` . Me “Badinter” më pak diskriminim, më shumë drejtësi - TV-SHENJA

Me “Badinter” më pak diskriminim, më shumë drejtësi

Viti 2020 shënon fillimin e një dekade të re, ndërsa është edhe vit zgjedhor. Partitë shqiptare duhet që në programet e tyre të parashohin mekanizma mbrojtës në gjyqësor, me të cilët do t’u jepet fund dyshimeve të shqiptarëve ndaj gjyqësorit të Maqedonisë së Veriut.

Shkruan: Rilind DAUTI, Shkup

Gjendja me të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni ka pësuar proces të evoluimit kryesisht për të mirë, përveç periudhës prej vitit 1986 kur në skenën politike të Republikës Socialiste të Serbisë erdhi antishqiptari Sllobodan Millosheviq dhe, njëjtë si Serbia, edhe RS e Maqedonisë ndërmori masa kundër “nacionalizmit shqiptar” në Jugosllavi. Edhe pas shpalljes së pavarësisë në vitin 1991 nga ish-shteti i dominuar nga serbët, vazhdoi qasja antishqiptare e Maqedonisë. Fillimisht, me kushtetutën e re iu mor shqiptarëve statusi i popullit shtetformues, të cilin ia kishte dhënë kushtetuta republikane e vitit 1974. Rezistenca e ashpër e politikanëve maqedonas kundrejt çfarëdo kërkese të shqiptarëve çoi deri te konflikti i 2001-shit, që u përmbyll me nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit. Pas konfliktit, ndodhi një përparim i dukshëm në statusin kushtetues-juridik dhe gjendjen e shqiptarëve të Maqedonisë. U legalizua Universiteti i Tetovës (ndërsa së fundi u themelua edhe një universitet tjetër publik në gjuhën shqipe: “Nënë Tereza”), shqiptarët nisën masovikisht të punësohen në administratën publike, u mundësia edhe përdorimi më i shpeshtë i gjuhës shqipe…

Por, përkundër gjithë këtyre avancimeve, prapëseprapë mbetën edhe mangësi serioze. Këto shihen më së shumti nga shpërndarja e padrejtë e buxhetit të shtetit dhe gjyqësia e padrejtë.

Gjyqësia në Maqedoninë e Veriut, edhe pa reperkusionet ndaj shqiptarëve, ka mangësi serioze, si: zgjedhja e gjykatësve dhe prokurorëve me ndikime partiake, përdorimi i tepruar ose jokonsekuent i paraburgimit, zhagitja e rasteve në mënyrë që të vjetrohet lënda e kështu me radhë. Por, nga gjyqësia siç është tani, më së shumti vuajnë shqiptarët. (Ndoshta vuajnë edhe komunitetet tjera më të vogla, por siç e kanë ata zakon, nuk i kam dëgjuar të ankohen.)

Diskriminimi që e vuajnë shqiptarët nga gjyqësia reflektohet në tri mënyra kryesore: 1. dënimi i shqiptarëve me argumente të dyshimta; 2. caktimi i dënimeve më të larta për shqiptarët krahasuar me raste të ngjashme ku i dënuari është maqedonas; dhe 3. mosdënimi i brutalitetit policor.

Arsyet pse ndodhin padrejtësi në sferën e ekonomisë dhe gjyqësisë është se për vendimmarrjet në këto sfera nuk parashihet parimi i Badinterit (votimi i dyfishtë) ose çfarëdo mekanizmi tjetër mbrojtës dhe kjo përbën njërën nga mangësitë më të mëdha të Marrëveshjes së Ohrit.

Si zgjidhje të problemit me padrejtësitë ndaj shqiptarëve në gjyqësi disa politikanë e shohin përsëritjen në RMV të procedurës, e cila bëri bujë të madhe në Shqipëri – “vetingun”. Edhe pse kjo procedurë do të sillte dobi, nuk do të mundte ta zgjidhë problemin me padrejtësitë që u bëhen shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut nga gjyqësori. (Plus që vetingu nuk e ka mbështetjen e faktorit ndërkombëtar, madje euro-ambasadori Zhbogar doli haptas kundër tij.)

Por, çka do të mund ta zgjidhte problemin me dënimin e shqiptarëve pa fakte të mjaftueshme? Zgjidhja do të ishte aplikimi i vendimmarrjes konsensuale edhe në gjyqësi, në veçanti kur i akuzuari është etnikisht shqiptar. Por, si do të dukej kjo në praktikë? Kjo reformë do të mund të përcillej edhe me një reformë tjetër: gjykimin me porotë të përbërë nga qytetarë të thjeshtë. Në rastet kur i akuzuari është etnikisht shqiptar, nga 12 anëtarë të porotës medoemos në përbërje të saj do të duhet të ketë edhe qytetarë të RMV-së që janë etnikisht shqiptarë.

Një princip i këtillë ka precedent shumëshekullor. Në Anglinë mesjetare hebrenjtë në mënyrë rutinore ishin objekt diskriminimi nga gjyqi. Kjo çoi deri te një reformë, sipas së cilës nëse i akuzuari ishte hebre, atëherë 6 nga 12 anëtarë të porotës po ashtu duhej të ishin hebrenj. Këtë princip e sollën edhe në Amerikë kolonistët e hershëm, që në rastet kur i akuzuari ishte amerikan vendas (“indian”), gjysma e porotës nevojitej të përbëhet po ashtu nga amerikanët vendas (Jennifer McNulty, 2003).

