` . Boltoni tani si Gelbarti dikur   – TV-SHENJA

Boltoni tani si Gelbarti dikur  

Redaksia e revistës “Shenja” kërkoi nga unë të bëj një shkrim rreth “çështjes së korrigjimit të kufijve”. Tani çfarë të shkruaj diçka rreth kësaj teme e që nuk e kam thënë këtu e 30 vite më parë. Megjithëkëtë, një shkrim i imi gati 21 viteve më parë është i patejkalueshëm dhe nuk ka se si të riformulohet më mirë. Ky shkrim e përshkruan atë çfarë po ndodhë sot, prandaj e lus lexuesin ta lexojmë së bashku edhe njëherë, për të bërë analizën tani nga këndvështrimi i vitit 2018

Shkruan: Nexhmedin SPAHIU, Mitrovicë

Kosova duhet ta ketë kryeqytet Mitrovicën. Deklaratat e fundit të Gelbartit, të ngarkuarit amerikan për ish-Jugosllavinë, shënojnë përkrahjen më të fortë të deritanishme në drejtim të synimeve të shqiptarëve të Kosovës. Përkrahja e zgjedhjeve të 22 Marsit 1998 në Kosovë, nga ana e amerikanëve, shpreh momentin vendimtar në konfliktin shqiptaro-serb rreth Kosovës. Pjesën tjetër të deklaratës së Gelbartit atë se administrata amerikane i konsideron joreale kërkesat për pavarësinë e Kosovës duhet kuptuar si shprehje sa për t’u hedhur si syve sërbëve.

Kjo pjesë e deklaratës është e parëndësishme për momentin, sepse kjo nuk do të thotë se në një të ardhme jo të largët Amerika nuk do ta njohë shtetin e pavarur të Kosovës. Madje, kjo formulë është aplikuar edhe me rastin e referendumit në Bosnjë. Në atë kohë amerikanët e përkrahnin integritetin e Jugosllavisë (d.m.th. moscopëtimin e saj) dhe po ashtu e përkrahnin referendumin në Bosnjë, ku qytetarët e Bosnjë-Hercegovinës duhet të deklaroheshin se janë për qëndrim të mëtutjeshëm në Jugosllavi apo për shkëputje prej saj. Menjëherë pas këtij referendumi filloi lufta dhe Amerika e njohu pavarësinë e Bosnjë e Hercegovinës.

Çfarë mund të thuhet për Kosovën tani? Pas gjithë këtij ndërkombëtarizimi të çështjes së Kosovës është më se e sigurt se ajo nuk mund të zhbëhet, siç u zhbë Çamëria, Kraina e Kninit, Zhepa, Srebrenica etj. Natyrisht, as edhe ndonjë zgjidhje e ndërmjetme në formë autonomie nuk është e realizueshme, sepse kjo tanimë është një gjë e sprovuar dhe e ezauruar – një foshnje që lind nuk mund të kthehet më në barkun e nënës.

Kosova tanimë ka lindur si problem ndërkombëtar dhe ajo nuk mund të kthehet prapa e të bëhet problem i brendshëm i Serbisë. Edhe aleatët më të ngushtë të Serbisë, si Greqia e Rusia, e pranojnë se Kosova është, të paktën, problem ballkanik. Madje, Greqia ka marrë edhe një nismë ndërmjetësimi nga ana e saj, të cilën shqiptarët nuk e pranuan pikërisht që Kosova të mos ngelet në suazat e çështjes ballkanike.

Tekefundit, asnjë problem në Ballkan nuk u zgjodh përmes autonomive, edhe pse kjo shprehje u përdor së tepërmi gjatë luftërave në Kroaci dhe Bosnjë. Problem i Kosovës është problem kolonial e jo problem minoriteti dhe, deshën apo nuk deshën, shqiptarët, serbët ose të tjerët, ky problem ka për t’u zgjidhur ashtu siç janë zgjidhur edhe problemet e tjera koloniale në botë.

