` . Basha: Rama e bëri publike letrën para se të ma dërgonte - TV-SHENJA

Basha: Rama e bëri publike letrën para se të ma dërgonte

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha deklaroi sot nga selia blu se nuk e ka lexuar ende letrën publike që i ka dërguar Kryeministri Edi Rama për të dialoguar në lidhje me realizimin e reformës në drejtësi.

Basha u shpreh se duhet ta lexojë letrën, pasi Rama e ka bërë publike para se t’ia dërgojë personalisht. Kreu i demokratëve theksoi se do t’i përgjigjet Kryeministrit sot me shkrim. Basha la të hapur derën e negociatave, duke theksuar se gjithmonë është për konsensus dhe nuk refuzon  negociatat.

“Duhet tju them që duhet ta lexoj këtë letër, sepse zakoni i keq vazhdon, u bë publike para se të vinte tek unë. Nuk e mbyll kurrë derën e dialogut, jam për konsensus, por nuk mund të jetë si 2 vjet më parë. Të lexoj letrën, pastaj t’i kthej përgjigje”, tha Lulzim Basha për këtë çështje.

Kurse sa i përket refuzimit të mazhorancës për të dërguar në Gjykatën Kushtetuese mandatin e dy deputetëve Valentina Leskaj dhe Rakip Suli, kreu i PD deklaroi se Parlamenti në këtë fazë është “kriminel kushtetues”.

“Jemi këtu 50 metra larg ndërtesës së Parlamentit, ka qenë ende në shkelje të detyrës së vet kushteteuse. Parlamenti është në këto momente një kriminel kushtetues me urdhër të Edi Ramës. Pra, ka dy rrugë, të përfundojë kjo gjendje ose të kthehet në gjendjen e vet dhe t’i thuhet se është Gjykata Kushtetuese mbi ty”, u shpreh kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha.

Këto deklarata kreu i opozitës i bëri gjatë takimit me të rinjtë që u arrestuan para disa ditësh për protestën tek parku i liqenit, ku u përplasën me policinë.

 

Postime të Ngjajshme