Kjo na sjell te pyetja e radhës: në raste kur i akuzuari është shqiptar, sa anëtarë të porotës duhet të jenë shqiptarë?

Në rastet që u përmendën më lart, principi ishte “gjysma e porotës anëtarë të komunitetit që i takon pala mbrojtëse dhe gjysma tjetër anëtarë të komunitetit shumicë dhe komuniteteve të tjera”. Por, ekzistojnë edhe modele tjera: modeli i përfaqësimit proporcional në porotë aq sa është përqindja e një komuniteti në popullsinë e përgjithshme, aq do të jetë edhe në porotë; modeli me tre anëtarë, sepse sipas sociologëve mjaftojnë tre anëtarë të një komuniteti joshumicë në porotë, në mënyrë që t’i rezistojnë presionit të shumicës në vendimmarrje (Jennifer McNulty, 2003). Të dyja këto modele do të jepnin rezultate të ngjashme te rasti i shqiptarëve: 3 deri 4 anëtarë shqiptarë të porotës. Por, cilindo model që ta zgjedhim, prania e anëtarëve shqiptarë në porotë do të ishte më se e domosdoshme.

Përveç pengimit të dënimit të shqiptarëve pa fakte të mjaftueshme, porotën multietnike mund ta përdorim për ta penguar edhe formën e dytë të diskriminimit të shqiptarëve në gjyqësi: standardin e dyfishtë në lartësinë e dënimeve. Praktika e së drejtës e njeh të drejtën e porotës jo vetëm që të vendosë për fajësinë e të akuzuarit, por edhe për lartësinë e dënimit të të dënuarit. Këtë princip mund ta sjellim edhe në Maqedoninë e Veriut.

Por, diskriminimi ndaj shqiptarëve në gjyqësi nuk ndodhë vetëm kur i akuzuari është shqiptar, por edhe kur pala e dëmtuar është shqiptare. Kjo, së fundi, u pa në rastin e vrasjes së katërvjeçarit Almir Aliu nga serbi BobanIliq, i cili, në vend se për vrasje, u dënua me akuzën “vepër e rëndë kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion”. Prandaj, vendimmarrja konsensuale në gjyqësi do të duhet të aplikohet edhe kur pala e dëmtuar është e shqiptare.

Nëse gjykimi me porotë shihet si shumë i vështirë për t’u aplikuar në Maqedoninë e Veriut, prapëseprapë nuk guxon të heqim dorë nga përpjekja për vendimmarrje konsensuale në gjyqësi. Juristët le të propozojnë edhe forma tjera (p.sh. panel multietnik të gjykatësve), por pa multietnicitet në vendimet gjyqësore nuk guxon të vazhdohet më tej! Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut nuk mund të bazohen te shpresa që gjykatësi etnikisht maqedonas do të jetë i paanshëm, sepse përvoja e ka dëshmuar që ata shpeshherë nuk janë të tillë! Për më tepër, ka shtete shumë më të drejta se Maqedonia e Veriut, por ku prapëseprapë komuniteteve joshumicë u bëhen padrejtësi. Në SHBA, bie fjala, zezakët jo vetëm që janë të mbipërfaqësuar në burgje krahasuar me përqindjen e tyre në popullsinë e përgjithshme, por për krimet e njëjta zezakët dënohen me dënime 19.1% më të gjata se të dënuarit e bardhë (U.S. Sentencing Commission)!

Viti 2020 shënon fillimin e një dekade të re, ndërsa është edhe vit zgjedhor. Partitë shqiptare duhet që në programet e tyre të parashohin mekanizma mbrojtës në gjyqësor, me të cilët do t’u jepet fund dyshimeve të shqiptarëve ndaj gjyqësorit të Maqedonisë së Veriut. Le të propozojnë partitë shqiptare atë që u tha në këtë shkrim apo çfarëdo mekanizmi tjetër të vendimmarrjes konsensuale, por mos të jenë naivë që vetingu do të jetë i mjaftueshëm për t’u dhënë fund padrejtësive ndaj shqiptarëve në gjyqësi! Përveç sjelljes së një mekanizmi të tillë, do të duhet që me atë mekanizëm të rigjykohen disa raste të dyshimta për shqiptarët, siç janë “Monstra” ose “Alfa”.

Diçka tjetër që partitë shqiptare duhet ta parashohin patjetër në programet e tyre për zgjedhjet e 2020-tës është dënimi i brutalitetit policor, viktimë e së cilës shumë shpesh janë shqiptarët. “Kontrolli i brendshëm” pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme është qesharak, andaj nevojitet kontroll i jashtëm i punës së policisë. Edhe në raportin e fundit të progresit të Komisionit Evropian shkruan se mbikëqyrja e jashtme e policisë ende nuk është plotësisht operacionale. Çfarëdo mekanizmi të mbikëqyrjes së policisë të vendoset, edhe aty duhet të aplikohet principi i vendimmarrjes konsensuale në baza etnike.

Gjërat që u përmendën këtu do të duhet të jenë kushte ndaj të cilave nuk do të lëshohet pe në negociatat për krijimin e qeverisë së re. Le të jetë viti 2020 fillimi i dekadës kur u është dhënë fund formave më të dhimbshme të diskriminimit ndaj shqiptarëve!