Kush mbetet rreziku më i madh për Kosovën? Rreziku i copëtimit të Kosovës, përkatësisht i spastrimit etnik të një pjese të saj, e cila do të jetë më me interes për Serbinë, dhe prurja e shqiptarëve dhe bashkësisë ndërkombëtare para aktit të kryer, është rreziku më i madh aktual për Kosovën. Situata aktuale në Kosovë po shkon drejt kësaj. Në vija të përgjithshme serbët e duan pjesën e Kosovës, të cilën – gjatë Luftës së Dytë Botërore – Gjermania hitleriane e ndali për vete dhe nuk ia dha aleates së saj, Italisë, përkundër tendencës së saj për ta bashkuar Kosovën me Shqipërinë. Pra, fjala është për Mitrovicën dhe rrethinën e saj, e cila në atë kohë ishte me e rëndësishme për Hitlerin sesa gjithë Shqipëria, Maqedonia dhe pjesa tjetër e Kosovës bashkë.

Tani serbët synojnë ta spastrojnë etnikisht këtë pjesë, duke i shtyrë shqiptarët në pjesën tjetër, të cilën pas bisedave të gjata diplomatike me ndërmjetësues të fuqishëm do të detyrohen t’ia njohin pavarësinë. Për këtë nuk flasin vetëm pozicionimet e policisë dhe ushtrisë serbe në momentin aktual, por edhe veprimtaria e shtetit serb gjatë këtyre 8 viteve të fundit. Veprimi i pushtetit serb në Mitrovicë dhe rrethinë të saj ka qenë i amplifikuar dhe shumëpërmasor. Çdo gjë që e pllakosi Kosovën gjatë këtyre 8 viteve, Mitrovicën e pllakosi në mënyrë të shumëfishuar (represioni, eksodi, varfëria etj.), aq sa qytetarët e saj, nga më të pasurit në Kosovë, u shndërruan në më të varfrit e saj. Madje, ka kohë që serbët propagandojnë se Trepça tanimë është shterur dhe nuk ka ndonjë vlerë. Natyrisht, kjo bëhet që shqiptarët të anojnë nga propozimi potencial që ta lëshojnë atë pjesë. Shtrohet pyetja: A duhet që shqiptarët e Kosovës dhe shqiptarët në tërësi të pajtohen që Mitrovica me rrethinë t’u mbetet serbëve?

Kur të vijë koha e këtyre dilemave, do të dalin në skenë politikanë e intelektualë, që do të thonë: më mirë të shpëtojmë diçka se asgjë. Pra, të pajtohemi me fatin që Kosova të mbetet pa Mitrovicën dhe rrethinën e saj, me shpresë se mos bëjmë ndonjë gjë me vonë. E njëjta dilemë u paraqit edhe në kohën e Ismail Qemalit: më mirë të pranojmë këtë gjysmë Shqipërie, se mos bëjmë ndonjë gjë më vonë për Kosovë e Çamëri. Pas 30 e ca vitesh Çamëria u fshi nga faqja e dheut dhe gjysmë-Shqipëria tjetër nuk u bë e gjallë. Kurse sa i përket paralelizmit për Kosovën, dallimi është që nëse do të bëhej kjo zgjidhje, Mitrovica dhe rrethina e saj do të mbetej e humbur përgjithnjë.

Çfarë do të thotë Kosova pa Mitrovicën me rrethinë? Mitrovica, me rrethinë, paraqet për Kosovën atë çfarë paraqet Durrësi për Shqipërinë në çfarëdo lloj projeksioni. Ajo paraqet, në radhë të parë, pjesën më ta pasur të saj. Me gjigantin e saj xehetaro-metalurgjiko-kimike, “Trepça”, është e lidhur e gjithë industria e Kosovës. Pavarësia e Kosovës, pa Mitrovicën me rrethinë, nuk do të ishte asgjë tjetër, veçse fiktive. Në një rast të tillë Kosova e mbetur do të përgjërohen për futje të serishme nën Serbi, sepse nuk do t’i duhej gjë pavarësia e tillë. Në planin gjeografik, Mitrovica është i vetmi qytet kosovar, ku bashkohen 4 lumenj, dy prej të cilëve (Ibri dhe Sitnica) janë më të mëdhenjtë në Kosovë. (Prishtina dhe Tirana janë të vetmet kryeqytete në botë që o nuk kanë lumenj, o nuk janë bregdetare). Pos Prizrenit, Mitrovica është i vetmi qytet kosovar, që e ka kalanë e vet.

