` . Brenga ime për festivalet muzikore të kohës sonë – TV-SHENJA

Brenga ime për festivalet muzikore të kohës sonë

Shkruan: Bekim RAMADANI, Tetovë

I ulur pranë tavolinës së punës dhe i zhytur në errësirën e së ardhmes, i hedhur e i përplasur midis ngjarjesh të panumërta, i rrethuar nga qindra e qindra tituj librash dhe nga po aq shkrimtarë, poetë, filozofë dhe autorë muzike, i humbur në rrëmujën e mijëra e mijëra personazheve, që me ecejaket e tyre kanë shkelur mbi ndjenjat e mia duke krijuar lavdinë e tyre, duke u vetëshkatërruar ose duke përfunduar në hiçin e asgjësë dhe të kotësisë boshe, përpiqem për të hedhur në letër atë më të rëndësishmen e këtij viti që rrënoi edhe një tullë të moshës sime.

Thonë që i zhyturi s’është larg nga i mbyturi. Andaj para se të më ndalet fryma, dua që ta gjej shkakun e zemërimit tim. Monotonia dhe vaktësia e kësaj nate ma rebelojnë shpirtin dhe ma shtojnë hidhërimin, prandaj për t’i ikur këtij realiteti do të shkruaj ca rreshta për një dukuri në rritje dhe shumë shqetësuese, që ka vërshuar shoqërinë shqiptare, për një epidemi mediokriteti që të sjellë në delirin e dëshpërimit.

Në gjirin e çdo populli organizohen, historikisht, manifestime dhe veprimtari masive artistike, fizkulturore, filmike, fetare, kulturore etj., përmes të cilave shënohen ngjarje të rëndësishme të jetës, të traditës, të së kaluarës. Një shfaqje e madhe, në të cilën marrin pjesë përfaqësuesit më të mirë të një fushe të caktuar, e organizuar zakonisht nga komuniteti lokal, është festivali, institucioni që përbën një formë të veçantë të jetës kulturore. Në krahasim me format e tjera të organizimit kulturor dhe artistik, festivalet sjellin një varg ndryshimesh dhe elementesh të reja në funksionet e individit krijues, në relacionin midis këtyre funksioneve dhe cilësisë së tyre, në drejtimet dhe ritmet e shfaqjes së iniciativës krijuese individuale, në relacionet e individit me kolektivin krijues.

Pjesa dërmuese e festivaleve të botës i kanë rrënjët në religjion, ca të tjera janë stinore, ndërkaq një pjesë tjetër janë të natyrës kulturore. Ka festivale që bëhen thjesht sa për t’u bërë, ca të tjera për zhvillimin e turizmit, ndërkaq ka edhe nga ato që bëhen për përfitime materiale. Ca festivale kanë qëllime edukative, disa – karakter garues, ndërkaq një numër i konsiderueshëm – qëllime argëtuese.

Festivalet nxisin ndjenjë krenarie të përbashkët brenda komunitetit të caktuar dhe përfaqësojnë një potencial të rëndësishëm për zhvillimin e jetës kulturore dhe ndjeshmërisë për bashkëveprim reciprok.

Ekzistojnë festivale kombëtare dhe ndërkombëtare. Festivalet kombëtare kanë për detyrë që të shmangin më të keqen që është nacionale dhe të ruajnë atë më të mirën që është prapë nacionale, e në fund ta kultivojnë vlerën që është gjithmonë universale. Në anën tjetër, festivalet ndërkombëtare krijojnë mundësi të mira për ndërtimin e urave të komunikimit mes kulturave të ndryshme. Kur këto ura ngrihen, pastaj kushdo mund ta kalojë lirshëm humnerën që ndan këto kultura.

Një lloj i manifestimeve të mëdha janë edhe festivalet muzikore, ngjarjet ku shtjellohen zhanre të caktuara muzikore dhe, varësisht, nga kjo dallojmë: festivalin e këngës për fëmijë, festivalin e muzikës zbavitëse, festivalin e muzikës simfonike, festivalin e këngës së lehtë, festivalin e këngës popullore etj.

Shqiptarët, gjatë të kaluarës, janë dëshmuar si organizatorë të denjë të manifestimeve të këtilla. Organizatorët e festivaleve kanë qenë njerëz të ditur, të ndërgjegjshëm, të drejtë, autoritete që i kanë përcaktuar qartë qëllimet dhe detyrat e festivalit. Përkushtimi, serioziteti dhe profesionalizmi i organizatorëve i ka mundësuar festivalit ta krijojë unitetin, origjinalitetin dhe  identitetin. Përveç të tjerash, festivalet e tilla kanë ndërtuar marrëdhënie të mira edhe me publikun. Të gjithë ata që i kanë përcjellë festivalet e muzikës shqiptare gjatë të kaluarës e dinë se ato manifestime shndërroheshin në një mozaik ngjyrash me interpretimet që shquheshin si përmes spontanitetit të thellë, gjallërisë dhe vitalitetit, ashtu edhe përmes zërave të bukur, cilësisë dhe origjinalitetit.

