` . 'Bota në fokus': Nga islamofobia, Kashmiri, Mianmari, Siria e deri tek Palestina.....fjalimet e liderëve në OKB - TV-SHENJA

‘Bota në fokus’: Nga islamofobia, Kashmiri, Mianmari, Siria e deri tek Palestina…..fjalimet e liderëve në OKB

Nga islamofobia, Kashmiri, Mianmari, Siria e deri tek Palestina, ishin fjalimet e liderëve të vendeve me shumicë muslimane, që patën rastin të adresojnë shqetësimet e tyre para botës në Sesionin e 74 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Kryeministri i Pakistanit, Imran Khan shprehu shqetësimin serioz mbi shkeljet e Indisë në Kahsmirin e aneksuar, duke shtuar se presioni shtetëror indian do të radikalizojë muslimanët e Kashmirit, dhe kjo do të çonte deri te një konfrontim mes Pakistanit dhe Indisë si dy fuqi bërthamore.

OKB-ja do të jetë përgjegjëse kryesore nëse Pakistani dhe India hyjnë në luftë të armatosur, tha Khan. Nga ana tjetër kryeministri i Malajzisë, Mahatir Muhamed, në fjalimin e tij në OKB tha se armiqësia ndaj Islamit dhe muslimanëve ekziston për shkak të krijimit të shtetit të Izraelit.

Ai drejtoi kritika për funksionimin e OKB-së në formatin siç është aktualisht, duke thënë se forma e funksionimit të OKB-së nuk është aspak demokratike dhe se nuk mund 5 shtet të vendosin për fatin e botës përgjithmonë.

Të njejtën kritikë e ripërsëriti edhe presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, ndërsa i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të reagojë për Sirinë, muslimanët Rohingya, Palestinën dhe Kashmirin.

Me këtë rast në Nju Jork krerët e Pakistanit, Turqisë dhe Malajzisë u zotuan të hapin një kanal televiziv të përbashkët në gjuhën angleze që do të shërbejë kundër islamofobisë. /SHENJA/