Në planin gjeostrategjik, të kesh në dorë Mitrovicën do të thotë ta kesh në dorë gjithë Kosovën. Në planin historik, Mitrovica me rrethinë paraqet pjesën më të pjellore shqiptare, për sa u përket lëvizjeve dhe figurave historike. Në këto treva u lindën dhe u formuan: Hasan Prishtina, Isa Boletini, Azem Bejta, Shote Galica, Dervish Mitrovica, Rexhep Mitrovica, Ajdin Draga, Nexhip Draga, Ferat Draga, Xhafer Deva, Shaban Polluzha etj.

Në planin shoqëror, Mitrovica paraqet qytetin më të socializuar të Kosovës. Mitrovica është qyteti i dytë në Kosovë (pas Prishtinës) për nga numri i banorëve, por është i pari qytet në kuptimin e qytetarisë për sa i përket shtresëzimit social e krahinor në Kosovë. Është i vetmi qytet me një klasë të formuar punëtore, e domosdoshme kjo për qytetarizimin e mentalitetit politik. Në Mitrovicë, përveç se bashkohen 4 lumenj, bashkohen edhe tri krahina: Drenica, Shala dhe Kosova e Vogël dhe, po ashtu, bashkohen tri nëndialekte.

Në planin politik, Mitrovica nuk arriti të krijojë klan sundues në Kosovë, siç arritën Gjakova, Gjilani e Llapi, por tri lëvizjet më të mëdha politike dhe më ekselente në historinë e gjithmbarshme të popullit shqiptar patën për bazë mentalitetin politik të kësaj treve dhe këtij qyteti: 1) Kryengritja e Hasan Prishtinës e vitit 1912, që është më e madhja në historinë shqiptare (30.000 luftëtarë); 2) Lufta për mbrojtjen e Novi Pazarit (1941); dhe 3. Lëvizja e minatorëve të Trepçës në mbrojtje të autonomisë së Kosovës, që mblodhi mbi 500.000 demonstrues në Prishtinë (1989).

Si të mbrohet Mitrovica?

Siç u pa më sipër, Mitrovica është kryeqytet i natyrshëm i Kosovës (gjeografikisht, historikisht dhe politikisht). Kosova, pa Mitrovicën, nuk është më Kosovë. Elektorati i Kosovës jo vetëm që duhet të vetëdijesohet për këtë, por edhe duhet t’u tregojnë serbëve dhe opinionit ndërkombëtar se është i vetëdijshëm për këtë. Duhet ta thotë hapur dhe troç se Kosova pa Mitrovicën nuk na duhet gjë. Dhe, jo vetëm ta thotë, por edhe ta dëshmojë këtë. E dëshmia më e mirë hëpërhë është shpallja e saj kryeqytet i Kosovës. Madje, jo me dekret presidencial a parlamentar, por me referendum, i cili do të bëhej bashkë me zgjedhjet e 22 marsit.

Ky ndërrim i kryeqytetit, për momentin, nuk do të kushtonte më tepër sesa transferim i barakës së Presidencës së Kosovës nga Prishtina në Mitrovicë. Tani kur bisedimet (bashkë me luftën) shqiptaro-serbe janë të pashmangshme në praninë e faktorit ndërkombëtar, bërja e Mitrovicës kryeqytet i Kosovës do ta përjashtonte çdo lloj kombinacioni për ndarje të Kosovës. Natyrisht, kjo do të ishte një lëvizje e guximshme e Ibrahim Rugovës, por është i vetmi hap politik shpëtimi.

