` . Calavera: Procesi i Vettingut nis në shtator - TV-SHENJA

Calavera: Procesi i Vettingut nis në shtator

Zyrtarisht procesi i Vettingut për gjyqtarët dhe prokurorët në kuadër të reformës në drejtësi pritet të nisë në muajin shtator.

Kryesuesja e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit për reformën në drejtësi, Genoveva Ruiz Calavera në një intervistë dhënë për DW u shpreh optimiste për këtë. Ajo thotë se sa më shpejt që të nisë ky proces, aq më mirë është.

“Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM)) është gati të vërë në dispozicion ekspertizën e tij shumë të kualifikuar për të shoqëruar procesin, menjëherë sapo institucionet lokale të vettingut të jenë gati për të filluar procesin e rivlerësimit, që shpresojmë të nisë aty nga fillim i kësaj vjeshte”, thotë ajo.

Calavera sqaron se roli i ndërkombëtarëve është vetëm vëzhgues dhe se procesi varet krejtësisht nga strukturat vendase.

“Për të qenë të qartë, ndërsa komuniteti ndërkombëtar mban përgjegjësi për të monitoruar procesin, varet nga strukturat vendase, institucionet e vettingut që janë ngritur tanimë për të kryer direkt rivlerësimin”, shprehet drejtorja e ONM.

Calavera thotë se procesi i vettingut është padyshim ndër përpjekjet më të ndërlikuara në axhendën aktuale të reformave. Dorëheqjen e disa prokurorëve dhe gjyqtarëve për të shmangur verifikimin, Calavera e quan si rezultat të parë të vettingut, ende pa nisur zyrtarisht.

“Ligji për vettingun u dha një afat të qartë kohor gjithë anëtarëve të gjyqësorit që të paraqisnin një informacion paraprak mbi pasuritë dhe trashëgimitë e tyre. Para se afati të skadonte disa gjykatës, prokurorë dhe këshilltarë ligjorë zgjodhën të jepnin dorëheqjen. Në njëfarë mënyre, kjo do të thotë se vettingu tanimë ka filluar të sjellë rezultate, para fillimit të tij të pritshëm”, thotë ajo.

Sipas kryesueses së misionit ndërkombëtar të monitorimit, shtyllat e vettingut janë tre.

“E shkuara, pasuritë dhe vlerësimi i aftësive profesionale, që do të jenë të detyrueshme dhe do të kryhen për secilin anëtar të gjyqësorit. Ne do të monitorojmë se hetimet do të jenë të plota dhe do të bëjnë të mundur, një herë dhe përgjithmonë, pastrimin e sistemit të drejtësisë, në të gjitha nivelet e saj, nga ata që nuk shërbejnë në interes të qytetarëve shqiptarë, por kanë ndjekur praktika të korruptuara ose kanë zhvilluar lidhje me rrjetet e krimit të organizuar”, deklaroi ajo.

Kur u pyet për efektet e para të reformës në drejtësi, Calavera tha se nuk mund të bënte një parashikim kohor, por u shpreh optimiste për këtë proces.

Genoveva Ruiz Calavera, që mban gjithashtu edhe postin e Drejtores për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Europian për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit, foli edhe për integrimin e rajonit në BE.

“Ballkani Perëndimor është pjesë e familjes europiane dhe e ardhmja e tij është Bashkimi Europian. Takimi i fundit në Trieste ishte një rast për të forcuar dialogun dhe bashkëpunimin konkret në shumë sektorë të ndjeshëm, duke konfirmuar një angazhim të fortë të përbashkët për të avancuar më tej marrëdhëniet dypalëshe si dhe bashkëpunimin rajonal”, thotë ajo. /TCH/

Postime të Ngjajshme