` . Britani, ish-spiuni Sergei Skripal del nga spitali – TV-SHENJA

Britani, ish-spiuni Sergei Skripal del nga spitali

Autoritetet britanike të shëndetësisë kanë njoftuar se pasi u plagos rëndë në një sulm me agjent nervor në muajin mars në Angli, ish-spiuni rus Sergei Skripal është larguar nga spitali, raporton Anadolu Agency (AA).

“Është një lajm fantastik që Sergei Skripal është mjaft mirë për të dalë nga Spitali i Qarkut Salisbury”, tha drejtoresha e spitalit, Cara Charles-Barks, në një deklaratë pas më shumë se dy muaj që kur ndodhi sulmi.

“Ne kemi qenë në gjendje ta lëshojmë Sergei Skripal-in. Kjo është një fazë e rëndësishme në rimëkëmbjen e tij, e cila tani do të ndodh larg spitalit”, tha Lorna Wilkinson, drejtoreshë e infermierisë.

Ish-agjenti rus, 66-vjeçari Sergei Skripal dhe vajza e tij 33-vjeçare Yulia, u gjetën pa vetëdije në Salisbury të Anglisë dhe u dërguan në spital. Britania ka akuzuar Rusinë për helmimin e Skripal, gjë të cilën presidenti rus Vladimir Putin e mohoi kategorikisht.

“Zoti Skripal dhe vajza e tij u helmuan me një agjent ushtarak nervor të një lloji të zhvilluar nga Rusia, veçanërisht nga grupi Novichok”, tha kryeministrja britanike, Theresa May.

Skripal-it iu dha strehim në Mbretërinë e Bashkuar pas një shkëmbimi spiunësh të vitit 2010 midis SHBA-ve dhe Rusisë. Ai ishte dënuar për “tradhti të lartë në formën e spiunazhit” nga një gjykatë ushtarake e Moskës në vitin 2006 dhe u dënua me 13 vjet burg pasi kishte pranuar se rrjedh informacione për shërbimet sekrete britanike.

Julia Skripal, vajza e ish-spiunit rus, poashtu doli nga spitali i njëjtë në muajin prill.

Nick Bailey, një oficer lokal i policisë i cili gjithashtu ishte prekur nga agjenti nervor duke dhënë ndihmën e parë për Sergei-n dhe Julia-n, doli më herët nga spitali.

Pasi autoritetet arritën në përfundim se Rusia me “shumë mundësi” ishte përgjegjëse për sulmin, 23 diplomatë rusë u dëbuan nga Britania e Madhe dhe mbi 120 diplomatë rusë në mbarë botën. Duke mbështetur Britaninë, NATO dhe BE-ja së bashku kanë dënuar sulmin.