` . Biznesi në Kosovë kërkon të frymojë lirshëm - TV-SHENJA

Biznesi në Kosovë kërkon të frymojë lirshëm

Pas vitit 1999, me vendosjen e Administratës së Përkohshme Ndërkombëtare në Kosovë, u mundësua regjistrimi i përkohshëm i bizneseve, deri në mars të vitit 2003. Pas këtij viti regjistrimi i bizneseve mori një kah pozitiv dhe nga regjistrimi i përkohshëm u shndërrua në regjistrim të përhershëm.

Shkruan: Lulzim A. BEQIRI, Prishtinë

Sektori i Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme (NVM) ka një kontribut të patjetërsueshëm në procesin e zhvillimit ekonomik të një vendi. Ato janë motori i ekonomisë, burim i rëndësishëm pu­në­­simi dhe një faktor i rëndësishëm për rritjen industriale.

Bizneset e vogla janë faktor kyç i krijimit të shpirtit sipërmarrës dhe novaci­o­ne­ve, duke krijuar kështu një element të rëndësishëm të konkurrencës dhe të zhvi­llimit ekonomik lokal.

Zhvillimi i NVM-ve duhet të jetë gjeneratori themelor i rritjes ekonomike në Republikën e Kosovës. Ky zhvillim duhet të mbështetet në përparësitë, që duhet të zhvillohen më tutje, në pengesat dhe dobësitë, të cilat, me strategji dhe masa të politikës ekonomike, të tejkalohen dhe të relativizohen.

Pas vitit 1999, me vendosjen e Administratës së Përkohshme Ndërkombëtare në Kosovë, u mundësua regjistrimi i përkohshëm i bizneseve, deri në mars të vitit 2003. Pas këtij viti regjistrimi i bizneseve mori një kah pozitiv dhe nga regjistrimi i përkohshëm u shndërrua në regjistrim të përhershëm.

Hapja e ndërmarrjeve dhe regjistrimi i tyre u zhvillua me një hov të madh: nga viti 1999 deri në fund të vitit 2017 janë regjistruar rreth 173,805 biznese sipas ARBK-së, ndërsa në vitin 2018, sipas ASK-së, janë regjistruar gjithsej 9,683 biznese të kategorisë NVM.

Sipas Administratës Tatimore të Republikës së Kosovës numri i bizneseve aktive të regjistruara në ATK deri në fund të vitit 2016 është 87,979, ku prej tyre 63,753 janë biznese individuale, ndërsa 24,226 janë biznese juridike, ndërkaq 42,654 janë numra fiskalë për persona fizikë.

Karakteristikat kryesore të ndërmarrjeve, 1999-2017

Numri i përgjithshëm i bizneseve në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve deri më 2017 ishte 173,805, nga të cilat 143,508 sosh janë biznese individuale, të cilat punë­sojnë mbi 216,799 punë­torë ose 79.59% të totalit të të punësuarve në sektorin privat dhe 62.24% të totalit të të punësuarve në Republikën e Kosovës.

Hyrjet dhe daljet e bizneseve

Viti Ndërmarrje të reja Ndërmarrje të shuara % e shuarjeve
2006 7,099 1,318 18.57
2007 6,124 1,205 19.68
2008 7,557 943 12.48
2009 7,505 1,136 15.14
2010 7,729 1,363 17.63
2011 7,789 924 11.86
2012 9,592 1,081 11.27
2013 9,421 1,508 16.01
2014 9,405 1,671 17.77
2015 9,811 2,205 22.47
2016 8,179 1,841 22.51
2017 10,424 1,623 15.57
Totali 100,635 16,818 16.71

 

Siç shihet, nga viti 2006 deri në vitin 2017 janë regjistruar gjithsej 100,635 ndërmarrje, por kemi edhe një shuarje të madhe të bizneseve kosovare: 16,818 ndërmarrje të regjistruara e kanë mbyll aktivitetin e tyre ose, shprehur në përqindje, ato janë 16.71%.

Në vitin 2017 rreth 1,623 biznese ose 15.57% hoqën dorë nga veprimtaria e tyre për arsye të ndryshme, por nëse e krahasojmë numrin e madh të hyrjeve të ndërmarrjeve të reja, kjo nuk përbën shqetësim të jashtëzakonshëm.

