` . Baba kombi me frymë të re - TV-SHENJA

Baba kombi me frymë të re

Një kandidat “konsensual” do të simbolizonte një frymë të re uniteti politik e etnik, çfarë ka munguar në të kaluarën dhe një dëshmi përfundimtare se Maqedonia ka nisur të lirohet nga nacionalizmi vulgar, i cili vazhdimisht kërkonte armiq të brendshëm dhe të jashtëm

Shkruan: Daut DAUTI, Shkup

Thuhet se historia ka shumë ligjshmëri, por dhe rastësi. Ligjshmëri, kur disa procese vijnë në rrethana ose parakushte të caktuara, kur ngjarjet ose figurat që udhëheqin proceset, nuk janë të rastit. Rastësi, sepse ndonjëherë ngjarjet e rastit u japin kahe ngjarjeve ose edhe mision figurave të caktuara.

Kryetarit të ardhshëm i rastis të jetë “kryetar historik” i Republikës së Maqedonisë së Veriut. A do të jetë i mirë ose i keq, a do të jetë demokrat ose autokrat, autonom në veprimet e tij apo i varur nga ekzekutivi (kemi pasur gjithfarësh deri tash), kjo do ta pozicionojnë atë në sistemin e vlerave më vonë. Por, ajo që do të mbetet e shënuar dhe e pakontestuar do të jetë fakti se ai do të jetë KRYETARI I PARË i shtetit me emër të ndryshuar, pra kryetari i parë i Republikës së Maqedonisë së Veriut, e me këtë edhe do ta gëzojë epitetin “kryetari historik”.

Nga ana tjetër, pikërisht të qenit kryetar i parë i një faze të re historike të zhvillimit të shtetit e imponon edhe nevojën për gjetjen e profilit përkatës.

Kryetar çfarë nuk duhet të jetë

Kur në fund të vitit të kaluar kryetari aktual, Gjorge Ivanov, mbajti fjalimin vjetor para deputetëve dhe zbrazi një rrebesh akuzash ndaj politikave të qeverisë së Zoran Zaevit, para së gjithash për shkak të ndryshimit të emrit, njëri nga deputetët e BDI-së do të thotë: “E vetmja gjë e mirë në rastin e tij është që është në fund të mandatit”. Ndoshta pikërisht këtu dhe nis kërkimi për një kryetar të ardhshëm. Në atë që partitë e sotme në pushtet ndajnë një mendim pothuajse identik: Gjorge Ivanov është shembulli i kryetarit çfarë nuk i duhet Maqedonisë! Pra, ai ishte profil politikani çfarë duhet shmangur. Çfarë ishte ai në të vërtetë, a ishte aq i keq? Ku ishin mangësitë e tij?

