` . Bujku dhe Kryeministri mendojnë njësoj - TV-SHENJA

Bujku dhe Kryeministri mendojnë njësoj

Shkruan: Halil Matoshi, Prishtinë

Përderisa shqiptarët ende i mbanë bashkë në komb vetëm etnonacionalizmi dhe marrëdhëniet tribale (nepotizmi dhe burimet tjera të korrupsionit) “fisi e fara”, e jo vlerat e përbashkëta europiane, liria, demokracia, të drejtat e njeriut dhe solidarësia qytetare, ata ende nuk e njohin shtetin modern dhe konstitucionin (ligjet e përbashkëta) si levë që e mban bashkë një komb me bazë qytetare. Dhe, në këso rrethanash shqiptare, kombi unik shqiptar del të jetë vetëm deklaratë politike dhe asgjë më shumë!

Struktura shoqërore e quajtur “komb” po del nga historia, për t’ia lëshuar vendin shtetit modern që përthith fuqitë kombëtariste, për t’i rikthyer shtetasit në ligj dhe emancipim, thjesht për t’i orientuar ata në një projekt madhor që është perëndimorizimi i shoqërisë, e jo të kërkuarit strehë në ekstremizmat fetarë dhe politikë…

Deportimi i një çuni nga Shqipëria nga ana e policisë kosovare u bë problem madhor kombëtar dhe medial, sepse hataja qëndron në faktin se ai përkiste në Lëvizjen e Albin Kurtit, Vetëvendosje!, e cila angazhohet për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, ndërsa për qindra shtetas të Shqipërisë (më së shumti romë që vijnë në Kosovë për të lypur lëmoshë), që deportohen për shkelje të ligjit kosovar për të huajt ose për krime të ndryshme dhe anasjelltë, për shtetasit kosovarë, që po ashtu deportohen për delikte të ndryshme, askush s’e thotë asnjë fjalë. Pas deportimit të Boiken Abazit u ngritën në këmbë patriotët arkaikë dhe po e akuzojnë shtetin, sepse shumica syresh marrin poste të larta, marrin paga të larta dhe pasurohen me miliona të tjera nga zyrat publike, por që nuk e duan shtetin, në Kushtetutën e të cilit betohen kur i marrin ato poste.

Së këndejmi, Kryetari i Shtetit Thaçi, Kryeministri Isa Mustafa dhe secili bari ose bujk i Kosovës mendon se entiteti juridik-politik, sipas të drejtës ndërkombëtare, i quajtur Republika e Kosovës duhet të shpërbëhet, për hir të ideve të mëdha të Rilindjes së fundshekullit 19-të dhe fillimshekullit 20-të, e që fatkeqësisht pasardhësit e tyre të veshur me kostum rozë (neoenveristët janë në pushtet gjithandej në trevat e banuara me shumica shqiptare.)

Thaçi President – vendi buzë humnere…

Kriza politike në Kosovë është thelluar me zgjedhjen e Hashim Thaçit Kryetar shteti, ngase ai njihet në publik si “përçarës profesionist.” E ka akuzuar LDK-në dhe Rugovën për tradhti kombëtare dhe për politika kundër UÇK-së, e ka akuzuar Haradinajn për zhvatje, Kurtin për politika proruse dhe, madje, si ardhacak nga Vladimiri, edhe si proverb, ndërsa Limajn “e mban” me vite dyerve të ligjit…!? Zgjedhja e tij me votën e LDK-së e pa pjesëmarrjen e opozitës dhe në një lloj shtetrrethimi e bën Thaçin President të zgjedhur, por që kurrë nuk do t’ia japë atij aurën e një Presidenti popullor dhe unifikues të kombit. Pra, njeriu që duhej kujdesur për ta përfaqësuar unitetin e popullit, e ka përçarë atë ekstremisht, duke e avitur tek gremina.

Në Kosovë, në vend të avancimit të demokracisë, po vjen në shprehje partitokracia, qe me marrëveshje mes tre partive të koalicionit të dominohet shoqëria kosovare. Elitat politike në mungesë të etikës së pushtetit e kanë shndërruar atë në pushtet personal. Ky pushtet ka krizë të thellë legjitimiteti dhe i vetmi mekanizëm për dalje nga kjo krizë politike dhe e besimit është marrëveshja për zgjedhje të parakohshme në vjeshtën e sivjetme. Dhe, kjo tashmë është në agjendat e Kryetarit të Shtetit, Thaçi, i cili, me të marrë postin ka paralajmëruar përafrim me opozitën, si dhe mundësi që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme!? Kjo është karizma e tij. E thënmja e djeshme nuk vlen sot!

