` . Basha: Protestë më 13 maj – TV-SHENJA

Basha: Protestë më 13 maj

Zyrtarisht Partia Demokratike lajmëroi që në 7 maj nuk do të ketë protestë në Kavajë, por ajo bëri thirrje për një tjetër protestë masive që do të mbahet të shtunën e 13 majit në Tiranë.

“Në manifestimin e më të madh që Shqipëria ndonjëherë ka njohur, të forcës së vendosur paqësore, por të pathyeshme të qytetarëve shqiptarë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, për themelin e republikës së re”, deklaroi kreu i PD, Lulzim Basha.

Basha tha në fjalimin e tij në çadrën para Kryeministrisë se anulimi i zgjedhjeve në Kavajë ishte rezultat i bashkimit qytetar, sipas tij.

“Tërheqja nga Kavaja nuk është dhuratë, as lëmoshë, por tërheqje e detyruar nga refuzimi masiv i kavajasve për t’u keqpërdorur ditën e dielë dhe sprapseje e detyruar nga projektimi i bashkimit me të madh qytetar të shqiptarëve, të qytetarëve, që ishte bërë gati të marshonte drejt Kavajës, të çlironte Kavajën dhe nga Kavaja të niste çlirimin e republikës së re anembanë Shqipërisë”, deklaroi ai.

Opozita vijon të mos tërhiqet nga kushti i saj se zgjidhja vjen nga një qeveri teknike.

“Të vetmet zgjedhje që ky vend do të mbajë, do të jenë zgjedhjet e lira e të ndershme, të lira nga krimi, të lira nga droga, me një qeveri teknike, e cila do të përmbushe mandatin popullor për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha Basha. /TCH/