` . Beso, erdhi dita! - TV-SHENJA

Beso, erdhi dita!

Kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, beson në fitore dhe ka të drejtë, sepse nuk pranoi të jetë hyzmeqare e krimit, korrupsionit dhe haraçit edhe kur partia, së cilës i takon ajo, ishte në pushtet. Si të pakonsumuar me pushtet, më 6 tetor, Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti kandidat për Kryeministër kanë përparësi më shumë dhe mund t’i gëzohen fitores, por jo edhe suksesit. Gropa që krijoi krimi dhe korrupsioni është shumë e madhe. Gjithsesi, Kosovës i erdhi dita!

 

Shkruan: Agim POPOCI, Mitrovicë

 

E shkaktoi krizën në koalicionin qeverisës, të ndihmuar nga presioni ndërkombëtar, erdhi në pushtet dhe u largua për shkak të presionit ndërkombëtar! Po, fjala është për AAK-në e Ramush Haradinajt, e cila erdhi në pushtet pasi e sulmoi qeverinë dhe kryeministrin Isa Mustafa se po i falte tokë Malit të Zi për liberalizim të vizave, ndërsa qeveria e Isës i ishte nënshtruar një presioni të madh ndërkombëtar për ta përcaktuar vijën kufitare me shtetin fqinj, meqë duhej të përmbyllej anëtarësimi në NATO. U shpallën zgjedhje të reja, Isa iku, liberalizimi i vizave nuk u bë, por toka u fal nga Ramush Haradinaj, kur ai e braktisi betejën opozitare për të larguar PDK-në dhe u bë vetë kryeministër!

Po, Mali i Zi u anëtarësua në NATO dhe Rusisë iu mbyll edhe kjo portë në Detin Adritatik, por sërish AAK-ja e Ramush Haradinajt krijon krizë qeveritare, edhe pse është vetë në qeveri. U tha për shkak të ftesës në Gjykatën Speciale dhe doli se kishte presion ndërkombëtar për pezullimin e taksës ndaj produkteve serbe, por sido që të jetë, nga Isa kryeministër e deri te Ramushi kryeministër, nuk na ndan një det i tërë, por vetëm dy zgjedhje të panevojshme parlamentare, me të cilat as nuk u ruajt toka e Kosovës dhe as nuk u largua PDK-ja, siç e kishte menduar opozita!

Sot kemi një realitet të ri! Pas zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit është e qartë se Ramush Haradinaj nuk do të jetë kryeministër, por presioni ndërkombëtar nuk do të mungojë, pavarësisht se beson se Vjosa Osmanit të LDK-së dhe Albin Kurtit të Vetëvendosjes i erdhi dita të bëhet Kryeministër.

 

Ndërtojmë të ardhmen, për Ty për Shtetin

 

Kandidati për Kryeministër i PDK-së, Kadri Veseli, iu fut kësaj gare me një kauzë të re të luftës kundër korrupsionit dhe një rifreskim të suksesshëm të listës së deputetëve, por handikap i madh për atë si lider dhe Partinë Demokratike të Kosovës është konsumi i pandërprerë në pushtet që nga viti 2007. Shumë vetë e kanë akuzuar KadriVeselin për kauzën absurde të luftës kundër korrupsionit, por lideri i PDK-së e ka më të lehtë ta fitoi këtë luftë sesa kandidatët kryesorë për postin e kryeministrit, Vjosa Osmani dhe Albin Kurti. Arsyeja është e thjeshtë: KadriVeseli ka rreth vetes njerëz që nuk kanë më nevojë as të marrin dhe as të japin korrupsion. Të kamur, si me pushtet ashtu dhe para, njerëzit e afërt të Hashim Thaçit, sot ndër më të pasurit në Kosovë, jo që nuk mund të jenë pjesë e korrupsionit, por janë shumë lehtë më të kontrollueshëm nga Kadri Veseli.

Gjenerata e re, që e ka ofruar rreth vetes Kadri Veseli, mund të jenë shumë të dobishëm për ndërtimin e së ardhmes kosovare, por në shitet ajrani në shishe të coca-colës. PDK-ja ka lënë pas vetes një pushtet kriminal, i cili në çdo formë, përveç se me Vetëvendosjen, që nuk e ka konsumuar, ka treguar se e shpërdoron pushtetin. Skandalet me LDK-në u harruan kur mori pushtetin me AAK-në. Paligjshmëria dhe abuzimi janë vula në ballë që sot e karakterizojnë këtë parti, ndonëse marrëdhëniet me ndërkombëtarët janë të shkëlqyera. Por, të tilla i kishte edhe Ibrahim Rugova, por ndërroi jetë.

