` . Buxhet i mbijetesës apo buxhet social - TV-SHENJA

Buxhet i mbijetesës apo buxhet social

Sipas Bankës Botërore, Kosova është një ndër vendet më të reja në Evropë sa i përket moshës së popullsisë, ku 66% e popullsisë është në moshë pune dhe ku mosha mesatare e popullsisë është 27 vjeç. Vetëm 8% e popullsisë është në moshën mbi 65 vjeç, shifër kjo e ulët, krahasuar me mesataren e vendeve të BE-së, e cila është 19%

Shkruan: Lulzim A. BEQIRI, Prishtinë

Buxheti shtetëror është një nga instrumentet më të rëndësishme ekonomike i Republikës së Kosovës, i cili përgatitet nga Ministria e Financave në koordinim me organizatat buxhetore dhe në fund të vitit miratohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Buxheti për vitin e ardhshëm përgatitet në vitin aktual, ndërsa shpenzimi i buxhetit bëhet sipas planifikimit të organizatave buxhetore.

Punësimi dhe mirëqenia sociale zënë vend të rëndësishëm në programet e çdo qeverie nga paslufta. Kështu Republika e Kosovës aktualisht ka rreth 431 ligje në fuqi, 34 ligje janë nga fusha e punësimit dhe mirëqenies sociale, ndërsa nga 1,986 akte nënligjore, 139 zbatohen nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Sipas një dokumenti të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, të quajtur “Rregullimi dhe Menaxhimi i Fushës së Pensioneve dhe Beneficioneve nga Sigurimi Social”, skemat sociale për vitin 2018 do të kushtojnë rreth 380 milionë euro. Kur kemi parasysh se disa ligje për skema të reja janë në procedurë të miratimit e disa të tjera po presin për t’u proceduar dhe duke llogaritur shtimin natyror të përfituesve, është shumë e mundur që në vitin 2019 shpenzimet të arrijnë shumën e mbi 430 milionë eurove, thuhet në këtë raport.

Projektbuxheti i Republikës së Kosovës i vitit 2019, sikurse edhe viteve tjera, nuk garanton një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, kjo si pasojë e orientimit të gabuar në fusha me më pak prioritet. Pra, buxheti duhet të orientohet në këto kategori si: ulja e papunësisë, mbështetja e prodhuesve, fuqizimi i sektorit privat dhe hartimi i politikave fiskale adekuate. Mirëpo, Kosova çdo vit për mbrojtje sociale shpenzon rreth 22.5% të buxhetit.

Sipas Bankës Botërore, Kosova është një ndër vendet më të reja në Evropë sa i përket moshës së popullsisë, ku 66% e popullsisë është në moshë pune dhe ku mosha mesatare e popullsisë është 27 vjeç. Vetëm 8% e popullsisë është në moshën mbi 65 vjeç, shifër kjo e ulët, krahasuar me mesataren e vendeve të BE-së, e cila është 19%. Rritja ekonomike vjetore në mesatare është 3.5%, gjersa për vitin 2017 parashikohet një rritje prej 4.4% e GDP-së (Bruto Produktit Vendor). Kosova mbetet vendi më i varfër dhe me papunësinë më të lartë në Evropë edhe sipas raportit të Vlerësimit të Politikave të Punësimit dhe Mirëqenies Sociale (KEEN).

Vlera më e madhe e projekt-buxhetit edhe në vitin 2019 është ndarë për mallra dhe shërbime,  si dhe për investime kapitale, me theks të veçantë në autostrada, gjë që ka ngjallë reagime të qytetarëve, sepse buxheti i shtetit ka filluar të ndahet edhe sipas prejardhjes së ministrit ose zyrtarëve të ministrisë, duke i anashkaluar prioritet.

Ky buxhet i vitit 2019, si edhe buxhetet e viteve paraprake, është më shumë buxhet i varfërisë sesa buxhet zhvillimor. Siç dihet, Republika e Kosovës ende vazhdon të jetë në mesin e shteteve më të varfra në rajon, ndërsa varfëria nuk ulet me skema sociale, siç kanë pretenduar qeveritarët e Kosovës. Pra, Kosovës i duhet një buxhet zhvillimor me investime kapitale në sektorin privat, sepse ai garanton ulje të papunësisë dhe zhvillim afatgjatë dhe serioz. Pra, duhet fuqizimi i sektorit privat për të pasur stabilitet të zhvillimit ekonomik. Ndërkaq sektori privat është lenë në mëshirë të fatit.

