` . BE: Çështja Haradinaj të zgjidhet me komunikim mes Kosovës dhe Serbisë - TV SHENJA

BE: Çështja Haradinaj të zgjidhet me komunikim mes Kosovës dhe Serbisë

Për arrestimin e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj në Francë në bazë të një fletarresti të Serbisë, ka folur mbrëmë edhe Maja Kocijanaçiq, zëdhënësja e shefes për politikë të Jashtme të BE-së, Federica Mogherini.

“Perspektiva evropiane për rajonin, sipas nesh, është e vetmja mënyrë për të ecur para. Në këtë kontekst, ne iu bëjmë thirrje të gjitha palëve që t’i përmbahen një klime që nxit normalizimin e sigurisë”, ka thënë Kocijançiq.

Ajo më pas ka shtuar se “rritja e bashkëpunimit policor dhe gjyqësor në mes të Serbisë dhe Kosovës tashmë është arritur, dhe në këtë kontekst kjo duhet të vazhdohet tutje.”

Zëdhënësja e Mogerinit derisa iu ka drejtuar gazetarëve në Bruksel ka thënë se Bashkimi Evropian mirëpret “hapat që janë ndërmarrë në këtë proces nga të dyja palët, Serbia dhe Kosova drejt bashkëpunimit të drejtpërdrejtë, shkëmbimit të informacioneve dhe transferit të proceseve, diçka që do të vazhdohet nga riintegrimi i serbëve të Kosovës që janë personel i drejtësisë në sistemin e drejtësisë së Kosovës përgjatë janarit, ashtu siç janë integruar pjesëtarët serbë të forcave policore”.

Kocijançiq ka kujtuar se deri më tash ka pasur marrëveshje dhe çështja e ndalimit të ish kryeministrit të Kosovës duhet të zgjidhet mbi këtë kornizë.

Ramush Haradinaj u ndalua nga autoritetet franceze në aeroportin e Bazelit të mërkurën e kaluar, ndërsa një gjykatë në Colmar të Francëz i shqiptuan masën e paraburgimit deri në, siç thuhet, “paraqitjen e kërkesës zyrtare për ekstradim nga autoritetet e Serbisë”.

Postime të Ngjajshme