` . BREXIT-i dhe e ardhmja e Ballkanit – TV-SHENJA

BREXIT-i dhe e ardhmja e Ballkanit

Në Samitin e NATO-s në Varshavë si rrezik janë definuar migracioni, terrorizmi dhe ekspansionizmi rus. Aty nuk përmenden proceset e brendshme dezintegruese. Ato nuk definohen si rrezik, por unë mendoj se ato do të kenë ndikim të madh për ardhmërinë e saj. Që të mund ta kuptojmë se kush janë ata që do t’i përcaktojnë rrjedhat e ardhshme në Evropë dhe më gjerë, mjafton ta analizojmë se kush votoi për mbetje e kush për dalje të britanikëve nga BE-ja, si dhe cilat argumente u përdorën nga njeri ose tabori tjetër.

Shkruan: Rizvan Sulejmani, Shkup

Ndodhi BREXIT-i. Votuesit britanikë vendosën t’i japin fund një lidhje shtetesh që me vite shpjegohej se është e bazuar mbi vlera të përbashkëta dhe si një projekt racional që konfliktet destruktive, që prodhonin luftë në kontinent, t’i shndërrojë në konstruktive, për të prodhuar mirëqenie dhe progres. U zhvilluan teori e teori se si u krijua kjo lidhje, por nuk pati asnjë që ta parashikojë zhbërjen e saj. Shkatërrimet e perandorive të mëdha duket të jenë të paparashikueshëm. Libra religjiozet të drejtën për të paraparë të ardhmen ua dedikojnë profetëve. Në këto libra ka tregime nga më të ndryshme, që përshkruajnë rënien dhe shkatërrimin e civilizimeve, që për trurin e njeriut të sotshëm duken naive, por që japin porosi shumë të mëdha. Egjiptianët e gjithëdijshëm do të gjunjëzohen para Musait me shkopin që shndërrohet në gjarpër, kurse ushtria e fuqishme e Faraonit do të fundoset në detin që hapet për izraelitët dhe mbyllet për ushtrinë e tij. Vetëm profeti Noa (Nuhu) e kishte paraparë përmbytjen e popullit të vetë kur ndërtonte anije në vend të thatë e pa ujë për ta shpëtuar veten, racën njerëzore dhe speciet kryesore me të cilat do zhduket një civilizim për t’u ringjallë një tjetër. Flitet se një popull tjetër do të jetë shkatërruar nga zogjtë që hedhin gurë prej qiellit.

Asnjë mendje e ndritur, vetëdija e të cilit ndërtohet në rrethana të sotme, nuk i merr për të plota këto tregime, por mund të nxjerrë konstatime të vlefshme. Mbi të gjitha, ngritja e një civilizimi mund të marrë shekuj e shekuj, kurse shkatërrimi ndodhë shpejt, pa pritur, në rrethana të pashpjegueshme dhe nga faktorë të çuditshëm. Kur i përmendi këto, kam parasysh parashikimet e disa intelektualëve amerikanë, që 11 shtatorin e 2001-shit e quanin si një moment që do ta ndaj kohën historike, siç e ndau paraqitja e Krishtit, në të re dhe të vjetër.

Kam parasysh gjithashtu parashikimet që përhapen çdo ditë e më tepër për fundin e një civilizimi. Duket se diçka po ndodhë. Një frymë, si në tregimet biblike, ka filluar të ngrejë re të zeza mbi Evropë. Evropa duket e rrezikuar. Por, shtrohet pyetja, prej kujt? Në Samitin e NATO-s në Varshavë si rrezik janë definuar migracioni, terrorizmi dhe ekspansionizmi rus. Aty nuk përmenden proceset e brendshme dezintegruese. Ato nuk definohen si rrezik, por unë mendoj se ato do të kenë ndikim të madh për ardhmërinë e saj. Që të mund ta kuptojmë se kush janë ata që do t’i përcaktojnë rrjedhat e ardhshme në Evropë dhe më gjerë, mjafton ta analizojmë se kush votoi për mbetje e kush për dalje të britanikëve nga BE-ja, si dhe cilat argumente u përdorën nga njeri ose tabori tjetër.

