` . BE do të vazhdojë mbështetjen për Shqipërinë – TV-SHENJA

BE do të vazhdojë mbështetjen për Shqipërinë

Komisioneri për Migracionin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë, Dimitris Avramopoulos në Komisionin Evropian, Dimitris Avramopoulos, ka vizituar sot Shqipërinë, ku është takuar me drejtues të lartë të vendit, ndërsa zyrtari i BE-së ka deklaruar se Shqipëria ka një dritare historike për ta lidhur në mënyrë të përhershme historinë e saj dhe të ardhmen me BE-në, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Fatmir Xhafaj dhe Avramopoulos, mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat, pas takimit mes tyre, ku u fokusuan në marrëveshjet e nënshkruara mes tij dhe komisionerit të BE-së, perspektivën evropiane të Shqipërisë, etj.

Ministri Xhafaj në fjalën e tij, theksoi vizita e Avramopoulos sot në Tiranë vjen në një moment shumë të rëndësishëm për vendin, në pritje të dhënies së miratimit zyrtar për hapjen e negociatave me BE-në.

“Vizita e tij (e Avramopoulos) është tregues i mbështetjes së BE-së për reformat e nisura prej nesh, por edhe inkurajim i madh për atë që duhet të bëjmë në luftë me krimin e organizuar. Vlerësoj angazhimin dhe ndihmesën që ai po jep për thellimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit në fushën e sigurisë, veçanërisht sa i takon menaxhimit të kufirit dhe migracionit të parregullt”, tha Xhafaj.

Duke folur për nënshkrimin e marrëveshjeve, Xhafaj tha: “Sot konkluduam siglimin e marrëveshjes me FRONTEX (Agjencia Evropiane e Kufirit dhe Rojës Bregdetare) për ‘Rojën Bregdetare dhe Kufitare’. Forcimi i bashkëpunimit operativ mes vendeve të rajonit dhe Agjencisë Evropiane të Rojeve Kufitare dhe Bregdetare, ne besojmë që do të kontribuojë në menaxhimin më të mirë të migracionit të parregullt, do të rrisë më tej sigurinë në kufijtë e jashtëm të BE-së, si dhe do të forcojë aftësinë e Agjencisë për të vepruar në vendet e afërta me BE-në, siç është Shqipëria”

“Po sot, nënshkruam memorandumin e mirëkuptimit mbi pjesëmarrjen e Shqipërisë në programin e drejtësisë së Bashkimit Evropian, për të zgjeruar objektin e këtij memorandumi në nisma konkrete në fushën e politikave kundër lëndëve narkotike”, shtoi Xhafaj.

Ndërsa komisioneri Avramopulos u shpreh se Shqipëria ka bërë shumë progres vitet e fundit dhe po i afrohet sipas tij gjithnjë e më shumë BE-së.

“Patëm një takim konstruktiv dhe produktiv me ministrin e Brendshëm Xhafaj. Shqipëria është pjesë e familjes evropiane histrorikisht dhe gjeografikisht. Në kontekstin e kohës ku jetojmë duke marrë parasysh elementët gjeopolitikë ne përballemi të gjithë me të njëjtat sfida, siç është menaxhimi më i mirë i emigracionit të parregullt, me menaxhimin më të mirë të kufirit si dhe me luftën kundër krimit të organizuar. Ne ndajmë një histori të përbashkët dhe e ardhmja jonë të jetë e përbashkët dhe ne do ta ndajmë me njëri-tjetrin”, theksoi komisioneri i BE-së.

Duke iu referuar strategjisë së BE-së për Ballkanin Perëndimor, Avramopoulos theksoi Shqipëria ka një dritare historike për ta lidhur në mënyrë të fortë e të përhershme historinë e saj dhe të ardhmen me BE-në.

“Kemi sigluar këtë marrëveshje kaq të rëndësishme për kufirin sot, që do të bëjë, të lejojë ardhjen në Shqipëri të një ekipi nga agjencia evropiane e kufirit dhe rojës bregdetare. Kjo marrëveshje do të bëjë të mundur menaxhimin më të mirë të emigracionit të parregullt, si të BE ashtu edhe të Shqipërisë. Në të ardhmen Shqipëria do të ketë akses në të gjitha ato fonde që kanë të bëjnë me politikat kundër drogës. Ne do të mbështesim iniciativat e përbashkëta në luftën kundër drogës. Ashtu si dhe terrorizmi dhe rrjetet e drogës nuk njohin kufij, ndaj duhet një bashkëpunim efikas me njëri-tjetrin. Ajo që ne duam është që Shqipëria të vijë sa më afër Bashkimit Evropian”, tha Avramopoulos.

Është parashikuar që komisioneri Avramopoulos të takohet edhe me Kryeministrin e vendit, Edi Rama dhe ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati.