` . Besir Alili, ylli i vogël me shkëlqim europian - TV-SHENJA

Besir Alili, ylli i vogël me shkëlqim europian

“Besoj dhe shpresoj se kyështë vetëm fillimi i sukseseve të mia. Ëndër dhe synim kryesorë e kam medaljen nga Lojërat Olimpike”, shprehet mes tjerash Besir Alili, djaloshi i cili fitoi medalje të artë nëKampionatin Europian për të rinjë në Foenza të Italisë, duke triumfuar në konkurencë të kadetëve, kategoria deri 48 kg.

Shqiptarët e Maqedonisë tradicionalisht njihen për talentin e madh për sportet marciale në përgjithësi dhe mundjen në veçanti. Ky sport që zhvillohet dhe ruhet me xhelozi admiruese brez pas brezi dhe që në gjuhën e popullit njihet me emrin ‘pelivan’, jo rrallë na ka dhënë suksese kulmore në nivele ndërkombëtare. Mes shumë arritjeve në gara të ndryshme madhore, veçojmë dy ‘Shaban’-ët, Tërstenën dhe Sejdiun, që ndër vite kanë grumbulluar medalje e medalje nga Kampionatet Mesdhetare, Universiada, Kampionate Europiane e Botërore, për të prekur kulmin edhe me fitimin e medaljeve në Lojërat Olimpike që paraqet suksesin më të madh për një sportist. Tërstena bart medaljen e arrit nga Lojërat Olimpike të vitit 1984 në Los Angeles të SHBA-ve dhe atë të argjendit katër vite më vonë në Seoul të Koresë së Jugut. Ndërkohë Sejdiu dy herë fitonte medaljen e bronztë edhe atë në Moskë të Rusisë në Lojërat Olimpike të vitit 1980 dhe katër vite më vonë në Los Angeles. Nga këndvështrimi i tanishëm këto suksese duken aq të largëta dhe të paprekshme, por fatmirësisht kemi breza të rrinjë që punojnë me përkushtim dhe me potencialin e performansat e tyre na paralajmërojnë se mbase do të kemi kënaqësinë të shijojmë sërish suksese të nivelit të dy ‘Shabanëve Olimpik’.

Pjesa e dyta e muajti qershor të vitit 2019 në Maqedoninë e Veriut do të mbahet mend pikërisht për mundje. Në Foenza të Italisë u mbajt Kampionati Europian për kategori të reja dhe pas një paraqitje mbresëlënëse në konkurencë të kadetëve, kategoria deri 48 kg. anëtari i KM Liria dhe përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut, Besir Alili fiton vendin e parë dhe stoliset me medalje të arrit. Sukses i madh që bëri shumë bujë dhe arriti për një çast të bëjë gjithë kreun e shtetit të fliste për sport. 16-të vjeçarit i’u organizua pritje madhështore në kthim nga Italia, bëri edhe disa xhiro me autobusin e siguruar nga Qyteti i Shkupit dhe Ndërmarja publike për transport, ndërsa shumë personalitete me peshë nga jeta sportive, politike e shoqërore “u përkulën” para suksesit të mundësit të vyer. Dhe për ta gërshetuar këtë arritje me hyrjen e tekstit ku elaborohen arritjet e dy Shabanëve (Tërstenës dhe Sejdiut), mjafton të ndajmë një pjesë nga deklarata e Besir Ailit.

“Besoj dhe shpresoj se kyështë vetëm fillimi i sukseseve të mia. Ëndër dhe synim kryesorë e kam medaljen nga Lojërat Olimpike”, shprehet Alili, ndërkohë që me qëndrimin e tij ndërlidhet edhe një prej themeluesive të Klubit të Mundjes, Liria, Hajrush Sinani.

“Suksesi i Besirit është shumë i madh dhe historik si për vet atë, por edhe për klubin Liria dhe vet shtetin e Maqedonisë së Veriut. Mirëpo Besiri nuk duhet të ndalet këtu, pasi realisht kulmi i një sportisti është Olimpiada. Jo vetëm pjesëmarrja në Olimpiadë, por fitimi i medaljes. Tashmë Besirit i nevojitet ende punë, ende përkushtim për të vazhduar rrugëtimin e tij drejt sukseseve më të mëdha dhe medaljeve Olimpike”, thotë Hajrush Sinani.

Suksesi i Besir Alilit u përshëndet si rrallë herë apo thuajse asnjëherë më parë nga gjithë kreu politik i vendit dhe institucionet më të rëndësishme shtetërore. Në pritjen e organizuar në sheshin “Skënderbeu” në Shkup mes shumë të pranishmëve morrën pjesë edhe kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu dhe i pari i Komunës Qyteti i Shkupit, Petre Shilegov, me theks që të dy paralajmëruan shpërblime për suksesin e arritur. Drejtori i Agjencionit për Rini dhe Sport, Darko Kaeski organizoi pritje për kampionin e Europës (në konkurencë të kadetëve) dhe ndau shpërblim në vlerë prej 1 milion denarëve (800 mijë denarë për Besir Alilin dhe 200 mijë denarë për trajnerin e tij Sufijan Ismailin). Mundësi Alili u prit edhe nga Aziz Pollozhani në UNT, ndërsa Qeveria e Maqedonisë së Veriut ndau 1 milionë denarë shpërblim për Besirin dhe 300 mijë denarë për trajnerin Sufijan Ismaili. Gjithë kësaj i’u shtua edhe vizita e njeriut të parë të shtetit Stevo Pendarovski (president i Maqedonisë së Veriut), i cili të enjten ishte i pranishëm në hapsirat e Klubit të Mundjes Liria për të përcjellur personalisht urimet për suksesin e arritur të Besir Alilit, që bëhet mundësi i parë që i sjell Maqedonisë medaljen e artë nga një Kampionat Europian për Kadetë. (përjashtuar Shaban Tërstenën dhe Shaban Sejdiun që kanë fituar medalje nëish-Jugosllavi).

