` . Çdokush mund të bëhet një aktivist, edhe ti! – TV-SHENJA

Çdokush mund të bëhet një aktivist, edhe ti!

Aktivistët janë njerëz të vetëdijshëm dhe të ndërgjegjshëm për “ndryshim” dhe kohën, mundin, aftësitë dhe mbështetjen e tyre ia dedikojnë dëshirës dhe nevojës për ndryshim. Kur ta kesh gjetur kauzën tënde, atë çështje që vërtet e ke për zemër, fokusohu tek ajo dhe vetëm tek ajo. Kërko, shto njohuritë mbi atë çështje

Shkruan: Nada DOSTI, Tiranë

Në një shfaqje filmash me metrazh të shkurtër me tematikë mbi çështjen e Palestinës, regjisori u pyet në mbylljen e mbrëmjes: Çfarë mund të bëjmë ne për Palestinën?

Besoj se e gjithë salla, ashtu si dhe unë, pritëm ndonjë përgjigje cliché me ca pika “bë këtë dhe atë”, duke filluar nga lutjet, kontributi financiar etj. Mirëpo, përgjigja e tij qe mbresëlënëse: “Ky ishte dhe qëllimi i realizimit të filmave të mi dhe e shfaqjes dhe promovimit të tyre sot, këtu, në këtë sallë: ngritja e pyetjeve dhe ndërgjegjësimit. Pyete veten se çfarë mund të bëj unë konkretisht dhe gjithsecili duhet ta bëjë këtë pyetje dhe ta gjejë përgjigjen vetë.”

Pyetje të ngjashme duhet t’i ngremë vetes vazhdimisht, jo vetëm për çështje që i takojnë komunitetit tonë, por dhe për çështje që na takojnë neve si njerëz, në këtë botë. Pikërisht prej pyetjeve fillon ndërgjegjësimi. Kur ekziston diçka që të shqetëson, që e sheh se është e gabuar dhe dëshiron ta ndryshosh, pyete veten çfarë mund të bësh ti konkretisht. Ti, me njohuritë, aftësitë dhe mundësitë e tua.

Aktivistët janë njerëz të vetëdijshëm dhe të ndërgjegjshëm për “ndryshim” dhe kohën, mundin, aftësitë dhe mbështetjen e tyre ia dedikojnë dëshirës dhe nevojës për ndryshim. Kur ta kesh gjetur kauzën tënde, atë çështje që vërtet e ke për zemër, fokusohu tek ajo dhe vetëm tek ajo. Kërko, shto njohuritë mbi atë çështje. Gjej mënyra se si të specializohesh në atë çështje, si të shtosh kompetencat e tua dhe si t’i përdorësh aftësitë e tua për të lobuar për atë çështje.

Gjeje një organizatë në vendin tënd që merret me atë çështje dhe, nëse nuk ka, ndërtoje ti një të tillë. Lëri mënjanë për momentin paragjykimet e tua ndaj shoqatës që ke gjetur dhe nëse të shqetëson vërtetë agjenda ose bindjet e saj, atëherë kërko për më shumë informacion. Lexo platformën e tyre, vizionin dhe synimet ose pyeti personalisht! Pasi ta kesh kaluar këtë fazë dhe mendon se vërtet ia vlen të bashkëpunosh, atëherë shkruaj dhe propozo projekte për të, lëri të dhënat e tua ose plotëso formular anëtarësimi. Prezantohu dhe shprehe dëshirën tënde për të kontribuar. Nëse nuk ke kohë ose mundësi të merresh me projekte, atëherë jep kontributin tënd si vullnetar/e. Nga ana tjetër, nëse nuk ndjehesh i pranuar, pasi shumë organizata kanë politikat e tyre dhe mënyrat e veprimit, atëherë provo aktivizmin individual. Nise nga sensibilizimi i rrethit tënd të ngushtë shoqëror deri në një fushatë sensibilizuese përmes posterave, medias, medias sociale. “Sot çdokush me një smartphone, madje dhe pa kompjuter, dhe me një profil në mediat sociale, mund të jetë aktivist, madje mund të bëhet edhe gazetar.” na thoshte gazetari i njohur turk Nevzat Çiçek.

Ta zëmë se nuk ke kohë fare “të merresh”. Një punë  e vogël, por e vazhdueshme dihet se në të ka begati të madhe. Gjeje një orë në ditë, në javë ose në muaj. Bëje atë përparësinë tënde. Falja komunitetit, shoqatës ose kauzës tënde. E rëndësishme është mos ta neglizhosh dhe mos ta neglizhosh përfshirjen tënde në aktivizëm. Bën ftohtë apo bie shi dhe përton të dalësh nga dhoma jote e ngrohtë? “Lëre se nuk po shkoj fare, nuk bëhet qameti për një më shumë a një më pak!”, do thuash me veten. A e keni parasysh Linda Sarsour, aktivisten amerikane 37-vjeçare, e cila lobon për të drejtat e femrave arabo-amerikane si pjesë e Black Lives Matter. Linda është një ndër bashkëthemeluese e lëvizjes “Protesta e Grave në Uashington”. Sikur 1.2 milionë femra të kishin menduar “hë se nuk bëhet qameti nëse unë nuk shkoj, a do ishin mbledhur dot 1.2 milionë të tilla, të cilat e bllokuan lëvizjen, kalimin në atë shesh, aq sa thuajse askush nuk arriti ta dëgjonte programin për shkak të dyndjes me njerëz. Po sikur çdonjëra prej tyre të mendonte: “hë se do ketë me qindra mijëra atje ç’u bë nëse unë nuk shkoj?” a do ta kishte arritur këtë lloj impakti në shoqëri kjo nismë?

Problemi është se ne shpeshherë e neglizhojmë fuqinë tonë si individë për të krijuar impakt në shoqëri.

Ndërkaq kur vjen puna te mbështetja financiare, dëgjoj shpesh që thonë: “Do doja të jepja më shumë …por jam student” ose “jam papunë, jam pa të ardhura” etj. Ky nuk është justifikim, sepse të gjithë e dimë se ndonjëherë ia bëjmë qejfin vetes, duke blerë ndonjë libër ose duke marrë një makiato apo latte te lokali ynë i preferuar. Ta zëmë se kafen nuk e pimë përditë në lokal, por të themi një minimum prej 2-3 herë në javë. Po sikur këtë shpeshtësi ta reduktojmë në një herë në javë, duke kursyer kështu një euro ose dy euro në javë, që pastaj bëhet 4 apo 8 euro në muaj dhe që pastaj kthehet në 50 euro apo 100 euro në vit! Po sikur në një rreth të ngushtë prej 5, 10, 20 aktivistësh të kontibuohej me nga minimum 50 euro në vit, a e dini se çfarë pune kolosale dhe me impakt mund të bëhej?

Ekziston dhe një grup tjetër njerëzish, të cilët shohin disa figura aktivistësh dhe thonë: “Unë s’jam ashtu! Nuk mund të bëhem ashtu, nuk e kam as për synim dhe nuk më intereson.” Pa marrë kështu në konsideratë që pas një shoqate, nisme ose fushate ekzistojnë një numër i konsiderueshëm njerëzish, që japin kontributin e tyre në bazë të aftësive dhe në fushën e tyre. Nëse ti nuk mund dhe nuk dëshiron të bëhesh si “ata”, atëherë përse, thjesht, nuk i vë në shërbim aftësitë e tua dhe kohën tënde për kauzën që të përket?