` . BDI-ja nën hijen e BESË-s dhe LSDM-së – TV-SHENJA

BDI-ja nën hijen e BESË-s dhe LSDM-së

Padyshim befasia e këtyre zgjedhjeve është rezultati i Lëvizjes BESA, e cila mori 4,87 % të votave. Humbësi më i madh i zgjedhjeve është PDSH-ja, e cila në këto zgjedhje fitoi vetëm 2,61% të votave qytetare. Për Bashkimin Demokratik për Integrim kanë votuar 7,30 %, përderisa në zgjedhjet e kaluara për këtë parti kanë votuar 13,71 %.

Shkruan: Sefer TAHIRI, Shkup

Në Kuvendin e ri, për dallim nga përbërja e mëparshme, numri i karrigeve të rezervuara për bllokun politik shqiptar është ulur drastikisht. Nga 120 deputetë, 10 do të ketë Bashkimi Demokratik për Integrim, BESA do të ketë 5, Lëvizja për Reforma-PDSH do të ketë 3 deputetë dhe PDSH-ja dy mandate. Numri më i vogël i mandateve për partitë e shqiptarëve, para së gjithash, është pasojë e modelit zgjedhor, përkatësisht ndarjes joproporcionale të njësive zgjedhore. Njësia zgjedhore numër 6, në të cilën janë përqendruar shqiptarët, ka 5 % më shumë qytetarë mbi margjinën e lejuar ligjore prej 5 %.

Fitore e BDI-së – si fitorja e Piros

Për Bashkimin Demokratik për Integrim kanë votuar 86.812, përkatësisht 7,30 % votues, përderisa në zgjedhjet e kaluara për këtë parti kanë votuar 153.646 votues përkatësisht 13,71 %. Ku e ka bazën ky rezultat tejet i dobët? Para së gjithash në pjesëmarrjen e kësaj partie në pushtet dhe mospërmbushjen e premtimeve, veçanërisht në pjesën e integrimit të Maqedonisë në Bashkimin Evropian dhe në NATO, kur dihet se kjo parti e kishte integrimin si prioritet të vet, madje edhe para statusit të shqiptarëve dhe të drejtave kolektive.

Qytetarët po ashtu janë të revoltuar edhe për shkak të faktit se qeveria e VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së realizonte projekte monoetnike, siç janë “Shkupi 2014”, përderisa investimet shtetërore në komunat ku jetojnë shqiptarët janë minimale. Të gjitha këto vite, nga viti 2008 e këndej, BDI-ja u kritikua si parti që ka pasur pozicion nënshtrues ndaj VMRO-DPMNE-së dhe shpesh nga opozita, mediat dhe analistët është quajtur “parti vasale”. Teuta Arifi, e cila ka qenë gjatë nënkryetare e BDI-së, ka shkruar se “VMRO-DPMNE-ja mund ta harxhojë BDI-në, por jo edhe shqiptarët”.

Besa befasoi me formimin e grupit parlamentar

Padyshim se befasia e këtyre zgjedhjeve është rezultati i Lëvizjes BESA, e cila morri 57.927 ose 4,87 %. BESA është subjekt i ri politik në skenë, i cili është autentik dhe nuk del nga ndonjëra nga partitë tradicionale BDI dhe PDSH. Është e përbërë nga intelektualë të rinj, që 10 vitet e fundit kanë qenë të angazhuar në organizata të ndryshme joqeveritare. Krerët e BESË-s nuk e fshehin faktin se janë fetarë. Në fakt, në një spot publicitar politik të BESË-s qëndronte “Nëse beson në Zot“! Duke pasur parasysh se tek popullata shqiptare në Maqedoni, religjioni luan një rol të madh, një pjesë e qytetarëve kanë votuar për shkak të sentimentit fetar. Por, rezultatet e arritura gjithashtu komentohen si të arritura nga njerëz që nuk kanë qenë drejtpërdrejt të lidhur me skandale dhe që nuk janë të shpenzuar politikisht.

Një pjesë e votuesve janë të motivuar edhe nga dënimi i politikave të BDI-së, ngase një pjesë e anëtarësisë së BESË-s i ka takuar strukturalisht BDI-së. Por, ndaj rezultatit të mirë të BESË-s ka kontribuar edhe BDI-ja me fushatën e saj kundër kësaj partie politike, duke e akuzuar për lidhjet e saj me Turqinë dhe Katarin, por duke mos ofruar asnjë argument valid dhe kështu vetë ndoshta në mënyrë të pavetëdijshme e projektoi binomin politik të betejës në bllokun shqiptar BDI- BESA.

Padyshim se humbës i madh i zgjedhjeve është PDSH-ja, e cila në këto zgjedhje fitoi 31.017 ose 2,61%, edhe pse në zgjedhjet e kaluara kishte fituar 66.393 ose 5,92 %. Pakënaqësia e një pjese të madhe të aktivistëve të dalluar, midis të cilëve edhe e kryetarit të Komunës së Strugës, Ziadin Sela, nga mosreformimi i kësaj partie dhe formimi i partisë së re, LR-PDSH, janë faktorët kryesorë që ndikuan ndaj rezultatit tejet të dobët të PDSH-së. Në PDSH fjalën kryesore dhe të fundit e ka pasur lideri i kësaj partie, Menduh Thaçi, i cili u dorëhoq nga kreu partiak, ndërsa së shpejti kongresi i PDSH-së do ta zgjedhë kryetarin e ri të partisë, që do ta zëvendësojë Thaçin, i cili nga viti 2007 ka qenë në krye të partisë dhe nga viti 1993 ka qenë nënkryetar i PDSH-së. Thaçi u shpreh se mbetet ushtar i devotshëm i PDSH-së!