Trendi i regjistrimeve të NVM-ve ka vazhduar edhe në vitin 2018. Sipas ASK-së, në tremujorin e parë të vitit 2018 (TM1/2018) janë regjistruar gjithsej 2,556 ndërmarrje.

Aktivitetet ekonomike më të preferuara gjatë këtij tremujori ishin: tregtia me 722 ndërmarrje të regjistruara (28.2%), prodhimi me 316 ndërmarrje (12.4%), ndërtim­taria me 266 ndërmarrje (10.4%), akomodimi dhe aktivitetet e shërbimeve ushqimore me 247 ndërmarrje (9.7%), aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 204 ndërmarrje (8.0%), ndërsa aktivitetet e tjera marrin pjesë në shkallë më të vogël.

Kategoria e numrit të të punësuarve nga 1 deri 4 të punësuar përbën 2,462 ndër­marrje ose 96.3% të ndërmarrjeve të regjistruara, kategoria me 5 deri 9 të punësuar me 57 ndërmarrje (2.2%), 10 deri në 19 të punësuar me 24 ndërmarrje (0.9%), 20 deri 249 të punësuar me 13 ndërmarrje (0.5%), ndërsa në kategorinë 250+ të punësuar nuk ka asnjë ndërmarrje të regjistruara gjatë këtij tremujori.

Sa i përket shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të regjistruara në nivel të komu­nave, ashtu si në çdo tremujor, mbizotëron Prishtina me 705 ndërmarrje të regjistruara (shprehur në përqindje 27.6%), Ferizaj me 224 (8.8%), Prizreni me 208 (8.1%), Peja me 147 (5.8%), Gjilani me 144 (5.6%), Gjakova me 113 (4.4%), ndërsa komunat e tjera kanë numër më të vogël të ndërmarrjeve të regjistruara në këtë tremujor.

Në tremujorin e dytë të vitit 2018 (TM2/2018) janë regjistruar 2,636 ndër­marrje. Rritje për 3.1% të ndërmarrjeve të regjistruara vërehet krahasuar me tremujorin paraprak (TM1/2018).

Sipas ASK-së, në tremujorin e tretë të vitit 2018 (TM3 2018) janë regjistruar gjithsej 2,212 ndërmarrje. Krahasuar me tremujorin paraprak (TM2/2018), vërehet rënie për 16.1% e ndërmarrjeve të regjistruara.

Në tremujorin e katërt të vitit 2018 (TM4/2018) janë regjistruar gjithsej 2,401 ndërmarrje. Krahasuar me tremujorin paraprak (TM3/2018) vërehet rritje për 8.5% e ndërmarrjeve të regjistruara.

Sipas ASK-së, sa i përket shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të regjistruara në nivel të komu­nave, ashtu si në çdo tremujor, mbizotëron komuna e Prishtinës me 766 ndër­marrje të regjistruara (31.9%), Prizreni me 212 (8.8%), Ferizaj me 188 (7.8%), Peja me 124 (5.2%), Gjilani me 109 (4.5%), ndërsa komunat e tjera kanë numër më të vogël të ndërmarrjeve të regjistruara në këtë tremujor.

Ekonomia e Kosovës funksionon sipas ekonomisë së tregut dhe konkurrencës së lirë, siç parashihet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Bizneset e vogla dhe të mesme janë faktorë themelorë të krijimit të shpirtit sipërmarrës dhe inovacioneve, duke bërë kështu një element të rëndësishëm të konku­rrencës dhe të zhvillimit ekonomik lokal, pasi që në Kosovë 98% e bizneseve të regjis­truara janë biznese të kategorisë NVM dhe punësojnë rreth 62% të forcës punëtore në nivel vendi.

Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Kosovë, në punën dhe orientimin e tyre, krahas legjislacionit vendor, bazohen edhe në Aktin Evropian të Bizneseve të Vogla. Ky akt konsiderohet si dokumenti themelor në politikën e Komisionit Evropian për ndërmarrjet e vogla. Objektivat, parimet dhe drejtimet kryesore të këtij procesi mbeten jo thjeshtë orientuese, por edhe obliguese për sfidat dhe hapat e ardhshëm drejt suksesit.

