` . Bashkëpunim kulturor ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi (Video) - TV-SHENJA

Bashkëpunim kulturor ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi (Video)

Ministritë e Kulturës së Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, nënshkruan program për bashkëpunim kulturor në periudhën 2019-2022. Ministri i Kulturës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Asaf Ademi tha se këto dy vende kanë një bashkëpunim të shkëlqyeshëm në planin e jashtëm politik. Ai tha se edhe gjatë viteve të kaluara janë realizuar shumë projekte dhe iniciativa mes të dyja vendeve, dhe u shpreh i bindur se ky program i ri do të ndikojë që këto lidhje të thellohen edhe më tepër në të gjitha veprimtaritë në fushën e kulturës.

Asaf Ademi, ministër i Kulturës, Republika e Maqedonisë së Veriut
“Ky dokument bilateral ndërlidhet edhe me Marrëveshjen që e kemi nënshkruar dhe ratifikuar ndërmjet të dyja qeverive dhe programin e parë për bashkëpunim në fushën e kulturës i cili kishte vlefshmëri deri në vitin 2019 dhe është një reflektim i angazhimeve tona për kultivimin dhe thellimin e relacioneve kulturore ndërmjet dy vendeve”

Ndërkaq, ministri i Kulturës i Malit të Zi, Aleksandar Bogdanoviq, tha se ka potencial të madh për bashkëpunim mes institucioneve kulturore të dy vendeve. Ai nënvizoi se në takimin bilateral janë dakorduar që në periudhën e ardhshme të bëhet afirmimi i lokacioneve arkeologjike që në periudhën e kaluar nuk kanë qenë të mbrojtura mjaftueshëm.

Aleksandar Bogdanoviç, ministër i Kulturës, Mali i Zi

“Kjo ishte një mundësi që të veçojmë edhe bashkëpunimin në fushën e trashëgimisë kulturore. Duke vlerësuar bashkëpunimin shumë të mirë në këtë sferë, jemi dakorduar që në periudhën e ardhshme edhe më shumë të afirmojmë ato lokacione arkeologjike që në periudhën e kaluar nuk kanë qenë mjaftueshëm të mbrojtura”

Të dy ministrat marrin pjesë edhe  në hapjen e ekspozitës së veshjes solemne nga fondi i Muzeut Kombëtar të Malit të Zi “Moda evropiane e oborrit malazez- reflektime”në Muzeun e Luftës Maqedonase për Pavarësi. Ajnur Bafqari /SHENJA/