` . Ballafaqim sociologjik: Giddens dhe Bourdieu – TV-SHENJA

Ballafaqim sociologjik: Giddens dhe Bourdieu

Shkruan: Ali PAJAZITI, Shkup

Vepra e sociologut kosovar të brezit të ri, Ardian Gola, Përtej subjektivizmit dhe objektivizmit: Giddens dhe Bourdieu, komparativisht trajton koncepcionet kritike të dy sociologëve të mëdhenj përkitazi me dualizmin sociologjik, të ankoruar në perspektivat subjektiviste dhe objektiviste të teorive sociale. Studimi në fjalë trajton një tematikë relevante, origjinale, të palëvruar fare ndër shqiptarë, pra është diçka e re për sociologjinë tonë, si një disiplinë moderne, që mund të ndihmojë jashtëzakonisht shumë në krijimin e një shoqërie të shëndoshë, racionale dhe funksionale në një botë ikëse (runaway world).

Autori në të fokuson sintezat më të mëdha teorike post-parsonsiane, ngjashmëritë dhe dallimet e pikëpamjeve teorike të dy ikonave sociologjike, si Giddens dhe Bourdieu, merret me dualizmin ortodoks në sociologji: individi si agjent dhe shoqëria si strukturë, agjenci – strukturë, individ – shoqëri, me ontologjinë e agjentit dhe me atë të relacionit, me sociologjinë si zgjeruese e margjinave të lirisë (f. 124). Është për t’u theksuar fakti se autori ka arritur të na ofrojë një tablo komparative të këtyre dy sociologëve, ndonëse gjuha e tyre është thellësisht filozofike, tejet abstrakte dhe ezoterike, gjithnjë duke theksuar se Giddens-i mbetet më afër traditës subjektiviste, ndërsa Bourdieu më shumë në pozicione objektiviste.

 Pjesa e parë merret me Giddens-in. Në të Gola shpalos të vërtetën se tradita subjektiviste e ka nënvizuar veprimin njerëzor dhe rëndësinë që ka në konstituimin e marrëdhënieve shoqërore, ndërsa tradita objektiviste – qëndrimin për rolin e strukturave në aksionet njerëzore. Agjenti ose aktori është edhe krijues i sistemeve shoqërore dhe, njëkohësisht, krijohet nga ato, struktura konstituohet përmes veprimit dhe veprimi nga struktura. Shembull për këtë është institucioni që themelohet nga njerëzit, që më pas ndikon në sjelljen e tyre. Ndërkohë, shenjon se duhet shmangur teorive deterministe, ku individët kundrohen si “automatë uniformë”, që nuk e kanë lirinë e tyre të veprimit, që gjallërojnë në hapësirat e (jo)lirisë. Vërtet, para shekullit XVI njeriu nuk ka ekzistuar, nuk është shkëputur prej identifikimeve kolektive (si etnia, statusi, raca, klasa), ka qenë pjesë e komuniteteve, kurse që prej asaj date e këndej ai, para së gjithash, është individ, agjent i ndryshimit social, potencial në procesin e riprodhimit social, vetja vepruese ose personi. Praxisi, dija dhe aftësia (kapaciteti për vendimmarrje), janë tre faktorët krucialë drejt bërjes së diferencës ose riprodhimit të sistemit shoqëror dhe strukturës. Autori, në këtë drejtim, e thekson rëndësinë e sjelljes intencionale, përkundër rutinës dhe shprehive (traditës), duke pohuar se ritualizimi e mundëson shpërbërjen e intencionalitetit të veprimit në trajtat e mekanizuara të rutinës shoqërore. Autori, në vazhdim, zbërthen këndvështrimin giddensian, ku agjenti na paraqitet si subjekt i dijshëm (knowledgeable), refleksiv(reflexive), qëllimor (purposive) dhe i lirë. Teksti i këtij kapitulli përfshin reflektime edhe për modelin stratifikativ të veprimit, monitorimin refleksiv, agjentin qëllimor (purposive agent) dhe racionalizimin e veprimit.

 Pjesa e dytë e trajton Bourdie-në, që ndonëse e konsideronte veten herë si filozof herë si etnolog (nën ndikimin e Lévi-Strauss-it), me shkëputjen përfundimtare nga presupozimet fundamentale të strukturalizmit, i kthehet sociologjisë ose – siç i thotë ai – “topologjisë shoqërore” (f. 68), strukturalizmit konstruktivit, përkatësisht konstruktivizmit strukturalist. Në këtë kapitull autori e analizon habitusin e përbërë nga vlerat dhe historia kulturore e agjentit, si art të zbulimit, si rezultat të përvojave shoqërore të individit, hexisin trupor, doxën (besimet shoqërore, që s’kanë nevojë për sqarime diskursive), iluzionin dhe dhunën simbolike, luftën simbolike, fushën si strukturë dinamike, kapitalin social, kulturor dhe simbolik. Aty shqyrtohet edhe praktika shoqërore, që ka rol qendror në konstituimin e botës, subjekti që në praktikën shoqërore është bërës i botës, aq sa është edhe i bërë nga ajo. Sipas Bourdie-së, shoqëria ekziston si botë objektive dhe si botë e individuizuar në mendjen njerëzore, kurse bota shoqërore është një fushë ku lufta për përvetësimin e të mirave materiale, qofshin ato ekonomike, kulturore etj., është njëkohësisht edhe luftë simbolike për përvetësimin e shenjave të caktuara, përmes të cilave sigurohet dallimi (distinction) shoqëror.

