` . Ballkani i trazuar dhe shqiptarët - TV SHENJA

Ballkani i trazuar dhe shqiptarët

Shkruan: Arsim SINANI, Tetovë

Zgjedhjet presidenciale në SHBA sollën ndryshim në qeverisjen e deritanishme në vendin me më së shumti ndikim në botë. Ardhja e Trump-it ishte befasia e radhës, që demokracia amerikane po e përjeton. Bota e priti me skepticizëm ardhjen e Trump-it si president i ri i Amerikës, por në esencë demokracia dhe institucionet amerikane treguan edhe njëherë se sa i fortë është sistemi amerikan i qeverisjes. Në të vërtetë, ardhja e Trump-it dëshmoi se do të kemi përforcim të pozicioneve amerikane edhe për një arsye më shumë, pasi që u shikua me shumë dyshim ardhja e tij si president i vendit. Ndërkaq institucionet, si Senati, Kongresi e shërbimet inteligjente, dëshmuan një lidership të fuqishëm, duke treguar se mbi të gjitha Amerika do t’i ruajë vlerat e saja demokratike. Disa skeptikë, në mesin e të cilëve hyjnë rusët, sllavët dhe aleatët e tyre tradicionalë, menduan se do ta shfrytëzojnë tranzicionin e administratës amerikane dhe deshën t’i bëjnë një spin e befasi administratës së re amerikane, duke menduar se Amerika do ta ndryshojë kursin e saj në raport me ta. Në të vërtetë, deri më tani Trump-i tregoi se vendi i tij do të vazhdojë të jetë lider edhe në raport me ne dhe Ballkanin. Vizitat e fundit, që i kishin liderët e Ballkanit në Lutjet e mëngjesit në Uashington, nxorën në pah se pozicioni amerikan mbetet i palëkundur. Në fakt, Trump-i po i mban në stres të madh rusët dhe aleatët e tyre, pasi që me veprimet e fundit në Siri u tregoi se çfarë d.m.th. lidershipi amerikan. Një ditë më parë presidenti amerikan Trump ia dha dorën homologut të tij kinez, ndërsa të nesërmen – pas atyre skenave të dhimbshme në Siri – administrata e re, me sulmet ajrore, i dha një goditje të fortë Asadit. Realisht, goditja ishte edhe për politikën dhe lojërat ruse, që pësuan një të çarë të madhe, pasi që nuk e dinë se si do vazhdojë më tutje Trump-i i paparashikueshëm, por mjaft i vendosur. Realisht, goditja në Siri ishte një sinjal i një fitoreje morale të Trump-it përballë Putinit dhe politikës meskine ruse.

Po ndalem edhe pak në ndikimin rus në Europë dhe në Ballkanin Perëndimor. Europa, realisht, do të ketë vështirësi në zgjedhjet që do mbahen, pasi që Rusia do të insistojë që të influencojë me instrumentet e veta për të ndihmuar liderë që i konvenojnë asaj që të vijë në shprehje. E kam thënë edhe në një intervistë timen më parë se Europa lipset të jetë e vëmendshme, pasi që Rusisë i duhet një lidership i dobët dhe konflktuoz, që t’i realizojë synimet e saj dhe për ta bërë diversionin e duhur brenda BE-së nëpërmjet lidhjeve tradicionale nga e kaluara dhe nga ish aleatët që sot janë brenda në BE e që kanë dhënë shenja se mund t’i bien thikë pas shpine Europës. Franca është në një sfidë të këtillë, si edhe Gjermania dhe atje dhe gjetkë është jetike që të fitojnë forcat demokratike që e mbajnë anijen e Europës në ujëra të qeta dhe të sigurta, sepse kjo e paqton botën dhe ia heq ëndrrat ekspansioniste Rusisë cariste të Putinit.

 Rusia luajti me Serbinë me trenin e Vuçiqit

 Në raport me Ballkanin perëndimor Rusia luajti një lojë interesante me trenin e Vuçiqit, e cila me bekimin e Patrikanës ruse dhe mentorit ideologjik, Vlladimir Putin, e bekuan në detyrën e e presidentit serb. Në fakt, Vuçiqi luan në kartën e të moderuarit me Europën, ndërsa luan edhe me ndjenjat ruse, duke dashur ta shfrytëzojë këtë që është tipike për politikën ruse. Serbia edhe dje, edhe sot, edhe nesër, pa e pastruar terrenin e saj me të kaluarën dhe me krimet që i ka bërë në ish Jugosllavi, që filluan në Bosnjë dhe përfunduan në Kosovë, nuk është aleat i besueshëm për Perëndimin. Por, ajo që lipset të kuptohet është se Perëndimi do të jetë më mirë të investojë në shtete dhe forca të cilat gjenetikisht janë me të sesa të investojë në një Serbi e cila nuk është çliruar nga makthi i saj dhe sheh ëndrra me sy hapur. Vuçiqi, realisht, e ka shfrytëzuar me elegancë Europën dhe fondet i merr me shumë kujdes, që – për mendimin tim – është një gabim strategjik, sepse me paratë e Europës ai po e ndërton imazhin e tij si një car serb i rajonit. Europa është mirë ta kuptojë se Serbia asnjëherë nuk heq dorë nga Rusia për një të ardhme evropiane. këtë e ka dëshmuar në kontinuitet, qoftë haptazi ose fshehurazi.