Së pari, nuk na duhet një kryetar i ri i kontestuar. Të tillë kanë qenë pothuajse të gjithë të deritashmit. Gligorovi e fitoi mandatin e tij të dytë (të parin e fitoi në parlament) me një interpretim të lirë të partisë që e kandidoi për përmbushjen e censusit që në rrethin e parë. Ka mbetur e paqartë nëse kontestimi nga ana e VMRO-DPMNE-së ishte i bazuar, sepse nuk ishte kontestuese fitorja bindëse në zgjedhje, por dilema a e kishte siguruar mandatin që në rrethin e parë. Çështje interpretimi. Kryetari i ardhshëm ishte Boris Trajkovski, të cilin LSDM-ja një kohë të gjatë e quante “qytetari Trajkovski”, nën dyshimin se ka fituar me vota të falsifikuara. Si subjekt i dyshuar për këtë “ndihmesë” ka mbetur PDSH-ja. Kontestimi i Trajkovskit pushoi në një farë mënyre në konfliktin 2001, kur ai u bë subjekti rreth të cilit zhvilloheshin bisedimet ndërpartiake për menaxhimin e krizës, ndërsa kur vdiq në fatkeqësi aeroplani, i takoi hise pikërisht qeverisë së LSDM-së që t’ia organizojë varrimin me nderimet më të mëdha shtetërore. Edhe kryetari i ardhshëm ka qenë “qytetar”: “qytetari Cërvenkovski”, po për të njëjtat arsye. Në pikën e legjitimitetit, Gjorge Ivanovit nuk ka kush t’i bëjë vërejtje përderisa fitoi me mbi 100 mijë vota dallim nga kundërkandidati i tij. Por, ai mbeti i kontestuar nga BDI-ja, pasi u votua pa shqiptarët, që e bojkotuan me apelin e BDI-së, ndonëse dalja e tyre, pavarësisht votave të pavlefshme, ia mundësoi censusin kushtetues. Çështja e dytë, që u pa pikërisht te Ivanovi, është përgjegjësia e tij ndaj detyrimeve kushtetuese. Ivanovi nuk nguroi që, në disa raste, me kokëfortësi të mos e zbatojë atë. Një kryetar përgjegjës duhet t’i përdorë mekanizmat që ia jep kushtetuta për ta penguar ndonjë ndryshim që mendon se nuk është kushtetues, por ai nuk mund të shkojë mbi vullnetin e shumicës parlamentare kur të miratojë ligjet. Në ligjin për gjuhën dhe në çështjen e ndryshimeve kushtetuese në bazë të Marrëveshjes së Prespës, ai pati të drejtë një herë të mos nënshkruajë, por në procedurën e përsëritur ishte i detyruar ta respektojë vendimin e Parlamentit. Dobësia e tij edhe më e madhe është se ishte kryetari deri tash më servil ndaj qeverisë, gjë që shpesh e solli në situata tragjikomike, deri në tallje nga një pjesë e shtypit opozitar. Në një vendim të tij dha amnisti për kryerës të veprave të cilat ishin shkaktare të krizës politike, duke bërë “pak më shumë” siç kishe bërë në një rast të ngjashëm paraardhësi i tij Cërvenkovski për bashkëpartiakë të vet. Nëse në pikëpamje të subordinimit me ekzekutivin ndjehej inferioriteti i tij, në disa çështje, si bie fjala projekti “Shkupi 2014” dhe antikuizimi, shumëkush si frymëzues kryesor e konsideron pikërisht Gjorge Ivanovin, madje edhe para se të kandidohej. Me fjalë të tjera, i bie që të jetë një “at shpirtëror” i përvetësimit të së kaluarës së maqedonasve antikë, e cila jo vetëm që futi përçarje identitare te maqedonasit, por – në anën tjetër – e vështirësoi edhe zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë. Në pikëpamje politike, do të mbetet në kujtesë për shprehjen e tij të famshme “kompromisi i arsyeshëm është kompromis i arsyeshëm”, që sot e kësaj dite nuk është zbërthyer në “ç’mënyrë” e mendonte ai atë kompromis. Kontesti i emrit nuk është e vetmja “vepër” e tij, por dhe koketimi me (ri)orientimin strategjik në vijën panortodokse e pansllaviste, përkundër të gjitha deklarimeve për integrimet euroatlantike të të gjitha qeverive të deritashme. Përskaj të gjitha dështimeve, do të mbahet mend për diçka pozitive: u përmbajt në ditën e kobshme të 27 prillit (“hyrja e popullit në parlament”) që ta përdorte ushtrinë, pasi shumë analistë dhe politikanë janë të bindur se kishte një skenar për këtë. Ai vetë e ka mohuar këtë.

Çfarë duhet të jetë?

Dikush do të thotë nuk na duhet edhe një kryetar pa Unin e tij, pa dinjitetin e një burrështetasi të mirëfilltë, që punon për kohezionin të gjitha shtresave të shoqërisë. Kryetar ideal, vërtet, që Maqedonia deri tash nuk ka pasur fat ta ketë. A ishte Gligorovi një i tillë, i zgjedhur në mandatin e parë nga të gjitha partitë parlamentare? A ishte Boris Trajkovski i ndjerë në një periudhë të konfliktit një kryetar koheziv, duke pasur parasysh se përmes iniciativave të tij arriti të sigurojë dialog midis subjekteve relevante për të dalë nga kriza? Urrejtësit e Gjorge Ivanovit do të thoshin se të gjithë nga pak kanë qenë të tillë, përveç tij. Sepse edhe Cërvenkovski, që ishte kryetar që u ul në fron duke zbritur nga pozicioni i liderit partiak, ka ditur në momente të caktuara ta kthejë ndonjë ligj të votuar nga partia e tij në pushtet, gjë të cilën nuk e bëri asnjëherë profesori universitar Gjorge Ivanov.

