` . Aurora Ndrio Karameti promovon librin rreth raportimit të medieve për konfliktin e vitit 2001 - TV-SHENJA

Aurora Ndrio Karameti promovon librin rreth raportimit të medieve për konfliktin e vitit 2001

Konflikti në Maqedoni në vitin 2001 nëpërmjet këndvështrimit mediatik, mënyrës se si mediat lokale dhe ato prestigjioze ndërkombëtare kanë raportuar gjatë kësaj periudhe, janë paraqitur në librin e titulluar “Media dhe gjeopolitika e një konflikti entik”,  nga autorja Aurora Ndrio Karameti, i cili u prezantua sot. Karamenti ka bërë një analizë të thelluar duke u bazuar në të përditshmet e asaj kohe, dokumentacionit historik dhee politik, si dhe studimeve të autorëve të njohur të fushave mediatike, politike dhe  diplomatike. Ajo tha se gjatë studimit, në literaturën botërore ka hasur në një njohje shumë sipërfaqësore të Maqedonisë, e cila cilësohej si “Maqedonia Antike” apo si një “Republikë e Ish Jugosllavisë” dhe se shqiptarët e Maqedonisë nuk trajtoheshin aspak.

“Dhe shpeshherë thoshin, po mirë tani çfarë problemi ka të jetohet në Maqedoni, shqiptarët mund të bëjnë kompromise. Por, nuk e dinin se shqiptarët tashmë kishin bërë më shumë kompromise. Mirëpo kishte shumë gjëra të tjera të lidhura zinxhirë, që sollën deri tek një konflikt i armatosur. Dhe të gjitha këto unë i solla në dritë, i shpjegova dhe argumentova që, tek e fundit shqiptarët e Maqedonisë, nuk e sollën luftën nga askund, por ngritën krye, u rebeluan, dhe ky rebelim i kishte rrënjët nga problematikat e stërzgjatura”, ka deklaruar Aurora Ndrio Karameti, Autore.

Profesori Salajdin Saliu, i cili është njëri prej recensentëve të librit, tha se koha në të cilën jetojmë, ngjarjet me peshë shikohen si të izoluara dhe shpiken lavdi të rrejshme, në një kohë ku fenometet nuk ndriçohen me fenerin e shkencës.

“ Libri i Aurora Ndrios, fatkeqësisht për këso shkaqesh edhe ka kaluar në heshtje. Sepse nuk është libër që i përket botës së spektaklit dhe mendimit të cekët. Ky libër do të duhej të merrej edhe si referencë, kur flasim për një periudhë kohore të trazuar, të ankthshme sikurse ishe ajo e vitit 2001. Do të duhej të merrej si referencë, sepse ngjarjet analizohen me gjakftohtësinë e një studiuesi dhe me metodologji që synon ta zbërthejë fenomenin duke e shikuar nga këndvështrime të ndryshme. Do të duhej të merret si referencë sepse u thanë shumë të vërteta dhe jo një të vërtetë absolute e cila sipas çdo përkufizimi është tiranike. Do të duhej të merrej si referencë, sepse reflektimet e kësaj ngjarje reflektojnë në kohën tonë”, ka deklaruar Salajdin Saliu, profesor.

Sipas profesorit universitar Imer Ismaili, të vërtetat që thuhen në këtë libër, janë më shumë, informacione dhe konstatime shkencore, reale dhe objektive për ambientin euro-amerikan, prandaj sipas tij i njëjti duhet të përkthehet edhe në gjuhë të huaja.

Ky libër është botuar në vitin 2014 nga Universiteti Shtetëror të Tetovës, dhe i njëjti përdoret edhe nga studentët e gazetarisë.

Ajnur Bafqari /SHENJA/

Aurora Ndrio Karameti promovon librin rreth… by tvshenjaofficial

Postime të Ngjajshme