` . Brejtësit e identitetit shqiptar - TV-SHENJA

Brejtësit e identitetit shqiptar

Brejtësit e identitetit shqiptar bëjnë thjesht punën e shegertit të nacionalizmave antishqiptare në Ballkan. Këtë e bëjnë ata që flasin për “kombin shumetnik”, për “kombin kosovar” imagjinar, për “kombin kosovar si fotokopje e kombit shqiptar”. Këtë e bëjnë përçartjet mbi “vetë-kolonizimet kulturore” të pjesëve të ndara të kombit shqiptar.

Shkruan: Abdi Baleta, Tiranë

Për të përgatitur këtë shkrim jam mbështetur kryesisht në dy burime: 1) në librin e shkëlqyer “Cilët jemi ne? Debati i madh i Amerikës” (2004), të politologut të mirënjohur amerikan, të ndjerit Samuel P. Hantington, ku përshkruhen procesi dhe vlerat e krijimit të kombit në një shoqëri etnikisht e kulturalisht tepër laramane, si ajo amerikane; 2) në një koleksion të pasur shkrimesh publicistike, që i kam grumbulluar gjatë 25 viteve, ku trajtohen aspekte të ndryshme të identitetit kombëtar shqiptar, të krijuar rreth një etnie iliro-arbnore mbi bazën e një gjuhe të vetme dhe kulture të përbashkët shekullore. Nga libri i Hantingtonit kam huazuar kryesisht shpjegime mbi ligjësitë e krijimit të identiteteve kombëtare, që vlejnë edhe në “debatin e vogël” që bëhet midis shqiptarëve.

*          *          *

Në librin e Hantingtonit së pari më ka tërhequr vëmendjen postulati “Interesat kombëtare burojnë nga identiteti kombëtar. Neve na duhet ta njohim se cilët jemi para se të dimë se cilat janë interesat tona” (f.10). Para botimit të librit të Hantingtonit më kishte tërhequr vëmendjen pyetja e shtruar në Shqipëri: “A është në interes të shqiptarëve të jenë shqiptarë?” (Hysamedin Feraj “Kombi si interes”, “Albania”, 8 shtator 1995). Më pas më bëri përshtypje të fortë edhe titulli “Shqiptarët ndihen më shumë europianë” (Robert Elsi, intervistë, “Dita”, 8 mars 2004). Debati ka nisur qysh në fillimet e lëvizjes demokratike në Shqipëri dhe vazhdon duke krijuar një kakofoni mendimesh rreth “identitetit kombëtar si ideal”, “identitetit kombëtar si interes”, “identitetit kombëtar si realitet objektiv”, “identitetit kombëtar si abstraksion”, “identitetit kombëtar si relike”, “kombit si atdheu moral”, “identitetit kombëtar të humbur ose të gjetur”, “kombit si kategori në ndryshim të përditshëm”, “identitetit, unitetit e bashkimit kombëtar” etj. Edhe pas debatesh shumëvjeçare është shfaqur si titull në gazetë pyetja “Kush jemi ne shqiptarët?” (Intervistë me Arbën Xhaferrin “Standard”, 30 dhjetor 2011). Tema e identitetit shqiptar është prekur nga politikanë, historianë e letrarë me emër, publicistë, kulturologë e politologë, e mërgimtarë të përmalluar. Me këtë temë janë marrë edhe shumë studiues të huaj. Është bërë dhe një simpozium në Londër nga Instituti i Studimeve të Europës Jug-Lindore. Qysh në titullin e përmbledhjes së kumtesave të këtij simpoziumi “Albanian Identities. Myth and History: 2202 (Identitetet shqiptare. Miti dhe Historia) subjekti në shqyrtim më shumë është mjegulluar seç është qartësuar. Identiteti shqiptar nuk mund të ketë variant në numrin shumës. Është normë e pandryshueshme në kriminalistikë, që çdo gjë mund të jetë identike vetëm me veten, ndërsa me identitete të tjera mund të kenë vetëm ngjashmëri. Çdo identitet nënkupton tiparet dalluese të një diçkaje nga gjitha të tjerat. Në përmbledhjen e trajtesave që u paraqitën në simpozium figurojnë edhe ato të Pirro Mishës dhe Fatos Lubonjës, dy autorë nga Shqipëria të njohur si lëvrues të tezave kundër identitetit unitetit e bashkimit kombëtar shqiptar dhe mospërfillës ndaj krenarisë kombëtare.