Dikush do të thotë se kjo mund të jetë thikë pas shpine për partnerin e tij në pushtet, LDK-në, mirëpo LDK-ja e ka hëngër tashmë në disa raste këtë karrem! Rasti eklatant është “Shkurorëzimi i Zanzibarit” më 2010, kur nga një kafiteri prishtinase Thaçi i çoi në shtëpi ministrat e LDK-së!? Por, a do të jetë legjitim dhe me kredibilitet personaliteti i Presidentit Thaçi nëse betimin e bën pa opozitën? Natyrisht që jo vetëm betimi, por edhe zgjedhja e Hashim Thaçit në Kuvendin e Kosovës pa opozitën dhe nën masa të rrepta policore, dëshmon se sa është ai unifikues i popullit.

Seanca ku duhej zgjedhur Presidenti duhej të ishte ceremoniale dhe secili të votonte sipas bindjeve të tij politike, prandaj ai nominalisht ka marrë shumicën e votave dhe është zgjedhur Kryetar shteti, por moralisht kurrë nuk do të jetë i tillë: President i Republikës! Madje, opozita parlamentare e ka kontestuar edhe proceduralisht zgjedhjen e tij në krye të vendit dhe lëndën e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese, duke u thirrur në një pikë të aktgjykimit të Kushtetueses në “Rastin Pacolli” si presedan, ngase aty thuhej se për zgjedhjen e Presidentit obligohen të jenë të pranishëm që të gjithë 120 deputetët, minus ata që mungojnë me leje të kryetarit të Kuvendit të Kosovës. Ky formulim skandaloz, që i jep deputetit në një farë mënyre të drejtë vetoje në raste të tilla, del të jetë një non-sens juridik dhe politik, por që dëshmon se si ka funksionuar Gjykata Kushtetuese nën diktatin e Qeverisë së Kosovës në dy mandate të drejtuara nga Hashim Thaçi.

Por, a do të jetë Thaçi subjekt i drejtësisë ndërkombëtare? Kryetari në ardhje i Republikës, Hashim Thaçi, është subjekt i raportit të senatorit zviceran, Dick Marty, i hartuar për Këshillin e Europës dhe, së këndejmi, mund të jetë subjekt i hetimeve të Gjykatës Speciale. Fakti se ai është zgjedhur President i vendit nuk ia lehtëson atij fare punën. “Imuniteti funksional dhe ai personal, të cilët i njeh e drejta ndërkombëtare për zyrtarët shtetërorë, nuk vlejnë në Gjykatën Speciale për krime lufte në Kosovë”, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Mark Ellis, drejtor ekzekutiv i Dhomës Ndërkombëtare të Avokatëve. Në këtë aspekt duket se qendrës së fuqisë politike përreth PDK-së u konvenon kriza dhe kaosi në Kosovë, që ose ta neglizhojnë zbatimin e drejtësisë ndërkombëtare (herën e parë shumica e deputetëve të PDK-së nuk e kishin votuar këtë Gjykatë) ose edhe ta negociojnë drejtësinë sipas modeleve të njohura tashmë “të shkollës kosovare”, helbete t’i sjellin krerët e Perëndimit në situatë kur kërkojnë figura që e rikthejnë paqen dhe stabilitetin në vend, në këmbim të heqjes së aktakuzave për krime lufte!? Kjo teori edhe mban erë konspiracioni, porse diçka po shkon kundër rrjedhave logjike?

Derisa opozita e bashkuar dhe veçmas Lëvizja Vetëvendosje!, është ngrehur kundër Qeverisë, kjo opozitë ishte ngrehur fuqishëm kundër Gjykatës Speciale!? Po kë po e mbronte kështu VV-ja? A po ia bë argatin PDK-së (dhe strukturës së saj të sigurisë SHIK) në këtë plan? Pse nuk pati kurrë akuza të VV-së për abuzimet eventuale të UÇK-së me të drejtat e njeriut, duke keqtrajtuar dhe vrarë civilët, kundërshtarët politikë, shqiptarë, por edhe pjesëtarët e komuniteteve tjera në Kosovë? A nuk do të ishte mbështetja e Gjykatës Speciale një levë e fuqishme në duart e opozitës për ta rrëzuar Qeverinë Thaçi dhe tash këtë Mustafa- Thaçi? Por, heshtja ndaj krimeve eventuale të luftës “në radhët tona” dhe kundërshtimi i Gjykatës Speciale e bën opozitën pa frymë dhe pa imunitet, sidomos në planin ndërkombëtar… Prandaj ambasadorët perëndimorë në Kosovë janë kundër politikave të VV-së edhe kur nuk janë pro politikave të koalicionit qeverisës!. Madje kjo heshtje ndaj krimeve eventuale të UÇK-së kundër njerëzimit e veshë këtë opozitë me tesha të zeza, si etnonacionaliste e ndonjëherë edhe me nuanca të neofashizmit! VV-ja nuk po e mbron gjithaq Kosovën dhe të drejtën e saj për sovranitet të plotë, por njerëzit e fuqishëm të UÇK-së të veshur me smokingun e politikanit pas luftës së Kosovës? Dhe, njëherësh po i sulmon ata për të bëmat e pasluftës!? Cila është morali i këtij tregimi? Amoraliteti! Ashiqare që Thaçi & Company po e manipulojnë opozitën…

