` . Ballkani, çrregullimi i ri i shekullit – TV-SHENJA

Ballkani, çrregullimi i ri i shekullit

73 vjet qëkur LDB-ja mori fund, asgjë nuk përjashtohet që Ballkani të çrregullohet përsëri. Le të fillojmë me dekadën e parë të shekullit të kaluar, kur fuqia e Anglisë dhe e Francës po merrte fund, ndërsa një forcë tjetër në ngritje – SHBA-të, po përgatitej të hynte në marrëdhëniet ndërkombëtare si lidere e re e botës perëndimore dhe e liberalizmit.

Ballkani në atë kohë, ashtu si sot, ishte i papërgatitur për t’u transformuar dhe konfliktet etnike shpërthyen pothuajse pak para largimit të Perandorisë Osmane.

Shkruan: Selim IBRAIMI, Tetovë

Në qershor të vitit 1914 Archduke Franz Ferdinand-i u vra nga atentatori serbo boshnjak Gavrillo Principi. Kriza boshnjake e viteve 1908-1909 ishte pararendëse e ngjarjeve në Ballkan, që u shpërndanë më vonë me atentatin e Franz Ferdinand-it në Sarajevë dhe, në fund, shpërthyen me krizën ballkanike dhe luftërat në hapësirën e ndarë nga Austro-Hungaria, Perandoria Osmane dhe Lidhja Ballkanike. Në këtë kuptim të krizës boshnjake, duhet të analizohet edhe brendia e kontekstit të njëjtë, që më vonë atentati do ta shkaktonte Luftën e Parë Botërore (LPB) dhe do të krijonte rrethana për Luftën e Dytë Botërore (LDB). Këtu u krijua rendi i ri botëror dhe, pa përjashtim, edhe ai ballkanik.

73 vjet qëkur LDB-ja mori fund, asgjë nuk përjashtohet që Ballkani të çrregullohet përsëri. Le të fillojmë me dekadën e parë të shekullit të kaluar, kur fuqia e Anglisë dhe e Francës po merrte fund, ndërsa një forcë tjetër në ngritje – SHBA-të, po përgatitej të hynte në marrëdhëniet ndërkombëtare si lidere e re e botës perëndimore dhe e liberalizmit.

Ballkani në atë kohë, ashtu si sot, ishte i papërgatitur për t’u transformuar dhe konfliktet etnike shpërthyen pothuajse pak para largimit të Perandorisë Osmane nga Gadishulli Ballkanik.

Dobësimi i Perandorisë Osmane në Rumeli në vitin 1912 u dha shkas forcave nacionaliste dhe shoviniste në Ballkan që të fillonin luftërat ballkanike e që, në thelb, nuk ishin aq shumë kundër forcave osmane, sesa luftës për territore të reja në vilajetet shqiptare dhe daljen në Adriatik, me çka do t’i sigurohej një mbështetje strategjike Rusisë Cariste në ujërat e ngrohta të Mesdheut.

Paradigma e kufijve dhe shtetet homogjene

Në një botë të rivaliteteve në rritje dhe të konkurrencës, detyra e të gjithë aktorëve është të parandalohet që Europa të bëhet një Ballkan i ri i ndarë dhe gjithnjë e më i rrezikshëm për të ardhmen e Ballkanit.

Bosnja dhe Hercegovina është në prag të një krize të re politike, ndërsa – siç dihet – kandidati ultra-nacionalist serb kundër Europës, kundër NATO-s dhe pro-rus, Milorad Dodik, do ta marrë së shpejti presidencën e Bosnjës. Në fillim të tetorit më shumë se tre milionë e gjysmë boshnjakë votuan në zgjedhjet presidenciale. Që nga viti 1995 Bosnja ka pasur një sistem presidencial trepalësh dhe mjaft kompleks, në të cilin kandidatët nga secili grup etnik ulen në mënyrë të përsëritur në presidencë.

Marrëveshja e Dejtonit e ndau, për fat të keq, Bosnjën në dy pjesë: “Republika Serbe” me 49 për qind të territorit dhe “Federatën e Bosnjës” me 51 për qind, duke e kombinuar më së shumti popullatën muslimane dhe kroate.

Sipas regjistrimit të vitit 2013, popullsia e “Republikës Serbe” përbëhet nga 81.5 për qind serbë etnikë, 13.9 për qind boshnjakë muslimanë dhe 2.4 për qind kroatë etnikë. Federata e Bosnjës nga ana tjetër, ka 70.4 për qind boshnjakë muslimanë, 22.4 për qind kroatë etnikë dhe 2.5 për qind serbë etnikë. Për shkak të natyrës së tij të kontestuar, “Marrëveshja e Dejtonit” e vitit 1995 e la mënjanë Bërçkon, një lagje kinse neutrale e vetëqeverisëse në veri të Bosnjës, e cili sipas rezultateve të regjistrimit të fundit ka 42.3 për qind boshnjakë muslimanë, 34.6 për qind serbë etnikë dhe 20.7 për qind të kroatëve etnikë.  Ky është me të vërtetë një lëmsh i Bosnjës, aq më shumë kur ia shtojmë këtu edhe pakicat e tjera etnike, që janë vënë në lojë nga vendet fqinje, si nga Kroacia dhe Serbia.