Të punësuarit në sektorin privat në Kosovë flasin për shkelje të mëdha të të drejtave të tyre nga punëdhënësit. Orari i stërzgjatur i punës, punësimi pa kontratë pune dhe pagesa jo e rregullt, janë disa nga shkeljet, me të cilat përballen këta punëtorë. Edhe nga hulumtimet e bëra nga disa organizata joqeveritare në Kosovë, janë evidentuar shkelje flagrante të të drejtave të punëtorëve në sektorin privat. Siç dihet, vetëm në vitin 2018 në vendin e punës e kanë humbur jetën 18 punëtorë.

Edhe ngritja e pagave vetëm në sektorin publik ka ngjallur reagime të ashpra nga sindikatat dhe përfaqësuesit e sektorit privat, siç është Oda Ekonomike e Kosovë. Një ngritje e paralajmëruar e pagave në sektorin publik është e papranueshme, veçanërisht në gjendjen aktuale që mbretëron në sektorin privat. Mos harroni se sektori privat e mbush arkën e shtetit, ku kontribuues aktivë janë mbi 300 mijë qytetarë, që anashkalohen vetëm se nuk kanë një zë në Qeveri. Sipas Statistikave të ASK-së, paga mesatare në sektorin publik dhe privat dallon shumë dhe Kosova prin dukshëm nga vendet e rajonit me një praktikë të tillë, që sipas nesh nuk është praktikë e mirë. Paga mesatare bruto në sektorin publik në vitin 2012 ishte vetëm 407 euro, derisa në vitin 2016 arriti në 525 Euro, duke u rritur me 28.95%. Ndërkaq paga neto nga 353 Euro, sa ishte në vitin 2012, u rrit në 449 Euro, një rrije prej 27.09%.

Sipas ASK-së paga mesatare bruto në sektorin privat, në vitin 2012 ka qenë 367 euro, derisa në vitin 2016 arriti në 371 euro, që u rrit me vetëm 1.09 %. Derisa, paga neto nga 333 euro, sa ishte në vitin 2012, u rrit në 337 euro, me një rritje prej vetëm 4 eurosh.

Sipas raportit të Bankës Botërore një pjesë e konsiderueshme e buxhetit të shtetit shkon për mbrojtje sociale. Në vitin 2016 klasifikimi buxhetor për mbrojtje sociale përbënte 22.05% të të gjitha shpenzimeve buxhetore ose 386 milionë euro. Në vitin 2017 kjo shifër ka kaluar 400 milionë euro. Po ashtu, edhe në krahasim me GDP-në, sipas Raportit për Vlerësimin e Politikave të Punësimit dhe Mirëqenies Sociale në Kosovë, Kosova është një ndër shpenzuesit më të mëdhenj në skema sociale në krahasim me vendet e rajonit dhe vendet e Evropës. Sipas Bankës Botërore, mesatarja e shpenzimeve për skemat sociale në vendet e Evropës dhe Azisë Qendrore sillet në 1.8% të GDP-së.

Buxheti i Republikës së Kosovës shpenzohet në forma të ndryshme, dhe ka një kosto tejet të lartë për kategoritë sociale dhe pensionet e veteranëve të UÇK-së, që në vitin e fundit pothuajse ka degraduar gjithçka. Siç dihet, nga prokuroria e shtetit janë akuzuar mbi 20 mijë veteranë të rrejshëm, ndërsa  procedura ende vazhdon deri në vendimin final, por buxheti i shtetit po vazhdon të shpenzohet pa kurrfarë kriteri. Me Ligjin për buxhet të vitit 2015, Ministria e Financave ndau rreth 24 milionë euro për veteranët, mirëpo ata pensionet e tyre filluan t’i marrin vetëm në vitin 2016, ku me rishikimin e buxhetit ishin paraparë 32 milionë euro.

Krejt kjo i bie se buxheti i Republikës së Kosovës është ngarkuar tej mase, kjo si pasojë e manipulimit të listave me veteranë të rrejshëm, ku miliona euro në vit tjetërsohen brenda institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës dhe kjo bëhet në forma të ndryshme, që nga dyfishimi i çmimeve për një produkt të blerë, e deri te keqmenaxhimi i projekteve madhore. Pastaj manipulohet edhe me komplekset memoriale, raste që çdo ditë raportohen në mediat e shkruara dhe elektronike.

