` . Ataullah Efendi Kurtishi në gjykatë – TV-SHENJA

Ataullah Efendi Kurtishi në gjykatë

Ardhja në sundim e Turqve të Rinj i detyroi ata të iknin. Atif Efendi Iskilibi u ekzekutua, ndërsa Mustafa Sabriu, Mehmet Akif Ersoi dhe Ataullah Kurtishi ikën. Thuhet se një kohë të shkurtër Ataullahu kishte jetuar edhe në Greqi ose në Thrakinë Perëndimore. Mendohet se ai u kthye në vendlindje në vitin 1914 dhe 1922. E kishte lënë vendlindjen me halifat, ndërsa e kishte gjetur në ndryshim total politik – ishin sllavët ata që e sundonin në vendin e tij.

Shkruan: Nexhat IBRAHIMI, Prizren

Ataullah Efendiu u lind më 1874 në fshatin Studeniçan të Shkupit. Mësimet e para i mori në familje nga prindërit e tij, për t’i vazhduar në mejtepin e fshatit, ku ishte më i dalluari. Dëshira Ataullahut, me gjithë gjendjen jo të mirë materiale, do t’i plotësohet me ndihmat solidare të bashkëfshatarëve të tij dhe ai, në moshën dhjetëvjeçare, do të dërgohet në Shkup. Mësoi nga disa hoxhë, por më i njohuri ishte Nabi ef. Memishi. Pastaj Ataullahu do të niset për studime në Stamboll. Problemin e pakalueshëm të varfërisë në këtë rast e kapërceu bamirësia e tregtarit Gaxhi Qose. Më 1891 Ataullahu i ri shkoi në Stamboll për t’u regjistruar në medresenë “Fatih”, që ishte njër ndër shkollat më të njohura. Gjatë kësaj kohe kishte marrë mësim nga shumë hoxhallarë, si: Hafiz Husein Nexhmuddin Rodomiri, Abdulfettah ef. Dagistan Bahduri, Hafiz Qamil ef. Stambolli (Imam në Aksaraj), Thani Hakki Bursaviu, Haxhi Hafiz Ismailhakki Ef. Manastiriu etj. Aty mori titullin muderris dhe njohës i fikhut, usulit, tefsirit, hadithit, por edhe logjikës, filozofisë etj. Më pas, pas një specializimi rigoroz shtetëror, filloi të punonte si profesor në Medresenë Fatih.

Në këtë periudhë në Perandorinë Osmane u shfaqën rryma të ndryshme ideologjike, politike, nacionaliste, të nxitura si nga brenda ashtu edhe nga jashtë. Dy ishin kryesore: 1) Lëvizjet laike, të frymëzuara nga lëvizja nacionaliste franceze dhe 2) Lëvizjet fetare, të mbështetura mbi bazat fetare islame. Këtë grup e udhëhiqnin Shejhul-islam Mustafa Sabriu (1869-1954), Atif Efendi Iskilibi (1876- 1926) por edhe Ataullah Kurtishi. Ky grup intelektualësh kishte për synim të ringjallte myslimanët, duke u bazuar në parimet islame, të eliminonte elementet destruktive laike nga mjedisi i halifatit, të ndiqte rrugën e Ehli sunnetit dhe xhematit, të kultivonte moralin islam dhe të ruante halifatin. Madje, për këtë qëllim kishin formuar edhe një parti – Partia e Lirisë dhe Koalicionit. Por, ardhja në sundim e Turqve të Rinj i detyroi ata të iknin. Atif Efendi Iskilibi u ekzekutua, ndërsa Mustafa Sabriu, Mehmet Akif Ersoi dhe Ataullah Kurtishi ikën. Thuhet se një kohë të shkurtër Ataullahu kishte jetuar edhe në Greqi ose në Thrakinë Perëndimore. Mendohet se ai u kthye në vendlindje në vitin 1914 dhe 1922. E kishte lënë vendlindjen me halifat, ndërsa e kishte gjetur në ndryshim total politik – ishin sllavët ata që e sundonin në vendin e tij. Kjo gjendje e detyroi ta vazhdonte aktivitetin politik, fetar etj. Për shkak të aktivitetit antiserb dhe antiortodoks, më 1919 u arrestua dhe bashkë me disa shokë e dërguan në burgun e Kralevës. Pas daljes nga burgu, ai vazhdoi aktivitetin fetar e politik, por pati probleme me tregtarin e pasur nga Shkupi, Shevki Ramizi, i cili për ta lehtësuar rrugën e tij, planifikoi ta eliminonte hoxhën Ataullah. Më vonë e arrestuan edhe bullgarët, duke e internuar në Sofje, ku qëndroi rreth një vit në burg. Sërish e vazhdoi aktivitetin e tij në Shkup e Maqedoni, por konflikti me Shevki Ramizin qe thelluar. Më 1938 Shevkiu e kishte paditur në Gjykatën Serbe-Kroate-Sllovene se ai nuk është qytetar i këtij shteti dhe se duhej dëbuar. Në vazhdim do të paraqesim disa shkëputje nga seanca gjyqësore:

Gjykatësi: (pas disa sqarimeve si, pse nuk je paraqitur në gjyq – kam qenë i sëmurë, prej çka je i sëmurë, e di se përse je i ftuar, si të quhet nëna dhe baba etj). Sa vjet i ke?

Hoxha: Përafërsisht 64 vjet.

Gjykatësi: A keni certifikatë të lindjes?

Hoxha: Jo, nuk kam certifikatë të lindjes.

Gjykatësi: Pse nuk keni?

Hoxha: Librat amë të evidentimit nuk janë të rregulluara, sepse gjatë luftës ishin shkatërruar.

Gjykatësi: Atëherë, prej nga e dini sigurt se në cilin vit keni lindur?

Hoxha: E di, sepse më kanë treguar se në luftën ruso-turke, që u zhvillua në Plevle (Bullgari), kam pasur një vit e gjysmë apo dy vjet.

Gjykatësi: Cilës fe i takon?

Hoxha: I takoj fesë muhamedane (islame).

Gjykatësi: Çfarë nënshtetësi keni?

Hoxha: Jam shtetas i Mbretërisë Jugosllave.

Gjykatësi: Ku ke i lindur?

Hoxha: Jam i lindur në fshatin Studeniçan, Komuna e Draçevës.

Gjykatësi: Je i martuar?

Hoxha: Po (jam i martuar).

Gjykatësi: Ke fëmijë?

Hoxha: Po, kam tre fëmijë.

Gjykatësi: A je i gjykuar?

Hoxha: Jo, nuk jam i gjykuar.

Gjykatësi: A je nën hetime?

Hoxha: Jo nuk jam. Kam qen nën hetime, por jam liruar si i pafajshëm.

Gjykatësi:. Çfarë profesioni ke?

Hoxha: Kam qenë hoxhë, kam qenë profesor në medrese private, ndërsa tash jam anëtar i “Ulema Mexhlisit“.

Gjykatësi: Në çfarë gjendje ekonomike je?

Hoxha: Jam i varfër, në fshat kamë vetëm një pjesë toke të vogël. Tash kamë rrogë 5.000 dinarë në muaj si anëtar i “Ulema Mexhlisit”.

Gjykatësi: A di shkrim dhe lexim?

Hoxha: Po, di shkrim-lexim. Di të flas mjaft mirë gjuhën serbe, di të shkruaj dhe lexoj edhe në alfabetin cirilik, i kam mësuar vet. Nuk kam mësuar në shkollat serbe. E njoh mirë edhe gjuhën turke dhe arabe.

Gjykatësi: Ju keni paraqitur një vërtetim, ku vërtetoni se dini të lexoni, shkruani dhe të flisni në gjuhen serbe?

Hoxha: Po. Këshillit shtetëror i kam paraqitur një vërtetim, të cilin e ka dhënë Riza Xheladinoviq-i dhe Mehmed Sadik-u, që të më shërbejë para “Ulema Mexhlisit” se unë di të flasë serbisht dhe të shkruaj në alfabetin cirilik.

Gjykatësi: Këtu kemi siguruar dy profesorë, të cilët do të provojnë, që të shohim se a di shkrim dhe lexim?

Hoxha: Mendoj se nuk ka nevojë, ngase vetë gjykatësi mund të vërej dhe të vërtetohet se a di të lexoj, të shkruaj dhe të flas në gjuhën serbe. Më jep një libër të lexoj. Më thuaj çka të shkruaj, unë do të shkruaj. Por, nuk kam asgjë kundër që të më provojnë edhe profesorët.

Gjykatësi: Shevki Ramizi të ka paditur, se ti ke paraqitur vërtetim të rremë se je shtetas i Mbretërisë Jugosllave, ndërsa ti je shtetas i Turqisë?

