligjërimit politik shqiptar kanë mbetur momentalisht të pagoja. Kriza e “Tjetrit të madh” ose çoroditja e “Subjektit që hamendësohet se di” (Evropa, BE-ja) ua heq qilimin fluturues nga këmbët subjekteve dominuese shqiptare. Vihet re aty-këtu, sidomos në retorikën parvenyiste të kryeministrit Rama, këmbëngulja se kriza evropiane do të kalojë shpejt dhe se vendosmëria e “Subjektit që hamendësohet se beson” në projektin evropian (shqiptarët) do të mjaftojë ta rimëkëmbë Evropën: mu si fëmija që me naivitetin e vet për plotfuqinë e atit të sëmurë ndikon që ky i fundit të ngrihet në këmbë.

Mirëpo kriza, në mos edhe rreziku i shpërbërjes së BE-së, ka gjasa të na nxjerrë nga situata paradoksale e përçapjeve të integrimit. Flas për paradoks, pasi integrimi në BE është parë gjithnjë nga dy pozicione të papajtueshme: në njërën anë gatishmëria deri në jerm e shqiptarëve për të qenë “si gjith’ Evropa” e në anën tjetër vetëdija po shqiptare e shprehur me batutën e Groucho Marx-it se “nuk dua të jem pjesë e një klubi që do të pranonte si anëtarë edhe njerëz si puna ime” – pra ç’do na hynte në punë integrimi në një organizatë që do të pranonte vende kryekëput të korruptuara si yni?! Zgjidhja e paradoksit është tentuar duke e ruajtur pikësynimin integrues dhe duke e parë këtë të fundit njëkohësisht si përçapje me ritëm breshke, ku në çdo çast ekziston nevoja e një “Tjetri të madh”, që na mëson se si dhe nga duhet të ecim, ç’reforma duhet të ndërmarrim etj., paçka se herë pas here na nënqesh me hapat e pamjaftueshme. Mirëpo, tash që klubi ka hyrë në krizë dhe anëtarët e vjetër s’dinë nga t’ia mbajnë, ekziston mundësia e rrallë e formimit të një klubi të ri evropian, ku Groucho Marx-i nuk do të na hynte më në punë. Një klub i tillë, ku zhvillimi i të tërës do të varej nga zhvillimi i pjesëve më të prapambetura të saj, nuk do të kishte kuptim pa anëtarë si ne.

Postime të Ngjajshme