` . BDI, buxhetin e "Nënë Terezës" tash e kërkon me amendament! - TV SHENJA

BDI, buxhetin e “Nënë Terezës” tash e kërkon me amendament!

BDI bëhet pishman për buxhetin që kishte paraparë për Universitetin “Nënë Teresa”. Pas kronikës së Televizionit SHENJA, ku shihet se me ribalansin e buxhetit të këtij viti, Universitetit “Nënë Teresa” i shkurtohen mbi gjysmë millionë euro, deputetët e BDI-së kërkojnë që përmes Kuvendit të riparojnë dëmin që kanë bërë ministrat e kësaj partie në Qeveri.

Por, rialokimi i mjeteve të cilat me një amendament BDI kërkon të fillojë procedurën për ndërtimin e kampusit universitar, bëhet brenda UNT-së duke transferuar nga një grafë në tjetrës. Përmes një amendamenti të cilin e ka siguruar Televizioni SHENJA, BDI kërkon 5 milionë denarë apo rreth 80 mijë euro për punimin e projektit ideor për objektin e universitetit. Por, këto mjete nuk kërkohen nga buxheti qendror ose nga shpenzimet e tjera, por nga buxheti i UNT-së.

Konkretisht paratë propozohet të meren nga grafa “objekte të tjera ndërtimore” ku nga 35.000.000 do të shkurtohen në 30.000.000 denarë dhe t’i shtohen grafës “shërbime të kontraktuara”, të cilën propozojnë ta rrisin nga 9.000.000 në 14.000.000 denarë. Me këtë amendament Universiteti “Nënë Tereza” nuk fiton asgjë më shumë nga buxheti shtetëror dhe përsëri mbetet me buxhetin i cili me ribalansin e fundit mbetet për gjysmë million euro më i vogël sesa buxheti fillestar i paraparë në buxhetin për këtë vit.

Në buxhetin fillestar, për Universitetin “Nënë Tereza” ishin paraparë mbi 116 milionë denarë, ndërsa me ribalansin e fundit të Qeverisë, këtij universiteti i merren 35 milionë denarë apo 570 mijë euro. Pjesë më e madhe shkurtohen pikërisht nga mjetet që jepen nga buxheti shtetëror. Përveç ndërtimit të objektit apo kampusit universitar, shkurtimet në buxhetin e këtij viti kanë vënë në pikëpyetje edhe sigurimin e stafit akademik.

Nga 60.520.000 euro sa ishin paraparë në buxhetin fillestar për pagat e profesorëve dhe të punësuarve në Universitetin “Nëna Terezë” në Shkup, me ribalansin e propozuar tani parashihen vetëm 27.428.000 denarë. Me këtë UNT-së i hiqen rreth 33 milionë denarë apo 538 mijë euro nga buxheti i paraparë për pagat dhe kompensimet.

Arben Zeqiri /SHENJA/

BDI, buxhetin e “Nënë Terezës” tash e kërkon me… by tvshenjaofficial

Postime të Ngjajshme