` . Baba Amerikë e nana Evropë - TV-SHENJA

Baba Amerikë e nana Evropë

Kosovës i shndriti fati në fund të shekullit XX, si epilog i Luftës së Ftohtë. Aleatët tradicionalë të shqiptarëve, anglezët, gjermanët, amerikanët, turqit, italianët e, madje, edhe francezët ishin në një kamp. Pra, nuk ndesheshin me njëri-tjetrin, por e luftonin Rusinë

Shkruan: Nexhmedin SPAHIU, Mitrovicë

Disa vite më parë në zyrën time në Mitrovicë më vizitoi një delegacion prej 4 vetash nga Foreign Office (Ministria e Jashtme Britanike). Për ta shkurtuar bisedën dhe për të treguar se e dinë kush jam unë, më shtruan pyetjen e parë tepër direkte: “Ne britanikët, bashkë me gjermanët, e kemi krijuar kombin shqiptar. E përse atëherë ju shqiptarët në të dy luftërat botërore ishit jo me ne, por me gjermanët?”.

E mora me mend se po t’ia kenë bërë po këtë pyetje ndonjë tjetri, do t’ia ketë bezdisur me përrallat se partizanët tanë i luftuan gjermanët dhe se Shqipëria kishte 28.000 dëshmorë, si dhe budallallëqe tjera, duke u përpjekur t’ua tregojë diplomatëve britanikë historinë e falsifikuar, me të cilën ata do të nënqeshnin.

Unë i rashë shkurt dhe u thashë: “Po, është e vërtetë se ju dhe gjermanët e krijuat kombin shqiptar, por kishte një dallim: ju ishit në rolin e babait, ndërsa gjermanët ishin në rolin e nënës. E kur divorcohen prindërit, fëmijët e mbajnë anën e nënës dhe prandaj në të dy luftërat botërore, kur ju u ndeshët me gjermanët, shqiptarëve iu kajt nana.”.

T’i kthehemi tani Kosovës. Kosovës i shndriti fati në fund të shekullit XX, si epilog i Luftës së Ftohtë. Aleatët tradicionalë të shqiptarëve, anglezët, gjermanët, amerikanët, turqit, italianët e, madje, edhe francezët ishin në një kamp. Pra, nuk ndesheshin me njëri-tjetrin, por e luftonin Rusinë. Në anën tjetër, Serbia e Millosheviqit u tregua më “katolike se Papa” dhe ndërhyri në puçin ushtarak kundër Jelcinit në Rusi. Kësisoj, Kosova doli në jetë si një komb i ri e i vogël, por me përkrahje të madhe, ku rolin e babës e pati Amerika (ia hoqi qafe hasmin), ndërsa rolin e nanës e pati Bashkimi Evropian (u mor me përkundjen dhe ushqimin e këtij kombi të ri).

Në këto 20 vjet të jetës si komb, Kosova nuk u përball me sfidën prindërore. Baba Amerikë dhe nana Evropë shkonin mirë njëra me tjetrën. Sfida e parë doli Turqia.

Pasojë e grusht shtetit të dështuar më 15.07.2016 në Turqi qe afrimi i Turqisë me Rusinë dhe ftohja me Perëndimin. Vladimir Putini e shfrytëzoi rastin ideal për të fituar terren në betejën e tij për penetrim drejt Perëndimit dhe arriti ta lëkund gurin më të madh në këtë drejtim, duke shpëtuar kokën e Erdoganit përmes informatave vendimtare. Nga një skifter i NATO-s kundër Rusisë, Turqia u shndërrua në një komb në përpjekje të rolit që e luajti Jugosllavia e Titos dikur: mes Perëndimit e Rusisë – edhe me Perëndimin edhe me Rusinë. Për Kosovën kjo është një sfidë: Nga t’ia mbajë, me Turqinë apo me Perëndimin? Derisa marrëdhëniet Turqi-Perëndim nuk janë të ftohura krejtësisht, Kosova nuk e ka problem të mbahet edhe me Turqinë edhe me Perëndimin, por problemi shtrohet çka nëse Kosova duhet të zgjedhë anë? Shyqyr qe deri te kjo situatë nuk kemi ardhur akoma.

Por, çdo sfidë është edhe një mundësi. Afrimi i Turqisë me Rusinë është edhe një mundësi më shumë për ta zbutur kundërshtimin rus në agjendat e Kosovës. Natyrisht, forcimi i rolit rus në drejtim të Perëndimit nuk filloi me Turqinë. 5 kombet e Bashkimit Evropian, që nuk e kanë njohur Kosovën, në fakt nuk e kanë bërë atë jo pse e kanë inati Kosovën, por sepse kanë një anti-amerikanizëm të fshehur brenda tyre. Ndikimi rus në Evropë fitoi terren edhe në Maqedoni e Hungari. Dhe, derisa në Maqedoni amerikanët e larguan atë duke ia mbledhë betë Ali Ahmetit për të bërë koalicion me Zaevin e jo me Gruevskin, në Hungari ky problem paraqitet më i vështirë, pasi afrimi i Viktor Orbanit me Putinin nuk është vetëm hir i një pushtetari të fuqishëm, por orientim politik i një kombi, i cili e lakmon pozicionin politik të Jugosllavisë së Titos gjatë Luftës së Ftohtë.

Sfida tjetër është Britania e Madhe. Largimi i saj nga Bashkimi Evropian sjellë ndryshime në gjeostrategji, të cilat ndryshime mund të vijnë në shprehje më vonë. Çka nëse relacionet Britani e Madhe – Bashkim Evropian (Gjermani) shkojnë duke u acaruar? A do ta mbajë Kosova anën e njërës apo të tjetrës?

Në fakt, babë i kombit kosovar, me plotkuptimin e fjalës, është Amerika. Dhe, nëse një acarim i marrëdhënieve SHBA-BE nuk është në horizont për arsye të tyre të ndërsjella, për fëmijën e tyre Kosovën veç po dalin sheshit mospajtimet. Derisa Nana Evropë, si të gjitha nanat e kësaj bote, fëmijën e vet, Kosovën, po përpiqet ta pajtojë me vagabondin Serbi, duke i lëshuar rrugë vagabondit, pra duke mos e shtyrë në konflikt me vagabondin, baba Amerikë problemin e sheh duke e udhëzuar fëmijën Kosovë t’i tregojë muskujt. Vendimin për taksën 100% ndaj produkteve serbe dhe vendimin për formimin e ushtrisë kombëtare të Kosovës shumëkush e sheh si guxim dhe vendosmëri të Ramush Haradinajt, por në fakt vendimi është i babës Amerikë, ndërsa nderi iu la Ramushit e jo dikujt tjetër, ashtu siç nderi ose faji për kompromisin që Amerika do ta bëjë (ose veç e ka bërë) me Serbinë do t’i lihet Hashim Thaçit. Hashim Thaçi do ta nënshkruaj në Uashington atë që baba Amerikë veç është marrë vesh me Serbinë.

Duke qenë se këtë marrëveshje për Kosovën e bën baba e jo nana, është e pritshme që marrëveshja të jetë më dinjitoze për Kosovën se ajo potenciale në Bruksel.

Megjithatë, Kosova nuk duhet të harrojë se ajo jeton në gjirin e nanës Evropë dhe, sado të entuziazmohet pas muskujve të babës Amerikë, nuk duhet ta hidhërojë nanën Evropë.