Kohëve të fundit gjërat kanë ndryshuar aq shumë, saqë nuk u beson as syve dhe as veshëve të tu. Në festivalet e muzikës për fëmijë ballafaqohesh me gjëra të shëmtuara, me tekste të pahijshme, me melodi joadekuate, me këndim jocilësor, me paraqitje jo të dinjitetshme skenike… Festivali i këngës për fëmijë duhet të shpalosë talente të reja, duhet ta pasurojë jetën kulturore, duhet të kontribuojë në kultivimin e shijeve dhe edukimin e fëmijëve dhe jo t’ua dëmtojë atyre ndjeshmërinë duke i detyruar që të udhëtojnë rrugëve jo të sigurta.

Nga ana tjetër, festivalet tona folklorike janë bërë vendet më të përshtatshme për manipulimin e ndjenjave kombëtare, për shkatërrimin e vlerave tradicionale, për bastardimin e veçorive më cilësore dhe më autentike të kulturës sonë. Këto festivale duhet të përfaqësojnë etapa të  zhvillimit të kulturës popullore, asaj kulture ku gërshetohen elementet tradicionale me ato bashkëkohore, aty ku ndodh harmonizimi i vlerave të vjetra me ato të reja, e jo t’i ndihmojnë çoroditjes kulturore në përgjithësi dhe asaj muzikore në veçanti…

Ndërkaq, kur bëhet fjalë për festivalet e muzikës së lehtë, të gjithë e kanë të njohur se ato janë shndërruar në produkte që e dëmtojnë në mënyrën më barbare jo vetëm inteligjencën dhe shijen tonë, por edhe nevojat dhe normat më minimale kulturore, etike dhe estetike. Në këto festivale, si askund tjetër, mund të bësh gjithçka: të vraposh, të përdridhesh, të ulurish, të zhvishesh, të çmendesh, të përdhosesh, të prodhosh batërdi muzikore. Në skenat e këtyre festivaleve krijohet konglomerati më i madh i gjinive të ndryshme muzikore, kështu që  turma duhet ta hajë sapunin për djathë…

Kohëve të fundit janë zhvilluar aq shumë diskutime, sa kanë lindur një sërë dilemash, shqetësimesh dhe pyetjesh të llojit: a u ngjajnë festivaleve këto lloj manifestimesh?; a është festivali spektakël apo ngjarje muzikore?; festivali bëhet për hir të artistëve apo të afaristëve?; a duhet të përqendrohet festivali në vlerën e interpretimit apo të manipulimit?; a është festivali i interpretuesve apo i konferencierëve?; a është festivali i këngëtarëve apo i recituesve?; a bëhen festivalet për t’u parë apo për t’u dëgjuar?; përse në festivale mungon identiteti shqiptar i këngës sonë?; përse festivali nuk është më festë e madhe e këngës shqipe, por vetëm një konkurs pa kritere?; përse festivali e inkurajon lakuriqësinë e trupit dhe jo plotësinë e shpirtit?; përse në të njëjtën skenë të festivalit duhet të qëndrojnë diletantë, profesionistë, artistë dhe antiartistë?; përse në festivalin e këngës shqipe këndohet edhe jo shqip?; a është festivali vend i konkurrimit të studiove muzikore apo të stileve muzikore?; a është festivali në interes të festivalit, të organizatorit, të krijuesve apo të dëgjuesve?; a është festivali i formës apo i përmbajtjes, i konkurrencës apo i dekadencës, i muzikës apo i politikës?; përse juria e di fituesin akoma pa filluar festivali?; përse festivalet e së kaluarës ishin vlera, ndërsa tani janë plehra?…

Derisa endem nëpër këtë moçal paqartësish dhe pakënaqësish, vërej përmes dritares dritën e agut, që tretet në dritën e mjegullt të syve të mi, duke më nxitur të shprehë optimizmin se, vetëm falë artistëve të vërtetë dhe njerëzve fisnikë, do të mund ta jetojmë të ardhmen, vetëm falë tyre do të shijojmë shkëndija shprese dhe paqeje… Unë e vlerësoj dhe e çmoj shumë një festival muzike, ama vetëm një festival të mirëfilltë.