*          *          *

Zhurma më madhe është bërë në vitin 2006, kur plasi një “debat identitar”, më shumë zemërak se shkencor, midis dy figurave më në zë të letërsisë shqipe, Ismail Kadaresë dhe Rexhep Qosjes. Debati nuk solli ndonjë gjë të pathënë e të padëgjuar deri atëherë. Dobia e atij “dueli” ishte se tërhoqi në “fushëbetejën identitare” studiues e intelektualë që kishin qëndruar anash debatit dhe kapën rastin të futeshin në valle, duke zënë për dore secili idhullin e vet. Kadareja e ftoi Qosjen për “dyluftim”, sepse donte të përhapte tezën e vet se për shqiptarët më e rëndësishme ishte të mendonin për “identitetin europian” të tyre, se t’i mbanin mendjen e sytë tek ai i identiteti i trashëguar dhe i ngurtësuar qysh kur u shkëputën nga Perandoria Osmane. Me temën identiteti europian të shqiptarëve janë marrë shumë mekanizma. “Identiteti europian i Kosovës” ka qenë temë e një simpoziumi të veçantë në Prishtinë (“Tema”, 3 Korrik 2007).

Teza dyzuese e Kadaresë për identitetin “europiano-shqiptar” e zbeh identitetin parësor të shqiptarëve në dobi të atij kontinental, që gjithsesi është dytësor. Kadareja, në arsyetimet e tij, nuk i kushton vëmendjen e duhur faktit që “Individët dhe në një shkallë më të ulët grupet kanë identitete të shumta” (Hantington, f. 24). Ndoshta, Kadareja nuk është njohur as me mendimin se “Çdo njeri mund të ketë dhjetë ide për identitetin e vet” (“55”, 9 nëntor 2008), që e ka shprehur një “bashkidentitar” i Kadaresë në fushën e krijimtarisë letrare, shkrimtar jo shqiptar, jo europian por indian, Vidiadhur Sujaprasad Naipul, i lindur në Trinidad, laureat i “Çmimit Nobel”. Në kohën e debatit Kadare – Qosja dhe, më vonë, disa intelektualë me emër në publicistikë, i kanë paraqitur trazueshëm ndjesitë dhe perceptimet e identitetit kombëtar shqiptar. Por, ka pasur edhe shumë shkrime ku problemi është shtruar më thjesht, më qetë e më kuptueshëm, sidomos kur kundërshtohen idetë mbi “dy kombe shqipfolës” dhe “kombin kosovar”.

