` . “Bishopët”&Kameleonët,…një herë e një kohë! – TV-SHENJA

“Bishopët”&Kameleonët,…një herë e një kohë!

Shkruan: Driton DEMIRI

Tetor i vitit 2018;

Zgjebja kishte ra! Era kundërmonte! Trualli nuk mbante më, copa m..i,…mbetjesh gjithandej e kufoma kafshësh që notonin kanaleve e shtrirë anësh rrugëve. Po t ‘na zinte nata, mund t ‘na dilte gogoli! Dhe kjo ishte e gjitha! E gjitha fillonte nga këtu.

Shumë keq! Një realitet që përballeshim për çdo ditë;

Betohem që, po jua rrëfej fjalë për fjale:

Kurrë më të egër, më mizorë se në atë kohë. Kurrën e kurrës nuk m’kishin pa sytë gjame të atillë. S’ishte e mundur! Tmerr i njerëzimit në kohë të civilizimit! Ishte babëzi! I hëngërt kuçedra me shtatë koka, si fruta pylli t’i hajë, vetë në vete non-stop e përsëritja, e kërkoja! S’e di; Herë herë më përhapej një murmurimë llahtarie, mos po fillonin të hanë njëri-tjetrin. Druaja! Bota sa e vinte e po na ngushtohej, aq sa, sa që, kuçedrën e mendoja dhe kërkoja si një realitet ekzistues.

Ç’të kërkoja tjetër?!

Ç’ishte ajo punë; Rrahje gjoksi për punë që janë domosdoshmëri, tërë ditën duke konsumuar krah e kofsha pule me politikë, pa asnjë fjalë të shëndetshme përgjatë e në fund të ditës. Pastaj me brekë përplot shurrë me vrull shkonin edhe n’xhami. Më pastaj pas mesnate disa i gjeje duke pirë edhe raki. Hipokrizi e paparë e kohës! Fyheshin nëse pyesja përse kështu?! E dija! Me ndjesën më totale. Po nuk shkonte ashtu! Nuk shkonte! Ose njëra ose tjetra. Detyrat kërkohej bërë siç duhej. Kështu bishopët nuk bënin gjë tjetër përveç se loznin lojën e djallit.

Sinqerisht, nuk po kuptoja, çfarë po ndodhte me ta?! Nga gabimi në gabim! Nga mashtrimi në mashtrim! Nga papërgjegjësia në papërgjegjësi! Nga sefaja në sefa! Nga nepotizmi në nepotizëm! Ç’ ngatërresë ishte kjo? Në atë gjendje inflative pa fare ndërgjegje aq sa gënjenin, aq më shumë gënjeshtrave të tyre u besonin.

Ndërsa kameleonët me nga dhjetë flamuj për mikro interesa ishin në gjendje nënë e babë të nxjerrin në treg e ashtu me radhë.

Më keq se s’bënte!

Mbase mbetur cullak, si pula të lagura, pa fole, ngrinin ujë në hava kot së koti. Ashtu siç herë mbas here që ngrinin njërin flamur herë tjetrin ngjyra ngjyra! Qoshet e lokaleve shndërronin në bujti e ndeje, ashtu si grenxat që bëjnë foletë në qoshe të derës me kangjella.

Për çka? Për çka ishte gjithë kjo zhurmë cingëruese?

Për ta patur grurë:  me pushtetin; me komunën, me qeverinë, me partitë, me shkollën, me universitetin, me median, me (pa)drejtësinë. Aman mos! Sa “bukur” pëshpëritsha!  Thoshte njeri se po na çmendnin!  Sikur nuk e dinim. Asnjë përfundim tjetër, përveç se kujdesi për afërsinë e sipërthënë, pa e prishur terezinë e tepërt parazitare.

Thjesht ashtu ishte!