 Pjesa e tretë, në të cilin pretendohet vitaliteti më i madh dhe origjinalitet-kreativiteti i kësaj teze, vatërzon pikëprerjet teorike të Giddens-it dhe Bourdie-së, manovrat dhe akrobacionet e shumta gjuhësore të tyre, vë theksin mbi dikotominë false të ndarjes së botës në objekt-subjekt, shqyrton format e organizimit tradicional dhe modern shoqëror, duke potencuar se Bourdieu i analizon edhe ato joperëndimore (Algjeria), kurse Giddens-i mbetet i fokusuar te moderniteti oksidental. Më tej, shprehur me fjalët e Bourdie-së, “me rigorozitet intelektual” analizon refleksivitetin, si atribut i veprimit të agjentit modern, i këndellur në saje të liberalizimit modern, globalizimit bashkëkohor dhe hapjes digjitale të botës, eksploron të pavetëdijshmen dhe gjuhën, lirinë dhe praktikën e agjentit social, ndryshmin shoqëror, stokun e dijes (Schütz) ose dijen e përbashkët (mutual knowledge), projektin e perënduar të sociologjisë pozitiviste, sociologjinë si xhudo simbolike ose art marcial (f. 126), si hermeneutikë e dyfishtë dhe horizontet e një sociologjie post-pozitiviste. Në këtë pjesë globalizimi ndërlidhet me botën e decentruar digjitale, me mundësitë më të mëdha të qarkullimeve ndërkulturore, që e dobësojnë homogjenitetin kulturor dhe shpien në një mjedis plural dhe diversiv, me gjuhën si mjet të dominimit ose si vegël ideologjike etj.

Dhe, në fund, gjendet pjesa e përfundimeve, ku autori shprehet se te dy sociologët në fjalë ka depërtime të jashtëzakonsh meteorike për prodhimin e një morie konceptesh empirikisht të aplikueshme, se dualizmi ortodoks agjencia-struktura nuk është ontologjik, por ndryshore metodologjike (f. 194). Ai tregon se modernizmi i nxit aktorët socialë të reflektojnë racionalisht mbi veprimet e veta, rrëfen se sociologjia e Giddens-it është subjektiviste, mbetet në nivel filozofik dhe abstrakt, bazohet në arsyen aprioristike, tejpërvojore dhe transcendentale, kurse ajo e Bourdie-së është e formave të veçanta shoqërore dhe mundohet t’i kuptojë rastet konkrete empirike, prioretizon përvojën dhe praktikën shoqërore.

Gola, perspektivën e vet, e ka mbindërtuar në bazë të literaturës së begatë në gjuhë të ndryshme, të njohurive specifike të fushës së vet dhe të metodologjisë shkencore në përgjithësi. Libri është një tekst miqësor për lexuesin (reader-friendly text) me qasjen e përgjegjësisë autoriale (writer-responsible). Autori, në këtë, punim na del edhe me formulime dhe shqipërime sociologjike të reja, siç është ai strategjizim dhe shumë të tjera, që duhet të gjejnë shtrat në kulturën sociologjike shqiptare. Shkenca nuk bëhet vetëm për shkencë, ajo bëhet për benefit social. Andaj kujtojmë që ky punim do t’u hyjë në punë profileve të shumta, nga kolegët sociologë, por edhe filozofëve, antropologëve, kulturologëve, mësimdhënësve të shkencave sociale, doktorantëve të tjerë në këtë lëmë e më gjerë në shkencat sociale-humanitare etj. Produktet shkencore janë mundësi për destabilizim të rutinave shoqërore. Të shpresojmë që kjo vepër ta trazojë sociologjinë shqiptare nga rutina që e ka mbërthyer fort, të shndërrohet në një diskurs që e bën botën një instrument të riprodhimit social (f. 129), që do “të gjenerojë” kuadro, të cilët – duke e lexuar të tashmen – do ta paranjohin të ardhmen, që do të prodhojnë dije konstruktive larg nga siguritë dogmatike/doksike dhe fanatizmi scientist, larg nga arroganca shkencore dhe totalitarizmi politik, gjithnjë në frymën inxhinerungut diskursiv, që vazhdimisht e reformon raportin e njerëzve me shoqërinë.