Çfarë duhet të jetë një kryetar ideal, është një, e çfarë mendojnë partitë është krejt tjetër. Partitë politike zakonisht kërkojnë një kandidat që t’i tërheqë votuesit, duke bërë shpesh “truke” që do të jenë karrem për publikun e gjerë. Ndoshta rruga më e mirë për ta gjetur është pikërisht ajo si u gjet Gjorge Ivanovi! Paradoksale, por VMRO-DPMNE-ja për herë të dytë arrin ta rekrutojë kandidatin e vet nga radhët e profesorëve universitarë, duke përdorur dy herë formulën e njëjtë: përkrah një kandidaturë që e propozon një grup intelektualësh, ndonëse jo pa bekgraund politik: Ivanovi ishte nga garnitura udhëheqëse e Lidhjes së Rinisë, e cila u shndërrua më vonë në Partinë Liberale, ku ka qenë edhe Gordana Siljanovska, e cila ka qenë edhe ministre. Praktikisht, kjo parti, me liderin e saj të ri, Hristijan Mickovskin, pranojnë një kandidaturë e cila është afër pikëpamjeve politike të veta kundrejt çështjeve kapitale. Sa i përket Marrëveshjes së Prespës dhe ndryshimit të emrit dhe ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe, VMRO-ja i ofroi Maqedonisë së Veriut një “kopje të Ivanovit”, siç e quajti një portal, duke krijuar kamuflazh të dyfishtë: zgjedhësve ua prezanton një kandidaturë “mbipartiake” që të jetë e pranueshme për shtresat më të gjera, ndërsa nga ana tjetër, ndonëse Siljanovska ka përparësinë e një intelektualeje “të pavarur”, ajo mund t’i mbrojë qëndrimet e deritashme të VMRO-së si një VMRO-iste e vërtetë. Ka gjetur vorba kapakun, thotë një fjalë e bukur popullore. Ndoshta ajo edhe shkon më mbrapa sesa që realisht do të donte partia që e ka kandiduar, duke u deklaruar se do të bëjë revizionin e Marrëveshjes së Ohrit, revizionin e kufijve të komunave sipas decentralizimit të vitit 2004, revizionin e Marrëveshjes së Prespës dhe revizionin e Ligjit të gjuhëve. Siç vërejti profesoresha Mirjana Maleska, revizioni i këtyre çështjeve do të çonte në konflikt ndëretnik, konflikt me BE-në dhe SHBA-të, izolim ndërkombëtar dhe zënka me fqinjët. Nuk besoj se shumica e qytetarëve e duan edhe një Ivanov të dytë.

Por, ky është koncepti i një kandidati “jokonsensual”, i kundërt nga ajo çfarë e ka konceptuar si model BDI-ja. Në zgjedhjet e kaluara ky koncept nuk kaloi te partneri i atëhershëm i koalicionit, sepse VMRO-ja ishte pozicionuar qartë pro Gjorge Ivanovit, kandidat ky tashmë “i sprovuar” prej të cilit nuk hiqte dorë. BDI-së nuk i mbeti tjetër alternativë, pos që ta mbante gjallë animozitetin ndaj Gjorge Ivanovit dhe thirrja për t’i bojkotuar zgjedhjet presidenciale dha rezultatin e tillë që, me abstinencën e shqiptarëve, fituesin ta përcaktonin vetëm votat maqedonase me një pjesë të vogël të elektoratit të partive minore.

Kësaj radhe në fillim sikur pati dozë mos mirëkuptimi edhe nga ana e LSDM-së, mirëpo në fund mbisundoi realizmi i tyre dhe frika që të mos përsëritet dështimi i referendumit për ndryshimin e emrit, kur edhe pse me shumicë absolute pro ndryshimit të emrit, ai dështoi sepse nuk u përmbush 51-përqindëshi i daljes për shkak të bojkotit të opozitës. Andaj bashkimi i votave të LSDM-së me ato të BDI-së dhe të partive tjera shqiptare rreth një kandidati, japin një shans më të madh për të siguruar dalje më masive (censusi prapë është i rëndësishëm), por dhe për fitore.

