` . Bashkë në qeveri, të gjithë në protesta, krejt të hutuar – TV-SHENJA

Bashkë në qeveri, të gjithë në protesta, krejt të hutuar

Përkundër asaj se përditshmëritë në Maqedoni përshkohen me ngjarje të ndryshme, në këtë kohë shkrimet dhe analizat dukshëm janë ulur. Nuk gjejnë vullnet për të shkruar a kundërshtuar. Aq shumë kanë shkruar kundër regjimit të Gruevskit, saqë tani vlerësojnë se mund të bëhen të tepërt të shkruajnë edhe kundër Zaevit, prej të cilit kishin pritur shumë

Shkruan: Iljasa Salihu, Kumanovë

Pas ardhjes së Zaevit në pushtet, fryma opozitare dukshëm filloi të gulçojë. Ata që u bënë pjesë e qeverisë filluan të sillen më ndryshe për dallim prej herëve tjera. Filluan të dëshmojnë se nuk ndihen të plotësuar në qeveri. Nuk ndihet të faktorizuar në qeveri dhe jorastësisht shumë deputetë të BDI-së i shohim të pranishëm në protestën për Almirin, vrasësi i të cilit u dënua me gjashtë vjet burg. Kryetaren e Komunës së Tetovës e shohim në protestë kundër hapjeve të godinave të bastit. Po ashtu, kryetarin e Komunës së Likovës e shohim të organizojë protestë për hapjen e pikës kufitare Llojan-Miratoc. Thjesht, këta që janë në pushtet protestojnë kundër pushtetit, pra dalin kundër vetvetes, mirëpo fare nuk po arrijnë të ndikojnë te vetja. Sigurisht për arsye se në kthetrat e pushtetit qëmoti e kanë humbur veten, ndaj nuk dinë as ku dhe te kush të ndikojnë! Megjithëkëtë, vrasësit të Almirit nuk iu rritën vitet e burgimit, godinat e basteve përkundrazi po pajisen me mjetet e nevojshme për funksionim, ndërsa pika kufitare Llojan-Miratoc vijon të mbetet e pakalueshme, mbase e parrahur si temë në qarqet e larta tëpushtetit. Tani me gjasë do të organizohet edhe ndonjë protestë për ndaljen e të rinjve që ia kanë vrullshëm mësyrë mërgimit!

Përkundër asaj se përditshmëritë në Maqedoni përshkohen me ngjarje të ndryshme, në këtë kohë shkrimet dhe analizat dukshëm janë ulur. Nuk gjejnë vullnet për të shkruar a kundërshtuar. Aq shumë kanë shkruar kundër regjimit të Gruevskit, saqë tani vlerësojnë se mund të bëhen të tepërt të shkruajnë edhe kundër Zaevit, prej të cilit kishin pritur shumë. Jo pse kishin njëmend argumente të shëndosha se në këtë qeveri do të bëhet shumë më mirë, por ishin lodhur tepër me regjimin e Gruevskit dhe, përgjithësisht, kishin ndërtuar një botëndijim se më keq s’ka si bëhet, ndaj në cilësinë e pritësve ia kishin dhënë fjalën heshtjes dhe hutimit. Fundja, heshtën ose nuk heshtën, tanimë edhe karta e alternativës është djegur. Nëse deri dje mund ta kritikoje ashpër regjimin e Gruevskit dhe bashkëpunëtorët e tij, me qëllim të përmirësimit të gjendjes shoqërore dhe shtetërore, pritjet i mbështetje diku, pra shpresoje në Zaevin si alternativë, kurse tani – për fat të keq – në horizont nuk shihet ndonjë alternativë.

Në rrjedhën e kësaj atmosferë, edhe partitë opozitare shqiptare humbën shpirtin e tyre opozitar. Pasi heshtën njëherë dhe pasi u morën me veten, duke rezultuar edhe me copëtime, tani u bënë pjesë e qeverisë. Tani vetëm ASH-ja është në opozitë, edhe ajo me përvojë disamujore në qeverinë e Zaevit. Për pasojë, nuk e ka të lehtë të përballet me këtë qeveri, prej së cilës kërkohen vendime dhe pritje të mëdha, siç janë ndryshimi i emrit dhe integrimi i vendit në NATO, si dhe fakti se kjo qeveri tashmë përbëhet prej një armate partish.

Nën ombrellën e kësaj qeverie kemi parti që u rritën, ranë dhe u themeluan në kurriz të akuzave tëndërsjella. BDI-ja, Besa (krahu i Gashit) dhe PDSH-ja tanimë janë bashkë në qeveri, fakt të cilin po ta mendoje para një viti nuk do ta besoje fare. Sidoqoftë, kjo është politikë. Por, fatkeqësisht, në saje të kësaj sintagme (kjo është politikë) nuk mbet gjëmë pa u arsyetuar. Për mendimin tim, nuk është asnjë gabim dhe mëkat që partitë politike të bëhen pjesë e pushtetit, ngaqë fundja synimi i partive politike është marrja e pushtetit, mirëpo më mundon papjekuria e krerëve të partive politike që në fillim i thonë fjalët e fundit. Akuzojnë aq rëndë, sa të krijohet përshtypja se do t’i heqin prej faqes së dheut kundërshtarët partiakë. Aq shumë i pështyjnë kundërshtarët, saqë harrojnë se një ditë do të duhet ta lëpijnë pështymën e tyre, ndërsa pështyma e tyre tashmë është shumuar me mikrobe të rrezikshme. Harrojnë se një ditë mund të bëhen bashkë dhe bashkërisht pastaj mund të bëhen gaz i botës, krejt si rrjedhojë e papjekurisë paraprake.

Meqë humbi pesha e fjalës, ajo e akuzës dhe ajo e parimeve, tanimë të gjithë janë të pavullnetshëm. Ai që gjendet në qeveri nuk është i kënaqur me pozitën e tij dhe ai që gjendet në opozitë, ndjehet i zhgënjyer dhe i tradhtuar. Mendimbërësit i vjen mërzi t’i sheshojë mendimet për arsye se ndihet i braktisur prej lexuesve, që duhet të ndikojnë në zhvillimin e jetës publike. Njeriu jonë, në përgjithësi, si asnjëherë më parë e sheh se është i mbërthyer prej hipokrizisë, ndaj askujt nuk i bëhet vonë që dështimet në qeveri t’i shoqërojë me protesta në rrugë, ndërsa gëlltitjen e fjalëve ta shoqërojë me arsyetime për proceset të mëdha që e presin vendin. Kësodore, politika do të na rrahë, ajo do të na i mjekojë dhimbjet, kurse faturën e përjetimit do ta paguajmë vet. Për më keq, dëmin dhe dobinë do ta shohim në sasi të pabarabarta, por si rrjedhojë e hutimit nuk do të dimë t’i emërtojmë rezultatet, nuk do të dimë ta themi saktësisht nëse është mirë ose nëse është keq.