` . Britania divorcohet nga BE-ja për tu (ri)bë e Madhe! - TV SHENJA

Britania divorcohet nga BE-ja për tu (ri)bë e Madhe!

Shkruan: Abdylvehab Ejupi

Presidenti francez Charles de Gaulle me rastin e vetos së parë ndaj aplikimit të Britanisë së Madhe për kyçje në Komunitetin Ekonomik Europian më 1963, në fjalimin e tij tha: “Anglia është ishull!” Pastaj vazhdoi, ”ajo është e kufizuar, posedon ekonominë dhe tregtinë e vetë, furnizimin e vet ushqimore në bashkëpunim me shtete nga më të ndryshmet dhe në distance të largët nga Evropa…” duke vënë theksim në dallimet e mëdha nga pjesa kontinentale.

Nga vendimi i referendumit të së premtes në Britani për mbetje-dalje nga Bashkimi Europian, si pritej anglezët ishin vendimtar për rezultatin e ngushtë për ti dhënë lamtumirën BE-së. E theksoj Anglinë sepse pikëpamjet ndaj BE-së këtu, duke filluar nga kriza e madhe ekonomike e 2008-ës e këndej, kanë pësuar ndryshime drastike, për dallim nga Skotlanda, Uellsi dhe Irlanda e Veriut. Anglia ishte burimi i euroskepticizmit Britanik: Lëvizja më e madhe euroskeptike në Britani “the U.K. Independence Party”, pavarësisht emrit, kryesisht është parti angleze. Partia më e madhe gjysëm-euroskeptike, Konservatorët, gjithashtu dominohet nga anglezët. Në ballinën e editorialit më të madh pro-Brexit, Daily Mail, ditëve të fundit me shkronja të mëdha qëndronte thënia: ‘Who Will Speak for England?’ (Kush do të flet për Anglinë?)1

Kjo nuk ka qenë gjithmonë kështu. Kur Britania u bashkua me tregun e përbashkët në vitin 1973, më kundërshtuese ishin Skocezët dhe Irlandezët e Veriut, ndërkohë që rajoni më pro-evropianë ishte Anglia e pasur dhe konservatore, duke përfshirë edhe një nga anëtarët e saj më të spikatur në parlament, sidhe pastaj kryeministre –  Margaret Thatcher.

Pyetja që vetvetiu parashtrohet është, atëherë çfarë ka ndryshuar që atëherë? Përgjigje e thjeshtë është politika e vetë BE-së. Në vitin 1970, politikanët e krahut të majtë dhe votuesit më të varfër në zonat më pak të zhvilluara ishin dyshues për “Europën” si një komplot kapitalist ngritur për t’iu shërbyer interesave të bizneseve të madha, bankave ndërkombëtare, dhe elitës politike.

Dhe si kryeministre në vitet 1980, Margareth Thatcher vërtetë promovoi tregtinë e lirë dhe liberalizmin me planin e saj për një treg të vetëm evropian. Por socialisti francez Jacques Delors, president i Komisionit Evropian, kësaj iu përgjigj me një varg të masave të mbrojtjes sociale dhe mjedisore të hartuara për të kufizuar Neo-Liberalizmin Thatcherian.

Një pjesë e ndarjes mbi anëtarësimin në BE në Britani sot është në mes të neo-liberalistëve – që sigurisht me epiqendër në Angli – të cilët i gjykojnë rregullativat e BE-së si pengesa të rrezikshme drejt suksesit tregtare në një botë të globalizuar, dhe kundërshtarët e tyre – të fortë në Skoci – të cilët rregullatorët e BE-së i shohin si mbrojtje kundër kapitalizmit grabitqar global.

Por vetëm ekonomia nuk e shpjegon plotësisht thellësinë e daljes së Britanisë nga BE-ja. Këtu gjithesi janë kyçe elementi identitar, sociologjik e psikologjik. Për këtë duhet të kthehemi pak në histori.

BE-ja projekt i ngritur mbi frikë. Britanezët-anglezët janë të guximshëm!

Padurimi me ecurinë e zhvillimit të BE-së është duke nxitur populizmin edhe të Majtëve e edhe të Djathtëve në të gjithë Europën, shpesh në forma shumë më të zemëruar dhe më të dhunshme sesa në Angli. Por vetëm në Angli ka shumicë, që u dëshmua nga referendumi, për tu larguar nga Unioni. Pse vetëm Anglia mendonte dhe realizoi këtë hap të guximshëm, përderisa nga ana tjetër popujt tjerë të mëdha si francezët e gjermanët nuk e realizojnë? Kjo është për shkak se ideja e një Europe të bashkuar në tregimin e gjerë të historisë u përshtatet më së shumti  vendeve si Franca, Gjermania e Italia, të cilët natyrshëm dhe në thelb ndjehen vende kontinentale. Francezët shpesh paraqesin të gjithë projektin e integrimit evropian, si hartimin e tyre, që lidhet jo vetëm për Jean Monnet dhe Robert Schuman në vitet 1950, por edhe për Victor Hugo në 1860, Napoleonin në 1800, sidhe Iluminizmin e shekullit të 18-të. Anglia përshtatet shumë më pak me fatin e idesë Europiane, ashtu siç gjenerali de Gaulle ishte i vetëdijshëm, për shkak se historia e Britanisë është shumë më globale. Ia vlen të përmendet, gjithashtu, se disa vende të rëndësishme të BE-së, duke përfshirë edhe Franca, Gjermania, Italia, Polonia dhe Irlanda, kanë histori në të cilën vendimet e mëdha kombëtare janë marrë nga një avangardë e shkolluar, gjë që masat e gjëra të popullit i kanë pranuar në heshtje – nganjëherë me, dhe shpesh herë edhe pa dëshirë. Gjermania dhe Italia, për shembull, janë krijuar në shekullin e 19 me vendim të një grupi te gushtë të politikanëve dhe intelektualëve. Sic disa prej tyre thonin: “Ne kemi bërë Italinë, tani ne duhet ti bëjmë italianët.” Bërja e Evropës, dhe vetëm më pas bërja e evropianëve, ka qenë dhe mbetet projekti për integrim evropian. Elitat vendosin dhe masat u binden. Asnjë episod i tillë nuk është realizuar në historinë e anglezëve. Në të kundërtën, një nga mitet e mëdha kulturore të Anglisë – festa e vitin të kaluar me rastin e 800 vjetorit të Magna Carta-s – është se elitat duhet patjetërsisht  të pranojnë vullnetin e popullit. Referendumi për dalje nga BE-ja dhe dorëheqja e kryeministrit Cameroon bukur i përshtatet ky ideal: populli vendos fatin e vet, jo elitat politike, ekonomike apo intelektuale.