 

Ky shkrim i gati 21 viteve më parë ishte reagim ndaj perceptimit të opinionit në Kosovë e Shqipëri ndaj deklaratat e zyrtarit amerikan Gelbart. Deklarata e tij se “administrata amerikane i konsideron joreale kërkesat për pavarësinë e Kosovës”, pat shkaktuar huti në opinionin kosovar e shqiptar më shumë se deklarata tanishme e JohnBolton-it, këshilltarit për Siguri Kombëtare të Presidentit Donald Trump, se SHBA-të nuk kundërshton këmbimin e territoreve nëse palët pajtohen.

Deklarata e Gelbartit atëherë u shfrytëzua nga politikanë e opinionistë në Tiranë, për të insistuar se “Kosova duhet të heqë dorë nga pavarësia, pasi atë nuk po e përkrahë Amerika”. Tani deklarata e Boltonit po shfrytëzohet nga politikanë e opinionistë si argument se Amerika na këshillon këmbimin e territoreve. Dallimi është se në krye të politikës kosovare atëherë ishte politikani kryeneç e i palëkundur Ibrahim Rugova, i cili ishte aq i vendosur sa të mos tërhiqej prapa në synimin për pavarësi, por jo edhe aq energjik sa të përfillte sugjerimin e autorit të këtyre rreshtave.

Presioni ishte vërtetë i madh dhe shkrimi im ishte përgjigje ndaj tyre. Deklarata e Boltonit tani, njësoj si e Gelbartit atëherë, u shërben atyre që janë të gatshëm të dorëzohen, por për mua ajo është inkurajuese. Është inkurajuese, sepse këmbime territoresh mund të bëjnë vetëm shtetet sovrane. E të kesh mundësinë të bësh këmbime territoriale, nuk është e thënë që duhesh edhe ta bësh këtë. E sidomos jo kur ky nuk është një interes kombëtar. E, nga shkrimi i 21 viteve më parë, e shpjeguam se nuk është.

Ç’është e vërteta, gjatë këtyre 19 viteve të pasluftës, për interesat kombëtare të Kosovës shumë më shumë luftuan ndërkombëtarët sesa shqiptarët e Kosovës. Në përpjekje për të pasur kontrollin mbi Veriun e Kosovës është vrarë vetëm një polic i Kosovës (Enver Zymberi) e janë plagosur disa të tjerë, ndërsa nga radhët e ndërkombëtarëve janë vrarë 4 policë (një polak, një ukrainas, një lituanez e një indian) e janë plagosur qindra të tjerë. Ky fakt e reflekton përkushtimin për Veriun e Kosovës dhe interesat e saj vitale kombëtare.

Është shumë signjifikante deklarata e Skender Sadikut gjatë një konference në Shkup më 2005, ku disa nga serbët pjesëmarrës në këtë konferencë thanë se do ta ndezin luftën dhe nuk do të lejojnë pavarësimin e Kosovës. Përgjigjja e Skender Sadikut ishte: “Po mirë, atëherë, edhe ne do ta luftojmë me Serbinë deri në ndërkombëtarin e fundit”.

Tekefundit, mënyra se si u krijua Kosova si shtet është identike me atë se si u krijua Shqipëria. Dhe, siç thoshte Gjergj Fishta, Shqipëria do të mbijetojë për inat të shqiptarëve, dhe ajo mbijetoi. Edhe Kosova, si shtet, do të mbijetojë për inat të kosovarëve dhe klasës së saj politike. Në këtë shekull mbijetese, Shqipërisë iu hoqën ca copa të vogla nga ajo çfarë iu njoh në Konferencën e Londrës, por ajo mbijetoi.

Tani Kosova është e njohur nga më shumë se gjysma e kombeve të botës në kufijtë e ish-Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës. Megjithëkëtë, ajo i dha Malit të Zi mbi 8 mijë hektarë të një cepi te vet. Është e pritshme që, në pazarin me Serbinë, cepat e Kosovës të krihen pak më shumë sesa kjo që ndodhi me Malin e Zi, por shteti i Kosovës do të mbijetojë ashtu siç mbijetoi Shqipëria.