` . Besir Alili, ylli i vogël me shkëlqim europian - TV-SHENJA

Besir Alili, ylli i vogël me shkëlqim europian

“Besoj dhe shpresoj se ky është vetëm fillimi i sukseseve të mia. Ëndërr dhe synim kryesor e kam medaljen nga lojërat olimpike”, shprehet mes tjerash Besir Alili, djaloshi i cili fitoi medalje të artë në Kampionatin Europian për të rinj në Foenza të Italisë, duke triumfuar në konkurrencë të kadetëve, kategoria deri 48 kg

Shkruan: Faton ZYLBEHARI, Tetovë

Shqiptarët e Maqedonisë tradicionalisht njihen për talentin e madh për sportet parciale, në përgjithësi, dhe mundjen, në veçanti. Ky sport që zhvillohet dhe ruhet me xhelozi admiruese brez pas brezi dhe që në gjuhën e popullit njihet me emrin ‘pelivan’, jo rrallë na ka dhënë suksese kulmore në nivele ndërkombëtare. Mes shumë arritjeve në gara të ndryshme madhore, veçojmë “dy Shabanat”, Tërstenën dhe Sejdiun, që ndër vite kanë grumbulluar medalje e medalje nga kampionatet mesdhetare, universiada, kampionate europiane e botërore, për të prekur kulmin edhe me fitimin e medaljeve në lojërat olimpike, që paraqet suksesin më të madh për një sportist. Tërstena e bart medaljen e arit nga lojërat olimpike të vitit 1984 në Los Anxhelos të SHBA-ve dhe atë të argjendit katër vite më vonë në Seul të Koresë së Jugut. Ndërkohë, Sejdiu dy herë e ka fituar medaljen e bronztë, një herë në Moskë të Rusisë në lojërat olimpike të vitit 1980 dhe katër vite më vonë në Los Anxhelos. Nga këndvështrimi i tanishëm këto suksese duken aq të largëta dhe të paprekshme, por fatmirësisht kemi breza të rinj që punojnë me përkushtim dhe me potencialin e performancat e tyre na paralajmërojnë se mbase do ta kemi kënaqësinë të shijojmë sërish suksese të nivelit të dy “Shabanëve Olimpikë”.

Pjesa e dyta e muajit qershor të vitit 2019 në Maqedoninë e Veriut do të mbahet mend pikërisht për mundje. Në Foenza të Italisë u mbajt kampionati europian për kategori të reja dhe pas një paraqitje mbresëlënëse në konkurrencë të kadetëve, kategoria deri 48 kg., anëtari i KM “Liria” dhe përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut, Besir Alili, e fitoi vendin e parë dhe u stolis me medalje të arrit. Një sukses i madh që bëri shumë bujë dhe arriti për një çast të bëjë gjithë kreun e shtetit të fliste për sport. Gjashtëmbëdhjetëvjeçarit iu organizua pritje madhështore gjatë kthimit nga Italia, ndërsa ai bëri edhe disa xhiro me autobusin e siguruar nga Qyteti i Shkupit dhe Ndërmarrja Publike për Transport, ndërsa shumë personalitete me peshë nga jeta sportive, politike e shoqërore “u përkulën” para suksesit të mundësit të vyer. Dhe, për ta gërshetuar këtë arritje me hyrjen e tekstit ku elaborohen arritjet e “dy Shabanave” (Tërstenës dhe Sejdiut), mjafton të ndajmë një pjesë nga deklarata e Besir Ailit.

“Besoj dhe shpresoj se ky është vetëm fillimi i sukseseve të mia. Ëndërr dhe synim kryesor e kam medaljen nga lojërat olimpike”, u shpreh Alili, ndërkohë që me qëndrimin e tij ndërlidhet edhe një prej themeluesve të Klubit të Mundjes “Liria”, Hajrush Sinani.

“Suksesi i Besirit është shumë i madh dhe historik si për vet atë, por edhe për klubin “Liria” dhe vet shtetin e Maqedonisë së Veriut. Mirëpo, Besiri nuk duhet të ndalet këtu, pasi realisht kulmi i një sportisti është olimpiada. Jo vetëm pjesëmarrja në olimpiadë, por fitimi i medaljes. Tashmë Besirit i nevojitet ende punë, ende përkushtim, për ta vazhduar rrugëtimin e tij drejt sukseseve më të mëdha dhe medaljeve olimpike”, thotë Hajrush Sinani.

Suksesi i Besir Alilit u përshëndet si rrallë herë ose thuajse asnjëherë më parë nga gjithë kreu politik i vendit dhe institucionet më të rëndësishme shtetërore. Në pritjen e organizuar në sheshin “Skënderbeu” në Shkup, mes shumë të pranishmëve, morën pjesë edhe kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, dhe numri një i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, dhe të dy paralajmëruan shpërblime për suksesin e arritur. Drejtori i Agjencisë së Rinisë dhe Sportit, Darko Kaeski, organizoi pritje për kampionin e Europës (në konkurrencë të kadetëve) dhe e ndau shpërblim në vlerë prej 1 milion denarësh (800 mijë denarë për Besir Alilin dhe 200 mijë denarë për trajnerin e tij, Sufijan Ismaili). Ndërkaq Qeveria e Maqedonisë së Veriut i ndau 1 milionë denarë shpërblim për Besirin dhe 300 mijë denarë për trajnerin Sufijan Ismaili. Gjithë kësaj iu shtua edhe vizita e numrit një të shtetit, Stevo Pendarovski, i cili ditë më parë ishte i pranishëm në hapësirat e Klubit të Mundjes “Liria” për t’ia përcjellë personalisht urimet për suksesin e arritur të Besir Alilit, që bëhet mundësi i parë që i sjell Maqedonisë medaljen e artë nga një kampionat europian për kadetë (përjashtuar Shaban Tërstenën dhe Shaban Sejdiun, që kanë fituar medalje në ish-Jugosllavi).