Hoxha: Shtetas i Turqisë kam qenë derisa Shkupi i takonte Turqisë. Unë kam qenë shtetas i Serbisë, ndërsa tash jam i Jugosllavisë.

Gjykatësi: Ku ke qenë më vitin 1913?

Hoxha: Në vitin 1913 kam qenë në Egjipt, më saktësisht Kajro, kam qenë në shkollim. Në Kajro kam shkuar në vitin 1911.

Gjykatësi: Kur je kthyer në Jugosllavi?

Hoxha: Në Shkup jam kthyer në fillim të vitit 1914. Jam kthyer me pasaportë të Serbisë. Në vitin 1913 kam shkuar në Konsullatën Ruse dhe atje kam deklaruar se unë jam shtetas i Serbisë, ngase Shkupi ishte nën sundimin e Serbisë. Në Kajro në vitin 1913 nuk kishte konsullatë serbe, sepse konsullata ruse përfaqësonte Serbinë. Unë, në Athinë, në përfaqësinë e Serbisë, kam marrë ndihmë materiale (financiare- para) për t’u kthyer në Shkup. Jam i lindur në Studeniçan. Kam dhënë deklaratë para konsullit rus. Unë jam banor i përhershëm i Komunës së Draçevës dhe se vëllai im, më i madh se unë, i cili është nëpunës në kooperativë, më ka paraqitur edhe mua te qeveritarët serbë, ngase në kohën kur ushtria serbe mori Shkupin unë isha në studime dhe nuk kisha ikur para ushtrisë serbe.

Gjykatësi: A keni qenë të internuar në Kralevë?

Hoxha: Në vitin 1919 unë me më shumë se pesëdhjetë shokë të tjerë ishim të internuar në Kralevë. I nderuari gjykatës, ajo që unë kam qenë i internuar në Kralevë është argument se, unë jam shtetas i këtij shteti. Sikur të kisha qenë shtetas i Turqisë, do të më largonin jashtë kufijve, e nuk do të më dërgonin në Kralevë.

Gjykatësi: Në vitin 1919 ku keni qenë?

Hoxha. Në vjeshtë të vitit 1919 kam marr pasaportën serbe nga Ranko Trifunoviq-i, kryetar i rrethit (komunës) që të udhëtoj për në Turqi. Me pasaportë serbe kam shkuar në Turqi, në vitin 1922 jam kthyer në Studeniçan, ndërsa në vitin 1924 kam ardhur dhe jam vendosur me vendbanim në Shkup, ku Këshilli i Komunës më ka pranuar për banor të qytetit.

Gjykatësi: Ke ende diçka të për të thënë?

Hoxha: Po, kam. Shevki Ramizi e di mirë se unë di të shkruaj, të lexoj dhe të flas gjuhën e shtetit dhe se jam shtetas i këtij shteti, por më padit sepse më urren. Ai nga Komuna e Draçevës ka siguruar lloj-lloj vërtetimesh të falsifikuara sipas dëshirës të tij. Njëherë merr vërtetim kinse unë nuk kam qenë banor i kësaj komune dhe këtë vërtetim e dërgon në Këshillin Shtetëror dhe më padit se me vendim jam caktuar për anëtar të “Ulema Mexhlisit”. Më pas, prej Komunës së Draçevës merr vërtetim tjetër se unë jam anëtar i kësaj Komune. Ashtu si i duhen atij, ai edhe nxjerr vërtetime. Unë në vitin 1923, nga ana e Ministrisë së Fesë, jam emëruar për myderris në medrese. Atëherë Shevki Ramizi nuk më paditi se unë jam shtetas i Turqisë, ndërsa tash më padit?

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, derisa këto vende ishin të okupuara nga okupatori bullgar, hoxha i nderuar vazhdoi në qëndrimet e tij. Bullgarët e kuptuan se një nga gjeneratorët e rezistencës së muslimanëve të këtyre trojeve ishte ky hoxhë, andaj e arrestuan dhe internuan në Sofje që atje ta vuante burgun. Atje qëndroi gati një vit dhe pas lirimit nga burgu, përsëri u kthye në Shkup dhe vazhdoi veprimtarinë e tij. Ataullah Kurtishi vdiq më 1946 dhe u varros në Gazibabë. Këto varreza janë zhvendosur në Butel dhe tani nuk ka gjurmë të varreve muslimane.