 Rasti “Boiken Abazi” dhe konteksti i ri i marrëdhënieve Kosovë-Shqipëri

Deportimi i Boiken Abazit është i ligjshëm dhe krejtësisht i justifikueshëm, për shkak se ai nuk njohu kurrë shtetin e ri, as rendin e saj kushtetues dhe as rendin ligjor (ai edhe pse është gjatë në Kosovë kurrë s’ka kërkuar që të jetë shtetas i saj dhe as që ka kërkuar qëndrim të përkohshëm, ai thjesht ka qëndruar ilegalisht në Prishtinë…), as rendin simbolik te tij, madje flamurin kosovar e kishte cilësuar si një leckë. Ai foli e punoi për shpërbërjen e entitetit juridik-politik të quajtur Republika e Kosovës.

Secili shtet edhe Republika e Kosovës, kurdo dhe në çdo rrethanë, e ka të rezervuar të drejtën për ta mbrojtur veten nga individët ose grupet që nuk i janë besnik si atdheut të vetëm të tyre. Dhe kjo ligjësi është gjithëbotërore! Abazi e ka një atdhe rezervë – që kosovarët nuk e kanë!? Ja çka thoshte ai vetëm një vit më përpara: “Flamuri i Kosovës, si çdo flamur shtetëror, nuk është thjesht një dizajn apo një copë lecke. Ai është shumë më shumë se kaq. Është simboli i triumfit të imponimit ndërkombëtar kundër vullnetit të shumicës në Kosovë, simbol i politikanëve të kamur dhe të kalbur të Kosovës, simbol i nënshtrimit të tyre, simbol dhunues për lirinë, simbol shenjues i rrugës që po e çon Kosovën tatëpjetë. Me ndryshimin e kësaj rruge, me heqjen e matrapazëve nga pushteti, do t’i hiqet Kosovës shpejt edhe ky shenjues nënshtrimi …”

Dhe ja çka thotë ai pas deportimit: ”Si këndvështrim, kam qenë dhe mbetem tepër kritik ndaj neoliberalizmit”, e kjo për rrethanat gjeostrategjike kosovare dhe kontekstin e saj të lirisë d.m.th. të jesh kundër SHBA-së, Britanisë, BE-së, NATO-s, thjesht kundër Perëndimit!

Dëbimi i Boiken Abazit për dy vjet nga Kosova ngriti në këmbë kombëtaristët e shekullit XIX-XX në dekadën e dytë të shekullit XXI, kur po aq sa liria e individit për lëvizje dhe shprehje të lirë garantohet edhe liria e shtetit për t’i mbrojtur institucionet e veta nga ekstremet ideologjike, fetare etj.

Në anën tjetër policia kosovare, edhe pse dëbimin e shtetasit shqiptar e kishte mbështetur në ligj, nën influencën e qendrave nacionaliste u bë pishman dhe deklaroi se ndaj Abazit nuk ka raste të hapura penale, porse vetëm aso për kundërvajtje!? Dhe, përmendi shkaras se janë dëbuar tetë shtetas shqiptar, pa i specifikuar rastet veç e veç. Mirëpo me këtë u dëshmua se “Rasti Abazi” nuk është presedan.

Qindra romë të Shqipërisë, në kontinuitet e në mënyrën më raciste, janë deportuar në Shqipëri vetëm pse kanë ardhur për lëmoshë në Kosovë dhe kurrë askush, as KMLDNJ dhe as një shoqatë që i mbron liritë civile, nuk ka reaguar kurrë, ndërsa ky rast e ngriti në këmbë një komb të tërë, sepse specia e politikanit del të jetë më e lartë se speciet e tjera njerëzore!? Ndërsa Kosova e ka ligjin për azilin, i cili në kreun VI, neni 54, ua mundëson këtyre personave mbrojtjen e përkohshme deri në gjashtë muaj…

Kosova në anën tjetër nuk ka ligj për partitë politike, ndërsa zyra e regjistrimit të partive politike për zgjedhjet bën të ditur se shtetasit e huaj nuk mund të jenë anëtarë partish. Së këndejmi as përfaqësues e ministra… Pra, këtu nis sherri. Shtatë anëtarë të Kryesisë së Lëvizjes VV janë shtetas shqiptarë.