Por, të kthehemi nga fillimi për t’i prezantuar fillimet e këtij djaloshi të artë, që punoi me përkushtim për të shpërthyer fuqishëm në Itali. I lindur më 14 prill të vitit 2003 në Shkup, Besir Alili fillimisht sportit do t’i qasej përmes boksit, për të ndjekur hapat e babait të tij, Fikretit. Por, gjithmonë ka një arsye për kthesë dhe ka qenë këshilla e të ndjerit Mentas Allajbegu që prindit të Besirit i ka sugjeruar ta orientojë të birin në mundje, sepse me aftësitë e shfaqura jepte sinjale për t’u rritur në mundës cilësorë.

“Nga perspektiva e tashme duket shumë storie e bukur këshilla e të ndjerit Mentas Allajbegu. Si profesionist i lëndës vendosëm ta dëgjojmë dhe sot jemi krenarë që Besiri ia doli ta prekë një sukses të madh, siç është medalja e artë nga kampionati europian. Besoj të jetë një fillim i sukseseve edhe më të mëdha, pasi jemi të vetëdijshëm se vlerë tjetër kanë medaljet në kategori të seniorëve”, shprehet prindi i Besirit, Fikret Alili.

Besiri nisi të ushtrojë mundje në moshën 7-vjeçare te KM “Liria”. Duke u rritur, ai gjithnjë jepte sinjale se ka potencial për t’u rritur në mundës shumë cilësor dhe shkëndijat e para më serioze i shfaqi në kampionatin europian për të rinj, që u mbajt në vitin 2018 në Maqedoni, ku Besir Alili fitoi medalje të argjendit. Humbja nga garuesi i Armenisë ia shkurtoi gëzimin një vit më parë. Por, hakmarrja është e ëmbël dhe një shprehje e njohur thotë se “hakmarrja është një pjatë që më mirë të serviret e ftohtë’. Besir Alili gjithsesi do t’i gëzohej medaljes së artë dhe, për ironi të fatit, fitorja në finale ishte pikërisht përballë një garuesi nga Armenia.

“Sigurisht se kjo fitore bart kënaqësi të dyfishtë në vete. Ajo humbje në finale në vitin 2018 gjatë kohë nuk më hiqej nga koka, pasi isha aq pranë medaljes së artë. Por, deshi Zoti, arrita t’ia dal dhe për më shumë që si satisfaksion personal në finale munda garues pikërisht nga Armenia. Sinqerisht e them se anash suksesit që na gëzoi të gjithëve, personalisht kjo hakmarrje më jep kënaqësi, sepse nuk doja të më qëndronte në kokë shteti Armeni si pikë negative ose e pakalueshme. Elhamdulilah, ia dola”, flet Besiri i vogël, por me zemër të madhe në lidhje me dy finalet e vlefshme titull europian kundër garuesve nga Armenia. Finalja në kategorinë deri në 48 kg në Foenza të Italisë për Besir Alilin solli luftë të ashpër me garuesin armen, Harutjun Hovanijan, dhe një fund dramatik, në të cilin shkupjani ia doli të fitonte 7:6. Ishte ky triumf që nënkuptonte titullin “Kampion i Europës për kadetë në kategorinë deri më 48 kg”.

Në rrugën deri te medalja e artë Alili e mundi Oskar Kolçukun e Polonisë, Andrej Vitanin e Moldavisë, Luka Gugeshvili nga Gjeorgjia dhe në finale e madhe ishte më i mirë se armeni Hovanisjan.

“Ky sukses dhe buja që bëri në vend është një përjetim i paharrueshëm për mua. Vërtet një ëndërr që po e jetoj këto ditë. Por besoni se jam shumë i vetëdijshëm se vlera nuk do të jetë e plotë nëse nuk arrij të punoj edhe më fortë në të ardhmen. Kam synime të qarta për të vazhduar me punë, sepse fillimisht veten do ta siguroja me ndonjë titull kampion europian ose botëror në kategori të seniorëve. Ky sigurisht mbetet një cak i rëndësishëm për mua. Por, synimi kryesor dhe ëndrra për të cilën do të punoj dhe do të jap gjithçka nga vetja është medalja nga lojërat olimpike. Shpresoj t’ia dal”, përfundon Besir Alili, që flet pak, por që me një buzëqeshje simpatike të bën për vete që në kontakt të parë. Italia kishte mundësi ta shijonte buzëqeshjen e tij në konkurrencë të kadetëve, ndërsa urojmë dhe shpresojmë që e njëjta të ndodh edhe në shumë vende të botës në samitet më të rëndësishme të mundjes botërore, europiane e olimpike.

Ky është Besiri, ndoshta djaloshi që do të futet në grup me dy Shabanat e famshëm të mundjes!