Por të kthehemi nga fillimi për të prezantuar fillimet e këtij djaloshi të artë që punoi me përkushtim për të shpërthyer fuqishëm në Itali.

I lindur më 14 prill të vitit 2003 në Shkup, Besir Alili fillimisht sportit do t’i qasej përmes boksit për të ndjekur hapat e babait të tij Fikretit. Por, gjithmonë ka një arsye për kthesë dhe ka qenë këshilla e të ndjerit Mentas Allajbegu që prindit të Besirit i ka sugjeruar ta orientojë të birin në mundje sepse me aftësitë e shfaqura jepte sinjale për t’u rritur në mundës cilësorë.

“Nga perspektiva e tashme duket shumë storie e bukur këshilla e të ndjerit Mentas Allajbegu. Si profesionist i lëndës vendosëm ta dëgjojmë dhe sot jemi krenarë që Besiri i’a doli të prek një sukses të madh si qëështë medalja e artë nga Kampionati Europian. Besoj të jetë një fillim i sukseseve edhe më të mëdha, pasi jemi të vetëdijshëm se vlerë tjetër kanë medaljet në kategori të seniorëve”, shprehet prindi i Besirit, Fikret Alili.

Besiri nisi të ushtrojë mundje në moshën 7 vjeçare te KM Liria. Duke u rritur gjithnjë jepte sinjalet se ka potencialin për t’u rritur në mundës shumë cilësorë dhe ‘shkëndijat’ e para më serioze i shfaqi në Kampionatin Europian për të rinjë që u mbajt në vitin 2018 në Maqedoni dhe ku Besir Alili fitoi medalje të argjendit. Aq pranë vendit të parë dhe humbja nga garuesi i Armenisë i shkurtoi gëzimin një vit më parë. Por, hakmarrja është e ëmbël dhe një shprehje e njohur thotë se “hakmarrja është një pjatë që më mirë të serviret e ftohtë’. Besir Alili gjithsesi do t’i gëzohej medaljes së artë dhe për ironi të fatit fitorja në finale ishte pikërisht përballë një garuesi nga Armenia.

“Sigurisht se kjo fitore bart kënaqësi të dyfishtë në vete. Ajo humbje në finale në vitin 2018 gjatë kohë nuk më hiqej nga koka, pasi isha aq pranë medaljes së artë. Por deshti Zoti,ja arrita t’ia dalë dhe për më shumë që si satisfaksion personal në finale munda garues pikërisht nga Armenia. Sinqerisht e them se anash suksesit që na gëzoi të gjithëve, personalisht kjo hakmarrje më jep kënaqësi sepse nuk doja të më qëndronte në kokë shteti Armeni si pikë negative apo e pakalueshme. Elhamdulilah i’a dola”, flet Besiri i vogël por me zemër të madhe në lidhje me dy finalet e vlefshme titull europian kundër garuesve nga Armenia. Finalja në kategorinë deri 48 kg në Foenza të Italisë për Besir Alilin solli luftë të ashpër me garuesin armen Harutjun Hovanijan dhe në një fund dramatik, shkupjani i’a doli të fitonte 7:6. Triumf ky që nënkuptonte titullin kampion i Europës për kadetë në kategorin deri më 48 kg.

Në rrugën deri te medalja e artë, Alili mundi Oskar Kolçukun e Polonisë, Andrej Vitanin e Moldavisë, Luka Gugeshvili nga Gjeorgjia dhe në finale e madhe ishte më i mirë se armeni Hovanisjan.

“Ky sukses dhe buja që bëri në vend është një përjetim i paharrueshëm për mua. Vërtet një ëndër që po e jetoj këto ditë. Por besoni se jam shumë i vetëdijshëm se vlera nuk do të jetë e plotë nëse nuk arrij të punoj edhe më fortë në të ardhmen. Kam synime të qarta për të vazhduar me punë, sepse fillimisht veten do ta siguroja me ndonjë titull kampion Europian apo Botëror në kategori të seniorëve. Ky sigurisht mbetet një cak i rëndësishëm për mua. Por synimi kryesor dhe ëndra për të cilën do të punoj dhe të jap gjithçka nga vetja është medalja nga Lojërat Olimpike. Shpresoj t’ia dal”, përfundon Besir Alili që flet pak, por që me një buzëqeshje simpatike të bën për vete që në kontakt të parë. Italia kishte mundësi të shijonte buzëqeshjen e tij në konkurencë të kadetëve, ndërsa urojmë dhe shpresojmë që e njejta të ndodh edhe në shumë vende të botës në samitet më të rëndësishme të mundjes botërore, europiane e olimpike.

Ky është Besiri, ndoshta djaloshi që do të futet në grup me dy Shaban-ët e famshëm të mundjes!

Intervistoi Faton Zylbehari/ Revista SHENJA/