` . Çështja Strakosha, reagon mjeku i Lazios: Brambati doktori i “Fake News”! - TV-SHENJA

Çështja Strakosha, reagon mjeku i Lazios: Brambati doktori i “Fake News”!

Deklaratat e ish-futbollistit të Torinos dhe Barit Massimo Brambati se Thomas Strakosha dhe Franck Kessie nuk janë dëmtuar por janë të infektuar me koronavirus dhe po fshihen nga klubet kanë bërë xhiron e botës dhe kanë sjellë reagime të shumta. Pas vëllait të portierit të Lazios Dimitri i cili i ka cilësuar si një turp këto deklarata, klubi bardhekaltër ka reaguar nëpërmjet mjekut të skuadrës Ivo Pulcini i cili ka akuzuar Massimo Brambatin për shpifje.

“Përse nuk vjen në vendin tim ky zotëria që na akuzon? Tani e tutje unë do ta quaj atë “doktori Fake News (i lajmeve të gënjeshtërta)”. Janë gënjeshtra që ofendojnë jo vetëm personin në fjalë, por edhe organizatën tonë dhe stafin mjekësor të Lazios. Nëse më japin leje, nga tani e tutje, do të përdor tamponin për të mbyllur gojën e gjithsecilit.

Strakosha është në gjendje perfekte si të gjithë të tjerët. Nuk kam nevojë të betohem, dërgoni dikë. Jam gati të jap dorëheqjen nëse diçka nuk është e saktë. Dërgoni dikë nga Federata Italiane”, deklaroi mjeku i Lazios.