` . Basha: Rama po nxit vëllavrasjen - TV-SHENJA

Basha: Rama po nxit vëllavrasjen

Kreu i PD-së Lulzim Basha, në një deklaratë më herët për mediat ka reaguar pas dhënies së masës arrest me burg për 4 nga 7 të arrestuarit në Librazhd, zyrtarë të PD, të cilët tentuan t’i bllokojnë rrugën kryeministrit Edi Rama për mbajtjen e mitingut.

Në fjalën e tij ai drejtoi akuza të rënda ndaj kryeministrit, ndërsa tha se ai po nxit vëllavrasjen.

“Protestat tona tani janë protesta të mëdha popullore, protesta të njerëzve që nuk pajtohen më me krimin dhe korrupsionin që po shkatërron jetët e njerëzve.

Kjo e ka trembur dhe e ka futur në panik Edi Ramën. Prandaj, tani ai ka vendosur të zbatojë një plan të rrezikshëm, për nxitjen e ndarjeve dhe përplasjeve sociale në Shqipëri.

Edi Rama tani po kërkon të nxisë dhunë masive në Shqipëri, ai po kërkon të nxisë përplasje mes qytetarëve, po kërkon të nxisë luftë mes militantëve të ndryshëm politikë, po kërkon të nxisë vëllavrasjen mes shqiptarëve.

Për këtë qëllim, ai po përdor policinë, prokurorinë, gjykatat dhe mercenarët e tij në media, për të krijuar ngjarje që provokojnë, që ndezin emocionet, që nxisin revoltim dhe reagime publike”, tha ai. /TCH/