` . BDI-ja po transferohet në opozitë - TV-SHENJA

BDI-ja po transferohet në opozitë

Shkruan: Xhenur Iseni

Partia e Ali Ahmetit, Bashkimi Demokratik për Integrim ka filluar të merr karakter sezonal. Gjatë verës është në pushtet, ndërsa gjatë dimrit del në opozitë siç ishte rasti me protestat që u mbajtën gjatë vikendit të fundit kundër Kryqit gjigant në Butel të Shkupit. Bëhet fjalë për të njëjtin ekip të njohur si “Dream Team” i forcës, dhunës dhe mashtrimeve, të cilët herë pas herë nën dirigjim të Kryetarit Ahmeti ky ekip i Çairit aktivizohet për të goditur Car Dushanin dhe për të shembur Kishën në Kala të Shkupit.

Për shkak të këtyre ndodhive Artan Grubi u bë milioner dhe politikani më i fuqishëm në Maqedoni, edhe pse ai ishte nën akuza që të burgosej për rastin e Kalasë në Shkup, për shkak se bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë të cilët i qëndruan besnik Grubit, sot e kësaj dite ata janë nën ndjekje të Gjykatave dhe Policisë dhe disa prej tyre u burgosën. Por Grubi e realizoi ëndrrën e tij jetësore, ku brenda natës u bë bashkëpunëtori më i ngushtë i Ahmetit, edhe pse në bombat e Zaevit ai përgojohej se është “Kali i Shemës”, por tani Grubi e realizon politikën më të lartë të BDI-së, edhe pse karriera e tij si student po që se analizohet bëhet fjalë për studentin më të dobët të gjeneratës ku notën më të madhe e ka pasur gjashtë(6). Ky sukses i fakulteti madje e pengoi Grubin që para disa viteve të mos i plotësojë kushtet për t’u regjistruar si doktorant në Universitetin Shën Kirili dhe Metodij. Por Grubi nuk mund të pranohet në Shkup, por menjëherë transferohet në Universitetin Shtetërorë të Tetovës dhe bëhet profesor në Fakultetin e Gazetarisë.

Ky është realiteti i dhimbshëm, por që ndodh në Maqedoni për fat të keq para Ambasadorëve të huaj, ekselenca e tyre Xhes Bejli dhe Aivo Orav. Por në BDI sidomos në degën e Çairit ikonografia është e njëjtë. Ermira, deputetja më e zgjuar e BDI-së, zgjohet në ora 5 të mëngjesit, jo për t’i bërë lutjet e mëngjesit dhe për të falur sabahun, por zgjohet që ti mbështes bashkëpartiakët e vet për ta rrëzuar me çekan fëmijësh përmendoren e Car Dushanit. Mirëpo Ermira këtu nuk ndalet, ajo vazhdoi edhe gjatë vikendit të fundit që të dalë në protesta kundër Kryqit gjigant në Butel dhe u fotografua me po të njëjtit njerëz funksionarë të lartë të BDI-së. Por si duket Ermira dhe shokët e saj mbetën të vetmuar në protestat e fundit, pasi nuk ju shkuan mbrapa as 50 persona, kjo nënkupton se BDI-ja është duke e humbur mitin dhe po demistifikohet para popullatës shqiptare.

Të njëjtët persona, Ermira dhe shokët e saj nga viti 2001 e deri më sot u futën në një tombolinë fituese, dhe në çdo moment të njëjtit njerëz janë Drejtorë, Ministra, zv.Ministra, Deputet dhe funksionarë të tjerë të BDI-së. Në partinë e Ahmetit njëherë të jesh funksionarë, deri në vdekje do të mbetesh funksionarë dhe assesi nuk mund të largohesh. Këto janë rregullat e BDI-së për fat të keq! E gjithë kjo situatë dhe manovra politike po sollën dhe ndriçuan rastin më të dhimbshëm të politikbërjes së partisë së Ahmetit. BDI edhe pse është në pushtet për të shpëtuar veten dhe për të manipuluar opinionin ia vjedhë të vetmen armë opozitës, që bëhet fjalë për Protestat. Në politikë një gjë është e sigurt se protestat mund ti shfrytëzoj si mjet vetëm Opozita dhe assesi Pushteti, në rastin konkret BDI-ja. Por për shkak të pafuqisë politike dhe manipulimeve të opinionit, BDI edhe këtë vikend zgjodhi temat më të prekshme siç është religjioni dhe marrëdhëniet ndëretnike. Por kësaj radhë BDI ra nga provimi dhe shpresojmë se edhe më 5 qershor do të bie nga provimi përgjithmonë dhe popullata shqiptare në Maqedoni do të mund të zgjidhë njerëz të besueshëm, intelektual të cilët kanë vizion të qartë për ardhmen e popullatës shqiptare. Andaj për shkak të kësaj situate Ahmeti më është duke i harxhuar të gjitha kartat, pasi nga njëra anë i angazhon bashkëpunëtorët e tij të Çairit që të ngriten kundër Kryqit, nga ana tjetër këshilltar personal e ka Profesorin e nderuar Sinadinovskin i cili është i besimit ortodoks dhe mbanë Kryqin e madh në qafë. Por Ahmetit nuk i pengon Kryqi i Sinadinovskit, por përplasjet për Kryqin i bën vetëm me karakter sezonal, atëherë kur duhet të konfrontohet artificialisht me partinë e Gruevskit me të cilin është vëllazëruar deri në frymën e fundit të jetës. I qoftë përhajr Ahmetit dhe bashkëpunëtorëve të tij!

Postime të Ngjajshme