Teorikisht problemi i identitetit kombëtar shqiptar është i zgjidhur qysh në fazën e zgjimit kombëtar shqiptar në shekulli XIX. Kjo temë, faktikisht, duhej quajtur e mbyllur. Por, debati nxitet gjithnjë nga mohuesit e huaj të identitetit kombëtar shqiptar dhe po ushqehet gjatë 25 viteve të fundit nga brejtës të këtij identiteti brenda radhëve të shqiptarëve. Në mesin e shekullit XIX Naum Veqilharxhi merrte një letër nga i nipi (tregtar në Austri), i cili e qortonte pse i kishte hyrë një pune të kotë si zgjimi kombëtar shqiptar dhe shkrimi i gjuhës shqipe, që nuk kishin ekzistuar kurrë. Edhe Naumi e qortonte ashpër nipin se ishte trullosur nga propaganda greke, pasi shqiptarët e gjuha shqipe kishin qenë në Ballkan para grekëve. Autori francez Ami Bue më 1840shkruante: “Shqiptarët mund të formojnë fort mirë një shtet indipendent ndërmjet Serbisë e Greqisë. Mjerisht fatkeqësia e tyre është që gjenden midis dy shteteve që duan të rriten dhe ndoshta shpresat e patriotëve shqiptarë do të dalin të kota”. (Akif Bajrami, “Republika”, 2 dhjetor 2007). Kjo fatkeqësi, që përmend Bue, nuk ka marrë fund, sepse vazhdojnë përplasjet midis identiteteve kombëtare në Ballkan. Këtë e dëshmon një shprehje e ish-ministrit të jashtëm britanik Robin Kuk: “Ata (18 shqiptarë në Kosovë, AB) u vranë jo sepse përbënin kërcënim për ndonjë ushtri. Ata u vranë për faj të identitetit të tyre kombëtar.” (“Rilindja”, 3 tetor 1998). Dhjetë vjet më vonë, identitetin shqiptar të Kosovës Albin Kurti e mbron duke reaguar me fjalët: “Qeveria e Kosovës mbështet vetëm dëshmorët e kombit, familjet e të cilëve lejojnë që ata dëshmorë të kosovarizohen post mortum. Qeveria, sigurisht, që nuk e ka të lehtë, sepse Kosova nuk ka dëshmorë. Dëshmorët e UÇK-së janë në fakt dëshmorë të Shqipërisë. Lexojeni betimin e ushtarit të UÇK-së dhe binduni: “Si pjesëtar i UÇK-së betohem se do të luftoj për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë dhe bashkimin e tyre…” (“Shqip”, 4 tetor 2008). Prandaj, ata që duan të sajojnë artificialisht “kombin kosovar”, prishin kompaktësinë e tërë kombit shqiptar dhe bëjnë kështu punën e armiqve kombëtarë të shqiptarëve.

  1. P. Hantingtoni ka shkruar: “Qysh nga Lufta Civile amerikanët kanë qenë një popull i orientuar nga flamuri”. Këtë duhet ta bëjnë sot më shumë se kurrë shqiptarët, që fatmirësisht janë orientuar drejt flamuri kuq e zi me shqiponjë dykrenore shumë herët. Vlerën e këtij orientimi në kohën tonë e ilustron më së miri shprehja e fuqishme e ish-kapitenit të skuadrës kombëtare shqiptare të futbollit, Lorik Cana: “Një flamur, një komb, një kombëtare” (“Shekulli”, 28 nëntor 2007). Pikërisht skuadra futbollistike e mishëroi më së miri parimin bazë nacionalist “një komb, një atdhe, një shtet”, sidomos në ndeshje kur në formacionin bazë që zbriste në fushën e gjelbër 7 lojtarë ishin me prejardhje nga Kosova, Lugina e Preshevës dhe Shqipëria Lindore dhe vetëm 4 nga Shqipëria londineze. UEFA, FIFA janë pajtuar me këtë përfaqësim të të gjithë kombit shqiptar. Tifozëritë më të zjarrta kanë qenë nga Kosova e Maqedonia, lojërat janë zhvilluar nën valëvitjen e flamujve kuq e zi dhe me këndimin e Himnit të Flamurit, si simbole të identitetit kombëtar shqiptar. Armiqve të shqiptarëve asnjëherë nuk u ka pëlqyer një zhvillim i tillë sportiv dhe një dukuri e tillë emocionale e politike shqiptare.