Në lojën boshnjake me nxitje të reja ndëretnike është përfshirë vetë Ministria e Jashtme e Federatës Ruse, e cila është e interesuar të përzihet në mosmarrëveshjet e Sarajevës. Ndërkaq, Bashkimi Europian (BE), në një farë shkalle, e ka harruar Sarajevën, duke e futur në një bllok me Kosovën, ku pasiguria dhe ekstremizmi politik është rritur. Matthew Palmer, diplomat i Departamenti i Shtetit (DASH) nga Beogradi paralajmëroi për rritjen e tensioneve në Bosnjë dhe influencën ruse. BE-ja nuk ka strategji për Bosnjën dhe është duke e përkëdhelur nacionalistin Dodik, duke ia lëshuar terrenin e propagandës shoviniste serbe dhe ruse.

E, SHBA-të, si një ndër garantuesit e “Marrëveshjes së Dejtonit”, janë të zënë me punë më të rëndësishme në Lindjen e Mesme dhe Azi, andaj Ballkani ka mbetur nën kompetencat e nënsekretarëve të DASH-it dhe ambasadorëve të akredituar në rajon.

Ndikimi i Fuqive të Mëdha në rritjen e nacionalizmit në Ballkan

Dodiku, Mickovski dhe etno-nacionalistë të tjerë kanë përfituar nga rritja e ekstremit të djathtë në pjesën tjetër të Europës. Në një situatë të tillë si Bosnja, Kosova dhe Maqedonia, ku etnia është kategoria e parë në dispozicion e besnikërisë politike dhe kombit, kjo gjuhë ka pasur apel dhe vend edhe më të madh viteve të fundit dhe është bërë mjet lufte nga Rusia dhe organizatat që shpërndajnë propagandë.

Për ta luftuar këtë fushatë të propagandës janë ndarë mjete të shumta nga BE-ja dhe SHBA-ja, po realiteti ndëretnik në këto shtete është përkeqësuar sidomos në Maqedoni dhe në Bosnjë, ku lajmet e rreme po e bëjnë politikën e qeverive kombëtare.

Në Maqedoni parlamenti i ka filluar ndryshimet kushtetuese pas sigurimit të 80 deputetëve dhe “Marrëveshja e Prespës” pritet të implementohet. Megjithatë, shqiptarët e Maqedonisë kanë disa dilema. Ata nuk janë thjesht një pakicë, ashtu siç i paraqet Kushtetuta e Maqedonisë dhe politika e jashtme e shtetit, por ata janë një etni autoktone me kompaktësi gjuhësore dhe kulturore. Ata duhet të trajtohen si komb, por shteti duhet të bëjë një rrugë të gjatë për të arritur këtë dhe për këtë gjë qeveria nuk është e gatshme.

Emri i ri i Maqedonisë i ka thelluar ndasitë brendamaqedonase dhe, në një farë shkalle, edhe ato shqiptare, për shkak se “Marrëveshja e Prespës” në proces afatmesëm nuk është garantuese e identitetit shqiptar, por i vendos themelet e shtetit etnik maqedonas. Përderisa Europa dhe SHBA-ja e kundërshtojnë formimin e shteteve homogjene etnike në Ballkan, në Maqedoni po vendosen bazat një etnike shtetërore.

Demokracia e re e Maqedonisë nuk po jep rezultate dhe ka prodhuar një klasë politike korruptive maqedonase dhe shqiptare që e ka fundosur të ardhmen e dy etnive. Maqedonia ka gjasa të përfundojë në një shtet me indekse të ulëta të qeverisjes së mirë dhe korrupsionit të lartë, duke mos harruar edhe shkeljen e të drejtave të njeriut. A kemi ndonjë zgjidhje tjetër?

Një intervenim i jashtëm ndërkombëtar, qoftë edhe vënia në një administrim ndërkombëtar i Maqedonisë, do të shkonte në favor të kohezionit të brendshëm ndëretnik, pasi asnjë qeveri nuk ka arritur të krijojë një shoqëri për të gjithë ose shtet multietnik.

Qeveria e Maqedonisë, e dominuar nga maqedonasit etnikë, nuk është e interesuar që t’i ndajë burimet kombëtare me shqiptarët. Në të ardhmen kjo qasje mund t’i detyrojë shqiptarët të kërkojnë rrugë alternative dhe ky frymëzim i ri mund të lindë duke qenë Maqedonia anëtare apo jo e NATO-s.