Trekëndëshi Tiranë-Shkup-Prishtinë ta forcojë demokracinë

Por, le t’u kthehemi pak shqiptarëve në këto konstelacione në raport me Perëndimin (BE) dhe SHBA-të. Shqiptarët, tradicionalisht, e kanë ruajtur pozicionin e tyre në brigjet e Detit Adriatik dhe Jon, si edhe idenë e europianzmit, por deri më sot jo se e kanë marrë atë që e kanë dashur dhe nuk e kanë realizuar synimin e tyre – anëtarësimin e plotë në Bashkimin Europian. Kjo edhe për faktin se brenda BE-së ka shtete që në vazhdimësi e kanë penguar aderimin e Shqipërisë. Në një matje që e kam bërë për nevojat e mia me studentët në auditorë në Kosovë dhe Shqipëri, mbetet i lartë admirimi i të rinjve që të jenë pjesë e Europës, por nuk kemi pasur një ndjenjë të njëjtë kthyese nga BE-ja. Por, strategjikisht, BE-ja lipset ta ndryshojë kursin e saj dhe, në aleancat që po bëhen nëpër botë, do të ishte mirë që shqiptarët t’i mbajë afër vetes, për shkak se në raport me sllavët vetëm shqiptarët mund ta balancojnë dhe ta mbajnë Ballkanin të qetë dhe pa konflikte. Por, pa një Shqipëri të fortë dhe një Kosovë e cila do të hapëronte drejt Perëndimit, do të jetë vështirë që të vendoset një paqe e qëndrueshme në Ballkanin perëndimor, sepse Serbia në trajektoren nga Republika Sërbska, Mitrovica, FYROM e deri në Luginën e Preshevës, e përdor shpesh efektin domino për ta mbajtur situatën të tendosur dhe konfliktuoze. Edhe në rastin e FYROM-it shqiptarët me këmbëngulje e kanë mbajtur kursin e tyre pro Perëndimit. Edhe me rastin e Malit të Zi shqiptarët i ndihmuan malazezët që të shpëtojnë nga tutela serbe, që flet më së miri se shqiptarët kanë treguar dashamirësi me Perëndimin. Por, kjo lipset të kuptohet nga Perëndimi dhe aleanca me shqiptarët të forcohet me projekte dhe investime kapitale. Shpresoj që kjo mos të kuptohet si romantike, por si një vlerë që shqiptarët e ndjejnë se janë europianë të regjur. Por, edhe lidershipi shqiptar ka nevojë, si ai në pozitë ashtu edhe ai në opozitë – në linjën Tiranë-Shkup-Prishtinë, që ta forcojë demokracinë, t’i forcojë institucionet, ta luftojë korrupsionin, të jetë i vëmendshëm për rolin e tyre në këtë proces gjeostragjik për veten dhe të ardhmen e shqiptarëve. Ata duhet t’i lënë inatet në shtëpi dhe të luftojnë fuqishëm në institucione që ta zhvillojnë mirëqenien dhe të ardhmen e qytetarëve.

Pozicionim i qartë i shqiptarëve në linjën SHBA-BE-Turqi bashkë me Britaninë

 Në planin global po rikonfigurohen forcat dhe kjo është më se e qartë, pasi që kemi një Gjermani të fortë, një Turqi të fortë, një Amerikë që po rikthehet dhe një Rusi, që po ashtu po e shtrin influencën e saj. Rikompozimi i Ballkanit perëndimor varet nga këta faktorë se si ata e duan Ballkanin dhe si do t’i shtrijnë influencat e tyre dhe çka  duan në lojërat e mëdha gjeopolitike. Por, roli I shqiptarëve në këtë rikompozim do jetë i qartë në linjën: SHBA-BE-Turqi bashkë me Britaninë e Madhe si faktorë te të cilët shqiptarët i shohin aleatët e tyre në politikën e madhe dhe, në këtë vijë, shqiptarët pikësëpari do të luajnë duke i përforcuar pozicionet e tyre. Edhe në aspektin rajonal shqiptarët mbeten qartë me idenë e europianizimit të Ballkanit, por me një faktor shqiptar në të, duke e ruajtur miqësinë me sllovenët, kroatët, bullgarët, malazezët dhe boshnjakët.

Se sa do kuptohen shqiptarët në rajon, kjo mbetet të shihet. Dëshira e shqiptarëve mbetet e njëjtë – ne jemi në anije me aleatët tanë, të cilët nuk është keq të investojnë më shumë në demokracinë dhe në zhvillim tonë, sepse as dje, as nesër, ne nuk ndryshojmë qëndrime dhe mbetemi këmbëngulës në pozicionet tona me Perëndimin, si në brigjet e detit Adriatik e detit Jon. Ballkanin e trazuar e qetësojnë vetëm detarët e mirë, që dinë të lundrojnë mirë në ujërat e deteve, dhe që dinë t’i ndalojnë stuhitë që vijnë nga popuj grabitqarë.

Postime të Ngjajshme