Kohët e fundit për ta zbehur e zhvlerësuar këtë arritje sportive dhe politike po keqpërdoret pranimi i Kosovës në UEFA e FIFA dhe pjesëmarrja e përfaqësueses së Kosovës në garat eliminatore për kampionatin botëror 2018. Shqiptarët duhet të gëzohen që Kosova arriti të njihet nga organizmat e futbollit europian e botëror, sepse kjo arritje ka rëndësinë e vet të pamohueshme politike për afirmimin e shtetshmërisë së pavarur të Kosovës. Por, kjo nuk duhet në asnjë mënyrë të bëhet shkak për “separatizëm futbollistik” që e zbeh atë realitet të bukur që krijoi skuadra përfaqësuese e gjithë shqiptarëve. Shqiptarët atdhetarë duhet të mos ua vënë veshin atyre që përpiqen të nxisin xhelozira, mërira e sfida midis Shqipërisë e Kosovës futbollistike e politike. Është mirë që të rinjtë shqiptarë kanë më shumë mundësi të garojnë nëpërmjet dy skuadrash të kombit të tyre, ku herë mund të shkëlqejë njëra e herë tjetra në arenën ndërkombëtare. Nuk e cenon identitetin, por e rrit dinjitetin e shqiptarëve, kur djemtë e vajzat e tyre shquhen në fushën e futbollit dhe zënë vend edhe në skuadra përfaqësuese të shteteve të tjera, si në Zvicër (gati gjysma e ekipit), Gjermani, Belgjikë, Norvegji, Finlandë, Suedi, Maqedoni, Greqi etj… Shqiptarët nuk duhet të bien pre e zhurmave pa lezet, që u bënë kohët e fundit për dy-tre futbollistë nga Kosova, që lanë për arsyet e tyre përfaqësuesen e Shqipërisë e shkuan në përfaqësuesen e Kosovës. Ata kanë shkuar nga Shqipëria në Shqipëri. Bëjnë mirë futbollistët nga Kosova që qëndrojnë në skuadrën e Shqipërisë, sepse edhe këtu në Kosovë janë. U përket jo vetëm lojtarëve të futbollit, por edhe drejtuesve të federatave në Prishtinë e Tiranë, të mos ndikohen nga intrigat e ndryshme për të nxitur sedër të kotë e të sëmurë. Unë uroj që Federata e Futbollit e Kosovës ta rregullojë punën për të aktivizuar edhe në përfaqësuesen e Kosovës lojtarë nga Shqipëria, por brengosesh kur lexon në shtypin e Tiranës tituj si “Shqipëri-Kosovë, vëllezërit armiq” (“MAPO”, 21 gusht 2016); “Identiteti dhe lufta me ngjyrat” (“Tema”, 11 shtator 2016) ose kur bëhen hamendësime për “luftë midis federatave të futbollit” të Kosovës e të Shqipërisë për t’ia rrëmbyer njëra-tjetrës lojtarët më të mirë dhe për gjasat që të përçahet tifozëria kompakte e deritanishme. Në “Tema” është shkruar me shqetësim: “Shqiptarët, të mësuar që të jetojnë me folklor dhe me mite, sa herë që ndiqnin kombëtaren e tyre ndjeheshin me të drejtë si një komb me 10 milionë banorë dhe sukseset e saj festoheshin si në Prishtinë ashtu dhe në Shkup, apo Plavë e në Tiranë. Mirëpo gjërat u ngatërruan kur FIFA e UEFA e pranuan Kosovën në organizatat respektive të sportit botëror dhe në këtë rast u duk sikur “ëndrra kuq e zi” u thye… Dhe mos e dhëntë Zoti që për shkak të ngjyrave shqiptarët të përleshen e të ndahen dhe të gjejnë një motiv që të përçahen”.

Edhe në fushën e kulturës vërehen nxitje për xhelozira e mërira midis dy shteteve dhe dy pjesëve të ndara të kombit shqiptar, Kosovës e Shqipërisë. Disa intelektualë në Kosovë para ca kohësh lëshuan alarmin se Shqipëria po bënte “kolonizimin kulturor” të Kosovës. Tani janë ngritur kushtrimdhënës në Tiranë se qenka Kosova që po bën “kolonizimin kulturor” të Shqipërisë. Deputeti, shkrimtari e publicisti Ben Blushi me shkrimin “Pavarësia e Kosovës nga Shqipëria” përhap frikë se: “Sot Shqipëria duket si një koloni artistike e Kosovës dhe me sa duket ky është vetëm fillimi” (“Tema”, 20 gusht 2016). Shumë vjet me radhë Blushi i ka këshilluar shqiptarët e Shqipërisë të mos e çanin kokën për fatin e tekat e atyre të Kosovës, por të kujdeseshin që Shqipëria të mos hynte vetë në luftë me Serbinë. Ai gjithnjë e ka quajtur Kosovën si territor që duhej të ishte pjesë e Serbisë dhe kurrë nuk ka shprehur brengosje për ndonjë “kolonizim kulturor” serb në Kosovë. Tani hiqet si më i lumturuari për lirinë që fitoi Kosova, gëzohet se “Kosova po fiton pavarësinë e plotë kulturore” nga Shqipëria (përsëri jo nga Serbia). E shqetëson vetëm shpërthimi i talenteve e aftësive artistike në Kosovë, që po çon në “kolonizimin kulturor” të Shqipërisë nga kosovarët, deri sa edhe “kosovarishtja po bëhet gjuhë e muzikës në Shqipëri”

Kështu, nga të dy anët e kufirit artificial Shqipëri-Kosovë mobilizohen shqiptarë e shqipfolës për t’ia vënë minat identitetit kombëtar shqiptar pikërisht në themelet e tij më të fortë, në kulturën e gjuhën e përbashkët. Për ta rrënuar atë veçori të mrekullueshme që e çmon edhe Hantingtoni: “Në përpjekjet për t’u çliruar nga sundimi osman, serbët e vunë theksin në fenë ortodokse, ndërsa myslimanët shqiptarë në etninë dhe në gjuhën e tyre” (f. 24). Fatos Lubonja me bashkëmendimtarë të tij në Tiranë trilluan qysh herët tezën se shqiptarët në Kosovë e Shqipëri qenkan dy kombe të veçantë, ngaqë kishin krijuar dy kultura të ndryshme pas copëtimit kombëtar në 1913. Tani Ben Blushi e të tjerë identitetin kombëtar shqiptar synojnë ta minojnë duke e paraqitur Kosovën e Shqipërinë jo si plotësuese vlerash kulturore të përbashkëta, por si vatra kulture armiqësore që përpiqen të kolonizojnë njëra-tjetrën. Shkrimi i Blushit e ka fare lehtë të lexueshëm edhe nën tekstin se shqiptarëve në Kosovë e Shqipëri nuk u vjen më ndonjë “rrezik kulturor” (gjegjësisht politik) nga fqinjët sllavë e grekë, por rreziku i vetëm për ta qenka “kolonizimi kulturor”, që i bëkan me radhë njëri-tjetrit. Dikur udhëheqësi i Serbisë, Koshtunica, pat thënë se epiqendra e luftës në Ballkan do të zhvendosej nga veriu në jug, si konflikt brendashqiptar.

