` . Barcelona prin për rrogat, Real është i dyti - TV-SHENJA

Barcelona prin për rrogat, Real është i dyti

Barcelona i ka bërë një start spektakolar kampionatit spanjoll të futbollit, duke fituar pesë ndeshjet e para të tij dhe duke mbajtur kreun e renditjes së La Ligas me 15 pikë. Natyrisht, kur përmend Barcelonën mendja të shkon tek rivali i saj i përjetshëm, Reali i Madridit, i cili e ka nisur mjaft dobët sezonin aktual dhe ndodhet tashmë shtatë pikë larg katalanasve. Nëse Barça ka fituar të pesë ndeshjet e luajtura, reali ka siguruar dy fitore, dy barazime dhe në një takim ka humbur, pikërisht atë ndaj Betisit mbrëmjen e së mërkurës. Shtatë pikë diferencë janë shumë, por La Liga është ende në hapat e parë dhe trajneri Zinedin Zidane beson se Reali mund të rikuperojë javë pas jave, duke e quajtur diferencën në fjalë të parëndësishme.

Por diferencat e skuadrave janë dhe në statistika, ndërsa sa i takon duelit Mesi-Ronaldo, këtë herë duket se argjentinasi jo vetëm është shumë larg, por ka shpërthyer me gola sa vështirë se i del kush përballë. Së fundmi vjen një statistikë e re dhe mjaft domethënëse për të dyja ekipet spanjolle. Pas një dominimi të hershëm e të gjatë të realit të Madridit për pagat e lojtarëve, më në fund konfirmohet se Barcelona është klubi që shpenzon më shumë për rrogat e lojtarëve, një shifër plot 507 mln euro, shifër që vlen pothuajse sa buxheti i shumë skuadrave të mëdha europiane. Reali i Madridit ka zbritur në vend të dytë, por mbetet gjithsesi afër kësaj shifre, me vetëm 8 mln euro më pak.

Të dhënat janë publikuar nga La Liga që i ka detyruar klubet të mos e kalojnë tavanin e shpenzimeve krahasuar me të ardhurat që futen në buxhet. Në fakt, ky është një kusht që nuk vlen vetëm për klubet spanjolle dhe La Ligën spanjolle, pro është një kusht që vjen nga UEFA për të gjithë klubet e vendeve anëtare. Gjithsesi, krahasuar me një sezon më parë duket se Barcelona ka arritur të kursejë një shumë të majme, pasi braziliani Nejmar që përfitonte rreth 15 mln euro në sezon tashmë është një barrë e rëndë për buxhetin e PSG. Ulje të ndjeshme kanë pësuar edhe shpenzimet e Realit të Madridit pasi në dy sezonet e fundit klubi madrilen kryesonte ndjeshëm ndaj Barcelonës.

Rritjen më të ndjeshme e ka Atletiko Madrid që mban vendin e tretë në klasifikim por kjo reflektohet edhe në rritjen e arkëtimeve nga skuadra e dytë e Madridit falë dy finaleve të UEFA Champions League dhe suksesit në La Liga gjatë vitit 2014. Plot 220 mln euro shpenzon për pagat e lojtarëve, stafit dhe gjithë detyrimet e tjera dytësore klubi bardhekuq që drejtohet nga trajneri Diego Simeone, një rritje prej rreth 60 milionë eurosh nëse krahasohet me vitin 2015. Më pas klasifikimi vazhdon me Seviljen, Valencian, Vilareal, Athletik Bilbaon, Real Betis dhe Real Sociedad. Duhet thënë se në pagat e deklaruara si shpenzime futen edhe siguracionet dhe tatimet e tjera që kërkon shteti spanjoll. Shmangia nga taksat solli këtë edicion edhe kalimin në gjyq të lojtarëve të mëdhenj si Mesi e Ronaldo, që u akuzuan se kishin shkaktuar evazion fiskal. /Agjensia e Lajmeve Sot News/

Postime të Ngjajshme