Ata që votuan për dalje janë strukturat më të varfra, më rurale dhe me moshë më të vjetër. I quajnë izolacionistët, kundrejt globalistëve që kanë prirje për bashkëjetesë, janë më të edukuar, më të rinj dhe më të pasur. Separatistët si argument kryesorë për shkëputje e përdornin rrezikun nga migracioni, që sjellë terrorizëm dhe ua grabitë vendet e punës. Integristët nuk arritën ta bindnin popullatën se më tepër vende pune krijohen brenda BE-së dhe se lufta kundër terrorizmit fitohet me NATO-n dhe Evropën e bashkuar. Në demokraci për shumë çështje nuk vendosin faktet por bindjet, kurse bindjet nuk janë të bazuara në fakte. Andaj shumë shkencëtarë tanimë komentojnë se në politikë për çdo gjë nuk duhet të vendosë populli, sepse populli nuk ka kapacitet ta parashikojë të ardhmen, ngase ai nuk mundet t’i kuptojë, t’i gjykojë, e ku më të vendosë për çështje strategjike. Ata do të shtojnë: Në Mbretërinë Angleze fitoi demokracia, por u rrezikua ardhmëria. Vetëm disa argumente për këtë konstatim. Si mund të argumentohet dhe të arsyetohet bindja e krijuar se Evropa do të bëhet myslimane nëse pas gjithë atyre luftërave dhe masakrave në Siri dhe vendet e tjera të përfshira në konflikte, në kontinent janë futur diku një milion myslimanë? Matematika tregon se nëse çdo vit hynë nga një milion, Evropës do t’i duhen 50 vjet që ta arrij numrin prej 50 milionë myslimanësh, që është më pak se 10% e popullatës së përgjithshme. Por, populli është i prirë më shumë të besojë se të mendojë. Po aq të pabaza janë pretendimet se ata do t’ua marrin vendet e punës.

Ekspertët parashohin se nëse Evropa dëshiron të ketë këtë nivel të zhvillimit, deri në vitin 2050 do t’i duhen 50 milionë njerëz të rinj, të varfër, që kanë ambicie dhe motiv për t’u realizuar. Ata nuk i gjen në kontinentin e vjetër, përveç në Afrikë dhe në Azi. Për më tepër, demografët parashikojnë se diku në vitin 2050 do të stabilizohen nataliteti me mortaliteti dhe nuk do të ketë rritje të mëtejshme të popullatës në botë. Pra, pritet që resursi kryesor për zhvillim, faktori njeri, të jetë gjëja me e kërkuar në treg. Prapë faktet nuk e kanë fuqinë ta ndërrojnë bindjen e krijuar. Sondazhet e fundit të opinionit publik, të bëra nga agjencia amerikane “Pju”, nj hulumtim që është realizuar në pjesën e parë të qershorit të vitit 2016, në 8 shtete nga gjithsej 10 që përbëjnë 80% të popullatës në BE, mendojnë se vala e refugjatëve e rritë rrezikun nga terrorizmi. Në Hungari dhe Poloni 76%, gjegjësisht 71% e popullatës e ndajnë këtë shqetësim. Këtë shqetësim me 62% e ndanë popullata e Gjermanisë, me 60% ajo e Italisë dhe 52% ajo e Britanisë. Përqindja edhe më e madhe është e atyre që mendojnë se vala e refugjatë do të ndikojë në punësim. Gjithsej 82% e hungarezëve, 76% e polakëve, 72% e grekëve, 65% e italianëve dhe 53% e francezëve vlerësojnë se refugjatët janë barrë dhe ua marrin vendet e punës. Si reagon BE-ja në këso rrethana? Në mënyrë demokratike. Por, demokracia bazohet në opinion publik dhe jo në fakte.

Fatmirësisht, pas shokut që përjetoi, çdo ditë e më tepër ka zëra që kërkojnë gjykime më racionale, analiza dhe strategji të re. Federika Mogerini, përfaqësuese e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, më 12 qershor 2016 do të deklarojë: “Qëllimi i ekzistencës së Bashkimit Evropian, bile edhe vetë ekzistimi i tij, janë vënë në pikëpyetje si kurrë më parë, kurse qytetarëve evropianë dhe botës si kurrë më parë u duhet një BE e fuqishme”, që  të sugjerojë: “Në kohëra të vështira si këto e fortë është ajo BE që mendon në mënyrë strategjike, ndan vizione dhe vepron si tërësi unike”. “Është koha për pavarësi politike. Kemi nevojë për strategji, që e lidhë vizionin e përbashkët me veprimin e përbashkët”. Evropa është në një udhëkryq të madh dhe duhet të vendosë se çfarë rruge duhet të ndjekë. Kanë filluar të tërhiqen paralele ndërmjet shpërbërjes së ish Jugosllavisë dhe asaj që mund ta presë Evropën.