Nëse gjërat shikohen me zemër, kjo është krejtësisht OK, porse nëse edhe shqiptarët e Kosovës duhet të mësohen të jetojnë në harmoni me ligjet dhe Kushtetutën e tyre, atëherë nuk ka postulat tjetër që shqiptarët e Republikës së Shqipërisë t’i trajtojë ndryshe nga shtetasit tjerë të huaj ligjërisht… Sepse Kosova nuk ka ligje special kombëtariste!

Kurti e madhëron Republikën, Kuçi i frikësohet Speciales

Lideri shpirtëror i VV-së, Albin Kurti, pat thënë edhe në fjalimin e tij të fundit në Kuvendin e Kosovës (i cili ishte ndër fjalimet thelbësore dhe të fuqishme që rrallë ndodhin në Kuvendet ballkanike) se Kosova është atdheu i vetëm dhe se kosovarët nuk kanë atdhe rezervë. Mirëpo, ata që nuk janë mësuar ta dëgjojnë Kurtin me këso pikëpamjesh, as që e besuan. Porse, deputeti i Kuvendit të Kosovës Kurti në emisionin Zona e Debatit në Klan Kosova ka thënë se Kosova nuk ka nevojë për aleanca të reja, por për fuqizim dhe riformulim të atyre aktuale. Kurti ka theksuar se Kosovës i duhet bashkimi i Mitrovicës, duke e forcuar kështu shtetësinë e vendit. “Aleatët tanë pa diskutim janë SHBA-të, Gjermania edhe Turqia, por assesi Rusia.” Vetëvendosja po thotë se bashkimin me Shqipërinë e bëjmë me paqe e në mënyrë demokratike, kurrë nuk e bëjmë nëse bëhet një luftë ballkanike. Ai ka thënë se e pranon flamurin e Kosovës si simbol të shtetësisë, por nuk e ka për zemër, pasi është i imponuar. Pra, Kurti është në fazën e rivlerësimit të botëkuptimeve të tij kombëtariste, duke i dhënë përparësi shtetit modern si artikulues dhe bartës të ideve qytetare dhe fuqive kombëtare!

Në anën tjetër ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, sikur u integrua në konspiracionin e madh kundër Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se ai nuk është në gjendje që të bëjë sehir nëse kjo Gjykatë “prek” partinë e tij PDK. Po ashtu Kuçi ka shfaq përbuzjen e tij ndaj misionit të BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë EULEX, duke pretenduar se Sami Lushtaku, një eksponent i linjës së ashpër në PDK, është dënuar pa faj, ndonëse dënimi i tij nuk është ende i plotfuqishëm, duke ndërhyrë dhe prejudikuar në mënyrë flagrante në verdiktet e gjykatave.

Ndërkaq ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Delawie, i ka dhënë mbështetje të plotë qëndrimit të Misionit të EULEX-it në reagimin tyre ndaj deklaratës së ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi. “SHBA-të pajtohen: autoritetet e Kosovës duhet të sigurojnë që gjyqësori merr mbështetje për të gjykuar në një mjedis të qetë”, ka qenë reagimi i Ambsadës. Reagimi i ambasadorit amerikan vjen pas reagimit të EULEX-it, të cilët kundërshtuan një deklaratë të ministrit Kuçi.

Në të vërtetë ministri i Drejtësisë në një emision televiziv shprehu shqetësimin e tij për dënimin e pjesëtarëve të Grupit të Drenicës. Kjo deklaratë e tij u interpretua nga EULEX-i si ndërhyrje në sistemin e drejtësisë. Ditë më pare ministri Kuçi deklaroi se i ka telefonuar shefit të EULEX-it dhe janë sqaruar rreth deklaratës së tij.

E shefi i EULEX-it, Gabriele Meucci, duke folur rreth incidentit, ka dhënë detaje për vendimin e EULEX që ta anulojë takimin e Bordit për Sundimin e Ligjit, duke sqaruar se arsyeja e mospjesëmarrjes ishin deklaratat e ministrit të Drejtësisë. I pari i EULEX-it ka theksuar pritjet e EULEX-it që ministri i Drejtësisë ta sqarojë para publikut deklaratën e tij, duke shfaqur shpresën që pas sqarimit do vazhdojnë me takimet e rregullta të këtij organi. Ai ka folur edhe për presionet ndaj dëshmitarëve të mbrojtur dhe mundësisë që deklaratat e fundit të politikanëve për proceset gjyqësore të ndikojnë në liberalizimin e vizave.

Postime të Ngjajshme