Do të jetë hera e parë që dikush të garojë si kandidat i përbashkët i dy partive relevante të blloqeve etnike maqedonase dhe shqiptare. Në këtë mënyrë vijmë te profili më i pranueshëm te pjesa dërmuese e komuniteteve etnike shumicë në Maqedoni, që ia shton elementet e konsensualitetit. Por, duhet të jemi realistë se përkrahja e tillë nuk i determinon apriori sjelljet e tij në praktikë, ndonëse votat që do t’i marrë e bëjnë të obligueshëm. Kandidatja e VMRO-së vjen nga “fella” akademike, pa librezë partiake, që në shikim të parë përbën atë lloj profili që duhej ta kishin gjetur edhe LSDM-ja me BDI-në (përkrahur edhe nga Besa e “rebrenduar” në Alternativë e Afrim Gashit e ndoshta edhe nga partitë tjera).

Shumëkush “konsensualitetin” e kryetarit të ardhshëm e shikoi edhe në kontekst të një hapi më radikal, si shans që për herë të parë të zgjidhet ndonjë shqiptar. Por, kjo ide do të presë ndonjë kohë të ardhshme, sepse tash për tash, nga tri postet kryesore në shtet, një u takon shqiptarëve, kreu i Parlamentit, që në situata të caktuara e zëvendëson kryetarin. Ndarja e posteve kryesore në baza etnike edhe nuk është më ndonjë paragjykim, sepse ka pasur mjaft tekste afirmative nga autorë a politikanë maqedonas që kanë përmendur ndonjë emër të mundshëm, si Talat Xhaferin ose Imer Selmanin (ky në një cikël të kaluar zgjedhor mori dhjetëra mijë vota maqedonase). Ndoshta mund të merret shembulli i Shqipërisë ku përfaqësohen tri konfesionet në tri pozicionet kyç: kryeministri është i krishterë katolik nga jugu (!), kryetari i shtetit është nga komuniteti bektashian, ndërkaq kryetari i parlamentit është pjesëtar i komunitetit mysliman sunit! Po kështu, por në role të ndryshme, ishin ndarë postet kyç edhe në të kaluarën (Sali Berisha sunit, Alfred Moisiu ortodoks, Bamir Topi bektashian, ose: Saliu sunit, Aleksandër Meksi ortodoks…). Shembuj interesant kemi edhe nga bota: në Indinë me shumicë hinduse kryetari disa herë ka qenë mysliman, një herë madje dhe nga komuniteti sik, kurse në Singaporin me shumicë budiste dhe të krishterë, në krye ka ardhur një kryetare myslimane, madje me shami…)

Në këtë moment dominon mendimi se, pavarësisht të gjitha rrethanave, për hir të ngjarjeve dramatike me ndërrimin e emrit, edhe kësaj radhe kryetari patjetër duhet të jetë maqedonas. Nuk ka nevojë të debatohet pse. Me supozim se pikërisht ky kandidat konsensual do të fitojë në zgjedhje, përparësia e tij do të jetë përkrahja e shtresave më të gjera, si nga bashkësitë etnike, si nga shtresat sociale. Ai do të simbolizonte një frymë të re uniteti etnik e politik, çfarë ka munguar në dy mandateve të kaluara dhe një dëshmi përfundimtare se Maqedonia ka nisur të lirohet nga nacionalizmi vulgar, i cili vazhdimisht kërkonte armiq të brendshëm dhe të jashtëm.

Pra, kryetari i ardhshëm nuk duhet të jetë i kontestuar dhe nuk duhet të jetë servil ndaj pushtetit ekzekutiv, por duhet të jetë kooperativ në suaza të bashkëpunimit midis institucioneve dhe me Unin e tij të fortë të mos lejojë të nëpërkëmbet nga shumica parlamentare ose qeveria. Ai nuk duhet t’i mbrojë interesat vetëm të shumicës ose vetëm të opozitës, por duhet të jetë “baba i kombit” në plotkuptimin e fjalës, i cili do të punojë në realizimin e përcaktimeve gjeostrategjike, një kryetar që do ta respektojë kushtetutën, por dhe ta ketë elokuencën dhe virtytet që i kanë hije një shefi të shtetit…