Sot për qytetarin dhe shtetin është më mirë që PDK-ja të qëndrojë në opozitë dhe pas një kohe reflektimi, rikthimi nuk do të jetë risi, por një rifillim ku mund të rinisë edhe ndërtimi i së ardhmes.

Beso!

 Vjosa Osmani, si kandidate e LDK-së për kryeministër, është risi në këtë garë si për faktin që është femër në një shoqëri ku muskujt vazhdojnë të jenë pjesë e vendimmarrjes dhe jo pjesë e trupit, ashtu dhe për të kaluarën e saj politike shumë dinjitoze. Vjosa beson, sepse nuk i ka përlyer duart me Hashim Thaçin. E kundërshtoi edhe koalicionin qeverisës me të, si edhe mbështetjen për president. Në periudhën e shtetndërtimit, Vjosa Osmani ishte një faktore e rëndësishme e politikës kosovare, ndërsa respekti që ka krijuar ndër rugovistët nuk është shkaktuar nga devijimi që LDK-ja i ka bërë kësaj ideologjie, por nga fryma parimore që e ka ndjekur përgjatë rrugëtimit politik. Vjosa nuk ka faj që beson në fitore sepse është kandidatja e vetme e cila ka të qartë se arsyeja kryesore pse Kosova është në këtë gjendje vjen nga njeriu që e dëmtoi më së shumti këtë komb, Enver Hoxha. Vetëm me ndihmën e tij Serbia vazhdoi të jetë pushtuese në Kosovë edhe pas Luftës së Dytë Botërore dhe këtë fakt, nga pesë kandidatët, e thotë vetëm Vjosa Osmani.

Vjosa beson se nuk duhet fjalë të mëdha për ta luftuar korrupsionin, por punë dhe këtë e dëshmoi edhe kur i tha jo në “qeverinë e saj” njërit ndër njerëzit më të pasur në Kosovë, Ramiz Kelmendit. “Jo Ramizit!” do të thotë jo ekonomisë kriminale të Serbisë dhe “Jo Ramizit!” do të thotë se jo gjithçka blihet në Kosovë, ashtu siç bëri Ramiz Kelmendi që nga dita e parë që merret me biznes dhe kalimi nga njëra pari në tjetrën, i veshur me petkun e qeveritarit. Duke mos qenë kryetare e LDK-së nga analistë të shumtë është konsideruar handikap, për shkak të presioneve të interesit që mund t’i shfaqen nga bossat e partisë, Agim Veliu dhe Lutfi Haziri, por për këtë Vjosa Osmani e ka dhënë provimin si me rastin kur u vendos që LDK-ja të bëjë koalicion me PDK-në, ashtu dhe në zbatimin e kësaj marrëveshje, e cila e detyronte Lidhjen Demokratike të Kosovës ta votojë Hashim Thaçin president. Dhe, është Vjosa ajo e cila e ka denoncuar krimin e korrupsionin, pavarësisht nëse ishte apo jo LDK-ja në pushtet.

Ajo beson dhe ka plotësisht të drejtë, sepse kur e hap gojën dhe thotë “Dr. Ibrahim Rugova”, Vjosa Osmani është nga të rrallat në këtë parti që nuk e ka shkelur misionin e liderit historik dhe ka vazhduar të jetë në Lidhjen Demokratike të Kosovës jo për t’u bërë Dr. Rugova, por për ta vazhduar idealin për të cilin edhe u krijua partia e parë në Kosovë, LDK!

Dhe, arrijmë te ndërkombëtarët! Vjosa Osmani beson se do t’i rikthejë edhe ata në këtë parti, të cilët nga ikja e Ibrahim Rugovës dhe mospërfshirja e Bujar Bukoshit në lidership, nuk gjetën një partner të denjë, i cili nuk do të pushojë së përsërituri refrenin “Dr. Rugova” dhe në miqësi të përhershme me SHBA-të, NATO-n dhe BE-në, nuk do të zbatojë asgjë nga gjithë ky kompleksitet i cili e krijoi, por nuk po e ndërton dot shtetin. Ajo që e favorizon Vjosa Osmanin në marrëdhënie me ndërkombëtarët është pamundësia e shantazhimit, të cilin favor, përveç saj, e ka vetëm Albin Kurti!

 

Erdhi dita!

 

Kandidati për Kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka shumë arsye për ta fituar garën, përveç tejngopjes së elektoratit me mashtrime, krim, korrupsion dhe tradhti të partive që e qeverisën vendin. Si e pakonsumuar me pushtet, më 6 tetor, Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti kanë përparësi të shumta dhe mund t’i gëzohen fitores, por jo edhe suksesit. Lufta kundër krimit dhe korrupsionit është sfida më komplekse që mund ta ketë Albin Kurti në krahasim me rivalët e tij seriozë në garë, KadriVeseli dhe Vjosa Osmani. Duke mos qenë as edhe një ditë në pushtet, Kurtit fillimisht i duhet ta zbatojë një ligj antimafia, duke sjellë barazi në garën e biznesit dhe tenderëve përmes sekuestrimit të pronave të të gjithë atyre që në mënyrë të paligjshme përfituan nga pushteti. Janë ata që, ndonëse kishin një lopatë ose kaçavidë në xhep, sot janë sipërmarrësit më të fuqishëm në Kosovë, të cilët e mbysin konkurrencën me pronën dhe pasurinë që kanë sikur edhe të zhduket korrupsioni nga faqja e dheut.

Për dallim nga KadriVeseli dhe Vjosa Osmani, përvoja me përçarjen e partisë do t’i shërbejë Albin Kurtit edhe në krijimin dhe drejtimin e kabinetit qeveritar. Përveçse dardanët dhe visarët nuk do t’i sillen nëpër këmbë, Albini e pa qartë se kush janë PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja dhe si qeverisin ato. Vazhdojnë dhe e akuzojnë njëri-tjetrin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe kush i shpëtoi nga ky Asociacion, ndonëse Gjykata Kushtetuese i ka vënë kornizat se si mund të veprojë ai dhe nuk ka më vend për hamendësime. E firmosur nën presionin e qartë ndërkombëtar ose edhe, më saktë, të Federica Mogherini-t, si Marrëveshja ashtu dhe Asociacioni, nuk mund të bëhen më pjesë e diskutimit përderisa është shprehur Gjykata Kushtetuese dhe këtu Albin Kurti është komod.

Pamundësia e vazhdimit të qeverisë, pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt, kur ministrat votuan kundër vendimeve të qeverisë, jo vetëm që dëshmoi se taksën nuk e kishte vendosur një parti e koalicionit, por këtë nuk mund ta hiqte ose pezullonte një parti ose individ, qoftë ky edhe Ramush Haradinaj. Edhe ky rast do t’i shërbejë Albin Kurtit jo për ta pasur të qartë vetëm se si duhet të funksionojë qeveria!

Shumë anëtarë të PDK-së dhe AAK-së, që kanë pushtuar ministritë dhe institucionet e tjera shtetërore, kanë shfaqur shqetësimin e tyre se ku do të përfundojnë me fitoren e Albin Kurtit! Vetëm kjo nuk e komplekson kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, meqë i ka ardhur dita, por kujdesin ndaj këtyre njerëzve duhet shtuar se ata sërish mund t’i kthehen zanatit vjetër fitimprurës, haraçit!

Dhe, në fund, ndërkombëtarët! SHBA-ve dhe BE-së i erdhi dita të bashkëpunojnë në shtetndërtimin e shtetit të Kosovës edhe me Albin Kurtin. A është e njëjta gjë kur përballë ke një Hashim, Kadri, Isë ose Ramush dhe një Albin?! Natyrisht se jo! Për të gjitha që janë përballur ndërkombëtarët, me PDK, LDK dhe AAK, Albin Kurti i ka paralajmëruar dhe kjo ndodhi.

A do ta heqë Kosova taksën për produktet serbe me Albinin kryeministër?! Pas rrahjegjokseve të trimave kosovarë që nuk ja kanë haberin shtetit dhe ndërtimit të tij, situata është e pastër si qelibar. Nga mënyra se si është shtruar ajo në raport me ndërkombëtarët shkakton dhe probleme, por kjo, si dje, ashtu edhe sot e nesër, varet nga serbët dhe Beogradi zyrtar.

Nëse Beogradi vazhdon me politikën e tij shoviniste normalisht, që taksa as nuk diskutohet dhe jo më pezullimi i saj, por nëse Serbia dhe Aleksandar Vuçiqi do të vendosin që të mos e gënjejnë më SHBA-në dhe BE-në dhe do të sillen normalisht me Kosovën si një shtet fqinj, zgjidhja e çështjes së taksës është shumë më e lehtë seç e kanë menduar miqtë e Serbisë, Mogherini dhe Hahn.

Në fund, pas besimit të dhënë, detyrë e Albin Kurtit është të dëshmojë, jo sa e do Kosovën, sepse këtë të gjithë e dinë, por që nuk është alternativë më e mirë se katër të tjerët, por është alternativa e duhur që Kosova të ecë përpara. Kosovës i erdhi dita!