Barrierat dhe pengesat me të cilat përballen bizneset gjatë zhvillimit të aktivitetit të tyre ditore përbëjnë aspekte të ndryshme dhe janë të llojllojshme. Ndër vështirësitë më të shpeshta me të cilat ballafaqohen bizneset në aktivitetin e tyre ditore operacionale është rryma elektrike, infrastruktura e keqe, konkurrenca jolojale, mungesa e sundimit të ligjit, si dhe niveli i lartë i taksave.

Në bazë të hulumtimeve periodike që i bënë Agjencia për Mbështetje të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, si dhe në bazë të hulumtimeve që i kanë bërë institucionet e tjera, si ato vendore, ashtu edhe ndërkombëtare, gjithashtu edhe në bazë të hulumtimit tim personal, ekziston një pajtueshmëri e gjerë mes të gjithëve, se barrierat janë të shumta dhe të natyrave të ndryshme, si:

  • Kamatat e larta mund të vlerësohen që janë njëra ndër barrierat që çojnë në vështirësi të mëdha dhe të cilat mund të jenë faktorë kontribues në falimentimin ose krijimin e vështirësive të shumë ndërmarrjeve, qofshin ato të mesme, të vogla ose edhe të mëdha. Sistemi bankar i Kosovës e mbylli vitin 2010 me profit neto prej 32.8 milionë eurosh, që është për 29.9 % më i lartë sesa ai i vitit të kaluar. Duke marrë parasysh se në vitin 2009 kishte zvogëlim të profitit neto në sistemin bankar, rritja e profitit në vitin 2010 tregon për përmirësim të dukshëm në performancën e këtij sistemi.
  • Performanca e sektorit bankar të Kosovës shënoi përmirësim gjatë vitit 2013. Profiti neto i sistemit bankar arriti në 26 milionë euro, nga 18.5 milionë euro sa ishte në vitin 2012.
  • Një pengesë e madhe në rritjen e të hyrave të buxhetit është përhapja e ekonomisë joformale. Republikës së Kosovës i nevojitet një sistem financiar i besueshëm dhe një ekonomi tregu e qëndrueshme dhe funksionale. Për këtë arsye është e rëndësishme që të gjenden metoda efektive për ta parandaluar ekonominë joformale. Autorë dhe publikime të ndryshëm kanë përllogaritur se ekonomia joformale e Kosovës vlerësohet të jetë në mes të 40% – 60%, duke përdorë tregues siç është numri i të punësuarve në ekonominë formale dhe joformale, numri i ndërmarrjeve të cilat punojnë në lëmin formal dhe joformal, si dhe shifrat krahasuese të shteteve tjera. Siç dihet, korrupsioni shkakton shu­më dëme të konsiderueshme në aspektin shoqëror ekonomik, social e politik. Kjo mbetet sfidë e madhe për krerët e Republikës së Kosovës dhe mekanizmat që kanë qasje në përmasimin e kësaj dukurie që e ka kapluar shoqërinë kosovare, posaçërisht institucionet ekonomike dhe shtetërore, siç janë: KEK-u, PTK-ja, doganat, universitetet, organet komunale, administratat dhe institucionet tjera vendimmarrëse shtetërore.
  • Rritja e madhe e kësaj sëmundjeje mund të shërbejë si shtrat i ngrohtë për zhvillimin e dukurive neg­a­tive të dëmshme për shoqërinë në përgjithësi e, posaçërisht, për rininë, e cila në Kosovë është jashtëzakonisht në moshë të re, si një shembull jo i mirë për të ardhmen e tyre.
  • Sektori bankar në Kosovë konsiderohet si njëri nga tregimet me të suksesshme në vend, pasi që ka pasur një rritje të konsiderueshme dhe cilësore. Bazuar në të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës, në dhjetor të vitit 2010 asetet e sektorit bankar arritën në 2.5 miliardë€, gjë që paraqet një rritje vjetore prej 11.4%. Andaj bankat komerciale në vend duhet t’i ulin kamatat që i kanë.
  • Një nga kushtet esenciale për funksionimin normal të NVM-ve është furnizimi i bollshëm me energji elektrike. Mungesa e furnizimit me energji elektrike ka penguar në masë të madhe konkurrencën e ekonomisë kosovare.