Koha për ndryshime është tani dhe domosdoshmëria e një vështrimi më realist nga perëndimorët se si duhet të funksionojë Maqedonia si shoqëri demokratike dhe të barabartë për të gjitha etnitë.

Kosova, me hapjen e debatit për kufijtë, ka shkaktuar një reagim të fuqishëm ndërkombëtar dhe rajonal. Pozicioni i saj aktualisht është i palakmueshëm që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008. Bllokada serbe në veri e ka paaftësuar Prishtinën që ta ushtrojë sovranitetin në veri dhe njohjet ndërkombëtare janë reduktuar, duke e vënë në shenjë diplomacinë e paaftë dhe joefektive të qeverisë së Kosovës për të siguruar më shumë njohje ndërkombëtare.

Kosova, me ushtri të fortë kombëtare, do të ishte një faktor stabiliteti në Gadishull dhe në rast të ndonjë plani qeveritar për marrjen e veriut nën kontroll të plotë, ushtria kosovare do të ishte e para e cila do të intervenonte në veri, njëjtë siç e bënë kroatët kur i rimorën territoret e humbura nga serbët.

Për sa i përket shkëmbimeve territoriale, në një gjendje të tillë, as Maqedonia dhe as Kosova nuk do të dilnin fituese në qoftë se shkalla e tretë e ndryshimeve kufitare do të zgjonte interes te shqiptarët e Maqedonisë për shkëputje nga qeveria qendrore e Shkupit dhe për shpallje të autonomisë politike-territoriale.

Marrë në përgjithësi, Shqipëria dhe Serbia pa dashur do të hynin në këtë garë të re dhe ë një pazar që do t’i ngjasonte shekullit XX.

Prapësprapë, të gjitha këto lëvizje, në shkallë të vogël ose të gjerë, nuk do të mund të ecin në rast se Fuqitë e Mëdha nuk pajtohen rreth sferave të tyre të interesit. Sipas dinamikës globale, faza që kemi para është krijimi i shteteve me hapësira të reja e të përshtatshme për rritje ekonomike kombëtare.

Koncepti i “Lebensraum”-it, nëse vjen në shprehje në Ballkan, do të ishte i mirëseardhur për popujt e Ballkanit Perëndimor, që dëshirojnë shtete të pastra homogjene dhe një etnike. Me kthimin e gjeopolitikës së energjisë dhe sferave të interesit në mes SHBA-ve, Rusisë dhe Kinës në Ballkan/Europën Qendrore, strategjia kineze ”One Belt One Road” i bën shtetet e Ballkanit ende më të ekspozuara ndaj rivaliteteve. Ndërsa gara për armatim është një tjetër indikator se rajoni është duke u çrregulluar nga ndërhyrjet e jashtme.

Fundi i Gadishullit të dikurshëm Ilirik, Ballkanit të sotëm, është i destinuar të funksionojë në vijat historike dhe këtu druaj se Fuqitë e Mëdha do t’i ndihmojnë shtetet e Ballkanit që kanë rol kryesor e ku ato mund t’i shfrytëzojnë si shtete vasale për interesat e përfitimet e tyre shtetërore.

Të gjitha shtetet e Ballkanit, duke përfshirë Bashkimin Europian, bëjnë pjesë në “Rimland” – një koncept gjeopolitik shumë më i rëndësishëm se sa “Heartlandi” – pasi shtetet buzë bregdetit ose pozicioni gjeografik gjithherë ka qenë faktor dominues për perandoritë dhe shtetet e fuqishme, që t’i influencojnë vendet dhe principatat me kapacitete më të dobëta.

E këtu, që nga epoka klasike e deri në Mesjetë, do të përmendja fenikasit, romakët, bizantinët, kalifatin Rashidun dhe, së fundi, Perandorinë Osmane, që kryesisht ishin fuqi perandorake bregdetare e me cilësi që kishin efekte te popujt fqinjë ose etnitë që ishin në zotimet e tyre juridike.

Andaj, pasi historia, tregtia dhe gjeografia kombinohen njëra me tjetrën dhe sigurojnë mirëqenie për kombet, do të theksoja se rezervat, linjat e transportit dhe konceptet ideologjike do ta definojnë shkallën jo vetëm të ndryshimeve kufitare në Ballkan, por edhe të çrregullimit që do të pasohet me themelimin e shteteve me territore më të mëdha gjeografike e më lehtë të menaxhueshme nga Fuqitë e Mëdha.

Viruset e tjera, si ekstremizmi etnik dhe irredentizmi, duke mos i harruar edhe aktorët malinj, do të ndikojnë gjithashtu në tiparet gjeografike të shteteve sesa thellë do të preken kombet e Ballkanit nga konfliktet e shekullit.