Pasojat ekonomike që dalin nga keqmenaxhimi dhe keqplanifikimi i parasë publike janë shumë evidente në Republikën e Kosovës, madje nga të gjitha qeveritë që i ka pasur Kosova, andaj tashmë ka një vullnet gjithëpopullor që kjo formë e udhëheqjes të ndryshojë, ngase kjo tregon se taksat e tatimpaguesve kosovarë humbin si pasojë e faktorit njeri, ndërsa shpenzimi i parasë publike duhet të bëhet në mënyrë më efikase efektive dhe me një transparencë më të madhe.

Në Ligjin për Buxhetin 2017 u ndan 38 milionë euro dhe u tha se ky do të jetë kufiri maksimal, por me rishikimin e buxhetit kjo shumë u rrit për 69% dhe arriti në mbi 64 milionë euro. Projektbuxheti për vitin 2018, i cili u aprovua në fund të tetorit, parasheh shpenzime prej afër 59 milionë euro për vitin 2018, kurse për vitet 2019-2020 parashihet që kjo shumë të stabilizohet në 63,5 milionë euro, thuhet në Raportin e Vlerësimit të Politikave të Punësimit dhe Mirëqenies Sociale në Kosovë.

Pensionet e veteranëve nga viti 2015-2020

Në fillim të vitit 2017 pensionin e veteranit e kanë tërhequr 29,510 veteranë, prej të cilëve 2,199 ishin gra. Në muajin shtator ky numër ka mbërritur në 35,350 veteranë, prej të cilëve 3,476 gra.

Republika e Kosovës në asistencë sociale i ka qindra mijëra qytetarë. Sipas ASK-së, në vitin 2015 janë 107,451 qytetarë që marrin asistencë nga shteti ose mbi 25 mijë familje. Në vitin 2016 ndihmën e shtetit e kanë pranuar 26,302 familje, ndërsa në vitin 2017 rreth 106,628 qytetarë kanë përfituar nga skemat sociale të Qeverisë së Kosovës.

Numri i përfituesve në vitin 2016 nga skema e pensioneve për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës ishte 12,680. Pastaj numri i përfituesve nga skema e pensioneve për veteranët e luftës ishte 28,207. Gjithashtu nga buxheti i shtetit kishin përfituar 3,412 përfitues nga pensionet e Trepçës. Numri i përfituesve nga skema e pensioneve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës ishte 932, ndërsa nga skema e pensioneve për Forcat e Sigurisë së Kosovës kanë përfituar gjithsej 218 pensionistë. Nga skema për personat e verbër kanë përfituar gjithsej 3 627 persona, ndërsa numri i fëmijëve të braktisur gjatë vitit 2016 ishte 41. Nga ky raport i ASK-së kuptojmë se buxheti i shtetit shpenzon mesatarisht rreth 20% të buxhetit të shtetit në skemat sociale.

Sipas ASK-së, në vitin 2017 skemat pensionale duken kështu: 122,716 përfitues me pensione bazike të moshës, prej tyre 43,300 përfitues me pensione kontribut pagues të moshës; 19,481 përfitues me pensione për personat me aftësi të kufizuara; 12,472 përfitues me pensione për familjet e dëshmorëve dhe invalidëve të luftës; 36,032 përfitues me pensione për veteranët e luftës; 3,232 përfitues me pensione të Trepçës; 1,001 përfitues me pensione të Trupave Mbrojtëse të Kosovës; 288 përfitues me pensione për Forcat e Sigurisë së Kosovës; dhe 2,001 përfitues me kompensime për personat e verbër.

Kosova duhet të hartojë politika zhvillimore duke ta mbështet sektorin privat dhe prodhuesit vendorë. Në fakt, Kosova aktualisht e importon shumicën e produkteve që i konsumon, që sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës për çdo vit nga Serbia importohen rreth 500 milionë euro mallra, që e dëmton tregun e Kosovës me çmime dalluese, duke i dëmtuar tej mase prodhuesin vendorë.

Se skemat sociale mund edhe ta destabilizojnë Republikën e Kosovës, kjo thuhet edhe nga vet institucionet e Kosovës. Konkretisht, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, pra Kosova, rrezikon të ketë trazira sociale si pasojë e politikave të gabuara të koalicionit aktual qeverisës. Duke e shikuar edhe përbërjen e koalicionit, Qeveria po mundohet ta blejë paqen sociale me rritjen e pensioneve për kategori të ndryshme, duke mos e respektuar as rritjen ekonomike e as buxhetin, i cili ka filluar të zbrazet pa kurrfarë kontrolli.