` . BE: Britania të përmbushë përgjegjësitë ndaj buxhetit - TV-SHENJA

BE: Britania të përmbushë përgjegjësitë ndaj buxhetit

Bashkimi Evropian (BE), njoftoi se Britania edhe në situatën e ndarjes pa marrëveshje duhet të përmbushë detyrimet financiare ndaj buxhetit të unionit, transmeton AA.

Komisioni i BE-së ka publikuar një punim të ri i cili përfshin vlerësimet në lidhje me përgatitjet rreth Brexit-it. Në punimin në fjalë thuhet se negociatat mbi marrëdhëniet tregtare të ardhshme nuk do të fillojnë derisa të përmbushen angazhimet financiare që Britania ka dhënë si një anëtare e BE-së.

Gjithashtu thuhet se institucionet e BE-së kanë përfunduar planet përgatitore për situatën Brexit pa marrëveshje, dhe njoftohet se edhe qytetarët dhe kompanitë e BE-së duhet të bëjnë përgatitjet për mundësinë e ndarjes pa marrëveshje.

Rreth marrëveshjes për Brexit-in, e cila u negociua mes BE dhe Britanisë, u arrit një konsensus mbi detyrimet financiare. Sipas marrëveshjes, Britania duhet të plotësojë angazhimet e pagesës për rreth 40 miliardë sterlina në kuadër të premtimeve të bëra më parë për buxhetin 2020 të dakorduar të unionit si dhe në lidhje me programet e zhvillimit të shteteve anëtare.

Rikujtohet se në mesin e premtimeve të bëra nga Boris Johnson, që garon për postin e kryeministrit britanik, është edhe premtimi ku ai është shprehur se nuk do t’i paguajë BE-së rreth 40 miliardë sterlina si pagesë për ndarjen.

Vendimi që Britania mori me një referendum të mbajtur në vitin 2016 për ndarjen nga BE-ja, pritej që të vendosej në zbatim më 29 mars, por pasi marrëveshja për Brexit-in u refuzua në votimet në Parlamentin e Britanisë, Brexit u shty për më 31 tetor.