Ndoshta dallimi më i madh mbi të gjitha është psikologjik. Integrimi evropian është një projekt i bazuar në frikë. Frika nga lufta, e dominimit të huaj, e konfliktit civil, e qeverisjes autoritare, e integrimit, e Komunizmit.. Franca dhe pionierët e tjerë në vitet 1950 kishin frikë nga Gjermania. Gjermania të mos urrehej. E anëtarëve më të reja të cilët u bashkuan në vitet 1980 dhe ’90, Spanja, Portugalia dhe Greqia kishin frikë një kthimi në diktaturë të krahut të djathtë. Vendet e Evropës Lindore frikë Rusinë. “Europa” ofroi një fillim të ri, një arratisje nga frika e së kaluarës. Disa nga këto frika janë pakësuar, por jo të gjitha. Njerëzit më të moderuar në shumicën e vendeve kontinentale janë të frikësuar prej një kollapsi eventual të BE-së. Anglia është shumë me ndryshe: atje mbi gjysma e popullsisë i tha PO Brexit. Arsyeja themelore është e qartë. Anglia ka vuajtur shumë më pak nga fatkeqësitë e mëdha të shekullit të 20-të të Evropës. Ajo nuk ka humbur ndonjë luftë të madhe që nga viti 1783, dhe nuk ka qenë e pushtuar nga viti 1066.

Nëse kombet e mëdha si Franca ende kanë frikë nga fantazmat e historisë së tyre që është shkak i frikës për të vazhduar rrugëtimin vetëm, shumë kombe të vogla të tilla si Katalonjasit, Flamanët, dhe gjithashtu Skocezët dhe Uellsianët, vazhdojmë të shohim BE-në, pavarësisht dështimeve të saj, si të domosdoshme për pavarësinë e tyre dhe vetë-respekt, për  mbrojtjen e tyre nga fqinjët e mëdhenj – duke përfshirë Anglinë.

Edhe Britania kishte frikërat e veta, në periudhën e pasluftës, kur ajo  trokaste në derën e BEE-së. Ajo nuk ishte më fuqia e madhe perandorake. Politikanët e saj dhe diplomatët ishin të dëshpëruar dhe bënin cmos për të shmangur së bëri thjesht ” një Suedi më e madhe” – e izoluar dhe e parëndësishme. Ekonomikisht ajo dukej të ngelë pas, me shkallë të rritjes shumë më të ulët sesa Franca, Gjermania dhe Italia. Anglia po fundosej dhe anëtarësimi në BE u bë mjeti kryesorë i shpëtimit të saj.

Por këto frikëra shumë shpejt u avulluan. Rritja me shkallë të shpejtë në kontinent ishte një fenomen normal në saje të rimëkëmbjes së tyre të pasluftës sidhe modernizimit të bujqësisë. Frika nga rënia e fuqisë në botë ishte shkak i procesit të dekolonizimit. Që nga mesi i viteve 1980, performanca ekonomike e Britanisë ka qenë më e mirë se ajo e Europës, dhe gjatë disa viteve të fundit ajo ka qenë dukshëm më e mirë se ajo e eurozonës. Në botën shumëpolarëshe njerëzit tashmë janë mësuar ta shohin dhe vlerësojnë Britaninë siç ka qenë 300 vitet e fundit: një nga shtetet që dominon botën ose një nga më të pasurat dhe më të fuqishmet. Ideja e Evropës si anija e jetës është zëvendësuar me vizionin e saj prej Titaniku, subjekt i krizave të një pas njëshme që është e pafuqishme që ti zgjidh. Rrjedhimisht, opinion zyrtar në barometrit europian i realizuar në vitin 2013 tregoi Britaninë e Madhe si vendin e vetëm brenda Unionit Europian që besojnë se vendi në mënyrë më të efektshme do të përballon botën modern jashtë Unionit sesa brenda. 2

Për fund, këtë vendim nga referendumi historik në Britani për dalje nga BE-ja atëherë do ta përmbyllja me: Britanezët historikisht janë popull me mendësi globale, dhe assesi nuk mund ta durojnë izolimin brenda Europës dhe mendësisë kontinentale, e mbi të gjitha dominimin dhe nënshtrimin ndaj gjermanëve dhe francezëve. Ata janë popull lundrues dhe tani do të lundrojnë drejtë tregjeve dhe politikave të reja globale, kështu në tentim për tiu rikthyer esencës së tyre. Se a do të ri-realizojnë këtë, në kushtet dhe rrethanat hiper të ndryshueshme, ngelemi ta shohim.

_________________________________________

  1. http://www.dailymail.co.uk/debate/article-3430870/DAILY-MAIL-COMMENT-speak-England.html
  2. http://ec.europa.eu/public_opinion/archives/eb/eb79/eb79_publ_en.pdf

Postime të Ngjajshme