Është interesante të cekim vlerësimet e tri figurave eminente të Sllovenisë, që ishin pjesëmarrës në shpërbërjen e Jugosllavisë me qëndrime të kundërta dhe sot janë ndjekës të situatës që ndodhë në BE. Këtu japim sekuenca nga krahasimi që bëjnë: ish kryetarit të Kryesisë së SFRJ-së, gjithashtu ish kryetar i Sllovenisë së pavarur, Milan Kuçan; ekonomistit eminent, ministër i parë i Ekonomisë në Slloveninë eë pavarur dhe ish rektori i universitetit, Jozhe Mencinger, dhe në fund Rastko Moçnik, i vetmi nga tre që ka qëndrim se Jugosllavia ka qenë zgjidhje më e mirë për shtetet e pavarura. Në një intervistë për revistën “Standard”, para referendumit, Milan Kuçani si problem kryesor të përbashkët në të dyja rastet e sheh dallimin në zhvillim ndërmjet shteteve dhe mungesën e solidaritetit. Ai e kundërshton sugjerimin se për shpërbërjen e ish Jugosllavisë shkaktarë kanë qenë lëvizjet nacionaliste e separatiste, sikur ajo që sot paraqitet në Evropë. Sipas tij, ka pak ngjashmëri në këtë pikë, përveç ndoshta krizës sociale, kur shtetet fillojnë të mendojnë vetëm për veten. Kuçani vlerëson se në Jugosllavi nacionalizmi bazohej në pabarazi të vërtetë politike dhe ekonomike, edhe pse ajo e kishte proklamuar barazinë, por e akuzon Franjo Tuxhmanin dhe Sllobodan Millosheviqin. Kuçani ka vërejtje se BE-ja identitetin e vetë e ndërton vetëm në antikomunizëm, që nuk është zgjidhje për nacionalizmin radikal, që paraqitet në Poloni dhe Hungari. Në fund do të konstatojë se mentaliteti i atyre që angazhohen për BREXIT përputhet me atë të Serbisë në vitet e ‘80-ta. Motoja e Millosheviqit ishte “Serbia mundet pa Jugosllavinë, kurse Jugosllavia nuk mundet pa Serbinë”. Për separatistët britanikë vlen thënia “BE-ja nuk mundet pa Britaninë, madje që në BE mund të futet edhe Serbia?”. Një qëndrim pak më të përpunuar ka Jozhe Mencinger, që është autor i sintagmës “sindromi jugosllav”. Ai sheh ngjashmëri ndërmjet situatës së sotme në BE me situatën e viteve të ‘80-ta në ish Jugosllavi, kur filloi periudha e stagnimit dhe njerëzit filluan të kërkojnë fajtorë dhe profiterë, që në fund çdonjëri të ndjehej i shfrytëzuar. Sot gjermanët ndjehen të shfrytëzuar nga grekët, kurse grekët nga gjermanët. Sipas tij, do të duhet të presim ende për shpërbërjen e BE-së: “Ne ndodhemi mu aty ku Jugosllavia ndodhej në vitin 1983”. Për dallim nga ideologët që angazhoheshin për shkëputjen e Sllovenisë nga Jugosllavia, socialisti Rastko Moçmik, për gazetën “Novosti”, vlerëson se: “Rezultatet e referendumeve të ish Jugosllavisë ishin shumë më bindëse në favor të shkëputjes se këta të Britanisë, që dallon në 4%. Sipas tij, kjo tregon se homogjenizimi i bërë për një qëllim, nuk nënkupton se të gjitha grupet e kanë të njëjtin motiv. Ngjashëm si tani, edhe popujt e ish Jugosllavisë mendonin se votojnë për shtet që do të jetë i tyre, por në të vërtetë votuan për shtet të kapitalit. Klasa punëtore angleze dhe qytetarët e regjioneve industriale votuan kundër neoliberalizmit, që mendonin se është “evropian”, kurse ai është prodhim britanik, që është eksportuar nëpër botë. Duke vazhduar me krahasimin, Moçniki thotë: “Sllovenia, që kishte më së shumti dobi prej Jugosllavisë, e para filloi ta rrënojë federatën. Tani skocezët, sikurse edhe sllovenët, në mënyrë mistike e lidhin nacionalizmin e tyre me BE-në. Por, nëse Skocia tani është koloni angleze, nëse shkëputet do të jetë koloni e BE-së. Sot të djathtën ekstreme e përkrahin një masë e mirë e klasës punëtore që largohet prej Partisë Laburiste. Ngjashëm, edhe klasa punëtore e lëshonte Lidhjen Komuniste dhe bëhej pre e të djathtës ekstreme”.

