` . Begati dhe hajni - TV-SHENJA

Begati dhe hajni

Njeriu ka transformuar shumëçka në perceptimet e tij për mënyrën e të jetuarit. Përtej të gjitha transformimeve, ai ka harruar se është krejtësisht i kufizuar, edhe pse në imagjinatën e vet përfytyron sikur po “pushton” universin

Shkruan: Nuredin NAZARKO, Korçë

Ecja e kohës fizike prej një shekulli në tjetrin, prej një mijëvjeçari në tjetrin ndodh, siç ka ndodhur qysh në çastin e parë. Për njeriun bashkëkohor nuk përbën ndonjë çudi kjo ecje. Është krejt e pandjeshme. Dhe, kujtohet njeriu që ka rrjedhur shumë kohë vetëm kur dallga e heshtur godet me gjithë fuqinë e energjisë së çliruar prej tërmetit në thellësi të oqeanit, mbledhur ky i fundit në një pikë.

Shkundja nga letargu, çast epik. Nuk ka moment më të gëzueshëm për qenien njerëzore sesa dalja nga gjendja e pavetëdijes mbi kuptimësinë e ekzistencës. Ngjarje epokale. Rrënimi i një të shkuare, që sheh vetëm me shikimin fizik. E magjishme qenia që e kundron botën prej syve të zemrës. Nuk e kupton kurrkush këtë ngjarje, përveç qenies që e ka përjetuar.

Kredhja e zemrës në këtë qartësi ta jep atë që nuk e arrin me asnjë metodë shkencore, sado para të ecë shkenca. Shkenca mund të kurojë pjesën fizike të zemrës, mund edhe ta zëvendësojë me një tjetër zemër, por kurrë nuk mund ta heqë perden e shikimit të syve të saj. Zemra ka sy, edhe pse shkenca s’mund të na i tregojë me asnjë mjet laboratorik, sado i sofistikuar të jetë. Kush nuk i gjen, ka humbur vetveten. Pa kryer këtë zbulim, njeriu do të vazhdojë të endet i përhumbur në shtjellat nanuritëse të të jetuarit në mijëvjeçarin e tretë të erës së re.

Njeriu ka transformuar shumëçka në perceptimet e tij për mënyrën e të jetuarit. Përtej të gjitha transformimeve, ai ka harruar se është krejtësisht i kufizuar, edhe pse në imagjinatën e vet përfytyron sikur po “pushton” universin. Ndryshimet e kryera ka synuar t’i ketë në përputhje me pakufizueshmërinë morale për plotësim dëshirash. Ka qenë ky një operacion i kahershëm, që vazhdon të ushqehet edhe sot me lëndë të parë – vetë njeriun.

Ka zbritur kaq thellë në këtë transformim, saqë begatitë që e rrethojnë nuk i konsideron si mundësi për t’u hedhur tek njohja e vetes, por si mundësi për të shtuar sasinë e të ardhurave materiale. Ngërthehet në këtë qerthull dhe nuk dëshiron të dalë prej aty. Nënshtrimi ndaj etjes për zotërim sasior është kaq egërshan, saqë çdo shkëndijë që mund ta ndezë zjarrin e reflektimit, nxiton ta shuajë me jetojmë në shekullin XXI.

Ani çka se jetojmë në shekullin XXI? Jetesa në këtë shekull mos do të thotë që ta zhbëjmë atë që duhet dhe ta bëjmë atë që nuk duhet, vetëm e vetëm që të mos shigjetohemi si arkaikë apo reliktë? Çdokush e ka epokën e vetë të të jetuarit. Kurrkush nuk parazgjedh se në cilën epokë do ta nisë dhe mbyllë jetesën. Pavarësisht epokës, disa vlera, koncepte themelore, nuk ndryshojnë. As nuk ndryshken. As nuk zhbëhen. As nuk tejkalohen.

Nëse themi begati, nuk do të thotë domosdoshmërisht pasuri materiale. Reduktimi i kuptimit të begatisë vetëm tek paraja sjell perceptim të gabuar për vetë jetën. Jo pak njerëz e quajnë jetën e tyre dështim total nëse nuk arrijnë të bëhen ndonjëherë të pasur. Shumë e shumë të tjerë punojnë gjithë jetën për të qenë të pasur mbi të pasur. Kështu, si pa u hetuar, begatia bjerret nga kuptimi qenësor dhe nëse nuk ke paratë që ëndërron, jetën e konsideron të kotë dhe të pavlerë.

Pikërisht në çastin e kësaj ndodhie vjen dhe hajnia më e madhe që njeriu kryen ndaj vetes. Ai nuk e vlerëson begati shëndetin, shikimin, dëgjimin, ecjen, vullnetin për punë të drejta, sakrificën për jetë të virtytshme… Krejt të huaja i sheh. Madje, i konsideron dhe pengesa që nuk i lejojnë të pasurohet ashtu siç dëshiron. Shtyhet edhe më tej. Rrëzon gjithë panteonin e vlerave për të bërë para me çdo kusht. Shet veten. Nderin. Dinjitetin. Dhe, çka është më thelbësorja, lirinë.

A ka hajni më të madhe se kaq? A mundesh t’i bësh vetes më shumë dëm sesa kjo tragjedi? Pjesa më e hidhur është se njeriu është vetë skenaristi, regjisori dhe aktori. Sjellje e pashembullt ndaj vetvetes. Njeriu ka një prirje të çuditshme për të projektuar gjithmonë tek tjetri zbehjet, dështimet, humbjet, dramën, tragjiken. Vetveten e heq mënjanë nga kjo hajni e kobshme. Faturën gjithmonë ia pret tjetrit. Edhe nëse dështon në rolin e vet, fajin e ka publiku.

Nëse grabit vetveten dhe e shet për para, a nuk mban përgjegjësi për aktin e kryer? Nëse bluan në mullirin e stomakut virtytet, kujt mund t’i adresohet përgjegjësia? Justifikimet nuk do të vonojnë të vijnë. Ashtu ishte koha. Ashtu ishte sistemi. Ashtu erdhën rrethanat. Deshëm të ishim dhe ne ndryshe, por… Justifikimi, pakt i heshtur me hajninë. E kush mund të bëjë pakt me hajninë, përveç hajnit?

Begatia dhe hajnia nuk mund të qëndrojnë në të njëjtën zemër. Janë përjashtuese të njëra-tjetrës. Fytyra e njeriut do të ngjyroset me çka mban zemra. Disa fytyra do të ndriçohen. Disa do të errësohen. Nuk është vështirë të dallohen. Me rëndësi është të kuptojmë në ç’anë do të ecim.

Është ende mijëvjeçari i tretë.