` . Berisha: Ambicia ime të fitoj Europa League me Atalantën - TV-SHENJA

Berisha: Ambicia ime të fitoj Europa League me Atalantën

Shqipëria luajti ndeshjen mbyllëse të eliminatoreve për Botërorin “Rusi-2018” ndaj Italisë, një ndeshje e mirë në aspektin e lojës, me humbje me rezultat të ngushtë 0-1. Më shumë se loja dhe rezultati, ra në sy performanca e mirë e lojtarëve të Kombëtares së Shqipërisë, të cilët luajtën si të barabartë në fushën e lojës dhe patën momentet e tyre kulminante në këtë ndeshje, duke spikatur sidomos për përkushtimin maksimal në fushë dhe dëshirën e madhe për fitore. Në këtë ndeshje luajti një nga ndeshjet e zakonshme të tij, por me nivel të lartë, Etrit Berisha, që vijon të jetë një pikë e fortë e përfaqësueses kuqezi. Berisha luan në nivel të lartë dhe me Atalantën e tij në kampionatin italian dhe ka ambicie për trofe. Në sezonin e kaluar, falë paraqitjeve të tij të Mira, Atalanta siguroi pjesëmarrjen në Ligën e Europës pas më shumë se një çerek shekulli, ndërsa vetë mediat italiane e kanë cilësuar Berishën si njeriun lider në fushë dhe ai që ka kontribuar më shumë në sukseset e ekipit. Momentin e tij pozitiv Berisha po e tregon në kampionatin italian, në radhët e Kombëtares Kuqezi, por edhe në Ligën e Europës, ku Atalanta ka premisa të mira për të kaluar në raundin tjetër të këtij aktiviteti. Në një prononcim për mediat italiane, që kanë pasur një interesim të shtuar për gardianin kuqezi, Berisha ka thënë se ka ambicie të mëdha për të shkuar deri në finale të Ligës së Europës dhe Atalanta e tij do ta vlerësojë shumë si objektiv këtë aktivitet. “Etrit Berisha po kalon një moment pozitiv në aspektin personal pasi ka arritur të transformohet në një lider të padiskutueshëm te Atalanta pas 3 sezoneve në dritëhije te Lacio”, shkruajnë mediat sportive italiane. Tashmë portieri i lindur në Prishtinë është i gjithi në pronësi të skuadrës bergamaske ky synon të vazhdojë një rrugë të gjatë dhe të suksesshme. Pas rikthimit në Bergamo për shkak të ndalesës së kombëtareve ku ai luajti titullar me Shqipërinë në Spanjë dhe kundër Italisë, tashmë është radha e ekipit zikaltër. Në një intervistë për “Corriere Dello Sport”, Berisha thekson se vendi i katërt sezonin e kaluar është një arritje e jashtëzakonshme, por Berisha nuk kënaqet me kaq pasi synon që bashkë me Atalantën të regjistrojnë arritje edhe më të mëdha. “Fillimi në kampionat ka qenë pozitiv ndërsa në Europa League kemi grumbulluar 4 pikë në 2 ndeshje. Nuk jemi mësuar të luajmë ndeshje çdo 3 ditë por falë trajnerit Gasperini kemi arritur të familjarizohemi me këtë kalendar. Ai të lejon të pushosh por në të njëjtën kohë të lejon të japësh maksimumin sepse kujdeset për çdo detaj. Fitorja ndaj Evertonit na bëri të kuptonim se jemi në rrugën e duhur dhe mund të përballemi si të barabartë edhe me kundërshtarë si Everton apo Lion. Ëndrra ime është fitorja në Europa League. I kemi të gjitha mundësitë për ta kaluar grupin por duhet të mendojmë vetëm për ndeshjet e radhës”, thekson numri 1. Në vijim ai përqendrohet te penalltia që i priti Dybalas duke e pranuar me modesti se nuk bëri asgjë më shumë se herët e tjera kur ka pritur të tjera penallti. Berisha shton më tej se futbolli italian është shumë i ndjekur në Shqipëri, madje zbulon një detaj duke e pranuar se shumë tifozë të Napolit në vendin tonë e falënderuan për atë penallti që i priti argjentinasit. Duhet thënë se Berisha është në kulmin e karrierës së tij. ai është me eksperiencë tashmë dhe ka mundur të krijojë profilin e një portieri të suksesshëm, duke qenë ndër më të vlerësuarit në Serie A këtë sezon dhe praktikisht një nga dy-tyre portierët më të mirë në kampionatin italian. Vetë trajneri Gasperini i Atalantës i ka thurur elozhe dhe beson se falë meritave të Etritit Atalanta është bërë një skuadër më e fortë dhe me ambicie. Kosovari i Kombëtares tonë shfaqet kështu me ambicie personale, por edhe me ambiciet në kuadër të ecurisë së Atalantës në Serie A por dhe në Ligën e Europës. gardiani kuqezi po kalon kështu një moment magjik në futbollin italian.

Postime të Ngjajshme