Partia e Ziadin Selës, LR PDSH, në koalicion me UNITETI-n dhe RDK-në, fitoi 35.091 ose 2,95 %, që për parti të reja është rezultat i mirë, aq më tepër që fushata e koalicionit Aleanca për Shqiptarët ishte modeste. Megjithatë, ajo ishte një risi në kuptimin e ofertës politike, ndërsa ndikoi edhe fakti që LR-PDSH-ja – si parti – dominon në Komunën e Strugës, ku edhe fitoi një deputet. Sela ka ofruar dorëheqje nga posti i kreut partiak, por në kongresin e radhës do të kërkojë edhe një mandat lideri.

LSDM depërton tek trupi votues shqiptar

Në këto zgjedhje partitë e shqiptarëve kanë fituar totalisht 210.847 vota, përderisa në zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2014 ato kanë pasur 237. 000 vota, që do të thotë se tani, edhe pse dalja është më e madhe për 5 %, ato kanë 27-847 vota më pak. Supozohet se ky kuantum i votave është transferuar në konton e LSDM-së, fenomen që ndodh për herë të parë në historinë bashkëkohore të Maqedonisë. Thuajse nuk ka vendbanim ose vendvotim në të cilin LSDM-ja nuk ka fituar vota nga shqiptarët. Në Dibër, ku shqiptarët janë shumicë dominuese, LSDM-ja ka fituar  1.170 vota, përderisa për BDI-në kanë votuar 1.015 qytetarë.

Në Tetovë, LSDM-ja ka fituar 7.700 vota, ndërsa në Gostivar 8.200. Në komunën e Bogovinës, një komunë në rajonin e Tetovës, e banuar me shqiptarë, LSDM-ja fitoi 1.044, ndërsa në Zhelinë 377 vota. Në komunën e Sarajit, që është komunë me 95 % popullatë shqiptare, LSDM-ja ka fituar 2.973 vota. LSDM-ja, për habi, ka fituar bindshëm në Haraçinë, duke marrë 2.052 vota, kundrejt BDI-së, e cila ka fituar 1.456 vota. Bëhet fjalë për lagje në rajonin e Shkupit, e cila në vitin 2001 ishte shpallur zonë e lirë nga ish organizata militare “Ushtria Çlirimtare Kombëtare”. Vota për LSDM-në është votë që i ndëshkon politikat e pushtetit, veçanërisht të BDI-së, e cila është në koalicion të përbashkët me VMRO-DPMNE-në, por është shenjë edhe e pakënaqësisë ndaj partive të reja shqiptare, të cilat nuk arritën ta ruajnë trupin votues shqiptar në mënyrë kompakte.

Një pjesë e votave të dhëna për LSDM-në është rezultat i politikave që i promovonte Zaevi, veçanërisht në pjesën e rritjes së pagave dhe uljes së tatimeve, por edhe i ofertës së tërësishme politike, e cila promovohet si mbietnike, përkatësisht qytetare.

Duke marrë për bazë këto rezultate, ka shumë gjasë që BDI-ja të mos jetë pjesë e skenarit për formimin e qeverisë me VMRO-DPMNE-në, e cila do të kishte shumicë parlamentare prej 61 deputetëve. Hyrja e partisë së Ahmetit në një qeveri të këtillë do të ishte hap politik që do t’i shkonte në dëm kësaj partie, e cila tashmë e pagoi çmimin e koalicionit pa kushtëzime me VMRO-DPMNE-në nga viti 2008 deri më sot. Megjithatë, nëse vendos për një hap të tillë, kjo do të thotë se në zgjedhjet e ardhshme lokale mund të vijë te përgjysmimi i votave të BDI-së. BESA dhe LR PDSH-ja janë deklaruar se për bashkëpunim për formimin e qeverisë me VMRO-DPMNE-në ose LSDM-në kusht i domosdoshëm është përmbushja e kërkesave të shqiptarëve, që garantojnë barazi politike, ekonomike dhe juridike midis shqiptarëve dhe maqedonasve. PDSH-ja, konkretisht lideri Thaçi, edhe pse dy deputetët e vet ia ofroi BESË-s, që të ketë pozicione më të mira në bisedimet për qeverinë e re, pas disa ditëve u bë pishman dhe përmes sekretarit të përgjithshëm, Azem Sadiki, u shpreh se dy deputetët ngelin në PDSH dhe nuk shkojnë askund. Koalicionin me LSDM-në nuk e ka përjashtuar asnjëra nga partitë shqiptare, përfshirë edhe BDI-në, e cila me LSDM-në ka qenë në koalicionin qeveritar në periudhën 2002-2006.