Shikuar nga këto tre këndvështrime të ndryshme, proceset që ndodhin brenda BE-së duket se janë shumë të komplikuara dhe shumë rëndë të parashikueshme. Andaj, është shumë e rrezikshme për ardhmërinë që të vendos populli që udhëhiqet nga instinkti dhe jo njerëzit e arsyeshëm, që mund të shohin më larg se nevojat ekzistenciale momentale. Përfaqësues të institucioneve evropiane por edhe analistë e historianë, ngrenë shqetësimin për ardhmërinë e regjionit. Kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, që përjetoi shpërbërjen e Jugosllavisë dhe tani bëhet gati për anëtarësim të plotë në NATO, për “BE Observer” fton BE-në që “të mos merret me përparësitë dhe anomalitë e zgjerimit, por të aprovojë me strategji më energjikisht ndaj Rusisë që në mënyrë aktive lufton për ndikim në Ballkan”. Ai do ta përkujtojë Evropën se njerëzit në këtë regjion edhe më tutje “kultivojnë një lidhje të motivuar me Rusinë nga e kaluara”. Atje ku nuk janë BE-ja dhe NATO, forcat e tjera do ta mbushin me zbrazëtira.

Sara Belfeld, program drejtore në Këshillin e Gjermanisë për Marrëdhënie me Jashtë, që ndjek zgjerimin e BE-së dhe ngjarjet politike në Evropën Juglindore, në një shkrim autorial të saj që e solli e përditshmja “Utrinski vesnik”, do të shkruajë: “Tani pa marrë parasysh rezultatet e konkrete të referendumit, BE-ja do të jetë e preokupuar me vetveten më shumë se kurdoherë më parë… me debate a duhet të ketë më tepër apo më pak Evropë?” dhe do të vazhdojë: “BE-ja do të jetë e zënë me mbrojtjen e projektit evropian dhe që t’i shpëtojë të arriturat e saja. Në këto rrethana është rëndë të paramendohet se qeveritë ose edhe qytetarët e saj do të tregojnë vullnet për zgjerim të shpejtë”. Aq më tepër kur shtetet e Ballkanit janë ekonomikisht të dobëta dhe të zëna me konfliktet bilaterale që nuk arrijnë t’i tejkalojnë. Pastaj do të prejudikojë: “Nëse humben shanset reale për anëtarësim të vendeve të Ballkanit Perëndimor, demokracia dhe paqja në tërë regjionin do të përjetojnë një dështim të rrezikshëm… veçanërisht në Maqedoni”.

Ardhmëria e Ballkanit vi za vi integrimeve, ndoshta, më së mirë të shihet nga një shkrim i historianit dhe publicistit Zhan Arno Derens me titull “Lamtumirë BE, mirëdita NATO”, botuar në “Les Courrier des Balkans”. Ai tekstin e vet do ta fillojë me paralajmërimin se kishte dashur të shkruante: “Bashkimi Evropian e përmban Ballkanin sikur litari që e përmban të varurin”, por pasi kishte marrë vesh se si ishte zhvilluar Samiti i Parisit i 4 korrikut të vitit 2016-të i liderëve të regjionit, më mirë do ta përshkruajë këtë situatë si, ‘Ballkani është ai që e përmban BE-në, si litari e përmban të varurin’”. Më tej ai parashtron një pyetje sa cinike aq provokuese: “Kush ka më shumë dobi prej kësaj loje të rrejshme që u bë ‘procesi i integrimeve’?”. Ai pastaj i përshkruan liderët ballkanikë si njerëz të korruptuar, autokratë e megalomanë, krejt të zbehtë, ngase frikohen se procesi i integrimeve ka mbaruar. Por, jo. Për habi të tyre, Mogerini, Merkeli, Olani dhe të tjerët u thanë “fjalë të mira”, boshe dhe të pakuptimta. Përskaj BREXIT-it, zgjerimi mbetet në agjendë, por kur dhe si nuk dihet. Ndoshta një ditë të bukur. Këto elita politike pa vlerë, këtë e kishin të nevojshme si ajrin. Sepse, programi i vetëm dhe premtimi i tyre i vetëm politik për të fituar legjitimitet, është premtimi për integrime. Pse e bënë këtë premtim evropianët? Unioni ka iluzione dhe do ta paramendojë veten si të fuqishëm dhe të fortë, por në realitet, siç thotë ai, “shefçiçat e fiseve” të Ballkanit, kanë fituar shumë fuqi në Bruksel. Shkak për këtë është vakumi i tmerrshëm në të cilën gjendet Evropa.

Fransoa Olan pas takimit me kryeministrat e vendeve të Ballkanit, në konferencën për shtyp, tha: “’Bashkëpunimi’ ndërmjet UE-së dhe këtyre vendeve ka dy prioritete: luftën kundër terrorizmit dhe migracioni’”. Pra, shteteve të Ballkanit u mbetet të tregojnë vetëm besnikëri ushtarake që të mund t’i sigurojnë nga “rreziqet e jashtme”, nga refugjatët që ikin prej luftërave ose prej varfërisë në Evropën e pasur, nga “ariu Rus” dhe nga “radikalizmi islam”. Në fund autori parashtron një pyetje hipotetike: “A ka menduar dikush ndonjëherë se vallë a mund të bëhen ballkanasit evropianë me ‘të drejta të barabarta’?”. Kësaj pyetje hipotetike ai i përgjigjet vet: “Në rastin më të mirë, ata mund të presin të jenë ndihmesë të perandorisë në rënie – që Roma (e vjetër) i quajti ‘federata e popujve’, përgjegjës për mbrojtjen e kufirit. E dimë se si mbaroi ky tregim me rënien e Romës në vitin 476 nga ana e këtyre ‘barbarëve’ …..”. Autorit mendon se këto vende për disa vite mund të bëhen anëtarë të NATO-s si i vetmi instrument që mund t’i mbajë bashkë shtetet e Unionit që janë në proces të shpërbërjes.

Për shkak se që në fillim thashë se parashikimi i së ardhmes u përket profetëve, unë do të përmbahem. Vetëm të përkujtoj se disa herë më herët i kam shpjeguar tri opsionet e mundshme. Kësaj radhe vetëm do të shtoj se parashikimet e autorëve që i citoj korrespondojnë me gjykimin tim. Vetëm do të shtoja pyetjen: A mundet NATO ta ruajë rolin e kishës katolike pas shpërbërjes së Perandorisë Romake? Nga historia dihet se pasi fiset barbare e kishin copëtuar perandorinë e dikurshme, që sundohej me ligje, për t’u sunduar me zakonet e veta, kisha dhe libri i shenjtë në latinisht ishin ata që i mbajtën bashkë popujt barbarë të dikurshëm, tani bartës të civilizimit evropian. Dyshoj se NATO mund ta mbajë sot Evropën bashkë dhe kjo për këto arsye: një, sepse forca që është sinonim për NATO-n, nuk mund të jetë alternativë e drejtësisë dhe dy, përpjekja për grusht shtet në Turqi, një anëtare shumë e fuqishme e kësaj aleance, lë shumë për t’u komentuar. Nëse tregohen të vërteta dyshimet se pas puçit ushtarak qëndron edhe ndonjë vend anëtar i NATO-s, siç aludohet, mendoj se situata edhe më tej do të komplikohet. NATO më parë mund ta përjetoj fatin e BE-së sesa të jetë mbrojtja e saj. Së fundi flitet edhe për strategji ushtarake gjermane edhe për mbrojtje dhe ushtri evropiane. Sërish nuk profetizoj, por kam të drejtë të mendoj. Këto faktorë mund të shpien shumë më shpejt kah rigrupime religjioze e civilizuese sesa kah unifikimet multikonfesionale.

Pres që shqiptarët të gjenden para shumë dilemave në përcaktimin e tyre strategjik. Kurani thotë: “Vetëm Zoti e dinë të ardhmen”. Kanti thotë: “Për t’i lënë vend besimit, duhet të kufizohet arsyeja”. Arsyeja ime është shumë e kufizuar për t’i kuptuar këto fenomene kaq të komplikuara. Andaj, çdo ditë e më tepër zë vend besimi.