E për ata që me djersë të ballit mezi çonin një kothere bukë te shtëpia?! Asgjë! Aspak! Sa  shqetësohej elefanti për milingonat aq edhe ata për ta! E për rrugën e rrugicën me gropa?! Për mbetjet, plehrat dhe mbeturinat? Për kaosin publik urban dhe ndër urban? Për ujin? Për ujin mo për ujin, thoja. Përsëri asnjë bëza s’do dëgjonim! Dëgjohej herë herë të flitej hovshëm, herë herë rrëmujshëm për NATO/BE integrime, fluturime, aderime, dhe se të them të drejtën nuk ishte keq kjo punë, përpjekjet tona për të kapur vlerat perëndimore ishin më se evidente shumë kohë më parë, porse nuk e dinin se për NATO dhe BE aq sa do duhej të marrim aq edhe do duhej të japim. Se duhej të lidhej rripi aq fortë, aq mirë e mirë për një pritshmëri të një pune të madhe. NATO dhe BE nuk ishte punë llomotitjeje. Ishte perspektivë dhe sfidë sistematike! Sidomos BE-ja. Për nga aktualiteti gjithëpërfshirës NATO sa afër ishte aq larg dukej, përderisa BE ende shumë larg ishte, nga ajo kohë sipas pritshmërisë mund të kapnim periudhën mes viteve 2035-2040.

Dhe, të gjithëve na rrethonte katrahura. Besoni, ishim në pikë të hallit!

Përveç asaj, derisa bishopët dhe kameleonët mendonin se bota sillet rreth tyre, ndotja vazhdonte të shtonte sëmundjet, paraja nuk krijohej, çmimet kapnin tavanin, pothuaj se, shkonin stratosferë, mbase në një gjendje të territ ekonomik me oscilacione tregu, progresivi teti taksativ stimulohej me të madhe, papunësia edhe pse stagnonte në një far forme porse nuk zvogëlohej, shkolla vazhdonte matej të politizohej, administrata po ashtu, madje ende kishte asisoj të punësuar që merrnin paga pa vajtur në vend të punës, privati i ngjante tavolinës së pingpongut, ekonomia gri pafajësish ende merrte frymë, shëndetësia ishte as n’qi ell as n’tokë, kultura ishte një “zh nj” sui generis  ndërsa sporti si përherë me të madhe çalonte. Gjysma e popullsisë kishte mërguar jashtë vendit, pjesa më e madhe të rinj, standardi jetësor ishte hë për hë deri në atë nivel sa që, në vend të kafesë me përplot llum të saj, siç duhej ti ngjante, si në kohë të skllavërisë, konsumohej e pihej lëng gështenje; ashtu i thonim në gjuhën e popullit. Çaji filloj të konsumohej pa limon, mbase çmimi për kg/limon kapi shifrën mbi dy euro e tullumba hahej brenda mundësive. Kështu që rreziku social sa vinte e shtohej!

Investime, siç dëshironin t’i quanin “kapitale” kishte, jo se s’kishte, ashtu tek tuk, shkel e shko, spërkatje sa për sy e faqe infrastrukturore, edhe atë për nevoja që e donte, të cilat në rrethana faktike prapëseprapë ishin kryekëput politike.  Kishte edhe çallame si zakonisht; Shumë çallame madje. Çallame tradicionale, has shqiptari. Siç ishin më të theksuara çallamet politike të bishopëve të fund oborreve, fund sokakëve, fund mëhallëve, fund lagjeve, të kafeneve etj., si dhe çallamet e kameleonëve që kolliteshin sikur buall, pasi do hanin diçka të shijshme. “Bukuroshët” kësisoj, as që varnin veshin për të qenë të vendosur të jepnin përgjigje për gjendjen e rëndë dhe të dhimbshme. Lundronin nëpër re! Degdiseshin nëpër strofkat e kënaqësive! Dhe kështu ishte gati se për çdo ditë, mbase kisha parandjenjën se ashtu ka për të qenë gjithmonë.

Neveritshëm!

Paramendoni, Çfarë mbante ajo tokë?! Bjerraditë e vjedhacakë. Mbllaçitës! Hiçin e hiçit më tepër. Bëja mendjen po të më jepej mundësia t’i marrë një nga një e një për një e ti zhdëpi keq në dru. Në këtë të vërtetë në një të tërë; të paktën as që pendoheshin për atë që bluanin në mendje.

Po mirë, çfarë mendonin, deri kurrë kështu?

Jam më i qartë, apo?

Kujtime!

LA, Tetor, viti 2058