Hantingtoni ka shkruar. “Flamuri amerikan me shiritat e yjet përçon mesazhin se Amerika është një vend që fillimisht kishte 13 shtete sot ka 50”. Shqiptarëve, flamurin e tyre po përpiqen t’ua zëvendësojnë me 2, 3, 4, 5 flamuj të ndryshëm dhe shqiptarët t’i ndajnë në sa më shumë njësi shtetërore. Hantingtoni shkruan “Ne amerikanët, përballemi me një problem thelbësor të identitetit kombëtar që mund të përmblidhet në përmbajtjen e fjalive: A jemi ne një “Ne”, një popull, apo disa të tillë? Në qoftë se ne jemi “Ne” çfarë na dallon nga “Ata” që nuk janë “Ne: Raca, feja, etniciteti, vlerat, kultura, pasuria, politika apo çfarë”. Kurse midis shqiptarëve gjenden intelektualë që rreken të provojnë se “ne” (shqiptarët) nuk jemi “ne shqiptarë” ndaj njëri-tjetrit, ndonëse jemi shqipfolës. Është i kuptueshëm titulli i shkrimit të Ardian Vebiut, mërgimtar në SHBA, me titull “Kriza e identitetit dhe ruajtja e vlerave shqiptare në Perëndim”. Largimi nga vendlindja mund ta shtyjë njeriun drejt krizës së identitetit. Por, është e palejueshme të ndodhë ajo që Artan Fuga e ka quajtur “Kriza e albanologjisë mbi identitetin kombëtar”. Këtë dukuri e kanë cekur edhe të tjerë, por diagnostikimi i sëmundjes nuk po bëhet i saktë: krizën në albanologji e kanë shkaktuar njerëz të caktuar, të njohur, madje të privilegjuar, që duhet të vihen para përgjegjësisë morale e konkrete.

Hantingtoni ka shpjeguar si u krijua kombi amerikan mbi bazën e bashkësive të kolonëve të parë anglezë dhe të fesë protestante, duke filluar nga shekulli XVII. Në kulturën amerikane, që u krijua, do të asimiloheshin imigrantët nga gjithfarë kombesh dhe etnish më vonë. Lufta për pavarësi i ktheu kolonët e parë në amerikanë. Lufta Civile i bëri amerikanët komb. Luftërat e tjera, duke kulmuar me Luftën e Dytë Botërore, i bënë amerikanët nacionalistë. Hantingtoni ankohet (kapitulli VII) se pas vrasjes së presidentit Xhon Kenedi nisi “rrënimi i Amerikës, ngritja e identiteteve nënkombëtare… Dekonstruksionistët parashtruan programe për të ngritur lart statusin dhe ndikimin e grupeve racore, etnike dhe kulturore. Ata nxisnin imigrantët t’i ruajnë kulturat e vendlindjes së tyre, u dhanë atyre privilegje ligjore, të cilat ua mohojnë amerikanëve vendas dhe e kanë denoncuar idenë e amerikanizimit si joamerikane”. Ky proces qenka frenuar pas akteve terroriste të 11 Shtatorit 2001 dhe amerikanët i janë rikthyer nacionalizmit. Ndoshta me këtë duhet shpjeguar suksesi i retorikës së Donald Trumpit tani.

Brejtësit e identitetit kombëtar shqiptar nuk mund t’i quash dekostruksionistë si ata të Amerikës. Nuk ka asnjë premisë që brenda kombit shqiptar të ngrihen identitete nënkombëtare. Nuk mund të flitet për “identitete shqiptare “ në shumës si në atë librin e botuar në Londër. Brejtësit e identitetit shqiptar bëjnë thjesht punën e shegertit të nacionalizmave antishqiptare në Ballkan. Këtë e bëjnë ata që flasin për “kombin shumetnik”, për “kombin kosovar” imagjinar, për “kombin kosovar si fotokopje e kombit shqiptar” (se Nexhmedin Sapahiut nuk i pëlqen ta ketë në origjinal). Këtë e bëjnë përçartjet mbi “vetë-kolonizimet kulturore” të pjesëve të ndara të kombit shqiptar. Këtë e bën futja e “lëngut kulturor” kosovar në “enën kulturore” të Shqipërisë (B. Blushi). Identiteti kombëtar shqiptar është identik vetëm me vetveten dhe nuk e fut dot në kallëp tjetër. Shqipëria dhe Kosova janë një enë e vetme kombëtare, një trup i vetëm ku qarkullon i njëjti gjak e limfë identitare dhe qëndron i njëjti shpirt kombëtar.

Postime të Ngjajshme